Suzuki, një Vetel pa rivalë
Shtyhen verdiktet e botërorit për javën e ardhshme: Braun GP pret 1 pikë për titullin e konstruktorëve</p>
Gjermani dominon, Truli i dytë, Hemilton i treti dhe Raikonen i katërti</p>
Një pilot i madh, Sebastian Vetel, për një garë që nuk ka ofruar shumë në planin e spektaklit. Gjermani i Red Bullit dominon në pistën e Japonisë, në Suzuki: një monolog i vërtetë që nga starti deri në finish. Sa shumë keqardhje për Seb. Për sa i përket talentit dhe perspektivës, do ta kishte merituar ai këtë botëror, i cili për fat të keq do të shkojë në duart e Xhenson Baton. Anglezi i Braunit në Suzuki ka garuar si llogaritar, duke e mbyllur i teti pas një prezantimi gjithsesi inteligjent. Vetëm një pozicion pas shokut-rival Rubens Barrikelo, ndaj të cilit ruan distancën e 14 pikëve, dy gara para fundit. Një avantazh i mjaftueshëm për të garantuar titullin e pilotëve. Ndërkohë që do të jetë vetëm një formalitet botërori i konstruktorëve për Braun GP: mungon vetëm një pikë, që me shumë mundësi do të vijë në Brazil, pistë favorizuese për makinën e Ris Braun. Pas shpatullave të Vetelit u rendit Jarno Truli, i cili vendos Tojotën në vendin e dytë, para një Ljuis Hemiltoni, që është fikur me kalimin e xhirove, duke bërë kështu një garë jo brilante. I zoti u tregua edhe Kimi Raikonen. Me një Ferrari jo në formë të mirë finlandezi merr një vend të katërt të mirë pas një gare konstante për të. Ndoshta pa shumë shkëlqim, por shumë solide. Ferrari shpreson që të mos ketë keqardhje. Pikë kanë marrë edhe Rosberg e Heidfeld, të renditur para dy makinave Braun. Një start i gjithi i rregullt, me një Hemilton që falë “kers” kalon Trulin e vendit të dytë. Gara rrjedh pa ndonjë përmbysje të madhe deri në “pit stop”-in e dytë. Xhankarlo Fizikela bën një tjetër garë anonime, madje duke pësuar edhe një parakalim të paevitueshëm nga Kovalainen në rrugën për në bokse dhe përfundon i 12-i. Mrekullia e Trulit dhe e Tojotës përmbushet pas “pit stop”-it të dytë të Hemilton. Italiani bën tri xhiro të jashtëzakonshme para se të futet në “pit stop”. Mekanikët bëjnë pjesën tjetër në bokse dhe italiani hyn para kampionit në fuqi. Para arritjes së finishit grupi është rikompaktësuar, për shkak të daljes nga pista e Alguersuarit, i cili detyron “safety-car” në hyrje të pistës 8 xhiro para fundit. Por nuk ndodh më asgjë. Vetel feston, por nëse Red Bulli nuk do të kishte hedhur tutje një sërë garash, ndoshta do të ishim këtu duke folur për një tjetër fitues të botërorit. Vetel është një talent potencial. Dikush e ka krahasuar me Majkëll Shumaker. Në krahasim me bashkëkombësin e tij, Sebastian duket më simpatik dhe një njeri që nuk i përmban emocionet: “Çfarë gare perfekte, komenton gjermani, isha mirë që në start. Kam garuar xhiro pas xhiroje dhe makina ka qenë fantastike. Deri në fund arrita ta menaxhoj mirë situatën. Ka qenë fantastike, kam bërtitur në radio, sepse është e bukur të rikthehesh te fitorja. Botërori? Shumë e vështirë, por është i mundshëm akoma”.(Shqip)</p>
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23514. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23514