Tema e ditës

Diskutime mbi temat më të veçanta të ditës
Në ciklin e radhës të kësaj të diele, të transmetuar në orën 13:00 në ekranin e Top Channel, “Gjurmë shqiptare” i gazetarit Marin Mema ju ka njohur me një udhëtim për të zbuluar “sofrën e Zotit”... Shpesh mund të duket e pamundur, apo më keq çmenduri, fakti se në zemër të Labërisë ngrihet “sofra e Zotit”. Por çfarë është ky objekt? Një mit, një legjendë apo ka diçka të vërtetë? Uudhëtimin për të zbuluar “sofrën e Zotit”, që mendohet nga studiues e arkeologë të jetë ndërtuar mijëra vite më parë, të zhvilluar përmes malit të Perëndive e legjendave për njerëzit me krahë, mund ta ndiqni të plotë në videon, që nuk duhet humbur.
Diçka e rrallë ka ndodhur në Vladivostok, në Lindjen e Largët të Rusisë. Një tigër në park dukej i uritur dhe pjesëtarët e stafit vendosën t’i dërgonin atij për ta ngrënë një dhi të gjallë. Ajo që ndodhi më pas ndoshta ishte gjëja e fundit që do të mendonin pjesëtarët e stafit të parkut, tigri u miqësua me dhinë. Rojet e parkut janë shprehur se nuk e kanë në plan për t’i ndarë kafshët. A do të zgjasë për gjithmonë shoqëria e këtyre dy kafshëve? Kjo mbetet për t’u parë...
Veç qenit të Sharrit, shqiptarët kanë edhe një racë tjetër autoktone, kaq shumë të njohur, por kaq pak të reklamuar. Ai është qeni molos, që vjen nga fisi i njohur iliro-epiriot. Cikli “Gjurmë shqiptare” i gazetarit Marin Mema solli këtë fundjavë në ekranin e Top Channel, historinë e jashtëzakonshme të një race, që zgjodhën ta mbajnë që në antikitet Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Karli i 5-të i Spanjës e deri tek Atila, prijësi i Hunëve. Një racë kjo, nga e cila vijnë genetikisht të paktën 100 raca të tjera molosoide, apo “mastiff” siç njihen ndryshe në shumë vende të botës. Një udhëtim në kërkim të qenit molos, që ende gjendet në Shqipëri. Shqiptarët, kombi që kanë dy raca autoktone: qenin e Sharrit dhe qenin molos.
Udhëheqësit e tre subjekteve opozitare në Kosovë janë mbledhur këtë të shtunë në një tubim në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, për të mobilizuar strukturat për organizimin e manifestimit që kanë thirrur më 28 nëntor në sheshin “Zahir Pajaziti”. Liderët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe NISMA-s u shprehën të vendosur në kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa ftuan simpatizantët e tyre të bashkohen në protestë. Visar Ymeri, VV: “Koalicioni Thaçi-Mustafa është krijuar për të vetmen arsye, që të sigurojë realizimin e kësaj kërkese të Serbisë, pra Zajednicën. Kjo është edhe arsyeja pse kjo qeveri nuk guxon të tërhiqet prej Zajednicës, sepse po të mos e bëjë atë nuk e përmbush më detyrën e vetme që i kanë dhënë sponsorizuesit e saj. Megjithatë, ajo mund të vonohet edhe disa ditë, por shpëtim nuk mund të ketë. Nëse nuk tërhiqet prej Zajednicës, ne do ta heqim bashkë me Zajednicën”. Ramush Haradinaj, AAK: “Nuk lejojmë që në Kosovë të ketë dy zotër shtëpie. Sot Kosovës po i ofrohen dy shtete, një marrëveshje dykuptimëshe, që të interpretohet në dy mënyra. Cilat janë këto? Dy Kosova. Një Kosovë e pavarësisë së 17 shkurtit dhe një Kosovë e Zajednicës”. Fatmir Limaj, NISMA: “Më 28 nëntor, në këtë ditë të shenjtë të Skëndërbeut dhe të Ismail Qemalit, të bashkohemi në një manifestim paqësor, qytetar, njerëzor, patriotik, kombëtar, burra e gra, djem e vajza, të gjithë së bashku për të shprehur përmes një solidarizimi, përmes një tubimi paqësor, mospajtimin tonë, kundërshtimin tonë ndaj këtyre dy marrëveshjeve që janë shkatërruese për të ardhmen e vendit tonë”. Në këtë tubim munguan deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët janë në kërkim nga policia për t’u arrestuar. Dhjetëra policë të njësive speciale edhe gjatë kohës që po mbahej ky manifestim ishin përreth Pallatit të Rinisë duke parë nëse aty po qëndronin deputetët për të cilët ka fletë-arreste. Por edhe pse nuk ishin aty, deputetët në fjalë u përshëndetën nga kolegët e tyre. Strukturat e tre subjekteve opozitare morën porosi nga liderët partiakë që të dalin në terren dhe të mobilizojnë qytetarët për të marrë pjesë në protestën e 28 nëntorit në Prishtinë.
 
Gjatë orëve të mbrëmjes, protestuesit në Prishtinë pasi janë informuar për masën e caktuar nga Gjykata kompetente ndaj deputetes Kadaj-Bujupi, përsëri kanë shfaqur dhunë ndaj policisë dhe objekteve zyrtare. Bëhet e ditur se si pasojë e dhunës 7 policë kanë mbetur të plagosur, ndërsa disa të tjerë kanë marrë lëndime të lehta, por nuk e kanë pasur të nevojshme të marrin ndihmë mjekësore. Gjithashtu bëhet e ditur se të plagosur kanë mbetur edhe dy qytetarë. Policia e Kosovës ka njoftuar se deri në orën 19:30 ka shoqëruar 22 persona, ndërsa ka sekuestruar në vendngjarje edhe një çantë të dyshuar me koktej molotovi. Gjithashtu, në protestat e dhunshme ka pasur edhe një sërë dëmesh materiale, ku mbi 10 automjete kanë pësuar dëmtime, 4 nga të cilat i përkasin policisë. Pas akteve të dhunës të orëve të mbrëmjes, ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës Atifetja Jahjaga. “Dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast. Qetësia dhe rendi duhet të rivendosen dhe kryeqytetit duhet t’i rikthehet normaliteti. Qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen peng i një situate jonormale që po mbretëron në vendin tonë”, ka shkruar Jahjaga në llogarinë e saj në ‘Favebook’”. Sipas Jahjagës, dialogu dhe institucionet janë mënyra e vetme për të tejkaluar situatën e krijuar dhe ajo kërkon veprim të përbashkët në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.
 
Zëdhënësit e Departamentit të Mbrotjes në Shtetet e Bashkuara kanë bërë me dije se forcat ushtarake amerikane kanë ndërmarrë një sulm mbi militantin e Shtetit Islamik Mohammed Emvvazi, i cili njihej edhe si Xhihadisti John. Ky person i lindur në Kuvait, por që zotëronte pasaportë britanike, ndiqej prej muajsh nga forcat anti-terroriste, pasi kishte ekzekutuar me prerje kokash shumë pengje që mbaheshin nga ISIS. Këtu përfshiheshin gazetarët Steven Sotloff, James Foley, Kenji Goto, si dhe shumë individë të tjerë. Zyrtarët amerikënë bënë me dije se operacioni u krye nga forcat ajrore, por nuk është konfirmuar ende nëse sulmi ka rezultuar i suksesshëm. Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, tha se po shqyrtohen një sërë të dhënash, për të dalë në një përfundim zyrtar. Mbi ngjarjen ka reaguar edhe zëdhënësi i Kryeministrit britanik, David Cameron. “Jemi në dijeni të operacionit të ndërmarrë nga forcat e Shteteve të Bashkuara, por sikurse ata, nuk duam të bëjmë asnjë koment në këtë fazë kur ende nuk ka një raport të asaj cfarë ka ndodhur.”, ishin fjalët e tij.
Arrestohet njëri prej 5 personave të shpallur në kërkim për vrasjen e ndodhur më 11 nëntor pranë një loklai në Linzë. Policia informoi sot paradite për arrestimin e Mirsad Kuçanajt, ish efektiv policie lindur në Bajram Curri dhe banues në Tiranë. Në operacionin në shkallë të gjerë të Drejtorisë së Policisë Tiranë u angazhuan rreth 200 forca Policie. Gjithashtu u ushtruan rreth 24 kontrolle në ambiente dhe banesa të ndryshme të cilat ishin të dyshuara nga ana e Policisë . Në këtë operacion u përfshinë Forcat e Drejtorisë se Policisë Tiranë, nga Sektori për Krimet e Rënda dhe Forcat Operacionale, në bashkëpunim më Forcat Speciale RENEA dhe FNSH-ja
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar në mbledhjen e qeverisë se marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e dërguar nga presidentja në Gjykatën Kushtetuese, nuk nënkupton pezullim të saj. Ai tha se marrëveshja nuk është e pezulluar, por pritet të vërtetohet nga gjykata nëse është në harmoni me Kushtetutën: “Unë nuk e konsideroj se marrëveshja është pezulluar. Unë konsideroj se marrëveshja ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të vërtetohet se çdo pikë e kësaj marrëveshjeje është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është ajo që do të bënim edhe ne si qeveri sepse kemi qenë të detyruar ta bëjmë dhe kjo në asnjë rast nuk vë në pikëpyetje dialogun tonë që duhet ta zhvillojmë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”. Kreu i ekzekutivit kosovar ka folur edhe për fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe ka thënë se për këtë do të kërkojë sqarime në Bruksel. Pas Mustafës, për UNESCO-n ka folur edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili, përveç luftës së egër të Serbisë, ka fajësuar edhe opozitën kosovare për ngjarjet në Kuvend, për të cilat Thaçi tha se duhej të jepte sqarime gjatë lobimit për UNESCO-n. “Pra, gjatë tërë këtij procesi, ne jemi ballafaquar me dy lloj fushatash negative. Njëra nga ana e Serbisë, e cila ishte penguese me pretendime bllokuese, por edhe e ultë dhe fyese ndaj Kosovës dhe vlerave të civilizimit, dhe në anën tjetër, patjetër duhet ta them, u ballafaquam edhe me një reagim gjatë tërë këtij tre mujorëshi të fundit, një reagim të brendshëm bllokues të Kuvendit të Kosovës, me mesazhe dhe pamje negative për Kosovën, të gazit lotsjellës dhe të dhunës opozitare”, u shpreh Thaçi. Në mbledhjen e së enjtes, kabineti qeveritar ka miratuar koncept-dokumentin për kryeqytetin e Kosovës, si hap i parë para miratimit të projektligjit, siç e parashikon Kushtetuta. Kryeministri Isa Mustafa tha se pas këtij hapi duhet të nisë hartimi i projektligjit për Prishtinën, ku sipas tij duhet të përfshihen shumë palë për të nxjerrë një ligj që do të ndihmonte kryeqytetin në adresimin e nevojave që ka. Po ashtu, qeveria ka miratuar edhe një amendament për ndryshimin e Kushtetutës lidhur me forcimin e pavarësisë për Këshillin Gjyqësor, që është edhe njëri nga rekomandimet e raportit të progresit. Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e mjeteve financiare për dëmet e shkaktuara në trazirat e marsit të vitit 2004. Pavarësisht kritikave të raportit të progresit për politizim të bordeve në ndërmarrjet publike, qeveria i ka propozuar Kuvendit emërimin e disa anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, nga radhët e dy partive të koalicionit qeveritar.
Gjatë sezonit të verës, kur ishte edhe kulmi i fluturimeve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, u shfaqën disa probleme me udhëtarët. Qytetarët pretendojnë se një kompani ajrore ka shitur bileta më shumë se ç’duhet. Ankesat janë për kompaninë “Blu Panorama”. Fatmir Celfeza, qytetar: Problemi ishte ditën kur doja të kthehesha në Shqipëri. Kam prerë biletën një ditë përpara, ndërsa nisja do të bëhej me datë 15 korrik. Nisem për në Bolonja për të bërë edhe “check-in”-in, bëj biletën gati dhe kur afrohem afër më thonë që duhet të pres sepse kemi disa probleme me biletën. Kur avioni u mbush me udhëtarë, rreth 10-12 persona ngelem pa u nisë. Fiksi: Pse nuk u akomoduat në avion? Çfarë ju thanë? Fatmir Celfeza: Na thanë që janë shitur bileta tepër. Data ishte 15 korrik 2015. Unë isha i shoqëruar nga dy motrat, gjithsej tre persona. Unë nuk e kisha hapur “check-in”-in fare. Kur arrita në Bolonja njerëzit po prisnin nuk ishin kryer ende veprimet. Ne, personat që nuk hipëm në avion, bëmë një listë dhe shkuam në katin e dytë ku mund të bënim denoncimin. Bashkë me një qytetare që kishte të njëjtin problem në gusht të 2015-s, “Fiks Fare” shkoi në sportelin e “Blu Panorama” në Rinas. Aeroporti “Nënë Tereza” Udhëtarja 1: Në 06:30, në 07:20 niset avioni juaj? Sportelistja: Pasdite? Udhëtarja 1: Jo në mëngjes herët? Sportelistja: Në mëngjes. Udhëtarja 1: Po. Për në Firence më duket se ka qenë linja apo në Xhenova nuk e mbaj mend tani. Sportelistja: Ok në rregull, si e ka mbiemrin goca? Udhëtarja 1: (tregon emrin dhe mbiemrin). Vajza që ka qenë prezent nuk mori përsipër fare ta sqaronte vajzën, po i tha me plot gojën: “Janë shitur biletat, nuk ka më ‘check-in’, vazhdoni rrugën”. Sportelistja: Këto thonë që “check-in” është mbyllur 45 minuta përpara. Udhëtarja 1: Nuk është mbyllur 45 minuta përpara, është mbyllur një orë përpara “check-in” juaj. Sportelistja: Unë nuk e vë në diskutim. Po unë nuk mund të dal këtu pro fjalës tuaj dhe të kundërshtoj kolegen, kur është detyra e saj dhe ne jemi në të njëjtin pozicion. Dt. 09.09.2015 Ora: 15:00 Aeroporti “Nënë Tereza” Tiranë-Bergamo - nisja 16:00 Fiksi: Çfarë problemi ka këtu? Nuk bëhet “check-in” apo çfarë? Udhëtari: Jo, ka ikur ajo e “check-in” për Bergamo. Ka ik se i keni prerë biletat dhe ka mbyllur shpejt “check-in” dhe thotë pse s’keni ardhur dy orë përpara. Fiksi: Dy orë, po a duhet 45 minuta? Udhëtari: Eee 45 ishim ne, edhe 50 po ka ik më përpara. Fiksi: Po pse? Udhëtari: Po pse dimë gjë ne pse! Fiksi: Po tani biletat? Udhëtari: Bileta iku në ajër. Iku vetë bileta. Neve s’kemi ik! Po ça thua s’do iki më ajo, ne po rrimë këtu kemi gjysmë ore. Fiksi: Po çfarë shpjegimi ju jep vajza? Udhëtari: Asnjë gjë. Ato nuk e di ç’bëjnë, po për neve jo, ne ajo zona aty te këto dyert këtu. Fiksi: Me “Blu Panorama” ishit? Udhëtari: Po “Blu Panorama”. Fiksi: Po sa e kishit prerë biletën, 250? Udhëtari: Jo ore s’ka rëndësi, vajtje-ardhje është prerë bileta. Po nesër e kemi 300 euro. Se nuk e venë dorën në zemër ato, që nuk hipe sot, të hipësh nesër. Ne po kërkojmë të hipim, por s’po na lë njëri. Fiksi: Teni lekët besoj jua japin mbrapsht? Udhëtari: Asnjë gjë, jo fare. Po ne flasim me atë zonjën, mbase na jep ndonjë gjë e të themi. Fiksi: Tani lekët që keni paguar, nuk ju kthehen më nga kompania? Udhëtarja: Jo, fare. Pas kësaj, “Fiks Fare” shkon në zyrat e “Blue Panorama” në Tiranë. Fiksi: Ne kemi disa ankesa udhëtarësh, të cilët kanë humbur fluturimin dhe nuk ju rimbursohet bileta, ndërkohë që ju është mbyllur “check-in para kohe. Ata thonë që kemi qenë dy ore para në aeroport d.m.th. në momentin që është hap check-in-i. Pastaj check-in ka zgjat vetëm pak minuta dhe është mbyllur shumë shpejt, d.m.th. është mbyllur një orë e njëzet minuta para nisjes së avionit. Këta udhëtarë në fakt janë ankuar edhe të kompania juaj, por nuk kanë marrë një përgjigje. Ku mund të komunikojmë me vetë personat që.. Menaxher i “Blu Panorama”: Unë do të jap adresat e email-it me të cilat komunikojmë edhe ne. D.m.th. ne s’kemi pikë kontakti ndryshe. Fiksi: Ju keni pasur raste që vijnë klientët ankohen edhe ky është problemi? Menaxher i “Blu Panorama”: ka pasur, ka pasur, por klientët në përgjithësi e ekzagjerojnë pak këtë pjesën jo u mbyll para kohe. “Fiks Fare” i dërgoi një kërkesë zyrave qendrore të “Blu Panorama” në Itali, në datë 21.10.2015, por ende nuk ka asnjë përgjigje. Sidoqoftë, gazetarja shkoi në Autoritetin e Aviacionit Civil. Enkela Hajdëri, drejtoreshë e Zhvillimit të Transportit Ajror, Autoriteti i Aviacionit Civil: Mund të them që kompania ajrore ka një politikë të sajën tregtare e cila normalisht shet jo për çdo fluturim, por në sezone, 10% më shumë se kapaciteti i avionit do të fluturojë drejt destinacionit të caktuar. Në rastet kur paraqitën të gjithë pasagjerët në avion dhe pasagjerë që ngelën pa hipur në avion, atëherë është përsëri një politikë e kompanisë, që ju ofron pasagjerëve, të cilët mbesin pa hipur në avion, një kompensim financiar në mënyrë që pasagjerët të shtyjnë fluturimin për një ditë më vonë ose në rastet kur nuk ka të tillë, atëherë kompania ju ofron një fluturim tjetër, me një kompani tjetër. E drejta e kompensimit sipas nenit 7 të Udhëzimit është 250 euro për të gjithë fluturimet prej 1500 km ose më pak. Pozicioni i Autoritetit të Aviacionit Civil është rregullator dhe konstatues. Si autoritet rregullator komunikon me kompaninë ajrore për të zgjuar edhe palën e dytë se pse është shkaktuar ky dëmtim. Atëherë ne jemi thjesht në nivelin e konstatimit, duke sqaruar pasagjerin që ka ndodhur për këtë arsye. Deri këtu mund të them që është edhe pozicioni i Autoritetit. Klotilda Neziri, drejtoreshë e Tregut të Brendshëm, Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit: Ligji i mbrojtjes së konsumatorit ia lejon çdo konsumatori dëmshpërblimin. Po pasi konsumatori i ka ezauruar të gjitha hapat, ka shkuar tek tregtari apo kompania përkatëse, dhe nëse ajo nuk e ka zgjidhur këtë, sigurisht që konsumatori ka edhe një hapësirë të tjerë që është Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit. Do të thotë që ai mund të ankimohet tek ky komision, pranë Ministrisë së Ekonomisë, te sekretariati i komisionit. Ky komision iu jep atyre të drejtën e ankimimit, por edhe të dëmshpërblehen. Do të thotë që pasi komisioni del me një vendim, i shkon kompanisë përkatëse dhe kompania është e detyruar të dëmshpërblejë konsumatorin.
 
Azilkërkuesit në Gjermani, Schmidt: Nuk kanë asnjë mundësi, mund të kthehen vizat. Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, Manfred Schmidt ka bërë një pasqyrë të situatës aktuale të azilkërkuesve në Gjermani, ku vetëm në pak kohë, 30 mijë prej tyre janë nga Shqipëria. E ky numër është shqetësues. “Ne kemi një numër shumë të madh azilkërkuesish këtu në Gjermani. Gjatë këtij viti kemi llogaritur që kanë ardhur 450 mijë të tillë. Kryesisht, vendi nga vijnë më së shumti është Siria, por ajo që ne na shqetëson më tepër aktualisht është se vendi i dytë nga vijnë ata është Shqipëria. Për një kohë të shkurtër na kanë ardhur rreth 30 mijë aplikues. Këta azilkërkues nga Shqipëria kanë mundësi shumë të pakta për të fituar të drejtën e azilit në Gjermani. Arsyet që paraqesin ata për të kërkuar azil janë shumë të dobëta”, tha Manfred Schmidt. Për sa i përket shtetasve shqiptarë që janë aktualisht në Gjermani, Schmidt ka siguruar se ata do të kthehen. “Ne kemi filluar procesin e përshpejtimt të procedurave për kthimin e azilkërkuesve shqiptarë në vendin e tyre. Për një muaj janë marrë rreth 5000 vendime negative dhe azilkëkuesit do të kthehen në Shqipëri. Gjithashtu, ka edhe një marrëveshje mes landeve të Gjermanisë, që aplikuesit për azil do të qëndrojnë në shtëpitë e strehimit ku vendosen fillimisht, e nuk do të shpërndahen nëpër komuna të tjera, pasi për ta do të merret vendim i shpejtë. Jemi duke shqyrtuar çështjet e azilkërkuesve, që vijnë nga Shqipëria dhe kanë arsye shumë të dobëta. Atyre do t’u ndalohet të hyjnë më në Gjermani dhe nuk do t’u mundësohet më leja e qëndrimit”, u shpreh më tej Schmidt. I pyetur lidhur me pagesat, që janë ofruar deri më tani nga lande të ndryshme të Gjermanisë, për kthimin vullnetar të azilkërkuesve, presidenti Schmidt ka saktësuar se kjo gjë ka ndodhur vetëm në një komunë të Gjermanisë. Por, ai shtoi se Enti Federal për Migrimin dhe Refugjatët, për të gjithë ata azilkërkues që kthehen vullnetarisht në Shqipëri, përmes organizatës IOM, merr përsipër shpenzimet e udhëtimit. “Azili iu refuzohet shqiptarëve” Manfred Schmidt: Zgjidhje vetëm nëpërmjet lejeve të punës Duke u ndalur te disa propozime të ardhura nga parti të ndryshme në Gjermani, për dhënien e vizave të punës, Schmidt ka dhënë një sinjal pozitiv në këtë drejtim. “Ekzistojnë mendime dhe debate, që ne si shtet të zgjerojmë rregullat për të dhënë leje qëndrimi. Siç dihet, Gjermania ka sistemin më liberal ndër vendet e Europës Perëndimore, sa i përket lejes së qëndrimit. Gjithashtu, dihet që Gjermania ka një sistem dual sa i përket profesioneve, sistem të cilin shumë shtete të tjera nuk e kanë. Po diskutohet që, kriteret që kemi për të fituar një leje qëndrimi, duam t’i lehtësojmë pak për rastet nga Shqipëria. Në këtë mënyrë, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi për të përfituar më lehtë një leje qëndrimi, nëpërmjet profesionit të tyre në Gjermani. Por kjo masë është edhe për të sinjalizuar se, azili është rruga më e gabuar për shqiptarët për t’u integruar në Gjermani”, deklaroi Schmidt. Manfred Schmidt ka folur dhe për konferencën, që pritet të mbahet në fillim të shtatorit mes krerëve të landeve të Gjermanisë dhe Kancelares Merkel. “Kjo është konferenca e dytë mes Kancelares Merkel dhe drejtuesve të landeve. Konferenca e parë është zhvilluar më 18 qershor dhe aty janë diskutuar çështjet e kërkesave për azil, të cilat u shtuan në mënyrë drastike, në mënyrë që t’i bënim sa më optimale proceset e azilkërkimit dhe për t’i përshpejtuar ato. Janë diskutuar gjithashtu proceset teknike, ndërsa tashmë në konferencën e dytë do të diskutohet nëse qëndrojnë ato dhe çfarë rezultatesh kanë sjellë, si dhe nëse është e nevojshme për të ndërhyrë dhe për të marrë masa të tjera”, tha Schmidt. Nëse situata vijon të jetë e tillë dhe numri i azilkërkuesve të jetë i lartë, zoti Schmid nuk ka përjashtuar as kthimin e regjimit të vizave. “Kjo pyetje është shumë reale dhe e pranishme në Gjermani. Po diskutohet në mënyrë gjithnjë e më të shpeshtë. Vetë fakti, që brenda një kohë shumë të shkurtër kanë ardhur 30 mijë aplikues nga Shqipëria, është shumë shqetësues. Kështu që, nëse numri i azilkërkuesve vazhdon të jetë i lartë, ka mundësi që këto masa ne t’i ndërmarrim për të ndalur ardhjen e azilkërkuesve, të cilët nuk kanë asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë”, paralajmëroi Manfred Schmidt. E në fund, presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, u ka drejtuar një thirrje të gjithë shqiptarëve, që po mendojnë të udhëtojnë për të kërkuar azil drejt Gjermanisë. “Ju lutem mos u besoni thashethemeve të gabuara, që vijnë nga trafikantë të qenieve njerëzore, sipas të cilave Gjermania ofron azil për rrethanat për të cilat mbizotërojnë në Shqipëri. Të informohen mbi mundësitë ligjore që kanë shtetasit shqiptarë për të ardhur në Gjermani. Kërkesa e tyre për azil në Gjermani i çon ata në një fatkeqësi”, përfundoi Schmidt.
Mesditën e së hënës, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në MPB, në bashkëpunim me Policinë e Beratit kanë agjësuar mbi 11 mijë rrënjë kanabis si dhe kanë arrestuar një punonjës policie. I ndaluari është Ilir Jaho, 34-vjeç, banues në Lapardha, me detyrë trupë shërbimi pranë sektrotit të qarkullimit rrugor në Berat. Po ashtu, janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, J.J dhe K.J, të dy banues në Lapardha. Këta të tre dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar mbi 11 mijë rrënjë bimë narkotike Cannabis Sattiva. Bimët u zbuluan në fshatin Lapardha 2, të kultivuara në katër sera. Hetimet po vijojnë për të kuptuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. / Top Channel
Veç konjukturave dhe lobimeve pro dhe kundra anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duket se shkaku i mos anëtarësimit të saj në këtë organizatë nuk është vetëm ky. Duke ju referuar listës zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ky shtet deri më tani njihet prej 111 vendesh, shifër kjo që normalisht pritej të arrihej edhe në votimin e së hënës. UNESCO nga ana e saj ka 195 vende anëtare, por jo të gjitha me të drejtë vote. Dhe pikërisht këtu mund të gjendet dhe arsyeja e mosarritjes së votave të nevojshme (95) që i duheshin Kosovës. Sipas rezultatit zyrtar, pro votuan 92 shtete. Të gjitha ato e njohin pavarësinë e Kosovës. 50 votuan kundër dhe ishin vende që nuk e njohin Prishtinën. Ndërsa 29 anëtarë të tjerë abstenuan, mes tyre 9 shtete që e njohin Pavarësinë, mes tyre Polonia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Egjipti. Por në votim nuk morën pjesë 15 vende, 4 prej të cilëve e njohin Kosovën si shtet. Dhe ajo që duket se ka bërë diferencën, është heqja e të drejtës së votës për 6 shtete që e njohin Pavarësinë, mes tyre dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat lobuan fort për anëtarësimin. Po ashtu pa te drejtë vote ishte edhe Izraeli. Kjo pasi këto dy shtete kanë refuzuar që në vitin 2011 që të paguajnë detyrimet financiare në këtë organizatë, vendim ky që erdhi pas anëtarësimit të Palestinës në UNESCO. Ky veprim i tyre bëri në 2013-ën t’u hiqej e drejta e votës. / Top Channel
 
Drejtori i Auditit i bashkisë së Tiranës, Gjelosh Progni është vënë në pranga në kauzën e korrupsionit pasiv. Sipas burimeve zyrtare në sajë të operacionit të koduar “Premtimi i fundit”, është arrestuar Gjelosh Progni, 38 vjeç, kryeinspektor i bashkisë, detyrë që e mban që prej vitit 2012. Progni ka përfituar një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra nga shtetasja V.B, duke i premtuar asaj punësim në bashkinë e Tiranës në janar të vitit 2013, por pa dhënë specifika të pozicionit të punës. / Top Channel
 
Policia e Shtetit ka bërë të ditur rezultatet e javës të operacioneve të përbashkëta me OSHEE për vjedhjen e energjisë elektrike. Gjatë kësaj jave kanë operuar në terren 90 grupe të përbashkëta pune, polici- OSHEE. Këto grupe pune kanë kryer kontrolle në 3965 raste, dhe si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 19 raste të vjedhjes së energjisë. Të arrestuar në flagrancë janë 8 persona, janë shpallur në kërkim pesë, dhe ndiqen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë. Gjatë kësaj periudhe, 1-8 nëntor, janë ndërprerë 769 lidhje të abonentëve debitorë dhe 19 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 78 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina. / Top Channel
Të gjithë u gëzuam që shteti më i ri evropian, Kosova, mori dritën jeshile nga Këshilli Ekzekutiv i UNESCO, 21.10.2015, për t’u shqyrtuar mundësia e saj në OKB. Në këtë të fundit Kosova duhet të marrë 130 vota pro, për të qenë anëtare me të drejta të plota. Por sa është mundësia të ndodh kjo, kur dihet se Kosovën e kanë njohur 108 shtete, pasi 3 prej tyre e kanë kontestuar, Uganda, Nigeria dhe Sao Tome?! Bile Nigeria votoi kundër Kosovës edhe në Këshillin Ekzekutiv, ndërsa Uganda abstenoi. Më pas japin një analizë! Në politikë shpesh gjërat bëhen të menduara dhe mbase Kosova me aleatët e saj strategjik, SHBA dhe disa shtete të BE-së, kanë gjetur votat e 130 shteteve, përderisa e çuan çështjen deri në këtë pikë. Të njejtën gjë tani do mundohet edhe Serbia me aleatin Rus. Shtetet më të sigurta Sa u takon vendeve që botërisht janë kundër njohjes së Kosovës dhe ku pritet vota kundër në OKB janë plot 45 shtete: Angola Argjentina, Brazili, Kina, Kuba, Etiopia, Ekuadori, India, Meksika, Maroko, Namibia, Nigeria (që dëshmoi se nuk njeh Kosovën), Rusia, Spanja, Armenia, Belorusia, Bolivia, Bosnja, Kamboxha, Kongo, Qiproja, Gjeorgjia, Xhamajka, Kazakistani, Kirgistani, Laosi, Moldavia, Nikaragua, Filipinet, Romania, Ruanda, Serbia, Sejçelet, Singapuri, Slovakia, Afrika e Jugut, Shri Lanka, Siria, Taxhikistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Uruguai, Venecuela, Vietnami, Greqia. Vendet me të zeza votuan kundër edhe në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO. Këtu mund të ketë një shpresë të vogël te Afrika e Jugut, Rumania dhe Greqia, pasi kjo e fundit ka premtuar që të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por me siguri për në UNESCO Kisha Greke do e kundërshtonte rëndë. Andaj nga 195 vota, 45 do quheshin të humbura, 108 i marrim si vota pro, ata që kanë njohur Kosovën de fakto dhe de jure (këtu duhet pasur kujdes me Japoninë, Korenë e Jugut, Malavi, Egjipti të cilët abstenuan në Këshillin e UNESCO edhe pse kanë njohur pavarësinë e Kosovës). Nga kush varet atëherë anëtarësimi i Kosovës në UNESCO? Pra nga 108 vende që do “votonin” pro Kosovës dhe 45 që do “votonin” kundër Kosovës, shtetet që janë mes njohjes dhe mosnjohjes janë 42 shtete. Këtu duhet të lobohet më së tepërmi, veçanërisht ndaj shteteve që kanë njoftuar njohjen e Kosovës në të ardhmen e afërt si Bahamasi, Bangladeshi, Sao Tome, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Kenia, Libani, Madagaskari, Mauritius, si dhe vendet që nuk janë shprehur me tone negative ndaj pavarësisë si Botcvana, Zimbabve, Zambia, Kameruni, Cape Verdi, Mongolia, Suriname, Saint Vincent, Uganda, Trinidad Tabaco, Paraguaji , Iraku dhe Mozambiku. Edhe shtetet tjera të cilat nuk përmendet,20, mund të diskutohet deri në fund për mundësine e votës pro, pasi kanë qenë indiferent të pozicionohen në favor të Serbisë dhe Kosovës. Serbisë i duhen edhe 21 vota tjera të sigurta, për të arritur në 61 vota kundër, ndërsa Kosovës i duhen edhe 22 vota pro. Andaj “përballja” duket e barabartë dhe do fitojë ai i cili i ka bërë më mirë matematikat më parë, por edhe nuk rresht së lobuari edhe çastet e fundit. Është koha për Kosovën!/Bota sot
Top