Gjergj Fishta
Lamtumirë
Lamtumirë, vendet e mia,
që, po zhduken dalëkadalë!
Gjëmon deti, ushton duhia,
lkundet barka valë mbi valë.
Kah njai diell, që asht tue flakue,
andej fill un tash do t’vete… Lamtumirë, atdhe i bekue!
Lamtumirë, për sa t’jet jeta!
Nesër made kur mbi ne,
rrezja e diellit ka me ra,
kush e din sa ujë e dhe,
mue prej teje ka me m’da!
E por n’pyetsha ret mizore,
e por n’pyetsha zogjt e detit, se per ty, moj tokë arbnore,
s’ka me m’folë kush mue t’shkretit…
Tjera fusha e tjera zalle
kam me pa, e tjera dete;
kam me ndje po tjera valle,
tjera gjuhë, tjera qytete.
Vendin tem s’kam me e pa,
ku kam le e jam burrnue: sytë e mi kan me kja,
pa u gjet kush me i ngushllue.
E njaj dhe – ehu! kob prej qellet,
s’ka me kenë, jo, dheu i t’parvet,
ku ma bukur qielli kthiellet,
ku ma ambël, n’gjuhë t’shqiptarvet,
para hyjt naltohet luta.
E ku besa asht e shenjtueshme, e ku zemrat s’dijnë çka asht tuta,
e ku bjeshket janë të madhnueshme.
E ato halë e qipariza,
kam me i pasë ndër mend gjithmonë,
e ato stane e njato mriza;
e ato berre e ato kumbonë…
Por oh, vaj! Malet e mia,
që po zhduken dalëkadalë; gjemon deti, ushton duhia;
lkundet barka valë mbi valë.
Lamtumirë, ti, shpija e t’parvet,
ku ma s’parit m’agoi drita
e ku strehë u dha shtegtarvet,
miqt e babës edhe ku i prita.
Lamtumirë, carani n’votër!
Lamtumirë, ju, armët e shkreta! Lamtumirë, ti, nanë e motër!
Lamtumirë, per sa t’jet jeta!…