Studiuesi i njohur amerikan Daniel Pipes shkruan se “frika e një konspiracioni―pra, e një rivali politik apo e një konkurenti në biznes që synon dhe që punon fshehurazi për të të shkaktuar dëm―është e vjetër sa edhe vetë psyche-ja njerëzore”. Sidoqoftë, nëse për shekuj me radhë teoritë konspirative kanë pasur një përhapje shumë të kufizuar, në kohën tonë ato janë bërë shumë të përhapura dhe besohen nga një masë gjithnjë e më madhe njerëzish, jo vetëm në vendet e prapambetura, por edhe në vendet më të zhvilluara të globit, kryesisht për shkak të rolit që luan sot mas media. Besimi në teoritë konspirative është bërë një subjekt me interes për shumë sociologë, politologë, psikologë, historianë, antropologë dhe specialistë të folklorit, veçanërisht në SHBA. Historianët amerikanë Richard Hofstadter dhe Bernard Bailyn argumetojnë se paranoja dhe konspiracioni kanë qenë tipare të vazhdueshme të politikës amerikane gjatë tërë historisë së formimit dhe të konsolidimit të Shteteve të Bashkuara. Siqodoftë, në këtë vend, teoritë konspirative, nisën të përhapen gjerësisht në vitet 1960, kur vrasja e Presidentit John F. Kennedy, më 22 nëntor 1963, provokoi një reagim publik të paprecedent kundër versionit zyrtar të administratës amerikane mbi atë ngjarje, e cila vazhdon të gjenerojë teori konspirative edhe sot, mbas gjysmë shekulli. Qysh nga ajo kohë, në repertorin e teorive konspirative, emrat e shumë personaliteteve amerikane, si JFK, Aristotle Onassis, Howard Hughes, Bill Clinton, presidentët Bush, Dick Cheney etj., janë bërë, në një mënyrë ose në një tjetër, por gjithsesi pa të drejtë, subjekte të intrigave të mëdha dhe të komplikuara globale.
Michael Barkun, në librin e tij Një kulturë konspirative: Vizione apokaliptike në Amerikën bashkëkohore, botuar më 2003, vë në dukje se, në SHBA, në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të, besimi në teoritë konspirative është bërë një “fenomen kulturor” i përhapur, çka ka ndikuar që në mentalitetin e një mase të gjerë të publikut amerikan të bëhet dominuese paradigma se një sistem i ndërtuar mbi konspiracionin po i zë vendin demokracisë amerikane. Sipas antropologëve Todd Sanders dhe Harry G. West, “një pjesë e madhe e amerikanëve sot...besojnë të paktën në disa teori konspirative”. Në radhët e tyre ka nga ata që quhen “Kennedy assassinologists”, “ufologists”, madje edhe individë që besojnë se një racë reptilësh kontrollojnë planetin tonë, ose se qenie jashtëtokësore kanë instaluar bazat e tyre nën sipërfaqen e Tokës. Individë të tillë nuk dallojnë shumë nga ata që aderojnë në “theosophy”, në alkimi, në spiritualizëm dhe në astrologji. Ata nuk besojnë në racionalizmin, por në ekzistencën dhe në veprimin e forcave mbinatyrore.
Në kuptimin më të gjerë të fjalës, teoritë konspirative i shpjegojnë ngjarje të caktuara historike apo aktuale, ose rrethana të caktuara politike, ekonomike apo shoqërore jo me shkaqet e tyre reale, por si rezultat i një “komploti të fshehtë” nga individë, ose nga grupe konspirative tepër të fuqishme për të arritur qëllimet e tyre. Në një artikull të rëndësishëm, të titulluar “Parashikimi dhe profecia në shkencat sociale”, botuar më 1959, Karl Popper i karakterizonte teoritë konspirative mbi shoqërinë të tilla, sipas të cilave, “çfarëdo që ndodh në shoqëri―përfshirë edhe ato gjëra që njerëzit, si rregull, nuk i duan: lufta, papunësia, varfëria, mungesat―janë rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të disa individëve apo i grupeve njerëzish të fuqishëm”. Këtë pikëpamje shumë të përhapur, Popper e quante “një lloj supersticioni primitiv” dhe vetë teoritë konspirative një “rezultat tipik të sekularizimit të bestytnive fetare”. Popper shkruante: “Besimi në perënditë homerike, konspiracionet e të cilave ishin shkaktare të çdo gjëje që ndodhi pas Luftës së Trojës, tashmë ka vdekur. Por vendin e Perëndive të Olimpit të Homerit sot e kanë zënë të Mençurit e Zionit, monopolistët, kapitalistët, ose imperialistët”.
Në përgjithësi mund të flitet për 3 tipe teorish konspirative: (1) teori konspirative mbi ngjarje, (2) teori konspirative sistemike, dhe (3) teori superkonspirative. “Teoritë” e llojit të parë kanë të bëjnë me ngjarje të veçanta, siç janë vrasja e Presidentit J.F. Kennedy (1963), aksidenti i avionit TWA “Flight 800” mbi Oqeanin Atlantik (korrik 1996), ose përhapja e infeksionit AIDS në radhët e komunitetit afro-amerikan në SHBA.
“Teoritë” e llojit të dytë janë ato, sipas të cilave, individë apo grupe shumë të fuqishme synojnë në mënyrë konspirative të vendosin kontrollin e tyre mbi një shtet apo mbi një rajon të dhënë, ose mbi mbarë globin. Ky është një skenar i përbashkët i thuajse të gjitha teorive konspirative që fokusohen në “makinacionet” e hebrejve, të Wall Street-it, të masonikëve apo të Kishës Katolike, si edhe në teoritë mbi triumfin e komunizmit apo të kapitalizmit në shkallë globale. Edhe pse konspiracioni, siç vë në dukje Karl Popper, ka qenë historikisht një komponent i veprimtarisë politike, qysh nga koha e Athinës klasike të Platonit, në ditët tona, teori konspirative të këtij lloji kanë marrë një karakter më global dhe një dimension historik të panjohur më parë. Në shumë vende të globit dhe nga një masë e madhe njerëzish besohet, fjala vjen, se procesi i globalizimit nuk është gjë tjetër veçse një konspiracion i madh i Amerikës për të sunduar botën, ose një fazë e re e zhvillimit të imperializmit ekonomik dhe kulturor amerikan për të përjetësuar hegjemoninë amerikane në një rend imperialist global.
Teoritë “superkonspirative”, nga ana e tyre, ngjajnë me teoritë “sistemike”, por janë të tilla që bashkojnë në një rrjet dhe në një hierarki të vetme shumë konspiracione të veçanta. Në krye të kësaj hierarkie qëndron gjoja një forcë misterioze e gjithfuqishme, e cila manipulon të gjithë aktorët e tjerë konspirativë për të përmbushur qëllimet e veta. Ndër teoritë konspirative të këtij lloji më e përhapura është, ndoshta, ajo mbi “Rendin e Ri Botëror” (New World Order), term ky, i cili filloi të përdorej gjerësisht në fillim të viteve 1990, pasi Presidenti George H.W. Bush u shpreh, në një fjalim përpara Kongresit Amerikan, për “ëndrrën e një Rendi të Ri Botëror”. Sipas kësaj teorie konspirative, një elitë e vogël ndërkombëtare manipulon dhe kontrollon qeveritë, korporatat industriale, bankat dhe mediat e çdo vendi dhe se është pikërisht kjo “elitë” ajo që ka shkaktuar dhe financuar pothuajse të gjitha luftrat e mëdha gjatë 200 viteve të fundit, që dominon ekonominë botërore dhe që qëllimisht shkakton inflacione dhe depresione ekonomike. Kjo “elitë” besohet, gjitashtu, se kontrollon organizatat supranacionale dhe ato globale si Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar etj. Ata që besojnë në një teori konspirative të tillë mendojnë se kjo elitë ndërkombëtare, apo një qeveri botërore e fshehtë, në krye të së cilës qëndrojnë financierët dhe industrialistët e mëdhenj amerikanë dhe hebrenj, përpiqet të krijojë një krizë globale në mënyrë që të gjitha kombet të detyrohen ta pranojnë “Rendin e Ri Botëror” që ajo synon të krijojë. Janë pikërisht njerëz të tillë ata që besojnë se amerikanët dhe hebrenjtë ishin të interesuar që 11 shtatori i vitit 2001 të ndodhte. Në botën arabe, por jo vetëm në këtë rajon, vazhdon të besohet teoria konspirative se 11 shtatori u planifikua dhe u orkestrua nga Mossad-i (agjencia e shërbimeve sekrete të Izraelit) dhe nga vetë CIA për të justifikuar dhe legjitimuar ndërhyrjen ushtarake amerikane në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme.
Besimi konspirativ në një qeveri botërore të fshehtë është më i hershëm se viti 2001 ose viti 1990. Ata që besojnë në këtë konspiracion të madh global mendojnë se elita që përpiqet të realizojë “Rendin e Ri Botëror” përbëhet nga po ata njerëz (apo nga pinjollët e tyre), të cilët, për interesat dhe në shërbim të agjendës së tyre, krijuan Aktin mbi Rezervat Federale (1913), mbështetën Revolucionin Bolshevik (1917), si edhe ardhjen në fuqi në Gjermani të Partisë Naziste. Ndër ata që aderojnë në një teori konspirative të tillë, ka edhe njerëz që besojnë se një ndër qendrat e “Rendit të Ri Botëror” ndodhet në Aeroportin Ndërkombëtar të Denver-it, në Kolorado, nën të cilin gjendet një qytet i nëndheshëm dhe një bazë e madhe e nëndheshme ku strehohet një flotë sekrete helikopterësh, në gadishmëri për të marrë kontrollin sapo që “Rendi i Ri Botëror” të jetë krijuar.
Besimet që ushqejnë “mentalitetin konspirativ” dhe teoritë konspirative shkojnë përtej kufijve të kritikës racionale, pasi ato përfaqësojnë sisteme të mbyllura idesh, në të cilat evidenca kontradiktore mbi ngjarje të ndryshme “shpjegohet” me vetë individët apo grupet konspirative që i planifikojnë këto ngjarje dhe, ipso facto, ato rrallë herë mbështeten nga fakte që përgënjeshtrojnë analizat shkencore apo ato institucionale. Shumë studiues janë munduar të shpjegojnë faktorët sociologjikë dhe psikologjikë që ushqejnë mendësitë dhe teoritë konspirative. Sociologu Holger Herwig, për shembull, shkruan se “ngjarjet më të rëndësishme [dhe më komplekse] janë edhe më të vështirat për t’u kuptuar, pasi ato tërheqin më shumë vëmendjen e njerëzve, që nga krijuesit e miteve, deri tek sharlatanët”. Në nivel individual, psikologët shpjegojnë se janë nevojat psikologjike, si dhe “njollat e errëta” epistemike (apo mundësitë e kufizuara të njohjes) tek individë të veçantë ato që ndikojnë në procesin e krijimit të një mentaliteti konspirativ.
Studiues dhe mendimtarë të shquar, si Karl Popper, Richard Hofstadte, Carl Sagan, Michael Barkun, Robert Alan Goldberg, Bruce Cumings etj., i kanë kritikuar dhe demaskuar ashpër teoritë konspirative. Bruce Cumings, fjala vjen, argumenton se “edhe nëse konspiracionet ekzistojnë, ato rrallë herë ndikojnë në histori; ato mund të kenë, nga koha në kohë, një ndikim margjinal, por jo me ato pasoja që parashikojnë autorët e tyre...[pasi] historia vihet në lëvizje nga struktura të gjera dhe të mëdha kolektivitetesh njerëzore”. Në veprën e tij Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj, Karl Popper, e përdori termin “conspiracy theory” për të kritikuar ideologjitë që sollën në pushtet fashizmin, nazizmin dhe komunizmin. Sipas tij, totalitarizmi erdhi në pushtet përmes “teorive konspirative”, të cilat u inspiruan nga komplote imagjinare dhe skenare paranojake të mbështetura në tribalizëm, në shovinizëm dhe në racizëm. Popper nuk mendonte se konspiracioni nuk ekziston; përkundrazi, ai e quante atë një “fenomen social tipik”. Ajo që Popper argumentonte më së miri është se, së pari, “konspiracionet në shoqëri nuk janë të shpeshta dhe nuk e ndryshojnë karakterin e jetës shoqërore” dhe, së dyti, se “konspiracionet shumë rrallë janë të suksesshme”, pasi rrjedhojat e tyre, si rregull, nuk janë ato që dëshirojnë dhe që presin konspiratorët.