Loja_Sharl Bodler
Në ndenjëset prej belluzi, të plakurat lavire,
Verdhane, vetull-ngjyer, me sytë pa shkëlqim,
Prej lapëzave ju varen të ndritshëm zinxhirë
Plot gurë e xhingla që lëshojnë tringëllim.
Ndanë tryezave të blerta të mëkurit portrete
Gojë me dhëmbë të rëna, të ngrira buzeqeshje,
Dhe gishta që dridhen nga një e skëterrshme ethe,
Mbi gjokset që ofshajnë, o thellë nëpër xhepe.
Nën tavanët e ndohtur një rrjedhë e vertetë
E qindra shandanësh që shndritin jo pak,
Mbi ballet e vrejtur të të shquarve poetë,
Që vijnë për të humbur ç’kanë fituar me gjak.
Kjo është e errta tablo që m'u shfaq një natë,
Tmerrësisht e qartë para syve zhbirues,
Dhe unë vetë, në një kënd të sallës së pamatë,
I ftohtë, i heshtur, tërhequr pas vesit tundues.
Zili kam këta njerëz me pasion të paepur,
Gëzimin vdekëtar të të moçmeve lavire,
Që të gjithë vijnë të shesin pa rreshtur,
Dikush nderin e brezave, e kush të sajat hire!
Dhe zemra më dridhet nga zilia dhe tmerri,
Për të gjorët që ethshëm vetvehten e prishin,
E me dëshirë zgjedhin atë që ofron ferri,
Më mirë vuajtjen pa fund se HIÇIN!