Re: Përkthime
Udhëtimi i fundit
Ditën e varrimit tim – vetë s'kam për ta jetuar -
Për drekë komposto manash mbi tavolinë shtruar,
me gjalp, kajmak dhe djath të shkrirë.
S'ka gatesë të mirë!
Im bir, Ludolfi*), nxjerr kokrra të vogla
Prej hunde – askush s'e rreh nga dora.
Është i vetmi që sytë i ndrisin nga gëzimi.
Unë shtrirë mendoj: „ Hë, jepi, nxirri!“.
Para shtëpisë më zbresin pastaj burrat.
Gjen rastin, Karli, bjondinës t'ia fusë duart.
Ajo plot gjëra më huajti së fundi.
Kujton se vetëm zija ia vesh trupin.
Niset kortezhi. Të gjitha ato gra
Që tek unë erdhën kur u duhej diçka,
Janë të pranishme, s'mungon asnjë prej tyre.
Babai prin në krye.
Ja, tek makina e parë, është Matrona
Që e putha atëher'kur s'dija ç'ishte p...ërvoja.
Është veshur thjesht, kapelë të zezë në kokë.
Ishte me të vjetrën, por për ashtu, ish' bombë.
Dhe Lota. Lotka është bashkë me djalë.
Postier tani. Çudi si ia kam dalë!
S'e pashë kurrë, por edhe kur ndrroi banim,
Gjasht'mbëdhjet vjet e ndoqi çeku im.
Mbi jastëkë të kuq, spaletat punemadhe,
Me solemnitet, dy oficera garde,
Mbajnë dekoratat, qyteti t'i shikojë
Që Kaizeri im m'i dha njëher' një kohë.
Kokulur ndjekin arkivolin pas, tek rruga,
Në fund të kortezhit njëzetedy kurva.
I ndjellin hundët, qajnë me sistem.
Kohët e fundit shumë s'i mundoja si klient.
Ndalen të gjithë. Dëgjohet një kor kishe.
Unë nis të qesh në mënyrë metafizike.
Kutia e zezë, ç'po bëhet sa e madhe!
Unë hesht thellë.
Braktis veten përfare.
Kurt Tuholski
Ludolfi*) - Mënyrë fëminore shqiptimi për emrin Rudolf