Re: Poezi te preferuara
RE ME PANTALLONA - Pjesa III
Ah, ç'ndodhi kështu,
Nga erdhi kjo gjë.
Midis ditëve me diell
Të këtyre vendeve ?
Pa pritur, në kokë,
Si perde e trishtuar,
Më erdhi shtëpi e të çmendurve.
Dhe siç ndodh,
Kur kryqëzori
Mbytet diku,
Marinarët ikin nga anija e zhdukur,
Ashtu, me sytë të shqyer
U sul kuturu
Gati i çmendur, Burluku.
Me qepallat e përgjakura e të përlotura
U zvarris,
U çua,
Iku i strukur,
Dhe pa pritur ëmbëlsisht mes lotëve
Buzëqeshi dhe tha:
"Bukur"!
Sa bukur në bluzën e verdhë
Shpirtin të mbështjellë kur futim,
Sa bukur
Të thërresësh
Nën gijotinë:
"Pini kakao Van Huten"!
Këtë sekondë
Të bujshme
Të tmerrit
Me asgjë s'do ta ndërroja
Më të mirë.
Mes tymit të cigares,
Pas gotës së likerit,
Fytyra e Servjaninit u zgjat e pirë.
Si guxoni ta quani vehte poet
Dhe si zog të cicëroni më kot ?
Sot
Duhet
Kasketë
T'i bëhemi kafkës së botës.
Ju,
Të shqetësuar nga i vetmi mendim:
"A kërcej vallë me hijeshi"?
Vështroni si dëfrej
Pa pushim,
Unë, horri i udhëve,
Kumarxhi-batakçi.
Nga ju,
Të njomurit me dashuri të vogla
Që nëpër shekujt
Lëshuat veç lotë,
Po shkoj unë
Diellin ta vë si monokël
Në sy, që të shoh këtë botë.
Veshur në mënyrë të çuditshme e pa hire,
Mbi tokë i zjarrtë,
Kudo do të vete,
Dhe përpara meje, lidhur me zinxhirë
Napoleonin, si kone, do ta marr me vehte.
Toka, si grua, që ka qejf të dorëzohet,
Do të shkrihet, do tundet plot naze
Buzët e sendeve
Që do gjallërohen
Do bëlbëzojnë
"Caça, çaça, çaça".
Papritur,
Retë
Dhe mjegullat e tjera,
Në qiell bënë një rrëmujë të bardhë,
Dhe dukej sikur puntorët u derdhën,
Qiellit i shpallën grevë të madhe.
Me rrufe, me ulërimë nga qielli u lëshua
Duke fshirë qurret me buzë së largu,
Dhe fytyra e qiellit u shtrëmbërua
Për një çast,
Si fytyra e Bismarkut.
Dhe dikush
Ngatërruar në punët e reve
Duart drejt kafesë i zgjat,
Herë i ëmbël,
Herë femëror,
Herë si i topit shtrat.
Ju kujtoni,
Se dielli ëmbëlsisht
Faqet i përkëdhel kafenesë ?
Jo, jo, shkojnë të pushkatojnë kryengritësit
Trupat e gjeneral Galifesë!
Nxirrni duart nga xhepat, kalimtarë,
Rrokni gurë, bomba, thika, ç'të jetë,
Dhe në qofte se ndokush duar s'ka fare
Le të goditë me ballin e vetë.
Marshoni, ju t'uritur,
Të përulur,
Thatanikë,
Të palarë, të mbushur me pleshta.
Marshoni!
Të hënat dhe të martat.
Do t'i ngjyejmë me gjak si për festa,
Toka nën thika le të kujtojë
Ata që t'i poshtërojë desh,
Toka bullafiqe,
Tamam si dashnore,
Që Rotshildi dikur e desh!
Që flamurët të valviten midis batareve,
Ashtu siç ndodh me rregull në çdo banket,
Ju, shtylla elektrike, ndrejini drejt reve,
Mishrat e varura që kasapi shet.
Dikush shahet,
Lutet,
Thërret,
Grindet,
Pëleshet pas pak.
Në qiell, i kuq si Marsejeza
Dridhet perëndimi-gjak.
Erdh çmënduria.
S'ka si e ndalon.
Nata po vjen
Me të ngrënë,
Me pije.
Vështroni -
Qielli prapë komploton
Me yjet e spërkatur nga tradhëtia!
Erdhi
Bën gosti si Mamaj,
Hypur mbi shpinë të qytetit,
Këtë natë të zezë si Azefi në çdo skaj
S'e përshkon dot syri i poetit.
Strukem në një qoshe të tavernës, në banak.
Me verë tryezën dhe shpirtin spërkat,
Dhe po ndjej,
Që nga këndi, të rrumbullaktë,
Sytë e Shën Mërisë më shohin me inat.
C'ti dhurosh asaj nga dhuratat shabllone -
Ndriçimin e tavernës së trishtë ?
E sheh,
Përsëri në Golgotha të dënojnë
S'duan Barabë,
Por Krisht.
Ndoshta unë,
Në mendjen njerëzore.
Me asnjë fytyrë s'ngjaj.
Unë
Ndoshta
Jam më i bukur
I bijve të tu në çdo skaj.
Haré jepu njerëzve
Si shkumba në det
Të ngrihen,
Të rriten sa më parë
Djemtë të bëhen burra sa më shpejt
Dhe vajzat sa më shpejt
Të bëhen me barrë.
Dhe fëmijëve jepu mençuritë,
E magjistarëve te moçmë me thinja.
Dhe do të vinë ata
Dhe do pagëzojnë fëmijtë
Me emrat e vargjeve të mija.
Unë, që kërkova maqinat dhe Anglinë,
Ndoshta pa e ditur as vetë,
N'Ungjillin më të thjeshtë jam tanimë
Apostulli i trembëdhjetë.
Dhe kur zëri im
Pa turp rënkon në erë
Me orë të tëra,
E me ditë pambarim
Ndoshta Jezu Krishti ju merr erë
Luleve të shpirtit tim.