Wikileaks: “Shqipëria mes aferave të dyshimta”
Mes akuzave për korrupsion ndaj qeverive të ndryshme, në fushën e industrisë energjetike, Wikileaks zotëron dhe dokumente për Shqipërinë, konkretisht për qeverinë shqiptare dhe kompanitë e huaja që operojnë në vendin tonë. Këtë e ka konfirmuar vetë drejtori i Wikileaks, Julian Assange në një intervistë ekskluzive për Forbes. Në këtë intervistë, mes të tjerash ai përmend një rast në Shqipëri të një kompanie kanadeze e cila ka puse në vendin tonë. Dokumenti flet pikërisht për dëmet mjedisore, të pronës dhe shëndetit të banorëve në zonën e Visokës, nga kompania kanadeze “Banker Petroleum”, me lejen e autoriteteve shqiptare. Banorët e kësaj zone janë ankuar vazhdimisht për shpërthimet që kryente kompania në fjalë, por nuk ka patur asnjë reagim nga Ministria e Energjetikës. Sipas Julian Assange, një inxhinier i një kompanie anonime kishte dërguar tek “Wikileaks” fakte e detaje për kompaninë e naftës “Banker Petroleum”e cila ka shkaktuar një katastrofë mjedisore në zonën e puseve të naftës në Patos dhe zonat përreth, si pasojë e shpërthimeve për nxjerrjen e naftës. Kompania anonime e cila dha detaje për shpërthimet në pusin e naftës, tregon se më pas vijoi hetimet për këtë situatë, ku kishte ndodhur një katastrofë mjedisore. Analizat treguan se rezultatet e testimit të ujit në terren ishin të ndotura në atë masë që uji nuk duhet të konsumohej pasi nuk ishte i pijshëm. Por më pas kompania sekrete thotë se Bankers kishte injektuar sërish ujë në një tjetër pus në Patos Marinze dhe se fshati Sheqishtë, pretendon se uji po ndotet nga ujërat e puseve, duke shkaktuar përqindje të lartë të kancerit në mesin e popullatës. Pas shpërthimeve ka pasur dëmtime serioze në rreth 300 shtëpi.
Medvedev loboi tek vendet arabe kundër pavarësisë së Kosovës
Dokumentet e Wikileaks zbulojnë se Presidenti Rus Dimitry Medvedev ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në lobin tek vendet arabe për mosnjohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Në një dokument që i referohet informacioni të dërguar nga ambasada amerikane në Doha në 21 dhjetor 2009, ndihmësi i ministrit të jashtëm të Katarit Mohamad Al-Rumaihi i tha ambasadorit amerikan Joseph E.LeBaron se pavarësisht simpatisë së tij, atyre u ishte kërkuar nga Medvedev që të prisnin ca kohë për të njohur Kosovën. “Presidenti Rus, megjithatë i kërkoi Katarit të ecë ngadalë në njohjen e Kosovës”, thonë dokumentet. Duke ju referuar lidhjeve të rëndësishme të Katari ka me Rusinë, Al-Rumaihi ka thënë se Katari u detyrua të veprojë në këtë mënyrë. Deri më tani Katari nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 dhe të njohur tanimë nga 72 prej 192 shteteve të Kombeve të Bashkuara përfshirë shtetet kryesore të BE-së dhe Amerikën.
Nervozohen Shtetet e Bashkuara
“Ndëshkim për kë vjedh të dhënat”, ishte zotimi i shefes se diplomacisë amerikane Hillari Klinton një ditë më parë, e prekur direkt nga publikimet online që ekspozuan një kërkese të cuditshme të saj: spiunimin e krerëve të OKB-së. Por fluksi i informacioneve ka vazhduar, dhe Wikileaks premton të mos ndalet derisa të jenë hedhur të gjitha. Gjate natës së djeshme u publikuan të tjera të dhëna mbi Kinën, Korenë dhe Guantanamon, të cilat nxjerrin në pah fakte shqetësuese. Pekini, sipas tyre, është i vetmi që përfiton nga përshkallëzimi i tensioneve prej programit bërthamor dhe testeve raketore të Koresë së Veriut. Skenarët e përshkruar nga dokumentet e Wikileaks evidentojnë "lojën" e Kinës dhe përpjekjet për të kontrolluar gadishullin korean. Nga njëra anë, ajo e furnizon Penjanin me injeksione ekonomike artificialisht jetike për vendin e varfër. Nga ana tjetër, distancohet prej një regjimi që i ndalon konkurimin ekonomik me Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Pekini, vazhdojnë mesazhet, bashkëpunon me amerikanët për të frenuar vrapin bërthamor të aleatit të vet historik, dhe pastaj i shkarkon Uashingtonit përgjegjësinë e zgjidhjes së problemit. Madje publikimet e Wikileaks, zbulojnë edhe disa shqetësime të zyrtarëve kinezë, të bezdisur nga sjellja e Penjanit prej fëmije të llastuar. Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kinës citohet t'u kenë thënë në 2009-tën homologëve se Pekini nuk ka ndonjë besim të madh tek neutraliteti i Koresë se Veriut dhe se gadishulli duhet ribashkuar nën kontrollin e Seulit. Administrata amerikane i cilësoi publikimet një sulm ndaj komunitetit botëror, por shtoi se partneritetet për të cilat është luftuar kaq fort, do t’i rezistojnë sfidës. Shtëpia e Bardhë nuk përjashton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore kundër Wikileaks. “Normal që Presidenti nuk është i kënaqur me faktin që informacione sekrete bëhen publike, kjo vetëkuptohet. Siç e patë gjatë fushatës dhe gjatë periudhës që ai ka kaluar në Shtëpinë e Bardhë, një qeveri e hapur dhe transparente është diçka ku Presidenti beson me forcë. Por vjedhja dhe publikimi i informacioneve të klasifikuara përbën një krim. Një hetim është çelur mbi këtë ngjarje, po shohim një sërë gjërash dhe nuk do të përjashtoja edhe ndonjë veprim ligjor”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhe, Robert Gibbs.
Tani radhën e kanë sekretet e bankave të mëdha në SHBA
Julian Assange shkruan se tashmë nën shënjestrën e Wikileaks është i ashtuquajturi “biznesi i madh”, bankat. “Në fillim të vitit tjetër, një ndër bankat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara do të ndodhet e gozhduar përballë të vërtetës. Qindra mijëra dokumente do të publikohen nga Wikileaks, duke anashkaluar kërkesat e manaxherëve dhe të personave të tjerë të interesuar”, citohet Assange sipas Forbes. Në shkrimin e Forbes nuk përcaktohet saktësisht se çfarë ka kompromentues materiali i vënë në duart e Wikileaks nga banka dhe as emri i institucionit financiar. Assange mjaftohet me përgjigjen se në dritë do të dalin skandalet e më shumë se një banke.
Parisi: « Nuk konfirmojmë asnjë deklaratë që i atribuohet Francës »
Franca deklaron se nuk konfirmon asnjë deklaratë që pretendohet të jetë thënë nga zyrtarët francezë në takimet me zyrtarët amerikane siç raportohet nga informacionet e Wikileaks. Zëdhënësi i Ministrisë franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane tha sa më poshtë:
Pyetje: - Do të doja të dija nëse ka një reagim nga ju në lidhje me dokumentet e publikuara nga Wikileaks. Z Levitte është cituar se e ka konsideruar Presidentin e Venezuelës Chavez si të "çmendur" dhe regjimin e Iranit si një "shtet fashist". A është e mundur që botimi i këtyre deklaratave të dëmtojë interesat e Francës? A ka bërë përpjekje Franca për të kontaktuar autoritetet e vendeve të prekura nga deklaratat e zyrtarëve francezë të shpallura nga Wikileaks?
Përgjigje: - Ne na vjen thellësisht shumë keq nga shpërndarja e qëllimshme dhe e papërgjegjshme në ëebsitin Wikileaks të korrespondencave diplomatike amerikane. Ne nuk konfirmojë asnjë nga deklaratat që i atribuohen diplomatëve francezë në këto dokumente.
Shpërndarja e dokumenteve të klasifikuara të Departamentit të Shtetit përbën një cenim të sovranitetit të Shteteve dhe të sekretit të korrespondencës së tyre, të cilat parashikohen në Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike. Një shkelje e tillë e konfidencialitetit të dokumenteve të brendshme të administratës amerikane është shqetësuese në shumë aspekte. Ajo mund të ndikojë ngativisht në zgjidhjen e çështjeve thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të rrezikojnë sigurinë e njerëzve. Partnerët tanë amerikanë na kishin informuar më parë në lidhje me publikimin e këtyre dokumenteve. Zonja Hillari Klinton ka biseduar në telefon me zonjën Alliot-Marie më 26 nëntor mbi këtë temë. Ne i kemi shprehur partnerëve tanë amerikanë gadishmërinë tonë për të punuar së bashku mbi pasojat e një situate të tillë.
Pyetje : – A ka diplomacia franceze mjete për t’u mbrojtur kundër një ndërhyrjeje të tillë si ajo që ka pësuar diplomacia amerikane? A inkurajohen diplomatët francezë për të spiunuar kolegët e tyre në Nju Jork apo gjetiu? Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane, a bazohen dokumentet e Wikileaks në telegrame të vërteta, dhe a ka a priori dyshime në lidhje me formulimin e tyre?
Përgjigje: - Ne përdorim mjetet që ne i konsideron si të përshtatshme për të siguruar ruajtjen e fshehtësisë së korrespondencave tona diplomatike. Veprimtaria e diplomatëve francezë ushtrohet plotësisht brenda rregullave të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.
Lidhur me pikën tuaj të tretë, unë ju përgjigjem në bazë të deklaratave zyrtare amerikane.