Re: Preferoj ta them shqip.
Ajo puna e hallvës qe një shaka.
Tani le ti kthehemi temës. Dikush, emrin e të cilit apo nofkën në forumin ku ishte shprehur nuk e kujtoj dot, (edhe pse sot nuk kam kujtuar edhe aq shumë gjëra...mos po plakem?!),
thoshte me të drejtë, se kur vjen puna tek programet përkthimi do bërë sa më afër origjinalit. Me arsyen që termat janë përdorur për të lehtësuar sa më tepër kuptimin e saj që përshkruajnë.
Pastaj, pjesa më e madhe e atyre që merren me programe duhen parë si të goxha të mençëm. Shto pastaj nevojën që programi duhet të funksionojë si një e tërë dhe ngjan pak me një roman.
Dua të them që nga ana e funksionalitetit nuk kemi liri të pakufizuar që Bookmark ta përkthejmë me një tog fjalësh, Cookie me një tjetër taborr fjalësh e kështu me radhë. Nuk bëhet fjalë për një detyrë shtëpie që duhet paraqitur të nesërmen në klasë para mësuesish të prapë, (like myself), sa për të hedhur lumin. Duhet diçka që ti shërbejë programit, lehtësimit të të kuptuarit e tij, mundësisht në atë shkallë që është i kuptueshëm për folësat e gjuhës origjinale në të cilën programi ndërlidhet me përdoruesin.
Ngaqë kujtesa e kompjuterit nënkupton tjetër gjë tashmë në terminologjinë përkatëse, Kurabijes tonë, ata të parët që patën nevojë ta emërtonin nuk i thanë 'Hidden Memory'. Kjo automatikisht do të turbullonte mendjet duke menduar për një lloj kujtese, veç RAM-it. Edhe fakti që ka dy terma Cache dhe Cookie nuk lejon që, të përkthyera në Shqip, të jenë pothuaj e njëjta gjë, pasi edhe nuk janë në të vërtetë.
Mbase ai që i thirri i pari Cookie, bëri përafrimin me një 'real cookie', që sjell fitim vetëm për ata që i prodhojnë dhe tregtojnë dhe jo për ata që i konsumojnë. Shoqërimi i ideve ngadonjëherë është i çuditshëm, ti shkruan Kordele, mua më vjen në mend Kor Delesh!!!
Themi pavarësi dhe jo pavarësirë, thjeshtësi dhe jo thjeshtësirë, ngrohtësi dhe jo ngrohtësirë. Ndaj vetësi është më pranë frymës së deritanishme, pra mënyrës se si vepron Shqipja. (Lere më tej pastaj që themi ngordhësirë, qelbësirë, këllirë e ku di unë tjetër...)
Edit, nëse bëjmë fjalë për menu me të njëjtin emër në programe të ndryshme do ishte ose Përpunim/Përpuno ose Ndryshim/Ndrysho.