BIRKENAU : Ngjyrat e asaj depozite të frikshme flokësh njerëzore që ruhet edhe sot në kampin e vizituar nga mbi 22 milion njerëz, varionte nga kafja, në të kuqe, e pastaj në të bardhë, e tek tuk në të verdhë.
E ekspozuar pas një xhami të trashë hermetik, ajo masë e pabesueshme “ylberi”, i përkiste dikur mbi 1.3 milion njerëzve që ishin transportuar në atë kamp, për të punuar 14 orë në ditë, e pastaj për të vdekur nga uria, i ftohti, torturat dhe në fund të luftës edhe nga shfarrosja në dhomat e gazit.
Një historiane polake na shpjegon fjalët e gdhendura sipër derës së madhe prej hekuri në hyrje të kampit ku u shfarrosën sidomos hebrenj: “Puna të bën të lirë” (Arbeit Macht Frei)… Ndryshe nga shumë filma artistikë, hebrenjtë nuk kanë hyrë asnjëherë në kamp përmes kësaj porte. Në fotografi të dimensioneve të mëdha anekënd Aushvic 1, i destinuar fillimisht për të burgosur polakë, rusë, apo homoseksualë gjermanë, e më pas dhe për hebrenj, tregohen momentet kur mijëra njerëz ecin bashkarisht me valixhet e tyre në dorë, pasi u është premtuar nga nazistët se thjesht po shpërngulen në një vend tjetër, ku do të gjejnë strehim, ushqim dhe punë.
Në njërën prej valixheve, duket qartë e shkruar me shkumës të bardhë identiteti i një familje, me mbiemrin Kafka, si edhe një adresë në qytetin e Pragës. Pak më tej, në një “mega-vitrinë” të ngjashme, shfaqen pas xhamit hermetik mbi 800 mijë palë këpucë të europianëve që u shfarrosën në atë kamp. Ngjitur me to, një tjetër “vitrinë” me mbi 400 mijë këpucë fëmijësh…
“Oficerët nazistë tentonin të shmangnin panikun mes të destinuarve për të vdekur”, tregon historiania nga një mikrofon që përcillet përmes kufjeve në memorien e të gjithë vizitorëve në kamp. “Ata nuk e përfytyronin dot se si do të mund ta menaxhonin një situatë pasigurie mes mijëra të burgosurve, ndaj i qetësonin sa të mundnin, duke u thënë: merrni sa më shumë sende personale e vishuni trashë se atje ku do shkojmë bën shumë ftohtë”. Në njërën prej këtyre fotografive, duket një grua me tre fëmijë, një bebe në krahë dhe dy të tjerë më të mëdhenj në moshë që ecin të kapur për dore e duke qeshur, teksa shikojnë për herë të parë dhe të fundit drejt një aparati fotografik. Pasi përshkon edhe pak metra më tej, ajo familje përfundon jo në ambientin e dushit, siç i është thënë, por në dhomat e gazit.
Në një fotografi tjetër, dy doktorë të njohur, me titullin Profesor-Doktor, vëzhgojnë një pas një çdo individ dhe sipas peshës fizike, moshës dhe shëndetit, drejtojnë secilin ose majtas ku e pret ferri nën sloganin “Puna të bën të lirë”, ose djathtas, drejt dyerve të hapura të dhomave të gazit. Në fytyrën e profesorëve të mjekësisë nuk gjen as edhe një fije emocioni.
Pranë grupit tonë në hyrje të kampit, gjendet një turmë e vogël gjimnazistësh nga Izraeli (në programet shkollore atje, është e detyrueshme vizita në këtë kamp, përpara përfundimit të studimeve të mesme). Arrij të shquaj fytyrat e atyre adoleshentëve, që nuk e dinë me detaje se çfarë i pret në atë guidë të tensionuar që zgjat të paktën 5 orë. Disa prej atyre fytyrave e shfaqin dukshëm frikën, por edhe kuriozitetin.
Pak minuta më vonë, gjendemi në oborrin mes dy ndërtesave që mbajnë numrat 11 dhe 13. Në ndërtesën me numrin 11 gjithçka ka mbetur e pandryshuar, ashtu siç ka qenë që nga maji i vitit 1940, kur mbi 700 të burgosur polakë, shumica pjesëtarë të rezistencës anti-naziste u vendosën aty për herë të parë. Ky kamp kishte qenë dikur kazerma e ushtrisë polake.
Në hyrje të kësaj ndërtese gjendet zyra e komandantit, në murin ballor të së cilës varet edhe sot portreti i Hitlerit. Disa hapa më tej, shfaqen shkallët që të çojnë në katin e nëndheshëm. Aty ku ishte dizenjuar “burgu brenda burgut”…
Harroni tani gjithçka që keni parë në televizor! Mos përfytyroni asnjë skenë filmi me nazistë apo kampe përqëndrimi! Zhdukni nga memorja edhe mrekullinë kinematografike të Spielberg “Lista e Shindlerit” dhe zbrisni me ne, të çliruar nga këto imazhe vizive, drejt katit të nëndheshëm të ndërtesës me numrin 11 në Aushvic 1, 50 kilometra nga qyteti i Krakovës, vendlindja e Papa Gjon Palit II.
Në qelinë e parë shikon vetëm dyshekë të shtrirë përtokë dhe batanije të rrjepura përsipër tyre. Mund të ndjesh ende një erë të çuditshme vjetërsie, të përzjerë me erën e urinës dhe të minjve. Ose ndoshta këtë përshtypje ta jep ndjesia kur shikon fotografinë që ka fiksuar çastin kur për herë të fundit kanë qëndruar njerëz në atë qeli: 13 skelete të gjetur të vdekur, në çastin kur kampi u braktis nga nazistët dhe u lirua nga ushtria ruse. Ata skeletë kishin vdekur, duke pritur të çoheshin në qelitë e tjera, që gjenden më tutje…
http://gazetac.com/index.php/enciklopedi/dosjer-histori/15022-horrori-i-aushvicit-pare-me-syte-e-nje-shqiptari.html