Çfarë besojnë muslimanët për Jezusin (Isain a.s.)?
Muslimanët e respektojnë dhe e nderojnë Jezusin (Isain). Ata e konsiderojnë atë si një prej të dërguarve më të mëdhenj të Zotit. Kurani konfirmon lindjen e tij të mbinatyrshme, pa baba, si dhe e ngre nënën e tij në një rang të lartë. Në Kuran, për lindjen e tij thuhet:
“Përkujto kur engjëjt i thanë: ‘O Merjeme, Allahu të përgëzon me fjalën e Vet, emri i të cilit është Mesih, Isa, bir iMerjemes, i nderuar në këtë botë dhe tjetrën dhe nga të afruarit (tek Zoti). Ai u flet njerëzve në djep si dhe i rritur e ai do të jetë prej të devotshmëve’. Ajo tha: ‘Zoti im, e si mund të kem unë djalë, kur mua nuk më ka prekur njeri?’ Ai (Allahu) tha: ‘Ja, kështu Allahu krijon çfarë të dojë. Kur Ai vendos për një çështje vetëm i thotë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet.’ ” (3: 45–47)
Jezusi, ashtu si edhe Adami (Ademi), u krijua me urdhrin e Zotit. Zoti thotë:
“Vërtet, çështja e Isait tek Allahu është si çështja e Ademit. Ai e krijoi atë nga dheu, e pastaj i tha: ‘Bëhu!’ dhe ai u bë.” (3: 59)
Gjatë misionit të tij profetik Jezusi kreu shumë mrekulli. Zoti na tregon se Jezusi ka thënë:
“…Unë kam ardhur me një shenjë nga Zoti juaj. Unë bëj nga balta diçka në formën e shpendit, i fryj atij dhe ai, me lejen e Allahut, bëhet shpend. Shëroj të verbrit, lebrozët dhe, me lejen e Allahut, ngjall të vdekurin. Unë ju tregoj gjërat që duhet të hani dhe ato që duhet të ruani në shtëpitë tuaja…” (3: 49)
Muslimanët besojnë se Jezusi nuk është kryqëzuar. Armiqtë e tij donin ta vrisnin atë, por Zoti, e shpëtoi dhe e ngriti pranë Tij.
“Ata thanë: ‘Ne e vramë Mesihun, Isain, birin e Merjemes të dërguarin e Allahut.’ Por ata as nuk e vranë e as nuk e kryqëzuan, por ashtu u përngjau atyre…” (4:157)
As Muhamedi (paqja qoftë mbi të) e as Jezusi nuk erdhën për të ndryshuar konceptin bazë të besimit në një Zot që ishte sjellë nga profetët e mëparshëm, por ata erdhën për ta përtërirë atë.
Të drejtat njerëzore dhe drejtësia në Islam
Islami i siguron individit shumë të drejta. Më poshtë po përmendim disa.
Jeta dhe pasuria e çdo shtetasi në shtetin Islam konsiderohet e paprekshme, pavarësisht nga përkatësia e tij fetare. Islami gjithashtu mbron nderin e individit. Në Islam nuk lejohet ofendimi dhe tallja me të tjerët. Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Me të vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta dhe të pacënueshme.” 98
Racizmi është i ndaluar në Islam. Allahu thotë në Kuran: “O ju njerëz, vërtetë ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre, pastaj ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëritjetrin. S’ka dyshim se tek Allahu më i miri është ai që ruhet më tepër (nga të këqijat). Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (49: 13)
Islami kundërshton me forcë privilegjimin e një grupi të caktuar personash për shkak të pasurisë, pozitës apo racës së tyre. Zoti i ka krijuar njerëzit të barabartë. Më të mirët janë më të devotshmit. Muhamedi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “O njerëz, Zoti juaj është një dhe babai juaj është një (Ademi). Arabët nuk janë më të mirë se joarabët; i bardhi nuk është më i mirë se i ziu përveçse nëpërmjet devotshmërisë.” 99
Një nga problemet më të mëdha në botën e sotme është racizmi. Bota moderne mund ta çojë njeriun në hënë, por nuk mund ta ndalojë atë që të urrejë tjetrin për shkak të racës së tij. Që në kohën kur qe gjallë Muhamedi (paqja qoftë mbi të), Islami tregoi se si mund t’i jepej fund racizmit. Haxhi në Mekë, në të cilin shkojnë rreth 2 milion njerëz nga e gjithë bota e nga të gjitha racat, tregon vëllazërinë e vërtetë islame.
Islami është fe e drejtësisë. Allahu thotë:
“Allahu ju urdhëron që t’ua jepni amanetet të zotëve të tyre dhe të gjykoni me drejtësi mes njerëzve…” (4: 58)
“… mbani drejtësi, se vërtet Allahu i do të drejtit.” (49: 9)
Jo vetëm kaq, por muslimanët duhet të tregohen të drejtë edhe me ata që urrejnë.
“E të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli që mos mbani drejtësi. Bëhuni të drejtë se kjo është më afër devotshmërisë.” (5: 8)
Muhamedi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “O njerëz kini frikë nga padrejtësitë100, sepse padrejtësia do të jetë errësirë në Ditën e Gjykimit.” 101
Atyre që u është bërë një padrejtësi dhe nuk e kanë marrë të drejtën e tyre në këtë botë, do t’u kthehet e drejta e tyre Ditën e Gjykimit. I Dërguari i Allahut thotë: “Ditën e Gjykimit do t’u kthehen të drejtat e humbura atyre që u takojnë…” 102
Familja në Islam
Familja, e cila është njësia bazë e shoqërisë, në shumë vende sot po shkatërrohet. Sistemi i familjes islame i vendos të drejtat e burrit, gruas, fëmijëve dhe të afërmve në një ekuilibër të përsosur.
Ai ushqen tek individi bujarinë, dashurinë dhe sjelljen joegoiste në kuadrin e një familjeje të mirëorganizuar. Qetësia dhe siguria e ofruar nga një familje e stabilizuar ka vlerë të jashtëzakonshme dhe është esenciale për anëtarët e saj. Pa ekzistencën dhe përkrahjen e një familjeje të shëndoshë nuk mund të realizohet kurrë harmonia në një shoqëri.
Statusi i gruas në Islam?
Islami e konsideron gruan si një individ me të drejtat e saj. Ajo ka të drejtë të ketë pasurinë e saj e ta shfrytëzojë atë pa pasur nevojë për një kujdestar, qoftë ai babai, burri apo dikush tjetër. Ajo ka të drejtë të blejë, të shesë, të japë për bamirësi e të shpenzojë paratë e saj si të dojë.
Burri ka për detyrë që t’i japë gruas së tij dhuratën e martesës. Shpenzimi në çdo lloj forme i kësaj dhurate është e drejtë
ekskluzive e saj.103 Gjithashtu, ajo mban mbiemrin e saj, pa pasur nevojë për të marrë mbiemrin e burrit. Islami i urdhëron burrat t’i trajtojnë mirë gratë e tyre. Muhamedi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirë me gratë e tyre.” 104
Nëna në Islam nderohet dhe respektohet jashtë mase. Një burrë erdhi tek Muhamedi (paqja qoftë mbi të) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, cili prej njerëzve e meriton më shumë mirësinë time?” Profeti i tha:
“Nëna jote.” Burri e pyeti: “Po pastaj?” Profeti iu përgjigj: “Nëna jote.” Burri vazhdoi, “Po pastaj?” Profeti iu përgjigj: “Nëna jote.” Burri pyeti për së katërti: “Po pastaj?” Profeti i tha: “Babai yt.” 105
Si i trajtojnë muslimanët të moshuarit?
Në Botën Islame rrallë gjenden azile pleqsh. Kujdesi i mbajtjes së prindërve në këtë periudhë të vështirë të jetës së tyre është konsideruar nga Islami si nder dhe mundësi për arritjen e shpërblimit. Në Islam nuk është e mjaftueshme që personi vetëm të lutet për prindërit, por njëkohësisht duhet të sillet me dashamirësi me ta, duke kujtuar kujdesin që i kanë kushtuar prindërit kur ai ishte i vogël. Nënat nderohen dhe respektohen në mënyrë të veçantë. Në Islam, shërbimi ndaj prindërve është detyrë dhe ata kanë të drejtë ta presin këtë. Nuk lejohet shprehja e iritimit ndaj të moshuarve kur sëmuren, apo kur janë në moshë të shtyrë. Zoti thotë:
“Zoti juaj ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni zot tjetër veç Tij dhe të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “Ufff” e as mos u bëj i vrazhdë, por thuaju fjalë të mira e të buta. Ji i përulur e i mëshirshëm me ta dhe thuaj: “Zoti im, mëshiroi ata të dy, ashtu siç më edukuan mua kur isha i vogël.” (17:23–24)
_____________________________
98 Trans. Buhariu (n. 1739) dhe Ahmedi (n. 2037).
99 Trans. Ahmedi (n. 22978).
100 P.sh. shtypja apo mashtrimi i njerëzve.
101 Trans. Ahmedi (n. 5798) dhe Buhariu (n. 2447).
102 Trans. Ahmedi (n. 7163) dhe Muslimi (n. 2582).
103 Edhe në vendin tonë ka qenë e njohur ky lloj sistemi, i cili ka qenë deformuar dhe keqinterpretuar nga njerëzit, pasi dhuratën e martesës, e cila në shumicën e rasteve jepej në para të thata, e merrte i ati i vajzës dhe jo vajza, gjë e cila nuk lejohet në Islam dhe njëkohësisht hap shtegun për abuzime të mundshme. (sh.r.)
104 Trans. Ibn Maxheh (n. 1978) dhe Tirmidhiu (n. 3895).
105 Trans. Buhariu (n. 5971) dhe Muslimi (n. 2548).
Burimi: islam-guide.com