Re: Kendi i krijimeve te reja
AJO QË S'IA RRËMBEVA PUTHJEN
Të shoh – më duket e pabesuar!
Lehtas buzëqesh, përballë më rri.
Them, ndoshta sytë më bëjnë mua,
por nuk gabohem, vërtet je ti!
Po ato buzë, sy edhe flokë...
Të lenë gjurmë, vitet s'kanë mundur.
Je sikur ishe njëher'-një-kohë,
veç më e pjekur e më e bukur.
Më zgjat ngadalë dorën që dridhet.
Fjalët që thua, s'mund t'i dëgjoj.
Purpuri faqet t'i vesh plot hije,
mua më zgjohet koha që shkoi...
Shokë klase ishim ti edhe unë,
dy nxënës shkolle si zogj pa faj.
Sa herë të lutesha: „M'i jep pak buzët!“,
qeshje, më shtyje, ikje pastaj
dhe s'ktheje kokën. Humbje sokakut.
Ah, ta marë dreqi, qenë kohë të tjera!
Pse s'u kujtova një herë sëpaku,
vetëm një puthje, pse s'ta rrëmbeva!?
Ç'shkoi, më nuk kthehet, unë mirë e di.
Shoh lakmitar burrin krah teje.
S'kam pse ta fsheh, e kam zili.
Them: „Është me fat, të puth pa leje!“.
...
U ndamë.
Ti s'ike si herë të tjera.
Pas ktheve kokën, më pe me droje.
Puthjen që kurrë nuk ta rrëmbeva,
mos deshe, vallë, të ma dhuroje?