Re: Përçartje
Virtual i dashur,
Përse ngatërron 2dimensionalen me 3dimensionalen? Jeta jote nuk është kjo! Këtu ti nuk mund të prekësh, nuk mund të nuhasësh, nuk mund të shikosh, të dëgjosh e të shijosh. Këtu vetëm mund të qeshësh...
Harrove kohët kur nuk kishe ekran përpara syve dhe bota jote shpalosej e gjerë e madhështore përpara teje! I harrove apo nuk do ti kujtosh?!!! Mos vallë ajo botë ishte shumë e madhe për ty, e tejmbushur me probleme, me lumenj emocionesh që vërshonin brenda teje dhe ti nuk i bëje dot ballë...
Ndaj dhe u ngushtove o virtual! Fute gjithë botën tënde në një ekran 800x600 dhe kalite gishtat e tu të kryejnë funksionin e gojës. Transformove ëndrrat në pixela, fjalët në kode 1 dhe 0, ngurtësove ndjenjat në .jpeg dhe fillove të marrësh frymë me Kbps.
Dhe kështu o virtual i dashur ngrite kalanë tënde të rreme diku në një cep të www. Por themelet e saj janë të brishtë, muret lartohen mbi një tel telefoni dhe sulmohet nga çdo anë e nga çdokush. Ndaj dhe hakërrehesh o virtual ndaj kujtdo që përpiqet të të cënojë këtë kala. Ky është mundi yt, djersa jote, puna jote. Ke vite që përpiqesh për këtë, ke derdhur idetë e tua këtu, mendimet, mllefin, zjarrin, pasionin, energjitë... Këtu ke reputacionin. Këtu ke ndërgjegjen. Këtu ke identitetin. Këtu tashmë je vetvetja...
Por...
Nuk ja vlen...
Nuk ja vlen o virtual!!!
Këtu nuk prek, nuk nuhat, nuk shikon, nuk dëgjon, nuk shijon...
Ndaj qesh... vetëm qesh...