Tema e ditës

Diskutime mbi temat më të veçanta të ditës
 
Ministri i Berishës në momente “pune”, duke ndarë shtratin me 30-vjeçaren, të cilën e solli nga jashtë për ta emëruar drejtoreshë. Ish-ministri pranon vërtetësinë e videos dhe akuzon sërish Metën. Mirel Sheme Një ministër i Sali Berishës që filmonte fshehurazi gjithçka. Madje edhe veten, jo vetëm në takime zyrtare, por edhe me femrat, me të cilat ndante shtratin. Ish-ministri s’ka se kush të jetë tjetër përveçse Dritan Prifti, i cili drejtoi për vetëm një vit Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjatë kohës që LSI ishte në koalicion me PD-në. Ndërsa ajo me të cilën ish-ministri ndan çastet intime është vartësja e tij, një grua e martuar, e cila kishte lënë vendin ku kishte emigruar për të punuar si drejtoreshë në njërën prej drejtorive të METE-s. Video është e vjetër, të paktën 5 vite, dhe ishte njëra prej qindra orëve filmime që Prifti kishte regjistruar dhe hedhur në laptopin e tij dhe që ishte si prova e tij më e fortë në luftën kundër Ilir Metës, pas ndarjes së tyre përfundimtare në vitin 2010, pas mëse një dekadë që kishin punuar bashkë në qeveri dhe në LSI. Video intime, ashtu si dhe qindra videot e tjera, thuhej se ishin fshirë nga vetë autori më pas, për të mos e dorëzuar në duart e drejtësisë, bashkë me faktet kompromentuese për jetën e tij publike, apo private, por filmimet e fshira prej autorit, ishin rikthyer me anë të një pune specialistësh. Dy fotot më pikante të videos intime mes Priftit dhe ish-vartëses së tij u publikuan dje nga mediat online dhe tregojnë gruan e re duke “kalëruar” sipër shefit të vet të shtrirë në krevat dhe tjetra, kur së bashku, gjysmë të zhveshur, ngrihen nga shtrati i pasionit. Regjistrimet Sipas raportimeve thuhet që fotot janë pjesë e një videoje që ka qenë në laptopin e vetë Dritan Priftit dhe ai i ka dërguar me email tek disa miq të tij, të cilët me sa duket i kanë shpërndarë. Kur plasi skandali i videos Meta-Prifti u tha se ish-ministri kishte realizuar qindra filmime mes të cilave edhe filmime të vetes. Ky duket se është autogoli i dytë që Dritan Prifti i bën vetes pas videos numër dy, ku ai kishte regjistruar veten duke ndarë një ryshfet me zëvendësministrin e Energjetikës së asaj kohe, Leonard Beqiri. Në Parlament, gjatë replikave, është përmendur edhe që Prifti kishte edhe video të korrupsionit të Shkëlzen dhe Argita Berishës. Pas publikimit të fotove reagoi ish-ministri Dritan Prifti, i cili e pohoi ekzistencën e videos dhe madje sipas tij ka pesë vite që i bëjnë shantazh me të, duke ja treguar dhe bashkëshortes së tij. Sipas Priftit, fotot janë një shantazh që po i bëhet atij për t’u tërhequr nga akuzat që ka bërë ndaj Ilir Metës. “E kam ditur dhe faktin e ekzistencës së një videoje intime, foto të së cilës kanë dalë sot në disa media. Më kanë bërë rreth 5 vjet shantazh për publikimin e saj. Por siç e keni parë, unë nuk jam tërhequr nga denoncimet e mia publike. Pas 5 vitesh, sot vendosën t’i bëjnë publike këto foto, në ditën e tyre më të keqe përpara shqiptarëve e ndërkombëtarëve. Çdokush e kupton se jeta ime private sulmohet për të larguar vëmendjen e Shqipërisë dhe botës nga aferat me miliona euro.”- u shpreh Prifti përmes një reagimi online. Partnerja Gruaja që shihet në fotot e marra nga video ishte sjellë në ministri nga vetë Prifti, pasi u bë ministër i METE-s në vitin 2009. Gruaja, atëherë 30-vjeçare, kishte punuar për disa vjet në një vend perëndimor në një biznes privat, por kjo s’e pengoi ministrin që ta gradonte më pas në një pozicion delikat si Drejtore e Përgjithshme e në një zyrë shumë të rëndësishme që kishte të bënte me projektet dhe bashkëpunimin ekonomik me jashtë. Ajo u largua nga ky post i lartë, pasi ministër i METE-s u emërua Nasip Naço. Gruaja në fjalë, identitetin e të cilës, po e mbajmë të fshehur për arsye etike, dje pasdite, pak orë pas daljes së dy fotove, e fshiu edhe llogarinë e saj në Facebook, duke konfirmuar aludimet 5-vjeçare të njerëzve që s’e kishin parë videon, se ishte ajo femra që ndante shtratin me ish-ministrin. Prifti, i përmendur në letrën e Brahos Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Spartak Braho me anën e një letre drejtuar institucioneve më të larta të shtetit, flet për krijimin e një destabiliteti në vend dhe një komploti kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Mësohet se në letër, ndër të tjera Braho pretendon se ish-deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi dhe ish-ministri i Energjetikës Dritan Prifti po manipulojnë të arrestuarin Kastriot Ismailaj. Braho pretendon se Doshi dhe Prifti kanë takuar bashkëshorten e Ismailajt në një nga lokalet e hoteleve të njohura në Tiranë, ku kanë kërkuar që të ndikojë tek bashkëshorti Kastriot Ismailaj të dëshmojë dhe implikojë në aferën e kompanisë CEZ-Shpërndarje, kreun e Kuvendit Ilir Meta. Kreu i komisionit të sigurisë, dyshon se Doshi me anë të presionit kërkon që i arrestuari Ismailaj të pranojë faktin se ka qenë Meta ai që e ka prezantuar me drejtuesin e kompanisë CEZ-Shpërndarje. Historia e videos Prifti-Beqiri Pas videoregjistrimit që ishministri Dritan Prifti i bëri Ilir Metës, fshihej edhe një video tjetër gjatë së cilës Prifti kishte regjistruar veten e tij duke bërë pazare me zëvendësin e tij Leonard Beqiri. Këtë video Prifti nuk e kishte zhdukur dot nga laptopi i tij dhe ajo doli pas hetimeve që bëri prokuroria. Ish-ministri i METE-s, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësministri, Leonard Beqiri, sipas asaj që evidentohet në video, kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare, të parregullta, që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike dhe një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë prej 70 mijë eurosh. Historia e kësaj videoje ka dalë gjatë hetimeve të prokurorisë pas denoncimit që Dritan Prifti i ka bërë ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Aparati i përgjimit ishte marrë nga ekspertët e huaj që po kryenin hetimet dhe u vu re se brenda saj ishte dhe një video tjetër, të cilën Prifti kishte kujtuar se e kishte fshirë nga memoria. Në këtë video shfaqej ish-ministri Dritan Prifti dhe ish-zëvendësministri Leonard Beqiri i METE-s, duke diskutuar për një aferë me vlerë 70 mijë euro. Prifti i kishte dorëzuar materialet filmike në datën 13 janar, duke qenë i bindur se brenda orës që bëri përgjimin ishte vetëm videoja mes tij dhe Ilir Metës. Në kërkesën e Prokurorisë theksohej se “nga ekspertimi teknik i provave materiale ka rezultuar se në to ekziston edhe një video tjetër, e cila ishte fshirë, dhe është rikuperuar nga eksperti. Kjo video është e datës 11 mars, në të cilën janë regjistruar 2 persona, njëri ndër të cilët është ish-ministri i METE, shtetasi Dritan Prifti dhe ish-zëvendësministri, shtetasi Leonard Beqiri”, theksohej në kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për Kuvendin. Kërkesa e prokurorisë mbante mbishkrimin sekret dhe ishte firmosur nga Ina Rama. Ngjarja Reagimi i organizatës ku u postuan fotot “Nisma Thurje”, organizata ku u postuan fotot intime të Dritan Priftit në një sqarim të saj në faqen rrjetet sociale shkruan se fotot pasi janë publikuar nga emri i gruas më pas janë fshirë po prej saj. “Një person me emrin Mimosa Paradiso ka postuar para një ore dy foto në faqen tonë dhe po vetë i ka fshirë më pas këto foto. Sqarojmë se në asnjë moment ne nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi pjesë e asnjë loje politike banale të cilat i neverisim. Nisma Thurje gjithmonë do i qëndrojë përballë politikës me shifra, fakte dhe argumente. Ky është dhe do të mbetet misioni ynë. Jeta personale e politikanëve nuk na intereson dhe nuk do na interesojë asnjëherë. Kushdo mund të postojë foto në murin e vënë në dispozicion për qytetarët dhe mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre”, thuhej në reagimin e Nismës
 
Një përplasje politike është verifikuar këtë të shtunë mes Italisë dhe Libisë, dikur dy vende me lidhje të forta ekonomike. Shkak është bërë një reagim i qeverisë hije të Tripolit që ka bërë përgjegjëse direkte palën italiane për vrasjen e kryebosit të trafikut të qënieve njerëzore nga Lindja e Mesme drejt Evropës. Salah Al Maskhout, në krye të një milicie të armatosur dhe i konsideruar nga mediat libiane si bosi i skafistëve, u ekzekutua një natë më parë në Tripoli nga një grup personash të armatosur, që nga mënyra e veprimit konsiderohen profesionistë. Presidenti i Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar, Nuri Abu Sahmainsay, që drejton një qeveri paralele në opozitë, ka akuzuar "forcat speciale italiane" për këtë vrasje. Ndërkohë, mediat libiane, të cilat më herët raportuan për ekzekutimin e Maskhout, shkruajnë edhe për lidhje të bosit të trafikut me vetë kreun e Kongresit. Nuk ka munguar ndërkohë reagimi i Romës zyrtare. Ministria e Jashtme e Italisë dhe ajo e Mbrojtjes kanë mohuar përfshirjen e ushtarakëve italianë në këtë vrasje. Një përgënjeshtrim ka ardhur edhe nga shërbimet sekrete. “Në Libi nuk janë në zhvillim aktivitete të këtij lloji dhe kjo për faktin se ky vend nuk është pjesë e perimetrit operativ të agjentëve tanë”, thuhet në një komunikatë të cituar nga agjencia e lajmeve “ANSA”. Al Maskhout, i kërkuar në Itali për akuza të lidhura me trafikun e qënieve njerëzore, mbeti i vrarë bashkë me 8 truprojat, sapo kishte dalë nga një banesë e tij në afërsi të Qendrës Mjekësore të Tripolit. Mediat libiane shkruajnë se truprojat e tij ishin të armatosur me kallashnikovë, ndërkohë që vrasësit e tij përdorën armë të kalibrit të vogël. Ditën e premte, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të BE, Federica Mogherini deklaroi se operacionet taktike kundër trafikantëve do të fillojnë më 7 tetor. Manovrat përfshijnë angazhimin e luftanijeve italiane dhe britanike, që aktualisht janë të përfshira në operacione trajnimi, në përballjen me mjetet lundruese të trafikantëve në det. Këto manovra janë konsideruar si të rrezikshme nga grupet e të drejtave të njeriut me argumentin se mund të cënojnë jetët e refugjatëve, por Mogherini tha se, trafikantët duhen ndalur me çdo kusht.
 
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi udhëtuan të shtunën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në samitin global të liderëve kundër ISIS-it dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm që do të mbahet në New York. Në këtë samit do të diskutohet për të arriturat e shteteve në luftën kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm. Dhe për këtë qëllim pjesë e delegacionit kosovar është edhe ministri i brendshëm Skënder Hyseni. Kosova është vlerësuar si njëra ndër vendet me numrin më të madh të shtetasve të saj, për frymë, që i janë bashkuar luftërave në Siri e Irak. Sidoqoftë, kjo nuk do të jetë fokusi i vetëm i delegacionit qeveritar. Siç njofton qeveria e Kosovës, kryeministri Mustafa do të fokusohet në punën lobuese për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë bërë këtë. Ai do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të administratës së shtetit, kryeministra të shumë vendeve të BE-së, si dhe liderë të shteteve të ndryshme anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe të shteteve që ende nuk e kanë marrë vendimin formal për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ndërkohë përvec njohjes së pavarësisë, e rëndësishme mbetet edhe përkrahja e shteteve për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, theksohet anëtarësimi në Unesco për çka Kosova tashmë i ka hyrë garës. Nga ana e tij zëvendëskryeminstri Thaçi shkruan në Facebook se po udhëton drejt New Yorkut për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duke paralajmëruar takime me zyrtarë të departamentit të shtetit, OKB-së e BE-së. Siç shkruan Thaçi “shumë mundësi për të lobuar për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.
 
Agjentë të shumtë të Policisë së Shtetit kanë kryer pasditen e kësaj të shtune në Bulqizë operacionin e koduar "Furtuna", që është mbyllur me arrestimin e të shumëkërkuarit Fadil Tërnova. Lajmin e konfirmojnë burime policore zyrtare. Tërnova ishte person i shpallur në kërkim për "vrasje të mbetur në tentativë". Gjykata e Dibrës e ka dënuar këtë shtetas në mungesë me 9 vite e 10 muaj burg për këtë vepër penale. Burimet saktësojnë se, në momentin e arrestimit atij iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë. Ndërsa gjatë kontrollit të imtësishëm në banesë, atij iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një armë e llojit Kallashnikov me dy krehëra me 60 fishekë. Gjithashtu, në pranga ka përfunduar edhe një person tjetër, shtetasi Veli Nika, 29 vjeç, për përkrahje të autorit të krimit. Shtetasi Fadil Tërnova konsiderohej nga autoritetet policore person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i proceduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale. Konkretisht ai mbahet përgjegjës për: Më datë 09.12.2009, rreth orës 15.30, në vendin e quajtur “Pishat” ka qëlluar me armë zjarri një shtetas i cili mbeti i plagosur rëndë. Më datë 24.11.2012, rreth orës 12.00, është shpallur në kërkim nga ana e komsiariatit të policisë së Bulqizës për veprat penale “kanosje” dhe “plagosje me dashje”. Me datë 20.04.2013, rreth orës 15.00, në lagjen Gjeologu të qytetit të Bulqizës, pas një shkëmbimi zjarri përpara një lokali të njohur, Tërnova dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin me inicialet Sh.Sh. dhe ka plagosur rëndë një tjetër. Lidhur me këtë ngjarje u arrestun shtetasit Luan Tërnova dhe Vehap Shehu. Gjithashtu, Fadil Tërnova dyshohet edhe për disa ngjarje të tjera të rënda të verifikuara në teritorin e Bashkisë Bulqizë dhe policia po punon për dokumentimin e tyre.
 
Matthias Mueller është emëruar si shefi ekzekutiv i Volkswagen në vazhdën e skandalit të manipulimit të të dhënave për emetimet në mjedis nga kompania gjermane dhe dorëheqjes nga ky post të Martin Winterkorn, të mërkurën e kësaj jave. Matthias Mueller mbante postin e drejtorit ekzekutiv në Porsche. Ai është mjaft i respektuar në ambientin e industrisë së makinave në Gjermani dhe mbi të gjitha është jashtë skandalit që dëmtoi rëndë kompaninë Volkswagen. Vetë kompania ka njoftuar pas shpërthimit të skandalit në Shtetet e Bashkuara, se në gjithë botën ndodhen 11 milionë automjete që kanë të instaluar një pajisje që tregon nivele të ndotjes shumë herë më të ulëta nga ndotja reale. Bëhet fjalë për automjete me motor nafte 1.6 dhe 2.0, që përfshijnë modelet Jetta, Beetle, Golf dhe Audi A3, prodhuar nga 2009 e deri në 2015 dhe Passat nga 2014 deri në 2015. Ministri gjerman sqaroi se do të ndërmerren hetime dhe do të kryhen teste jo vetëm për modelet në fjalë, por edhe për të tjera prodhime të kompanisë. Që prej nisjes së skandalit, aksionet e Volkswagen kanë rënë ndjeshëm në bursat ndërkombëtare, ndërkohë që zërat se manipulime me testet kanë kryer edhe kompani të tjera gjermane kanë penalizuar edhe aksionet në bursa edhe për BMW.
 
Një delegacion nga Komisioni për Politikat e Jashtme të Parlamentit Europian, i cili kryesohej nga Ulrike Lunaçek, ka qëndruar të premten në Prishtinë, ku janë zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit. Pas takimit me parlamentarët europianë, zyra e Presidentes Jahjaga, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se, në këtë takim, presidentja kosovare e ka njoftuar delegacion e Parlamentit Europian me zhvillimet e përgjithshme në vend, me theks në proceset që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sipas komunikatës, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, dhe anëtarët e tjerë të delegacionit kanë shprehur mbështetjen për perspektiven europiane të Kosovës. Pas takimit me Jahjagën, parlamentarët europianë takuan kryeministrin, Isa Mustafa, teksa ky i fundit ishte i shoqëruar nga ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, dhe nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Edhe në këtë takim, sipas komunikatës së qeverisë është diskutuar për kriteret që ka përmbushur Kosova për MSA-në dhe liberalizimin e vizave, ndërsa kryeministri Mustafa ka thënë se tanimë nuk ka asnjë arsye që të ketë ndonjë vonesë për Kosovën. Sipas komunikatës së qeverisë, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek është interesuar për proceset politike aktuale në Kosovë dhe krizën e shkaktuar në Kuvend. Nënkryetarja e Parlamentit Europian, Lunacek, dhe deputetët e tjerë kanë takuar në Prishtinë edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe anëtarët e Komisionit për Punët e Jashtme, të cilëve u kanë dhënë mbështetje në punën që bën Kuvendi, për përmbushjen e gjitha detyrimeve dhe përafrimit të legjislacionit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian.
 
John Boehner, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, do të dorëhiqet nga kjo detyrë në fund të tetorit. Lajmi publikohet nga mediat amerikane, sipas të cilave, Boehner është dorëzuar përballë kritikave të krahut të ashpër brenda republikanëve për linjën e ndjekur prej tij karshi politikave të presidentit Obama, veçanërisht në lidhje me fondin për Planifikimin Familjar. Publikimi i këtij lajmi mbërrin një ditë pasi Boehner drejtoi seancën e përbashkët të dy dhomave të Kongresit, me rastin e fjalimit të mbajtur nga Papa Françesku. Sipas mediave amerikane, Boehner pritet të njoftojë zyrtarisht vendimin brenda ditës së premte. Të njëjtat burime thonë se Boehner planifikon që prej viti tërheqjen nga detyra e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve.
Autoritetet më të larta shtetërore në Kosovë shprehin gatishmërinë për t’i mbrojtur në mënyrë institucionale sinjalizuesit apo personat që denoncojnë nga brenda institucioneve publike apo kompanive private korrupsionin. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se sinjalizuesit duhet të inkurajohen ta bëjnë këtë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli theksoi se denoncuesit janë heronjtë e vërtetë të Kosovës. Një qëndrim i tillë vjen pak kohë pasi gjykata e Prizrenit dënoi një qytetar pasi shfrytëzoi të dhënat e brendshme të bankës ku punonte për të denoncuar korrupsionin e zyrtarëve komunalë. “Sinjalizuesit e veprave penale të korrupsionit duhet të inkurajohen duke u mbrojtur institucionalisht, në mënyrë që të vazhdojnë raportimin tek institucionet dhe tek mediat. është obligim institucional që raportimet e këtyre dukurive të shëmtuara dhe shumë dëmtuese për buxhetin e shtetit, të trajtohen me urgjencë nga organet e ndjekjes, vonesa në trajtimin e kallëzimeve nga sinjalizuesit është vonim i drejtësisë dhe njëherit dekurajim i angazhimit qytetar në këtë luftë”, tha presidentja Jahjaga. “Sot ne duhet që luftën kundër korrupsionit ta kuptojmë si akt patriotik, sot shteti i kosovës ka nevojë për këtë lloj patriotizmi, ka nevojë për këta heronjë, heronjë që e denoncojnë korrupsionin, heronjë që e hetojnë korrupsionin, prokurorë me guxim dhe gjyqtarë që mund ta dërgojnë deri në fund cështjen pavarësisht kush është i përfshirë”, deklaroi kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. Në këtë linjë është edhe ambasadori amerikan në Prishtinë ndërsa për kryeministrin Mustafa, Kosova ende nuk ka ndërtuar kritere morale e ligjore për luftimin e korrupsionit. “Sinjalizuesit duhet të mbrohen, një sistem transparent për çështjet si prokurimi publik duhet të zhvillohet, duhet të bëhet një ndryshim i kulturës, ku të gjithë qytetarët refuzojnë ta pranojnë korrupsionin dhe angazhohen për t’u bërë pjesë e zgjidhjes”, tha ambasadori i SHBA. “Qeveria me programin qeverisës është e vendosur që të luftojë korrupsionin dhe do të krijojë kushte normale të konkurrencës. Ne nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik nëse kemi korrupsion sepse pastaj firmat nuk janë të barabarta në treg. Po ashtu mendoj se nuk mund ta luftojmë korrupsionin, duke kërkuar kokë turku, ose peshq të mëdhenj, ashtu siç kemi vepruar deri më tani, sepse konsideroj se peshk i madh është çdo njeri i cili është i korruptuar”, tha Mustafa. Krahas shumë sfidave me të cilat ballafaqohet Kosova në luftimin e korrupsionit, ligjet në disa raste janë vetë problemi dhe burim i korrupsionit, siç është rasti me ligjin e prokurimit publik. Këtë e konstatoi zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina e cila në këtë takim kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi të bashkëpunojë më ngushtë me prokuroritë për ndryshimin e nevojshëm në legjislacion.
Vëmendja e mediave dhe opinionit ndërkombëtar është zhvendosur tek fluksi i emigrantëve dhe ajo që ndodh çdo ditë në vendburimin e këtij fluksi është lënë në hije. https://www.youtube.com/watch?t=1&v=OCGgv5AvEnk Realiteti i përditshëm i atyre sirianëve që kanë mbetur ende në vendlindje është lufta dhe frika e vdekjes nga momenti në moment dhe këtë e tregon më së miri një video e hedhur në internet nga një grup ekstremist i lidhur me Al Kaedan. Në video shihen disa luftëtarë xhihadistë që i japin përshëndetjen e fundit “martirit” të radhës; një adoleshenti uzbek që merr përsipër të drejtojë një autoblind të mbushur me eksploziv drejt bazave të armikut në frontin e luftës. Sipërmarrja vetëvrasëse e të riut uzbek nuk rezultoi aq e thjeshtë sa ai e kishte menduar. I vënë përballë vdekjes, adoleshenti përlotet në momentin kur futet në autoblind. Pak sekonda më vonë, në video shfaqen planet, që tregojnë momentin e shpërthimit. Adoleshenti ja doli mbanë në misionin e tij vetëvrasës duke lënë pas shtëllunga tymi të ngritura në qiell, shkatërrim dhe ndoshta dhjetra viktima veç vetes.
 
Qeveria e Kosovës ka vendosur për shumën e pensioneve, që do të marrin veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë të papunë, e që llogariten të jenë rreth 14 mijë. Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se, veteranët deri në moshën 35-vjeçare do të marrin pension prej 130 eurosh, ndërsa veteranët mbi moshën 35 vjeç do të marrin pension prej 170 eurosh. “Sot nuk është i pranishëm ministri i Punës, por unë po pres që ai t’i bëjë publike shpejt udhëzimet administrative për procedurën e aplikimit dhe afatet kohore, si për aplikim edhe për kohën kur fillon përfitimi i pensionit”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave në Kosovë. Hoti tha se, këto shuma janë caktuar në bazë të ligjit për veteranët, që përcakton se pensioni minimal duhet të jetë jo më i ulët se paga minimale. Kryeministri Isa Mustafa tha se, të premten do të vendoset edhe për procedurat e aplikimit për këto pensione, ndërsa ato mund të rriten në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe pagën minimale. “Me këtë, prej ditës së sotme hapet mundësia që të gjithë përfituesit e kësaj të drejte, nga radhët e veteranëve të UÇK-së, të fillojnë të realizojnë të drejtën e tyre”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës. Kabineti qeveritar miratoi shpronësimet e pronave të kërkuara për projektin e kompleksit turistik të Brezovicës, ku pritet të investohen rreth 161 milionë euro. Qeveria miratoi gjithashtu edhe anëtarët e disa bordeve të ndërmarrjeve publike.
 
Për Bodrumin, njërin prej destinacioneve më të preferuara turistike të Turqisë, pamje të tilla nuk janë të zakonta. Tri orë shiu të dendur të së martës mjaftuan, që rrugët e qytetit të mbuloheshin nga “lumenj” uji, që morën përpara makina e i bllokuan njerëzit në shtëpitë e tyre. Dëmet ishin më të dukshme në rrugët Shakir dhe Dere, ku ujërat rrëmbyen të paktën 20 automjete. Punonjësit e kërkim-shpëtimit vepruan me shpejtësi, duke shpëtuar drejtuesit e bllokuar në makinat e tyre. Së bashku me ekipet e zjarrfikësve, ata arritën të largojnë edhe të paktën 40 persona nga shtëpitë e rrezikuara prej furisë së ujërave. Me dhjetëra shtëpi e biznese u dëmtuan prej përmbytjeve të befasishme, ndërsa banorët e Bodrumit ankohen se, shkak i mbushjes së qytetit me ujë brenda një harku aq të shkurtër kohe, janë bërë ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve në kuadër të projekteve për zhvillimin urban. Të paktën 8 persona të plagosur u dërguan në spitalin shtetëror të Bodrumit. Aq i fortë ishte vërshimi i ujit, sa arriti të shkulte dhe disa trotuare e pjesë asfalti. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha një banor i zonës i identifikuar si Ertan Bashar. “Ujërat arritën në 2 apo 3 metra lartësi; makinën time e morën me vete dhe e tërhoqën për gati 300 metra. Megjithatë, - shton burri me një ndjenjë lehtësie, - e rëndësishme është që nuk pati humbje jetësh”.
 
Dy banda janë përplasur mes tyre në Mamurras dhe për pasojë një person gjeti vdekjen dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur. Konflikti me armë nisi mes dy fiseve, konkretisht fisi Mamli dhe Tafa, dhe u shënua në qëndër të qytetit të Mamurrasit, pranë godinës së Bashkisë, mesditën e së mërkurës. Njëri prej të plagosurve ka ndërruar jetën në spitalin e Laçit, ndërkohë që të tjerët, për shkak të plagëve të marra, janë në spitalin e Traumës në kryeqytet. Nga të dhënat paraprake të Policisë së Laçit, bëhet me dije se anëtarët e dy fiseve janë konfliktuar me armë zjarri, por ende nuk dihet shkaku i konfliktit. Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, Enrik Mamli. Sipas burimeve policore, autori i arrestuar si një prej të dyshuarve kryesorë mësohet t’i ketë zënë pritë familjes Tafa që udhëtonte me makinë me targë AA077CN, ndërkohë mësohet gjithashtu se edhe një ditë më parë janë përfshirë në një konflikt për motive ende të panjohura.
 
Policia e Elbasanit ka arrestuar 6 persona, të cilët akuzohen për korrupsion. Mes tyre janë tre janë pedagoge, që u merrnin para studentëve në këmbim të notave kaluese në provime. Të arresturit janë: A.Gj, vjeç 38 banuese në Elbasan, me detyrë pedagoge pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti Ekonomik Elbasan. R.T, vjeç 38, banuese në Elbasan, me detyrë pedagoge pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti Ekonomik Elbasan. Me Urdhër të Prokurorit u ndalua 31 vjeçarja Manjola Tavanxhi, banuese në Elbasan, me detyrë Pedagoge pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti Ekonomik Elbasan. Ndaj këtyre tre shtetasve Gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa për pesonat e mëposhtëm u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” Altin Cenolli, vjeç 37, banues në Elbasan, me detyrë Drejtori i Ujësjelles Kanalizimeve Elbasan. Jani Muslli, vjeç 22, banues në Elbasan, me detyrë shofer pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan. Gazmend L., vjeç 49, banues në Elbasan, me detyrë Administrator i një kompanie private në Elbasan. Altin Cenolli, dhe Gazmend L., në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë ndërhyrë tek pedagoget e Universitetit “Aleksander Xhuvani”, Fakulteti i “Ekonomikut” Manjola Tavanxhi, A.Gj dhe R.T, për të marrë nota kaluese në disa lëndë dhe për të siguruar kredite të mjaftushme për mbrojtjen e diplomes për shtetasin Jani Muslli, i cili ishte student pranë këtij fakulteti, duke paguar për çdo provim nga 200 euro.
 
Policia ka arrestuar sot një protestues Gentian Gjonaj, i cili mori pjesë në protestën e djeshme para bunkerit të ministrisë së Brendshme. Ai u arrestua në mes të rrugës ndërsa po largohej drejt shtëpisë. Aktualisht ndodhet në Komisariatin Nr.1 dhe akuzohet për mosbindje ndaj forcave të policisë në tubimin e djeshëm. Gjonaj ka dorën e thyer në allçi, çfarë e ka penguar atë të krijojë konflikt me forcat e policisë gjatë protestës. Fotot e arrestimit janë shpërndarë në rrjetet sociale. Gjonaj njihet si autor i një video kundër Kryeministrit mjaft të klikuar në youtube si dhe për faktin se satirizuar Kryeministrin Rama me kostumin e një polici dhe maskën e Ramës.
 
Një gjeneral i lartë i cili shërben për ushtrinë britanike tha për Sunday Times se : Një qeveri e kryesuar nga lideri i opozitës Xheremi Korbini mund të përballet me një kryengritje nga ushtria britanike, nëse ai përpiqet për ta ulur rolin e saj ose ta tërheqë atë jashtë NATO-s. Gjithashtu gjenerali në kushte anonimiteti tha se fitorja e Korbinit si lider i Laburistëve dhe kreu i opozitës zyrtare Uestminster është pritur me ankth nga shumica, madje edhe në mesin e ushtarëve mbështetës të Laburistëve. Për më tepër, në qoftë se Korbin fiton zgjedhjet e përgjithshme e 2020, në të cilën ai planifikon të kandidojë për kryeministër, dhe përpjekjet për të degraduar forcat e armatosura, të heqë programin bërthamor Trident ose të dalë nga NATO do të çojë në dorëheqje masive në të gjitha nivelet dhe ju do të përballeni me perspektivën shumë të vërtetë të një ngjarjeje që do të ishte në mënyrë efektive një kryengritje, tha ai. Ndjenjat po përforcohen brenda forcave të armatosura. Ju do të shihni një prishje të madhe në konventë me gjeneralë të lartë që drejtpërdrejt dhe publikisht sfidojnë Korbin mbi vendimet vitale të rëndësishme të politikave të tilla si Trident, duke tërhequr jashtë NATO-s dhe çdo plan për të dobësuar dhe tkurrur madhësinë e forcave të armatosura. Ushtria thjesht nuk do ta mbështesë këtë, shpjegoi ai. Shtabi i përgjithshëm nuk do ta lejojë një kryeministër që të rrezikojë sigurinë e këtij vendi dhe unë mendoj se njerëzit do të përdorin të gjitha mjetet e mundshme, të drejta ose jo për ta parandaluar atë. Ju nuk mund të vendosni një rebel në krye të sigurisë së një vendi. Zëdhënësi i Korbinit i tha The Independent se kreu i Laburistëve nuk do të komentojë mbi vërejtjet e bëra në mënyrë anonime. Kreu i ri i Laburistëve ka bërë fushatë që Britania të lërë NATO-n, duke bërë thirrje për një rivlerësim të prioriteteve dhe duke thënë se forcat e armatosura të Britanisë janë shumë të mëdha për një ishull të vogël në Atlantikun Verior. Ai ka qenë për një kohë të gjatë një mbështetës i fushatës për çarmatimin bërthamor dhe një kundërshtar i pengesës bërthamore Trident, duke thënë se ky është një sistem i rrezikshëm, i dalë mode. Konservatorët, kryesuar nga kryeministri David kamerun, kanë përforcuar përpjekjet e tyre për të portretizuar Korbin si një kërcënim për sigurinë kombëtare pas fitores së tij javën e kaluar. Laboristët janë një rrezik serioz për sigurinë e vendit tonë, sigurinë e ekonomisë tonë dhe sigurinë e familjes suaj, tha Kameruni të dielën e kaluar. Raporti i Sunday Times zbuloi se në qoftë se Korbin bëhet kryeministër, zyrtarët e sigurisë mund t'i japin atij qasje të kufizuar për inteligjencën. Asnjë nga komuniteti i inteligjencës - ku ne jemi duke folur për shërbimet e sigurisë apo shefat e policisë kundër terrorizmit – nuk do t’i japë Korbin, apo ndonjë prej kabinetit të tij, informata që ata nuk duan të japin tha një burim i lartë anonim i inteligjencës. Sipas agjentit ai nuk do të marrë asnjë informacion në lidhje me operacionet e intelijencës. Qëndrimi i Korbinit mbi sulmet ajrore siriane kundër militantëve të ISIS e ka ndarë Partinë e Laboristëve. Ai ka treguar disa herë se ai kundërshton sulmet ajrore, duke deklaruar se bombardimi i vendit do të çojë vetëm në vrasjen e më shumë civilëve dhe do të përforcojë ISIS. Ndërkohë, të shtunën ai dha dorëheqjen si kryetar i grupit të fushatës Koalicionit Stop Luftës e cila përkoi me ditën kur u ribotua një poemë që akuzon mbretëreshën se ka përfituar nga konflikti. Megjithatë, zëdhënësi i Korbin tha se dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra tjetrën. Parlamenti pritet të votojë mbi zgjerimin e veprimeve ushtarake në Siri muajin e ardhshëm. Raporti i Sunday Times pohoi se gjysma e Kabinetit Shadou do të votojnë me qeverinë nëse Kameruni vjen me një plan koherent për të luftuar ISIS. Korbin fitoi mbështetjen e rreth 60 për qind të anëtarëve të partisë Punës që votuan në zgjedhjet e udhëheqjes më 12shtator. Korbini zuri vendin e Ed Miliband, i cili dha dorëheqjen më 8 maj. Ai është anëtar i Fushatës së Solidaritetit Palestinez, Amnesty International, Fushatës për Çarmatimin Bërthamor dhe një themelues i Koalicionit Stop Luftës.
Top