Kjo është një ditë ku më rëndon, si një hyrje në burg, monotonia e së tërës. Por monotonia e së tërës s’është gjë tjetër veçse monotonia e vetes sime. Cilado fytyrë, edhe ajo që pamë dje, sot është një tjetër, sepse sot nuk është dje. Çdo ditë është ajo që është dhe kurrë s’ ka patur një të barabartë në botë. Identiteti është veçse në shpirtin tonë (identiteti i ndier më vehte, anipse fallco), përmes të cilit gjithçka ngjan dhe thjeshtohet. Bota është gjëra të shkëputura dhe kënde të shqueme; por nëse jemi miopë është një mjegull e pamjaftueshme dhe e vazhdueshme.
Dëshira ime është me u arratisë. Me u arratisë nga çka njoh, nga çka është imja, nga çka dua. Dëshiroj me u nisë: jo drejt Indive të pamundura a drejt ujdhesave të mëdha në Jug të së gjithës, por drejt një vendi çfarëdo, katund a vakuf, që të ketë virtytin mos me qenë ky vend. Nuk dua me i pa më këto fytyra, këto zakone e këto ditë. Dua me pushue, si i huaj, në simulimin tim organik. Dua me e ndie gjumin që vjen si jetë e jo si pushim. Një kasolle në breg të detit, der’ edhe një guvë në brinjën e rrudhur të një mali, mund të ma japë këtë. Për fat të keq veç vullneti im nuk mund të më japi.
Skllavëria është ligji i jetës, dhe nuk ka ligj tjetër sepse kjo duhet të bëhet, pa revoltë a strehë të mundshëm me u gjetë. Disa lindin skllevër, të tjerë bëhen skllevër, dhe të tjerëve u imponohet skllavëria. Dashuria burracake që të gjithë ne provojmë për lirinë (liri e cila, po ta njihnim, do na dukej e çuditshme prejse e re, dhe do e refuzonim) është gjurma e vërtetë e peshës së skllavërisë sonë. Unë vetë, që sapo thashë se do të dëshiroja një kasolle a një guvë për me u lirue nga mërzia e së tërës, që mandej është mërzia që ndiej për veten, a do guxoja vallë të shkoja te ajo kasolle a guvë i vetëdijshëm se, meqenëse mërzia më përket ajo do ishte gjithnjë e pranishme? Unë vetë, që mbytem ku jam dhe prejse jam, ku vallë do frymëmerrja më mirë kur sëmundja është në mushkjëritë e mia dhe jo te gjërat që më rrethojnë? Unë vetë, që me zjarr ëndërroj diellin e pastër dhe fushat e shlirta, detin e rrokshëm me sy dhe horizontin e gjerë, kushedi a do përshtatesha me ushqimin apo me moszbritjen e tetë kambëve shkallë për të mbërritë në rrugë apo mos me hy në duahantoren e cepit apo mos me shkëmbye mirëditën me berberin dembel.
Ajo çka na rrethon bëhet pjesë e vetes sonë, na filtrohet brenda në ndjesinë e mishit dhe të jetës dhe, si jargë e Marimangës së madhe, na bashkon në mënyrë të hollë me gjithë ç’është e afërt, duke na burgosur në një shtrat vdekje të butë ku koloviemi në erë. E gjitha është ne dhe ne jemi e gjitha; po sa pare bën kur gjithçka është hiç? Një rreze dielli, një rè kalimi i së cilës zbulohet nga një hije e befasishme, një puhi që çohet, heshtja që pason kur ajo pushon, ndonjë fytyrë, ndonjë zë, e qeshura e rastësishme ndër zërat që flasin: dhe mandej nata ku shfaqen pa kuptim hieroglifet e thyera të yjeve.