Re: Përkthime
Theofil Gautier
Simfoni në të Bardhë Maxhor
Qafëbardha me atë vijë harkuar,
si në rrëfenjat e Veriut që njëri sheh,
femrat mjellma të Rinit të përmalluar
lundrojnë dhe këndojnë në breg.
A, hipur ndonjë dege përmbi
me pendët që kanë veshur,
lëkurat ju ndrisin me më bardhësi
se bora mbi të cilën janë prehur.
Nga këto femra njëra veçon,
kur mes nesh ndonjëherë zbret,
bardhësi si drita e hënës përçon
akullnajës nën qiej të kthjellët;
ajo pamje dehëse të grish
me freskinë e saj boreale
me dhurata perlash-mish,
mes bardhësisë për skandale!
Gjiri I saj, borë ngjeshur në globe,
kameliat e bardha tej shtyp,
atllasit të bardhë të një rrobe,
mbrojtëse në betejën e paturp.
Në betejën e bardhë të madhe,
atllas dhe lule mposhten
dhe pa kërkuar hakmarrje,
zverdhen porsi xheloze.
Mbi bardhësinë e supit të saj,
si prej gurit të Parosit që të trullos,
porsi një natë në polin në skaj,
një i ftohtë i padukshëm pllakos.
Prej çfarë kristalesh të virgjër bore,
prej çfarë trëndafili thelb,
prej çfarë qiriri e prej çfarë nafore
bardhësia e asaj dore është derdh'?
Qumështit i është marrë pika
fjolla qiellit të kaltër dimëror,
zambakut argjëndi që ka palca,
e bardha e detit shkumbor;
mermer i bardhë, trup i ftohtë, i zbehtë,
përjetësim hyjsh e hyjnish;
i mugëti argjend, opali i qumështtë
që japin ylberë të vagullt qartësish;
fildish, duar dhe krahë ngrihen,
dhe porsi flutura bardhoshe,
në pikat e notave tek thyhen
lënë pezull puthje drithëroshe;
kunadhes së virgjër të panjollosur,
fëshfërimën për të mos ja ndjerë
gëzofin e bardhë ja ka hedhur
supeve qark edhe në llërë;
argjënd i brishtë lulesh trillane
si prej dritaresh xhama ngjyrosur;
çurgat e bardha të postafëve,
lotët e Ondines kallkanosur;
murriz i plandosur i Majit
nën motin dimërak të luleve të tij;
albastri i trishtimit
që rigjen të tijën zbehtësi;
puplat e bardha të pëllumbit
borë përmbi çatinë në kullë,
rrëshkitja e stalaktitit
lot i bardhë në të zezën guvë?
Prej Norvegjisë a Groenlandës
me Serafitën ajo erdhi?
Apo është Madona e borës
a sfinks i bardhë që dimri gdhëndi,
sfinks që nga orteku u gropos,
roje e akullnajave yjore,
që brenda të bardhit gjoks,
fsheh të ngrira sekrete bardhore?
Nën akullin e qetë pushon,
Oh! kush mundet atë zemër ta shkrijë!
Oh! kush mund ti trëndafilojë një ton
kësaj bardhësie që s'do t'ja dijë!