"Betejat" që zhvillohen në ekrane
<font color="red"> Cilat janë lajmet ndryshe të gjigandëve të rinj mediatikë botërorë </font>
"Betejat" që zhvillohen në ekrane
"Shpërndarja e një vizioni të ri" misioni i mundur i "Telesur", "Rusia Today" dhe "Francë 24"
Ka nisur me një "count down" (numërim së prapthi). Mungojnë edhe pak sekonda: 50, 49, 48. Kjo shoqërohet me një muzikë në sfond, e cila shoqëron numërimin deri në zero. Momenti erdhi: "Është 15 nëntor 2006, dita e parë e një epoke të re". Përpara një logoje të madhe flakëruese me sfond blu, dy moderatorët prezantojnë "Al Jazeera English", kanalin e ri të informacionit global.
Ndoshta Shiulie Ghosh dhe Sami Zeidan nuk janë njohës të mirë të botës perëndimore, por kanë fituar çmime të ndryshme televizive në të gjithë botën. Prezantojnë kanalin e ri si një sfidë për britaniken BBC dhe amerikanen CNN. "Al Jazeera English" i dërgon një mesazh të qartë gazetarëve perëndimorë: që nga ai moment nuk do të jenë më vetëm për të interpretuar botën. Studio është shumë e madhe dhe ka një ndriçim shumë të mirë. Galeria e katit të parë bie në sy, për shkak të një drite ngjyrë portokalli, e cila formon një kontrast shumë të bukur me blunë e thellë të dyshemesë, ku janë vendosur skrivanitë e redaktorëve. Është studio televizive më moderne në botë: në të gjendet një video muri, e gjatë 21 metra. Për prezantimin e këtij kanali kanë punuar për më shumë se dy vjet 700 punonjës nga 45 kombësi të ndryshme. "Al Jazeera English" ka punësuar më tepër se 300 gazetarë dhe ka hapur zyra në rreth 30 vende. Strukturat e saj kanë kushtuar 1 miliard dollarë. Kanali transmeton nga lagjja "Doha" dhe nga tri qendrat e tjera, si Uashingtoni, Kuala Lumpur dhe Londra.
Është një eksperiment shumë kurajoz: një sallon televiziv, i cili transmetohet falë satelitit dhe e përbërë nga një redaksi ku bëjnë pjesë myslimanë e perëndimorë.
Versioni në anglisht i "Al Jazeera"-s është një hap përpara i informacionit të globalizuar, i cili u lejon të gjithë pjesëmarrësve që të marrin pjesë në mënyrë direkte në ngjarjet më të rëndësishme. Ky kanal ka si qëllim që të transmetojë dhe të përhapë në botë kulturën, estetikën, dijen dhe vlerat politike të çdo këndi të botës për të ndikuar në shoqërinë në të cilën jetojnë.
Në një situatë si kjo duhet të matësh çdo fjalë. Në fillim, Jamal el Shayyay qëndron i qetë dhe hedh në ujë një bustin çaji, teksa seleksionon letrat e lajmeve. Duket qartë se është i lodhur. Çdo ditë duhet të seleksionojë dhe të verifikojë lajmet, të cilat vijnë nga Lindja e Mesme. Është i parruar dhe mban syze. Shikimi i tij shkon vazhdimisht drejt tryezës së bukës, ku shumë kolegë të tij (pjesa më e madhe britanikë) janë të ulur në karrige të bardha dhe të verdha. Kafeteria është shumë e madhe, si një sallë pritjeje dhe mobilimi nuk ka asgjë arabe: është një miks mes Ikeas dhe Starbucks.
Në fund, El Shayyal prish qetësinë. Mjetet e informimit perëndimor nuk shprehin asnjëherë "këndvështrimin e njerëzve që jetojnë në Lindjen e Mesme". Flet me një zë të sigurt, por të kontrolluar, nuk është tipi i cili bën viktimën: vrojtimi i tij është një analizë e ftohtë dhe e liruar nga pasionet.
El Shayyal është një qytetar britanik, por me fe myslimane. Është tifoz me Çelsin dhe për t‘u relaksuar luan me lojëra elektronike në kompjuter. Pas tetëvjeçares ka studiuar ekonomi, gjuhën hebraike dhe arabe në Londër dhe në moshën 20-vjeçare ishte gati që të hynte në botën moderne të punës. Ndërsa ishte akoma në universitet u bë zëdhënës i një organizate të madhe islamike, më pas hyri në këshillin e konsulentëve në Bashkinë e Londrës. Më pas, ai filloi të analizonte punën e ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, nëpërmjet analizave të ndryshme. Ndër të tjera, Partia Laburiste e ka zgjedhur si kandidat për të përfaqësuar zgjedhjet komunale. Ai ka qenë myslimani i parë, i cili është zgjedhur në organizatën e studentëve britanikë. Është vështirë të gjesh ndonjë djalë emigrant, i cili është integruar dhe ka pasur një sukses të tillë si El Shayyal. Kohët e fundit, në faqen e tij të internetit, ka shkruar: "Si mysliman në Britaninë e Madhe ndiej se duhet të justifikoj ekzistencën time sa më mirë aty". Kështu që nuk ngurroi, bëri gati valixhet dhe bleu një biletë për në Qatar për t‘i treguar Perëndimit se çfarë është i aftë që të bëjë. Këtë do ta bëjë nga Gjiri Persik, falë teknologjive të fundit perëndimore, por edhe falë bindjes se ata që duan të ndryshojnë botën duhet të ndryshojnë mënyrën me të cilën gazetarët e tregojnë.
"‘Al Jazeera English‘ mund të bëhet një nga burimet më të rëndësishëm të informacionit në planet dhe të ndryshojë fluksin botëror të lajmit", tregon Rudolph Stichweh, pedagog i Sociologjisë në Lucernë, i cili është autor i eseve të ndryshme, mes të tjerash, një studim mbi të ardhmen e shoqërive botërore. Kai Hafez, ekspert i masmedias, mendon se kanali i ri mund të bëhet një "urë lidhëse mes Lindjes së Mesme e Perëndimit". Në eksperiencën e tij ka treguar se: "Mjetet e informimit global janë të orientuar në bazë të publikut vendas. Versioni anglisht i ‘Al Jazeera-s‘ ka një rëndësi të veçantë dhe sjell risi". Kush përpiqet që të lokalizojë spektatorët e tij duhet të ketë parasysh një hartë pa kufi kombëtarë: "‘Al Jazeera English‘ shkon nga pjesa më jugore e botës e deri te vendet të cilat ofrojnë informacion elitar", shpjegon Hafez. Para disa vjetësh, dy studiues britanikë, John Micklethwait dhe Adrian Wooldrige kanë përshkruar këtë elitë në librin: "A future perfect: the challenge and hidden promise of globalization" (E ardhmja perfekte: sfida dhe premtimi i fshehur i globalizimit). Në studimin e tyre kanë përfshirë tregtarë, politikanë, ekspertë të informacionit, gazetarë, intelektualë dhe artistë të ndryshëm. Në elitën e informacionit bëjnë pjesë myslimanët, indianët dhe kinezët, të cilët flasin anglisht e përbëjnë një publik prej një miliardë njerëzish. Ky kanal përmbush të gjitha shijet e publikut, duke mos pasur parasysh vetëm politikën. Historia, e cila ka sjellë lindjen e "Al Jazeera English" ka filluar para 10 vjetësh, kur emiri i Qatar Sheikh hamad bin Khalifa al Thani, themeloi kanalin televiziv arab "Al Jazeera". Një televizion si asnjë tjetër, që e ka frymëzuar nëse i referohemi publikut botëror. Për vetë fatin se sot "Al Jazeera" është "marshi" i pestë më i njohur në botë, pas "Apple", "Google", Ikea dhe Starbucks. Por në 1996-ën, redaktorët e saj nuk mendonin se do të bëheshin një zë shumë influencues i zonës, në të cilën jetonin dhe për atë kohë ka qenë një mendim shumë i guximshëm. Një herë, drejtori Hamad bin Thamar mendoi se ky kanal do të përhapej si një "virus", duke sjellë në botën arabe lirinë e shtypit. Në mes të viteve ‘90 kjo gjë dukej e pamundur. Deri para dhjetë vjetësh nuk kishte gazetarë të pavarur në botën arabe, por edhe sot Abu Dhabi, drejtuesi i Agjencisë Shtetërore të Shtypit, është praktikisht një zëdhënës i qeverisë.
Influenca politike
"Është vështirë të thuash nëse ‘Al Jazeera‘ është një stacion televiziv publik ose privat", tregon Hafez. Deri më tani, emiri i Qatarit ka mbështetur pjesën më të madhe të shpenzimeve, por nuk ka ndërhyrë asnjëherë në çështjen redaksionale. Kohët e fundit, emiri ka marrë fjalën para Parlamentit Evropian, duke u prezantuar si zëri i botës arabe. Një kushëriri i tij ka drejtuar në emër të ligjit arab tratativat për një zgjidhje të Kombeve të Bashkuara, për sa i përket konfliktit izraelo-palestinez. Edhe në Perëndim, "Al Jazeera" është i njohur për një publik, që ka një shtrirje të madhe, por qarkullojnë shumë zëra, të cilat janë kundër këtij kanali nga anë të paditura për manipulim lajmi, përkrahjen e terrorizmit dhe spiunazh. Gjashtë vende arabe kanë dëbuar korrespondentët e tyre. Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, e ka përcaktuar si "megafonin e Bin Ladenit", sepse terroristi ka përdorur shpeshherë korrespondentët e "Al Jazeera"-s për të transmetuar komunikatat e tyre. Presidenti amerikan ka pasur disi të drejtë në gjykimin e tij, por, në fakt, televizioni i Qatar i jep zë telespektatorëve të tij dhe shpeshherë është konsideruar si "vendi i shfryrjes së mërzisë". Kjo shpjegon edhe arsyen se pse interesi botëror për "Al Jazeera English" është shumë i madh. Sipas sociologut Stichwen, kanali televiziv do të ketë sukses "vetëm nëse do të arrijë të ketë një organizim stabël dhe të punojë në mënyrë të pavarur, duke u bërë i besueshëm për publikun". Bashkëpunuesit e "Al Jazeera English" preferojnë të flasin për paanshmëri. Por çfarë do të thotë paanshmëri? Se "Al Jazeera English" duhet të mbajë distancë nga shtëpia e saj mëmë për t‘u pranuar në Perëndim. Suksesi i saj do të varet pikërisht nga kjo. Në luftën e informacionit akoma nuk kemi arritur në pikën që ta konsiderojmë median si pala e akuzuar, por nuk mund të injorohet fakti se një numër gjithmonë e më i madh të rinjsh kanë një interes strategjik që ta kenë gjithmonë përkrah.
Gënjeshtra dhe shpifje
Qeveria amerikane nuk është e vetmja që kërkon mbështetjen e gazetarëve. Rusia ka prezantuar një kanal televiziv në gjuhën angleze, "Russia Today", ndërsa Gjermania financon prej vitesh "Deutsche Welle". Ministri i Jashtëm francez, Domenique de Villepin, mendon për domosdoshmërinë e rimodelimit të editorialit dhe akuzon mjetet e informacionit britanik e amerikan se përflasin për shpifje e gënjeshtra në vendin e tij. Të njëjtin mendim ka edhe Presidenti Jacques Chirac, sipas të cilit Franca duhet të prezantohet më fort në luftën e imazhit për t‘u mbrojtur nga këto sulme. Kështu që Parisi ka vendosur të financojë një televizion global në gjuhën franceze: "France 24". Deri në çfarë pike mund të jenë sot neutrale mjetet e komunikimit? Sipas disa studiuesve, çdo mjet informacioni ka një identitet kombëtar ose rajonal. Në rastin e "Al Jazeera English", çështja është më e komplikuar, sepse kanali nuk ka një qendër fikse, por organizohet si një rrjet. Për momentin, tentativa për të lidhur zonat më të rëndësishme të botës në një strukturë televizive unike ka sjellë një lloj mungese vazhdimësie në programacion. Fakti se edicionet e lajmeve përgatiten në "Doha", ka peshën e saj në çdo edicion lajmesh. Kush shikon lajmet në "Al Jazeera English" mund të krijohet përshtypja se gazetarët e Uashingtonit dhe Kuala Lumpur nuk janë futur plotësisht në mekanizëm. El Shayyal tregon: "Fjalët me të cilët mjetet e informimit shpjegojnë botën përcaktojnë ndërgjegjen tonë". Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar një urë lidhëse mes Perëndimit dhe botës myslimane.
"Inkursioni ajror izraelit vret dy palestinezë. Në rripin e Gazës dy ushtarë izraelitë mbetën të plagosur në një atentat vetëvrasës". Në këtë shërbim, "Al Jazeera" bën një lloj propagande. A është kjo zgjidhja që do t‘i bindë të gjithë? Të jesh objektiv me çfarëdolloj kushti? Për këtë pyetje do ta marrim përgjigjen vetëm pas edicionit të ardhshëm të lajmeve.
Sfidë dominimit anglosakson
Me "France 24", Parisi dëshiron që të shpërndajë pikëvështrimin e tij për ngjarjet ndërkombëtare. Por, televizioni nuk është akoma në lartësinë e konkurrentëve gjigantë si CNN dhe BBC
Të tregosh atë që ndodh në botë "përmes syve të Francës". Me këtë mision lind "France 24", kanali televiziv i lajmeve aq shumë i dëshiruar nga Jacques Chirac. "Presidenti francez ka luftuar për këtë projekt qëkur ishte Kryeministër e deri në fund të viteve ‘80", shkruan "Guardian". "Por kthesa arriti vetëm në 2003-shin, kur tentativa e Shirakut për të frenuar pushtimin amerikan të Irakut u kritikua nga mjetet e komunikimit britanik dhe amerikan. Që atëherë lindi nevoja për një kanal televiziv, i cili të shprehte këndvështrimin e Francës". Projekti u krijua nga Aleanca mes televizionit shtetëror "France Televisions" dhe rrjetit privat TF1. Do të financohet për vitin e parë me 86 milionë euro nga fondet publike dhe aty do të punësohen 170 gazetarë. "Shumë pak me rivalët e tij, duke e krahasuar me CNN, që ka një buxhet prej 1,2 miliardë eurosh dhe një staf prej 4000 bashkëpunëtorësh", nënvizon e përditshmja britanike. Dyshimet e studiuesve i përkasin edhe programacionit. Kanali francez nuk do të merret vetëm me politikë dhe ekonomi ndërkombëtare, por do t‘i kushtojë rëndësi të veçantë kulturës dhe stilit të jetës franceze. Fillimisht do të jenë dy kanale: një në frëngjisht dhe tjetri në anglisht, por parashikohet hyrja e transmetimeve në arabisht e spanjisht. "Kjo risi e vogël do të lejojë që të ridimensionojë pak imazhin e ‘teleshirakut‘". Edhe britanikja "The Times" tregon për "një publik të interesuar, që ta shohë botën me sytë e Francës", por vazhdon se "France 24 është televizioni i një kombi të irrituar, sepse nuk mund të bindë pjesën tjetër të botës që të flasë frëngjisht në vend të anglishtes". Sipas të përjavshmes gjermane "Die Zeit", "France 24" do të pushtojë vonë tregun: "CNN ekziston prej më shumë se 20 vjetësh dhe po krijon kanale të reja në Amerikën Latine, në Kinë dhe Rusi. Këto vende investojnë shuma të konsiderueshme për të bërë për vete audiencën globale".
Burimi: Gazeta Shqip