Policia shqiptare vazhdon të “reklamojë” anën më të errët të saj gjatë dy viteve të fundit. Dhuna fizike ndaj taksapaguesve ka zbritur këtë herë në qytetin e Tepelenës, në jug të vendit.
Ish-shefi i Komisariatit të Tepelenës, Gazment Shehu, i cili tashmë mban të njëjtin post në qytetin e Sarandës prej katër javësh, ka dhunuar punonjësin e një qendre të lojërave të fatit, pronë e biznesmenit A.G.
Ngjarja ka ndodhur në muaj mars të këtij viti, rreth orës 14:00, në qendër të Tepelenës, pranë bashkisë së këtij qyteti. “Nuk e kuptova pse më qëlloi me grushta. Unë thjesht isha punonjës”, thotë i dhunuarit B.M., i cili preferoi të mos publikohet emri.
Sipas tij, qysh prej asaj dite është larguar nga puna, pasi nuk e duronte dot poshtërimin që i bëri ish-shefi i Komisariatit të Tepelenës me emër të ligjit. “Në qoftë se aktiviteti fitimprurës ishte i paligjshëm, kjo nuk e justifikon ligjshmërinë e tij për të më dhunuar sipas qejfit”, shprehet B.M., 23 vjeç.
Më tej, i dhunuari tregon se është përpjekur të denoncojë dhunën e policisë, por nuk është lejuar nga familjarët për shkak të frikës. “Të denoncosh në polici për shefin e Komisariatit të Tepelenës është marrëzi, pasi do të më merrnin për të çmendur”, shprehet B.M.
Për të, kjo dhunë ishte i tepërt, pasi “terror” fizikisht nuk kanë ushtruar as prindërit e tij.
“Për herë të parë në jetën time jam poshtëruar fizikisht. As prindërit e mi nuk kanë guxuar të ushtrojnë dhunë fizike ndaj meje”, thotë B.M.
“Fatkeqësisht dhuna u mundësua nga Policia e Shtetit. Ndihem i zhgënjyer nga kjo qeveri”, shton ai.
Keqtrajtimi
Videoja prej 74 sekondash flet qartë se si ish-shefi i Komisariatit të Tepelenës, Gazmend Shehu, ushtron dhunë fizike ndaj djaloshit tepelenas, i cili qysh prej asaj dite u largua nga vendi i punës, pasi nuk duronte poshtërimin. Gjatë sekuencës filmike vihet re se dhuna është ushtruar në prani të pesë personave.
Është dashur ndërhyrja e kolegut të tij për të frenuar çmendurinë e ish-shefit të komisariatit, i cili ishte gati ta “shqyente” viktimën, pasi lëshoi në tavolinë celularin e tij.
Burime konfidenciale, por të sigurta, sqarojnë se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB) ishte vënë në dijeni për këtë video, por u mbaj e fshehtë nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.