Per Tiranen
Cuna dhe goca,
Cfare mendoni per kete shkrimin qe eshte botuar tek gazeta JAVA ne Prishtine ne numrin e fundit:
Kryeqyteti i Shëmtimit
Ardian Ndreca
Tirana m’âsht dukë gjithmonë kryeqyteti i shëmtimit. Ndoshta shumëkush kishte me m’dhânë të drejtë po të kishe thanë se nuk âsht nji qytet i hijshëm, por jo, une due me ju tregue pse âsht nji qytet i shëmtuem.
Prej 1925 deri në 1939, Zogu e shndërroi Tiranën prej nji katundi oriental qi ishte, në nji qytet mâ të kênun, tue ndërtue shumë vepra të stilit neoklasik (ashtu siç e përtypte klasiken epoka fashiste, mbasi arkitektat vijshin prej Romet). Bâhet fjalë për ndërtime qi edhe sot e kësaj dite munden me u pa si t’paktat qi i japin Tiranës tonin e kryeqytetit. Por edhe privatët ndërtuene vila të kândshme për kah pikëpamja estetike, e me çka tregojnë ata qi kanë banue mbrendë, edhe shumë komode.
Kam lexue në kujtimet e nji ish-mësuesi se, kur në 1945, në nji prej këtyne vilave të konfiskueme shtîne familjen e nji oficeri partizan prej Mallakastret, prindët e këtij ndezshin zjarrmin në mes të odës, mbasi, me të drejtë, ishin mësue e nuk mund të rrijshin pa nji votër ku të shihshin flakën e prushin e gjallë. Nuk kishin si me mendue qi kjo gja mund t’bezdiste fqinjët e tyne në katin e mâposhtëm, mbasi ishte hera e parë qi jetojshin me fqinjët kaq afër. Si gjithë njerëzit e thjeshtë ndiejshin mungësen e natyrës dhe të kafshëve shtëpijake, e nuk mund të zâvendesojshin lopët e delet me nji “kotele” apo me nji “kone” - qi s’i hinte as në sy.
Nejse, Tirana nuk âsht qytet i shëmtuem vetëm pse nuk ka lopë e gomarë nëpër rrugë (?), e këtu nuk mund t’i jap të drejtë plakut nostalgjík prej Mallakastret (âsht vetëm nji rasë qi Mallakastra vjen prej latinishtes mala castrum, pra: log i keq). Por kjo âsht historija jonë, pse siç ka vërejt tash s’fundi nji studiues i censhëm i kulturës shqiptare, bâhej fjalë për njerëz: “të porsazbritur nga stanet e gërxhet e Shqipërisë së Jugut – kishin vendosur t’ia ndërronin faqen qytetërimit shqiptar të kohës së mbretërisë jetëshkurtër të Zogut; dhe pikërisht simbiozës delikate midis orientalizmit të moderuar dhe modernizimit iluministo-romantik”. (A. Vehbiu)
Por tue e lanë m’nji anë iluminizmin e romanticizmin e kohës së Zogut, pse punët kishin me u ndërlikue s’tepërmi, po thona edhe ‘i herë se Tirana âsht nji qytet i shëmtuem – nji qytet kryegarnizon. Ndryshe krejt prej Shkodrës, qi âsht qytet i shkatrruem, por ruen aty këtu gjurmët e nji t’kaluemje të madhe, qi syni i stërvitun i zblon në disa kânde magjike, të cilat po zhduken përherë e mâ shumë. Tirana ruen gjurmët e nji katundi të Shqipnís së Mesme (para 100 vjetsh nuk ka kenë kurrgja tjetër veçse nji katund) ku shartohet orientalja me teknokracinë komuniste, qerpiçi me stilin zhdanovist, te i cili ndërthuret demagogjia e prefabrikateve «monumentale» me planifikimin urbanistik. Arkitektura e kohës së komunizmit, jo për fajin e arkitektave, nuk ka mujtë me i dhânë asnji vlerë shpirtnore banesave shqiptare, qi paraqiten të zymta e dekadente, të mbrapshta e pa sens estetik, të vjetrueme pa u bâ të vjetra.
“O qytet me tulla të kuqe qi qytet nuk je”
Tirana âsht e përbâme prej rrugësh artificiale, gjuha qi flitet âsht aq e përzieme sa tingllon artificiale dhe babilonike, deri para dhetë vjetsh ka pasë edhe nji lagje artificiale (Bllokun e udhëheqjes), edhe ai lum i qelbun qi e përshkon të duket se jeton mâ fort artificialisht prej kontributit të banorve sesa prej ndonji burimi të largët. Mbasandej ka vila italiane, godina ruse, pallate kineze e kulla arabe, e mâ në fund edhe nji liqen artificial ngjyrë baltet.
Tirana âsht e shëmtueme pse nuk ka nji identitet, e bâ me kenë e vërtetë qi kryeqyteti i nji vendi paraqet nji komb, duhet me u ruejt kur t’i thona kujt qi Tirana âsht kryeqyteti ynë. Nji shkrimtar i paraluftës e ka pasë quejt: “O qytet me tulla të kuqe qi qytet nuk je!”
Tashti s’fundi âsht tue u folë për kthimin në identititet, por, ku dojnë me e kthye Tiranen ketë s’e kam marrë vesht? Me kthye në identitet Krujen, Beratin, Gjinokastrën e Korçën kishte me pasë nji kuptim, po Tiranen ku me e çue, në vjetin ’30, apo në në vjetin ‘50? S’ma merr mendja se kthehet në identitet tue e lye me ngjyra të ndezta si me kenë tue lye kaçorre lepujsh apo si me kenë tue u bâ gati për karnevalet e Rio-s. (Mos të keqkuptohena: nuk due me thanë qi kanë bâ keq pse e kanë lye, mbasi ngjyrat e ndezta ndihmojnë me ulë edhe nivelin e stresit).
E keqja mâ e madhe e jona âsht të mësuemit me të mbrapshten.
Tirana (njilloj si pjesa e tjetër e Shqipnís) ta turbullon synin me ato pallatet si koje (krodhe) buket të deformueme prej lagshtinet, të brejtuna prej hallesh e të mykuna prej pakujdésit, ndërtesa qi duken si me kenë shêjat rrugore qi të çojnë drejt ferrit. E nuk janë tjetër veçse shêjat e fitores së marrís në luftën e saj me Natyren. Janë ndërtesa qi duken si anije qi po kalben në shí, tue marrë kështu përditë e mâ fort ngjyren e dheut, ngjyren anonime të tokës qi i përpîn në çdo moment, pallate qi janë kthye në nji parking shpirtnash, i cili i paraprîn nji parkingu tjetër të përhershëm diku nepër kodrat përreth.
Përshtypja qi të len âsht ajo e nji qyteti zhelesh, të veshun si për ditë festet, si nji njerkë e vrazhdë qi ka uzurpue vendin e Nanës Natyrë.
Janë të papranueshme ato forma pallatesh qi duken si arkivola vertikal me 40 dritare prej kah mâ fort se me depërtue drita, del jashtë tafti e atyne qi t’vdekun jetojnë mbrendë. Banesa të kopjueme prej modelesh anonime të marruna prej Uraleve deri në Kamçatka siç vëren A. Vehbiu.
Përsipër, tarracat e papërdorshme filtrojnë me besnikí shiun. Tarracat janë nji shêj tjetër i mungesës së lirisë, e cila shprehet te sulmi i hijshëm qi nji çatì e kuqe ndërmerr drejt qiellit. Në çdo detaj të atyne ndërtesa ndihet mungesa e simbolizmit, mbasi gjithçka âsht plazmue brutalisht prej nji vullneti qi estetiken e ka pa, me të drejtë, si anmiken numër nji të materializmit.
Po punimet qi kanë bâ vjetët e fundit në kryeqytet? Kanë mbërrit me e kthye në nji plakë e lyeme qi s’ka njohtë kurrë çasa lavdijet, por âsht mjaftue me u marrë nën stjetull vetëm prej burrave të vejë.
Mâ s’parit po hamë, mbasandej po merrena me kopalla
Nji kapitull në vete janë vilat e pasanikëve të rí, të cilët, shì pse janë të rí si pasanikë, kanë mujtë me grumbullue me ngut nji farë pasunijet por s’kanë mujtë me mbërrit atë për të cilën duhet nji jetë e tanë: kulturen. Atëherë të kapë syni në mes të qyteteve tona: kulla alpine, chalets zvicerane, vila surrealiste me balkone jo-funksionale, qi duken herë si xhepa kangurësh e herë si tenxhere me presion, sheh shtëpija qi kanë marrë diçka prej pagodave e diçka prej klubeve të katundeve, të dalin përpara vila ku alumini, çementoja, hekuri e xhamat e errët janë kombinue keqas me drunin e qarrit e të gështejës. Shihen aty këtu deri edhe arritjet mâ të fundit të teatrit absurd: kulla alpine të lyeme si shtëpijat e kasabave të Marokut, nji bardhësí e përftueme me gelqere të shueme keq qi çohet leskra leskra, aq sa me t’u duk shtëpija si me i pasë ra gërbula (lebra).
Atëherë çka mbetë me bâ?
Po pse nuk ndërtojnë shtëpija tradicionale shqiptare, ose vila e pallate qi mos ta kenë mâ atë epitetin e mnershëm: popullore. A s’mund të ndërtohen shtëpija jo-popullore, shtëpija të banueshme, thjesht shqiptare: në Korçë shtëpija korçare, në Berat e në Gjinokastër shtëpijat e tyne karakteristike, në Krujë të vetat e kështu me rend.
Edhe pse, na ka pasë mbytë kjo «popullorja»: dikur partija popullore, mbasandej kuvendi popullor, teatri popullor, artistat e popullit, herojt e popullit, anmiqt e popullit, shtëpijat e popullit.... a të fillojmë njiherë me pasë kuvende, teatra, artista, heroj, anmiq e deri edhe shtëpija qi të jenë thjesht të tillë, pa atë adjektivin “popullor”, qi nuk shpreh asgja por vetëm largon prej kuptimit real. Kush e ka thanë se nji artist duhet me i përkitë tanë popullit, apo nji anmik duhet me kenë anmiku i tanë popullit? Këto janë idena totalitariste qi sot nuk shkojnë mâ, pse për me i përkitë tanë popullit duhet me pasë hi në përjetsí, në amshim, aty ku koha nuk vepron mâ, e kjo gja nuk mundet endé me u thanë për kohën tonë, e cila ka vetëm nji çansim (définition): âsht kohë dekadencet. T’i braktisim vizionet pan-komuniste qi dojshin me e pa at’ regjim sub specie aeternitatis, të paluejtshëm, dogmatik e t’pazâvendsueshëm në sterilititin e vet, edhe urbanistik.
Akragantinët (banorët e Agrigentum) shkruente Empedokli: ndërtojshin shtëpija e tempuj a thue se s’kishin me vdekë kurrë, e hajshin a thue se kishin me vdekë të nesërmen. Edhe qytetet tona të mbushuna me klube (çfarë shtrembnimit i kena bâ kësaj fjalë!), akshihane, qebabtore e paçaxhihane të modave të ndryshme, të japin përshtypjen qi shqiptarët duen me rekuperue kohën e talonave e të triskave, a thue se kanë frikë se po japin shpirt unshëm, kurse tempuj për me mbetë në historí nuk kam pa askund! Por antikët kanë thanë: primum vivere deinde philosophari – çka shqip tingëllon: mâ s’parit po hamë, mbasandej po merrena me kopalla.