Re: Nice-Idiot apo Gjeni?
Niçe nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka vënë zjarrin ndërtesës hijerëndë filozofike ngritur nga Kant-i, Schelling-u dhe Hegel-i
Frederik Niçe, ky njeri i natyrës
Eshtë konstante e historisë së mendimit oksidental. Një brezi krijuesish të madhërishëm ia zë vendin një rrënues që lufton me ngulm të hedhë përtokë veprën e tyre, me sulme ku përzihen inati, demagogjia dhe gjeniu. Krijuesve të metafizikës greke – Talesi, Herakliti, Parmenidi, Pitagora, etj. - i kundërvihet grotesku Sokrat me mospërfilljen e tij “njih vetveten”. Vetëm helmi do ta bënte të heshtë. Pas Dekartit, Malbronshit dhe Laibnicit, është Paskali që ngrihet kundër këtyre figurave me veprën e tij sublime, një përmbledhje gafash, “Mendimet”.
Niçe nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka vënë zjarrin ndërtesës hijerëndë filozofike ngritur nga Kant-i, Fichte-i, Schelling-u dhe Hegel-i. Përveç kësaj, ai do të zbulonte tek Paskali një vëlla të njëmendtë të mendimit pesimist.
Armiku i tij i betuar do të ishte Renani, një brez sipër tij, me një fjalë, një lloj ati i mallkuar. Autori i “Jetës së Jezusit”, u bë i famshëm nga Lutja e tij në Akropol, ku i thurte lavde ekuilibrit të paqtë të tempullit grek kushtuar Minervës, perëndeshës së dijes.
Niçe e nisi shtruar si profesor i filologjisë klasike në universitetin e Balit. Por përfitoi për të botuar në vitin 1872 veprën e tij të parë “Lindja e tragjedisë”. Imazhit ideal të një Apolloni, me një bukuri të kulluar e statike – e vetmja që njihte Renani – ai i kundërvë imazhin e Dionisit irracional, të dhunshëm, i dënuar me vdekje. Eshtë, sigurisht, tempulli grek, por ka gjithashtu heronj të tragjedisë së Sofokliut dhe më i errëti mes tyre, Edipi, që vret të atin, martohet me të ëmën dhe verbon veten. Eshtë kjo Greqia e lashtë, dhe gjithë admirimi i Niçes e shtyn para si të xhindosur. I madh është skandali në mjediset universitare.
Niçe braktis shpejt Balin dhe nis një jetë endacake në drejtim të jugut. Eshtë një tjetër pamje e këtij destini të padeshifrueshëm. Ka shkrimtarë që bashkëjetojnë me historinë. Por një familje krejt e ndryshme, është e dominuar nga gjeografia. Përse të mos sillen ndër mend piktorë kur flitet për “peizazhistët”? Do të kishte një histori të bukur të peizazhit në letërsi për t’u shkruar
Disa si Rusoi, Rembo u endën gjithë jetën në kërkim të qytetit a tokës ideale ku do të ishin më në fund të lumtur dhe do të mbaheshin mirë. Sepse arsyet higjienike përzihen shpesh me qëllimet e tyre.
Dhe kanë gjithashtu nevojë për miq bujarë që i përgjigjen vokacionit të tyre prej qylaxhiu. Zhon Lakutyr na kujton në një libër ngazëllyes se Stendali qe i poseduar gjithë jetës së tij nga një mani të lëvizuri, e palodhshme që e hidhte sa në Moskë në Turin, në Londër.
Frederik Niçe udhëtoi gjithë jetës së tij drejt jugut, drejt Nisës, Italisë, drejt diellit të Francës së Jugut. Më 27 nëntor 1881 – një datë që s’mund të harrohet – ai dëgjon për herë të parë në Gjenovë, Karmenin e Zhorzh Bizesë. Eshtë verbuese. Mjegullat e Vagnerit papritur shpërndahen përballë dritës mesdhetare. Po, Niçe i përkiste vërtet familjes së homme-paysage (njeriut të natyrës). Duhet t’i akordojmë atij njëlloj, malin, liqenet alpine, dhe të famshmin “shkëmb piramidal”. Andre Coutin, në një libër të vogël na fton ta shoqërojmë në një pelegrinazh ndërmarrë në majë të Engadine-it, në gjurmë të Zarathustrës.
Në të vërtetë nuk e dimë për çfarë qëllimi e bën këtë, ky profesor-profet, ky vagabond në kërkim të vetvetes. Sepse duhet t’ia lërë vendin prozatorit të admirueshëm, poseduar nga një lirizëm përvëlues. Niçe është pa dyshim – para Shopenhauerit – i vetmi mendimtar gjerman që ishte në të njëjtën kohë shkrimtar. Gjermanishtja nuk ka shans me filozofët e saj. Ndërsa në Francë – nga Dekarti tek J.P. Sartri – letërsia dhe filozofia janë tradicionalisht të pandashme, divorci mes tyre në Gjermani është i plotë. Laibnic gjithë veprën e tij e shkroi në latinisht dhe frëngjisht. Nga Kanti, Fichte-i, Hegeli dhe Haidegeri, mund të thuhet se çdo frazë është sulm kundër gjuhës së Gëtes.
Niçe ka shkruar poema. Ishte një ndër të parët që do të njihte madhështinë e Holderlin-it. Por do të kishte shumë për të thënë në përkthimin frëngjisht me atë që zakonisht jepet nga konceptet e tij kyçe. Niçe lexonte shkëlqyer frëngjisht. Epiteti “i pakohshëm” duhet t’i ketë bërë përshtypje.
Duhet gjithashtu t’i jepet hapësirë veprave të tija muzikore, sepse prej tij posedojmë kompozime mbi tekste të Chamisso-së dhe Petofi-t që të bëjnë të mendosh për Shumanin.
Andre Zhid thoshte se influenca e tij ishte më e rëndësishme se vetë veprat e tij. A nuk ishte i tillë vetë rasti i Zhidit? Çfarë donte të ishte thellë-thellë? Një profet përbuzës i të vërtetave të rrufeshme, Dionis, Zarathustra. Më 3 janar 1889 në Turin, ai sheh në Piacën Karlo Alberto një karrocier që po zhdëpte me kamxhik kalin e tij. Niçe nxitoi duke qarë drejt kafshës, dhe më pas u shemb përtokë nga një goditje. Do të dilte nga errësira dhjetë vjet më vonë, veç nga porta e vdekjes. Unë më kot i kam shkruar bashkiakut të Turin-it për një pllakë memoriali në kujtim të asaj skene, që të vendosej qoftë edhe mbi trotuar. Nuk kisha për ta ruajtur dhe për shumë kohë një kujtim fëmijërie. Ndodhi në kishën e një fshati në Burgonjë ku famullitari na jepte njohuri religjioze. Isha i paduruar. Ngrita dorën: “Kush ishte Niçe?” E kam ende në vesh – me theksin e Dizhonit – përgjigjen e famullitarit: “Niçe, ishte një prusian që thoshte: “I miri Zot vdiq, jam unë që e zëvendësoj.”
Nuk ishte kaq keq. Përderisa ai ishte sakson dhe urrente prusianët.
Michael Tournier i Akademisë Goncourt
Figaro Littéraire
Marre nga Shekulli i dates 24/02/2004