Pse shkruajne keq femrat?
Pse shkruajnë keq femrat?
Gilmana Bushati
Të paktën pse shkruajnë më keq se meshkujt? Këto pyetje bëhen gjithnjë duke pasur parasysh nivelin e vlerësimit të artit të krijuar nga ato (vetëm nëntë shkrimtare kanë marrë ndër vite çmimin Nobel). Historiku i këtij vlerësimi tregon disnivelin mes vlerësimeve të bëra apo të dhëna për shkrimtaret dhe shkrimtarët. Nuk besoj se kjo vjen si pasojë vetëm e diskriminimit të vazhdueshëm të racës së femrave. Në fakt, është e vështirë të përcaktosh se cila është e vërteta absolute për përgjigjet e këtyre dy pyetjeve. Sigurisht që shkrimtaret as nuk do t’i përgjigjeshin, madje nuk do të donin ta dëgjonin, edhe pse të gjitha të dhënat flasin për inferioritetin e saj në arte, e më shumti në krijimtarinë letrare.
Në këtë gjini, ashtu si dhe në shumë të tjera, ajo arriti të ishte personazh i jashtëzakonshëm, pra subjekt. Por në ndryshim nga ky pozicion, dmth. si krijuese, ajo, në përgjithësi, nuk i arriti majat. Njihen pak emra të veçantë shkrimtaresh, të vlerësuarat numërohen me gishta, madje ky vlerësim apo njohje shpesh është bërë për hir të ashtuquajturës barazi gjinore, të përfshirjes së saj me pahir në krijueset më të mira, pasi përndryshe shkrimtaret realisht të vlerësuara për veprën e tyre do të ishin më pak se sa janë tani. Ndërsa shkrimtarët bënë historinë e letërsisë, ishin e janë promotorë të lindjes së rrymave të reja dhe vlerat e tyre i mbijetojnë shekujve. Është e vërtetë se sot, numri i shkrimtareve "të shumëshitura” apo “best-sellers” është i madh, por nuk mjafton vetëm kjo. Kjo kategori shkrimtaresh, por edhe shkrimtarësh ka ekzistuar gjithnjë dhe kjo situatë do të përsëritet edhe në të ardhmen. Por kjo nuk do të thotë që të gjitha shkrimtaret të trajtojnë tema qaramane, romantike, me dashuri të paarritshme, pra si telenovela të shkruara. Sigurisht që nuk duhet të mungojë ky tip shkrimtarjeje, pasi një pjesë e shoqërisë, kryesisht gratë, mbi të gjitha ato shtëpiaket, apo ato që nuk duan të lodhen shumë nga leximi, pra kjo pjesë e shoqërisë ka nevojë për të lexuar dhe duhet një lloj letërsie edhe për to. Si kjo e vërtetë ekziston edhe e vërteta tjetër, ajo që lexuesi, pavarësisht nga mbytja me konsumizëm, kërkon të lexojë letërsi klasike, po kërkon letërsi të mirë, po kërkon diçka tjetër dhe pikërisht ky lexues paracakton fatin e shkrimtareve nëse do të vazhdojnë të jenë apo jo. Shkrimtaret nuk e përdorin mirë fjalën dhe gjuhën, ndërsa shkrimtarët, ndonëse disa prej tyre janë nën nivelin e shkrimtareve, dinë ta përdorin gjuhën, fjalën dhe vendosin atë mënyrë komunikimi që e afron lexuesin, që ky afrim të mos i mungojë lexuesit edhe sikur t’i kthehet leximit të një vepre edhe pas njëqind vitesh. A është e hidhur kjo e vërtetë? Sigurisht që po. Sepse shkrimtaret nuk mund ta pranojnë kurrë një diskriminim të tillë, një ndarje të tillë, sepse ata nuk ndryshojnë shumë nga një pjesë e mirë e shkrimtarëve që vetëm rrahin gjoksin se janë ato dhe askush tjetër. Nuk janë të vetëdijshme për pozicionin në të cilin ndodhen, nuk punojnë për të qenë realisht shkrimtare, ato vetkënaqen shpejt nga vlerësimet që u bëhen. Nuk e di se çka u mungoi atyre, apo u mungon shkrimtareve të jenë një pjesëzës në përmasa më të vogla një të Virginia Woolf, Sylvia Plath, Flannery O’Connor, apo një Natalia Ginsburg, ose për t’u afruar edhe më shumë në moshë e vite një Margaret Mazantini. Ajo që i bashkon këto shkrimtare është se në veprat e tyre ditën të ishin vetvetja. Sigurisht që ka mjaft shembuj për t’u përmendur, por u mjaftuam me kaq. Nëse do të ishte njëfarë ngushëllimi për shkrimtaret duhet thënë se as shkrimtarët nuk i afrohen shembujve të sipërpërmendur dhe jo më t’i krahasojmë me të ngjashmit e tyre në kohë dhe me të sotshmit. Por shembujt nuk duhen marrë si ngushëllim, por si një pikë a kufi në të cilin nuk do të arrijmë dhe që hë për hë as nuk e shohim e jo më ta kalojmë. Eshtë e qartë se diskriminimi i parë i gruas erdhi nga Zoti, i cili nuk pranoi ta krijonte, por këputi një brinjë burri dhe e nxori në dritë, pra edhe fakti se nuk e nxorri nga ndonjë element tjetër i trupit është njëlloj përbuzjeje fillestare që ka gruaja në krahasim me burrin. Por në kohët moderne, gruaja, që nuk ishte e aftë gjatë shekujve të vendoste dinjitetin e vet, ka zgjedhur si lloj pavarësie vetëdiskriminimin: ajo vendos të mos jetë qenia më e lartë riprodhuese dhe pret që fëmijën ta marrë të gatshëm nga një epruvetë. Madje nismëtarja e prodhimit të fëmijës në epruvetë është pikërisht një grua. Mendojeni sikur ky proces të jetë i ngjashëm edhe për krijimin tjetër, atë letrar. Ky pozicion është një pështjellim historik, biblik, psikik, pra që gruaja nuk merr përsipër të jetë ajo për të cilën u krijua nga një veprim pak makabër, pra shkyerja e njërës brinjë nga trupi, sigurisht që do t’i ketë lënë shenja domethënëse burrit të parë. Ndërsa në procesin e saj krijues ajo përpiqet të marrë një pozicion tjetër, atë të joinferiores, sepse në atë moment ajo nuk e ndjen veten të tillë dhe në atë moment, ajo nuk është e tillë. Eshtë krijuese e mirëfilltë dhe mbështetet te frymëzimi, te kultura e saj e të shkruarit dhe e të menduarit të gjërave. Por gjithësesi edhe duke mbajtur njëfarë pozicioni në procesin e krijimit, përsëri libraritë mbushen me libra të krijueseve, që nga ata të moshës tepër të re, adoleshtente e deri tek mosha më e pjekur apo dhe e plakur, që herë herë mund edhe të quhen shkrimtare. Një pjese të mirë të këtyre shkrimtareve u mungon ndërgjegja e lartë, e cila dikton momentin se kur duhet të dorëzohet sepse nuk mund të shkruajë më gjëra me vlerë. Përkundrazi ato e vazhdojnë këtë krijimtari, ndërsa kritika vazhdon t’i vlerësojë me të njëjtat fjalë shambllone që ngrejnë lart sakrificën e gruas që do të bëhet edhe shkrimtare, juritë vazhdojnë t’i japin çmime vlerave të dyshimta që krijuara nga këto shkrimtare dhe përfundimi është se as kritika, as dhënia e marrja e çmimeve nuk do të jenë momente të vlerësuara në të ardhmen. Asnjë shkrimtare nuk do të ishte e lumtur nëse nipi apo mbesa e saj do t’i thonë një ditë se “kush të ka dhënë çmim me këtë që ke shkruar?". Ekziston edhe një kategori tjetër e krijueseve që e braktisin krijimtarinë. Jo ngaqë ndërgjegjësohen se nuk mund të shkruajnë apo se nuk i vlerësojnë siç duhet, por braktisja vjen për shkaqe të tjera të jashtme, për një realitet pak më komod apo për plotësimin e kushtit traditë, familje, shoqëri. Që të dyja këto kategori që nuk mund të jenë të ndara me thikë kanë një gjë të përbashkët: shkrimtaret a krijueset janë të bindura në vetvete se mund të krijojnë vlera të qëndrueshme, dhe kjo mund të jetë e vërtetë, por për aq kohë sa ato vlera nuk deklarohen, nuk shkruhen apo nuk thuhen nuk mund të quhen të tilla. Si çdo rregull edhe ky ka përjashtimet e veta. Por prapëseprapë përjashtimet mbeten tepër të pakta që të mund të vendosin një ekuilibër vlerash mes shkrimtareve dhe shkrimtarëve.
E megjithatë asnjë shkrimtar nuk do të mund ta shkruante “Letër një fëmije që kurrë s’u lind”, ashtu siç besoj se asnjë grua nuk do të mund ta shkruajë, as tani e as pas disa vitesh “Lehtësinë e papërballueshme të
qenies”.