Enciklopedia Maqedonase skandaloze për shqiptarët

Lajthitjet më të fundit akademike kanë zënë vend në “librin e librave”, “Enciklopedia Maqedonase” (Makedonska Enciklopedia), promovuar të enjten.
Botimi luksoz i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, në dy vëllimet e saj, nis me gafa trashanike, që në shkronjë e parë A, ku historia shqiptare dhe shqiptarët, marrëdhëniet mes kombit shqiptar dhe maqedonas, Shqipëria e të tjera, prezantohen në formën më të përçunduar të mundshme. Bota akademike maqedonase jep të dhëna dhe shpjegime mbi shndërrimin e shqiptarëve nga zaptues në bashkësi etnike. Ndërsa gjuha e përdorur është pasuruar me zhargone, cinizëm dhe epitetime të shumëllojshme për shqiptarët. Në enciklopedi ata njihen si “arbanasë”, “arnautë” dhe “shqiptari”, kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës në kllapa “pllaninci” (njerëz mali), ndërsa gegët si fis. Nga enciklopedia mund të mësosh që shqiptarët në Maqedoni kanë zbarkuar nga Shqipëria, pas shekullit të XVI e XVIII. Rrugën drejt “pushtimit” të Maqedonisë, mësohet se ia ka “shtruar” Ali Pashë Tepelena, ky i fundit, përshkruhet në disa njësi më poshtë, si një satrap, zullumqar e të tjera. Zaptimi i trojeve që nis me Tetovën e Gostivarin, ka ardhur si pasojë e plaçkitjeve dhe terrorit që kanë ushtruar mbi maqedonasit duke i detyruar të shpërngulen nga vatrat e tyre. Nga enciklopedia nuk mund të orientohesh dot se ku ka lindur e ka vdekur Skënderbeu, pasi në enciklopedi dalin dy toponime të panjohura si Kroja dhe Llesh. Elbasani, i njohur si kërthiza e Shqipërisë, sipas enciklopedisë shtrihet në veri të vendit, ndërsa pavarësia e shtetit shqiptar daton prej vitit 1943.

Shqiptarët në Maqedoni
Në njësinë “Shqiptarët në Maqedoni”, popullsia përshkruhet si një bashkësi etnike me numrin më të madh në vend, pjesë e kombit shqiptar që shtrihet në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Ata, prej fqinjëve të tyre, njihen me emrin “arbanasi”, “arnauti” dhe “shiptari”, ndërsa kryesisht i përkasin besimit mysliman. Ardhja e tyre në Maqedoni, sipas kësaj enciklopedie, është kryer tinëz dhe vërehet kryesisht pas shekullit XVI-të, me intensitet më të madh pas shekullit të XVIII-të, atëherë kur feudalët shqiptarët mëtonin të pavarësoheshin nga pushteti qendror, me qëllim zgjerimin e sundimit të tyre në Maqedoni. Ndërkohë, Ali Pashë Tepelena përmendet si personi që ka mundësuar vërshimin shqiptar në pjesën jugperëndimore të vendit. “Prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishe nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. Deri në fillimet e shekullit të XIX-të shqiptarët numëronin 20 mijë banorë”, shkruan në enciklopedi. Nga periudha 1780-1800, thuhet më tej, banorët rridhnin nga fiset Krasniqi, Shala dhe një tjetër fis nga Shqipëria e Jugut, të cilët populluan rajonet e Manastirit, Gostivarit, Kërçovës, Kumanovës, Prilepit, Shkupit, Strugës e Tetovës. “Grupi i dytë i popullimit të dhunshëm fillon në shekullin XIX-të. Shqiptarët atëherë numëroheshin 50 mijë, ose mbi 2 për qind e popullsisë kundrejt 97 për qind maqedonasve. Të shpërngulurit e tjerë shqiptarë erdhën nga Shqipëria Veriore, Elbasani, Luma dhe Mati dhe nga Jugu, si Korça e të tjera, ndërsa pas vitit 1840 e deri në fillimet e shekullit të XX-të intensiteti i shpërnguljeve nga Shqipëria pësoi rënie. Gradualisht ato infiltruan në shumë zona të vendit, për rrjedhojë deri në vitin 1944 ata gjendeshin në 298 vendbanime nga 2017 gjithsej dhe numëronin 90 mijë banorë. Vala e fundit e ardhjeve daton pas vitit 1944 dhe si pasojë e natalitetit të madh dhe ardhjeve mekanike nga Kosova, Metohija dhe Serbia Jugore, numri i tyre vazhdimisht është rritur”. Deri në luftërat ballkanike (1912-1913) në Maqedoni, sipas autorëve të enciklopedisë, shqiptarët numëronin 128 mijë, ose 57 për qind e popullsisë. Pas ndarjes së Maqedonisë, në vitin 1948 numri i tyre ishte mbi 197 mijë, ndërsa me regjistrimet e vitit 2002 mbi 500 mijë vetë deklarohen shqiptarë. Rritja e numrit të popullsisë argumentohet me natalitetin e lartë dhe migrimet nga Kosova dhe Metohia. Gjatë sundimit të Mbretërisë Jugosllave shqiptarët kanë gëzuar të drejtat etnike, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata rreshtohen kryesisht në radhët e Ballit Kombëtar dhe shumë pak në lëvizjen antifashiste. Pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shqiptarët shndërrohen nga pakicë në bashkësi etnike.

Marrëdhëniet shqiptare-maqedonase
Një prej njësive kushtuar shqiptarëve, marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase, datojnë me Lidhjen Revolucionare Shqiptare – Maqedonase të vitit 1887. Ku prej sa, në vitin 1902 u hartua projekti i autonomisë së Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë së Vjetër dhe Odrinit, i dërguar edhe në Foreing Office-in britanik. “Shqiptarët kanë kontribuar edhe në aktivitetet e ORM-së dhe në kryengritjen e Ilindenit. Në gusht të vitit 1913, VMRO-ja dhe Komiteti Revolucionar Shqiptar dakordohen në Elbasan për një kryengritje kundër pushtetit serb në Dibër, Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Gostivar. Pas kapitullimit të Italisë, Gjermania formon shtetin e parë shqiptar, që përfshin edhe një pjesë të Maqedonisë Perëndimore duke instaluar aparatin shqiptar administrativ, ushtarak, policor dhe arsimor deri në çlirim, 1944. Nga viti 1945 deri në 1948 Shqipëria dhe ish Federata Jugosllave, do të arrijnë disa marrëveshje bashkëpunimi dhe në zonat ku jetonin pakicat maqedonase, nis mësimi në gjuhën amtare. Jugosllavia në ato vite ka kontribuar në rimëkëmbjen e Shqipërisë, por për shkak të izolimit të kësaj të fundit deri në vitet 90-të nuk arrijnë të vendosen marrëdhënie më serioze”.
Ambasadat amerikane dhe britanike përgënjeshtrojnë ASHAM

Ambasadat amerikane dhe britanike në Shkup kanë hedhur poshtë si të pabaza shkrimet në Enciklopedinë e sapo promovuar nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë. Në të thuhet se Ushtria Çlirimtare Kombëtare është trajnuar nga oficerë amerikanë dhe forca speciale britanike, gjatë konfliktit në Maqedoni. Pohimet se oficerë amerikanë kanë trajnuar ish-ushtarë të UÇK-së janë të pabaza dhe të turpshme. Do të jemi në kontakt me Akademinë për këtë gjë, dhe jemi të dëshpëruar nga fakti se ky institucion ka vendosur emrin e vet, mbi një pohim të pabazë. Do të varet nga Akademia se në çfarë mënyre do të përmirësojnë më mirë kredibilitetin e saj.-thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. Po ashtu edhe ambasada britanike, tha se Britania e madhe nuk ka bërë asnjë trajnim të UÇK-së. Pohimet e tilla janë false. Ambasada britanike do të kërkojë nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë, përmirësimin e këtij informacioni. Në Enciklopedi, thuhet se ushtarët e UÇK gjatë periudhës së 2001-it ishin trajnuar nga oficerë amerikanë dhe britanikë.

Koha/Alsat/Shqipmedia

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=22523. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=22523