Re: Bisede me ateistet!
Kam thënë diku se Zoti e ka mbaruar punën e vet, duke i patur hedhur zaret, dhe tani n'a ka lënë neve për t'u marrë me atë çka ai ka vendosur.
Për t'a shtjelluar më mirë këtë, mund të them se Zoti është dhe nuk është. Është sepse ai ka qenë dhe nuk është sepse ai do të jetë. Përjetësia mund të jetë në dy kuptime: ajo mund jetë përtej kohës, dmth jo-kohore, që nuk matet më njësinë e kohës, dhe ajo mund të jetë gjithashtu kohore, por e përhershme. Në rastin e parë, ne njerëzit, si të vdekshëm, nuk mundemi për të hyrë në lidhje me këtë përjetësi. Kurse, në rastin e dytë, ne mundemi kështu sepse ne jemi në kohë. Në këtë rast të fundit, ne mund t'a zbërthejmë përjetësinë në tri kohët përbërëse të saj: e shkuara, e tashmja, e ardhmja. Tani në relacionin Zot-njeri, mendoj se kemi këtë shpërndarje kohësh: Zotit merr të shkuarën dhe të ardhmen, njeriu merr të tashmen. Merr të shkuarën sepse Ai ka qenë (prova - krijimi i gjithçkaje), merr të ardhmen sepse Ai do të jetë (prova - gjykimi i fundit). Kurse njeriu merr të tashmen sepse ai nuk ka qenë, është, dhe nuk do të jetë. Pra mund të themi që në të tashmen ka mungesë Zoti dhe jo njeriu. Dhe Zoti nuk është tërhequr më kot nga e tashmja. Ai e ka bërë këtë me qëllimin e vetëm që ne të mundim për të marrë përsipër këtë që quhet jetë. Për aq sa njeriu është në këtë jetë, Zoti nuk ndërhyn. Tani, për të mbushur boshllëkun e mungesës së Zotit në të tashmen, duhet që vetë kjo figurë e Zotit të zbresë në tokë në fytyrën e njeriut. Pra Zoti në të tashmen është fytyra e njeriut, diçka e shenjtë. Kur Zoti i dha 10 komandimet Moisiut, ai i tha atij: "Ti nuk do të vrasësh aspak". Ky komandim do të thoshte që Zoti nuk mund të ndërhynte për t'i ndalur dorën një vrasësi, por Ai i linte mundësinë këtij vrasësi për të parë në fytyrën e atij që ai do të vriste, fytyrën e Zotit.
Pra, unë mendoj që në tashmen, Zoti ka zbritur në njeriun, dhe është ky njeri sot ai që merr përsipër për të më ndalur dorën e ngritur kundër tij, dhe këtë ndalim ai m'a bën thjesht me vështrimin e tij, vështrim i cili është vështrim i Zotit.