Re: Mema e Greqishtes dhe e Latinishtes eshte Shqipja
Shume te guximshme por jo pa gje (ndro nickun sepse nuk te drejtohem dot /pf/images/graemlins/laugh.gif ) he pra pse.
kan llogjik dhe kjo eshte e rendesishme /pf/images/graemlins/smile.gif .Po i mendoj dhe do te te kthej pergjigje se shpejti.
Teuta Llalla
Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triumfi i saj
Lufta kundra gjuhës shqipe ka qenë e ashpër. Ky sulm ishte frontal dhe në të gjitha nivelet dhe drejtimet të ndryshme. Fanatikë fetarë ortodoks dhe mysliman injoronin gjuhën shqipe, filluan të ndryshonin emrat e fshatrave ku banonin shqiptarët. Osmanët i quanin shqiptarët të ‘’pa fe’’ dhe të ‘’paudhë’’ priftërinjtë grekë quanin gjuhën shqipe ‘’gjuhë barbare’’.
Një ligj kundra gjuhës dhe kulturës shqipe ka lëshuar sulltani i Perandoris Osmane më 31-5-1779, Abdul Hamiti i 2-te, ku përcaktonte saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqëve kultura dhe gjuha greke, dhe duhet luftuar gjuha shqipe.
Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën ‘’Thesaloniki’’ më 14-8-1999.
Krahas atij vargu të pafund kryengritjesh të përgjakëshme, zuri fill edhe një revolucion kulturor, i cili, ndonëse me pak i dhunës ishte gjithësesi më dramatik.
Kultura e një populli cilësohet si mënyra e përgjithshme e jetesës dhe e mendimit. Gjuhëtari i ndritur Sami Frashëri ka thënë; ‘’Gjuha është gjëja e parë e përcaktimit të kombësis’’.
Dëshmia më e lashtë e ekzistencës së gjuhës shqipe nuk u shkrua mbi pergame, pra në letër prej kallami, por mbi gurë të pavdekshëm nga koha. Këtë na e vërteton Prof.Dhimitër Shuteriqi për gjetjen e një fjale të vetme, të gdhendur në një mozaik të Liknidit, sot Ohri i lashtë, që ka qenë kryeqyteti i fisit Ilir Dasheretëve. Është fjala ‘’GJON’’ dhe është shkruar dhe shqiptuar njësoj vetëm nga shqiptarët, si në lashtësi dhe në kohën e sotme. Prof.Shuteriqi vure në dukje se fjala e lashtë ‘’GJON’’ e zbuluar në Ohër, është shkruar me të gjitha normat e njohura drejtshkrimore shqipe.
Në vitin 879 pas e.r., ndeshet emri i qytetit të Krujës, në kështiellën franceze të Shantilisë. Studiuesit kanë gjetur një dorshkrim, i cili në faqen 153, përmban një tekst prej tetë rreshta me shkrim dore, është një poemë e vogël në gjuhën shqipe.
Në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën e qytetëruar, greqishtia dhe latinishtia u përdorën në të gjitha dokumentat e shkruara deri përpara pushtimit osmano turk.
Dëshmia më e herëshme për ekzistencën e letërsisë shqipe është një thënie e shkruar nga prifti dominikan francez Brohariti, arqipeshkvi i Tivarit, më 1332, ai do thoshte ‘’Ndonëse arbërit kanë nji gjuhë krejtësisht të ndryshme nga latinishtja, prapëseprap ata përdorin shkronja latine në të gjitha librat’’. Kjo tregon se gjuha shqipe përdorej gjerësisht dhe shkruhej me shkronja latine në fillim të shekullit 14.
Shumica e dokumentave në gjuhën shqipe vërtet humbën përgjithmon, por disa prej tyre arritën të mbijetojnë jashtë Shqipnis në arkivat dhe muzetë e botës. Kështu i në vitin 1915 studiuesi rumun, Nikola Jorga zbuloi në Bibliotekën Laurentine të Firencës një letër qarkore, të shkruar më 1462 nga Pal Engjëlli(1416-1470), Arqipeshkvi katolik i Durrësit. Teksi orgjinal thotë ‘’Unë të pagëzoj në emnin e Atit e t’birit të Shpirtit të Shenjtë’’.
Libri më i vjetër është vepra e Gjon Buzukut, titulluat ‘’Meshari’’. Ai përfundoi dhe u shtyp më 1555. Kopja e vetme ekzistuese u zbulua në vitin 1740 nga arqipeshkvi shqiptar i Shkupit Gjon Kazazi. Më vonë ‘’Meshari’’ shkoi në Bibliotekën e Vadikamit, ku u rizbulua më 1909 nga arbëreshi Pal Skiroi. Libri ka pasur 220 faqe dhe sot mungojnë 32 faqet e para. Ky libër ishte shkruajtur me shkronja latine ku ishin shtuar dhe 5 të tjera.
Të tjerë dokumenta për gjuhën shqipe kemi nga shume shqiptarë që me të shumtit ishin njërës të fesë.
Frank Bardhi(1606-1643), shërbeu si ipeshkvi i Sapës. Bardhi hartoi fjalorin e parë në histori shqip-latinisht, që kishte 2544 fjalë shqipe dhe 5.000 fjalë latine, dhe u botua në Romë më 1625.
Pjetër Bogdani(1625-1689), lindi në Prizeren, dhe u emërua fillimisht ipeshkvi i Shkodrës dhe pastaj arqipeshkvi i Shkupit më 1667. Vepra e tij ‘’E vërteta e pagabueshme e besimit Katolik’’ u botua disa herë në Padovë dhe Venedik. Vdiq i sëmurë në Prizeren dhe dëshira e tij e shprehur dikur u bë realitet. ‘’Ah, sikur të kisha një kandil të ndezur e të ndriçoja atë tokë të varfër të Shqipnisë dhe të Serbisë, një pjesë e madhe e secilës flet shqip’’.
Këto zbulime dëshmojnë që gjuha shqipe është shkruar më herët se librat historik që janë gjetur më vonë.
Për shekuj me rradhë turqit osman qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare dhe zëvëndësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumër e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria turke i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe. Kështu që shqiptarët shkolloheshin në shkollat fetare që ishin në gjuhën turke, greke, sllave, italiane, gjermane. Dhe ata që shkolloheshin nuk e dinin mirë gjuhën e mëmës, shqipen. Fëmijët mysliman duhet të shkonin në shkollën e Xhamis, ku mësonin turqisht, fëmijët të krishterë duhet të mësonin greqisht.
Kështu në ato pak shkolla fillore në Shqipëri asnjëra nuk përdorte gjuhën shqipe. Propagandistë të djallëzuar përpiqeshin të shkombëtarizonin brezat e ardhëshëm të rinisë shqiptare. Gjuha shqipe përdorej zakonisht në jetën e përditëshme, prandaj arriti të përcillej nga brezi në brez.
Shkolla e parë e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Veljet të Mirditës më 1632. Më pas në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan më 1639 dhe në qytetin e Shkodrës më 1698. Si mësues në to ishin Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani dhe Dhimitër Dhërmiu. Arsimi katolik morri vrull të madh në Shkodër më 1855, kur u hap shkolla ‘’Françeskane’’ që më vonë do quhej ‘’Ilyrikum’’.
Këto shkolla katolike në Shqipërinë e veriut mbaheshin kryesisht me fonde Austriake.
Qëndra Kulturore Voskopojare(Moskopojë) ka luajtur një rol të madh në kulturën shqiptare. Atje u themelua ‘’Akademia e Re’’ më 1744, kjo pati një ndikim të fuqishëm në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe dhe ndërgjegjies kombëtare shqiptare.
Mbas një lufte të madhe për jetësën e gjuhës shqipe dolën atdhetarët e shquar shqiptar që shumë prej tyre u vranë nga armiqtë e gjuhës shqipe.
Teodhor Kavalioti(1718-1797) nga Voskopoja, në vitin 1770 botoi Fjalori i gjuhës sllave-greke-shqipe, si dhe një studim shkencor të veçantë të shqipes. Ai ishte drejtor i ‘’Akademisë së Re’’. Teodhor Kavalioti u vra nga të dërguarit e Fanarit, rrugës për të sjellë shkronjat latine shqipe të bëra prej plumbi, për shtypshkronjën ku do shtypeshin libra në gjuhën shqipe.(shih filmin ‘’Udha e shkronjave’’)
Naum Veqilharxhi(1767-1846). Botoi në Bukurresht të Rumanisë më 1844 një abetare e quajtur ‘’EVETARI’’ një libër me tetë faqe, që më 1845 u botua më i zgjeruar. Abetaret e Veqilharxhit u bënë qiriri i gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Por kjo abetare ngjalli frikë tek kleri ortodoksë grek, dhe me urdhër të Patriakut klerik të Stanbollit, e helmuan Naum Veqilharxhin.
Kostandin Kristoforidhi(1827-1895), i lindur në Elbasan, u bë një nga gjuhëtarët më të shquar të Shqipëris, duke fituar titullin ‘’Pishtar i gjuhës Shqipe’’. Studimet e para i morri në Janinë, dhe më vonë në Kolegjin Protestant në Maltë. Në Janinë u ftua që t’i jepte mësim në shqip, Dr.Johan Fon Hanit, i cili, pas 40 vjet kërkimesh, do të bëhej albanologu më i shquar shkencor në botë.
Kristoforidhi dha mësim në Maltë, Tunizi, Tiranë dhe Elbasan. Në Stamboll më 1882, botoi dhe një abetare në shqip, të quajtut ‘’Alfavitar Shqip’’ në gegërisht dhe toskërisht.
Me rëndësi shumë të madhe është fjalori i shqipes me rreth 40.000 mijë fjalë, të mbledhura dhe të klasifikuara për 20 vjet rresht.
Fjalori u botua në Athinë më 1904, pas vdekjes së Kostandin Kristoforidhit.
Për përhapjen e gjuhës shqipe, krerët bektashian shqiptar dolën më haptazi, dhe kjo për shkak të përleshjeve të tyre me turqit e sektit Suni.
Duke qenë se qeveria turke mbajti një qëndrim mjaftë armiqësor ndaj përhapjes së letërsisë në gjuhën shqipe, është e kuptueshme që angazhimi i pjestarëve të komunitetit musliman në këtë fushë ka qenë fare i vogël.
Interesi i njerëzve për gjuhën shqipe urrit shumë, dhe brenda pak vitesh u botuan katër gramatika të mira shqipe.
Njëra u botua në Firencë nga Jeronin De Rada. Tjetra ishte Gramatika e Gjuhës Shqipe në Greqisht, e botuar më 1882 nga Kostandin Kristoforidhi. E treta ishte gramatika e Sami Frashërit e botuar në Bukuresht më 1886, në shqip. Kurse më 1887, Pashko Vasa nga Shkodra botoi në Londër një gramatike shqipe në gjuhën frënge.
Vërshimi i letërsisë kombëtare shqipe në vend sigurisht që inatosi qeverinë turke dhe kishën ortodokse greke.
Patriarku ortodoks grek lëshoi një mallkim mbi letërsinë shqipe dhe kërcënoi me shkishërim të gjithë ata besimtarë që do të guxonin të mësonin dhe lexonin në gjuhën shqipe.
Sulltani urdhëroi të gjitha postat doganore që të mos lejohej asnjë libër në gjuhën shqipe të futej në Shqipni.
Dy armiqtë historik kundra njëri-tjetrit, tani po bashkëpunonin me zell për përndekjen dhe burgosjen e gjithkujt që kapej me libra të gjuhës shqipe.
Në lëvizjen për gjuhën dhe shkollën shqipe, që u zhvillua në dhjetorin e parë të shekullit 20, ndeshi në pengesa të vështira serjoze nga ana e qeveritarëve turq ashtu edhe nga kleri reaksionar i dy besimeve.
Qeveritarët turq me dhunë dhe prifti e hoxha me propagandë demagogjike, u përpoqën të përçanin popullin shqiptar dhe ta linin në errësirë. Kështu kleri mysliman proturk në rrugë fetare, ndalonte besimtarët mysliman të ndiqnin shkollat shqipe bashkë me të krishterët, me pretekstin absurd se ‘’prishin besën’’. Nga ana tjetër priftër e dhespotë grekë thonin se vetëm greqishtja është gjuha e perëndisë, kurse shqipja është gjuhë ‘’shejtani’’ dhe, në këtë mënyrë përpiqeshin të ndalonin përhapjen e gjuhës shqipe në shkolla, xhami, kisha e kudo. Por kundër këtyre forcave armike të gjuhës shqipe dhe interesave kombëtare, të turqëve dhe grekëve, u ngritën atdhetarët shqiptar. Ata u vunë në krye të masave popullore dhe i dhanë hov lëvizjes për gjuhën dhe shkollën shqipe.
Prijësit e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar mirë se rruga drejtë pavarsis shkonte drejt arsimit dhe shkollës shqipe. Hartimi i librave dhe çelia e shkollës shqipe u bë problemi më i ngushëm. Qëllimi ishte me zgjuar ndërgjegjien kombëtare dhe për të rritur vullnetin për të luftuar për panvarsinë pastaj.
Vala antishqiptare ishte shtuar edhe më shumë rreth fqinjëve tanë mbas formimit dhe programit të ‘’Lidhjes së Prizerenit’’. Lidhja kishte si qëllim kryesor çeljen e shkollës shqipe, por me shkatarrimin e Lidhjes, puna e pionierëve të parë të arsimit shqiptar u bë dhe më i vështirë.
Në Shkodër qytetarët mund të mësonin në shkollat e klerit katolik, të cilat në sy të qeveritarëve turq, paraqiteshin si shkolla fetare.
Kështu shkollat fillore fetare katolike u bënë çerdhja e diturisë arsimore shqipe, dhe Faik Konica pat mësuar në shkollën e jezuitëve të Shkodrës.
Mësuesit shqiptar u bënë pararoja e nacionalizmit shqiptar, atëhere qeveria turke morri frikë, dhe, pa u mbështetur në asnjë ligj, mori masa të, rrepta duke presekutuar arsimtarët shqiptar.
Në Shqipnin e jugut përhapja e arsimit shqiptar kombëtar u pengua edhe nga influenca shkataruese e propagandës greke. Pothuase të gjithë ata që çelën shkolla shqipe në jug, ishin të fesë ortodokse. Qeveria greke me anë të Patriakanës së Stambollit, ose ‘’Fanarit’’ kishin siguruar të drejtën me çel shkolla për Kristianët. Për tu mësuar ortodoksëve të Shqipëris vetëm gjuhën greke.
Qeveria greke, me anën të shoqatave arsimore të ndryshme, çeli me qindra shkolla greke në Shqipërin Jugore, për të futur ndjenjën greke në brezat e padjallëzuar shqiptar.
Shqiptarët e krishterë që nuk u përulën politikës së Greqis, u mallkuan dhe u luftuan me çdo mjet.
Mbas shumë botimesh fjaloresh, të cilët, shkollat myslimane kur bënin mësim në shqip i shkruanin me shkronja arabe.
Shkolla ortodokse greke përdornin në shqip shkronja greke. Dhe atdhetarët klerik katolik dëshironin që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine.
Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stanboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jolatine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsis shqipe dhe gjuhës kombëtare shqipe. Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste ‘’Bashkimi’’ në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare.
Më 14, nëntor të 1908, në Manastir u mblodh ‘’Kongresi i Manastirit’’ ose ‘’Kongresi i Alfabetit’’.
Në këtë Kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerik etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Miht’ath Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mihtath Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave, që botoheshin në Selanik ‘’Liria’’ dhe ‘’Dituria’’. Sekretare e komosionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 antarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë, shqiptar te fese myslimane, katolike, ortodoksë, protestant, njerës të ditur, erdhën së bashku të bashkuar si vëllezër për një qëllim të madh kombëtar.
Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesmarrësit ‘’Sa një hoxhë, rendi ta përqafonte para të gjithëve’’.
Kërkesa e nacionalistëve shqiptarë ishte, që gjuha jonë shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj turqëve, qoftë ndaj grekëve
Kongresi vendosi me votë unanime të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja dhe që përdoret deri më ditët tona.
Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtëshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatiet e tyre, vendosmëria e delegatë vepër t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e panvarësis, që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleati i tyre sllavë.
Ndre Mjeda, një studiues jezuit, i thurri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë.
Përmbi za, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, ** nep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u da s’duron,
fundë e majë nji asht Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.
Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregëtarësh atdhetar mysliman shqiptar. Shtypshkronja e Manastirit shpejtë u bë e njohur në të gjithë Shqipninë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavëshme ‘’Bashkimi i Kombit’’ si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore.
Çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe.
Babë Dudë Karbunara(1842-1917) i lindur në Berat, bashkëpunonte ngushtë me Kostandin Kristoforidhin. Babë Karbunara shumë herë filloi gjatë kremtimit të meshës, të lexonte ungjullin në gjuhën shqipe, dhe kështu i filluan kërcënimet e para nga eprorët klerikë otodoksë dhe më 1895, fanatikët i dogjën të tërrë shtëpinë.
Papa Kristo Negovani, një prift ortodoks i cili punoi për përhapjen e gjuhës shqipe, por në moshën 30 vjeçare, më 12 shkurtë të 1909 u masakrua me sëpatë e thika nga të dërguarit e vetë peshkopit ortodoksë grek. Atë natë i vranë dhe të vëllanë, Theodhos Negovanin.
Poeti i asaj kohe, Loni Logri, shkruajti një vajtim për të.
Papa Kriston e vranë,
Dhe s’ra për të një këmbanë,
Por malet e Shqipnisë
Dhe shpellat e malësisë
Thërrisnin an e mbanë,
Papa Kriston e vranë!
Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani, vraponte me librat shqip në gji dhe me pushkën në krah fshat më fshat në Shqipërinë e Jugut për përhapjen e shkollës shqipe dhe kishën shqiptare.
Veprimtaria e At Stath Melanit ra në sy të autoriteteve turke, dhe Fanarit të Stambollit.
Tri herë turku ia dogji shtëpinë dhe librat shqip, por, At Melani nuk pyeti. Më 24 dhjetor 1917, At Stathit i kishin zënë pritë banda e kusarëve të Josif Suropullos, e vranë, i prenë kokën At Stath Melanit dhe e çuan në Athinë tek paguesit e vrasjes.
Petro Nini Luarasi(1865-1911) është një nga atdhetarët e shquar që punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Qe drejtor i shkollës së djemëve në Korçë. Petro Nini Luarasi shkonte fshati në fshat për përhapjen e gjuhës shqipe. Më 20 shtator 1892, peshkopi i Kosturit, Fillaterri, nxorri një lajmërim, me titull ‘’Mallkimi i shkronjave shqipe’’.
Qëndrimi grek i kishës ortodokse ishte aq i vendosur, se kush guxonte të këndonte meshën në gjuhës shqipe, do të përfundonte me vdekje.
Më 1909, qeveria turke në bashkëpunim me kishën greke dhe sllavët, mbylli të gjitha shkollat shqipe, dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjutha librat, dokumentat dhe letërsia shqipe.
Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast.
Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke, që të dyja kundërshtarë fanatikë të, gjuhës shqipe dhe të çdo ndjenjë atdhetare. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptar u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të kualifikuar.
Shuma të vogla por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të kualifikuar të gjuhës shqipe.
Për të bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri një tjetër Kongres në Elbasan, në zemër të Shqipëris, nga data 20 deri 27 gushtë të 1909.
Në këtë Kongres tetëditore, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet ‘’Shkolla Normale në Elbasan’’ një shkollë gjashtëvjeçare për pregatitjen e mësuesve të rinjë. Njerës të mësuar në Universitetet e huaja Europjane u gjetën dhe u caktuan për të formuar stafin pedagogjik.
Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte pëhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politik. Klubi korçar ‘’Përparimi’’ u caktua si qëndra financiare, që do të adimistronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe prokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anemban Shqipërisë.
Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, ‘’Përmbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para’’.
Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatëshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të pregatiste pionierët e arsimit për Shqipërin që po rilindëte.
Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi që vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me këtë emër.
Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909, me 143 nxënës.
Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqëve të gjuhës shqipe. Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit.
Zhonturqit me kryetarin e tyre Ferit pashën, të friksuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip.
Në Vlonë atdhetarët e ndershëm arestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlonës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Zhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepurr të gjallë të gjithë shqiptarët e ndershëm që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Gjërat po shkonin keq më keq.
Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perendimore ishte një përçmim për fenë myslimane.
Njerës të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të Qeverisë së Zhonturqëve në Stamboll shoqërinë ’’Mahfeli’’ me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fundë të vitit 1909, Qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anemban vendit. Gjithashtu, nxorri një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe.
Shoqëria reaksionare ‘’Mahfeti’’ me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me gërma arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7.000 mijë njerës protestuan kundra përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Kështu po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 mijë vetë dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me gërma arabe, të dërguara nga Stambolli.
Telegrame të shumta nga shoqëritë, shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. Në Shkodër, një grup myslimanësh u bënë gati të organizonin një manifestim në përkrahje të shkronjave arabe. Mirëpo ndërruan mëndje kur 60.000 mijë katolikë dhe mysliman të ndershëm shqiptar, nga Malësia e Madhe, organizuan ditë më parë një manifestim madhështor në përkrahje të shkronjave latine. Protesta të ngjashme u organizuan në Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Frashër, Konicë etj. Por turqit nuk deshën t’ia dinin. Atëherë në mars të 1910 u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronjua latine dhe protestat kundër vendimit të padrejt të Qeverisë Turke.
Gazeta atdhetare ‘’Shkreptina’’ e Kajros botoi një momerandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipëris. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin.
‘’E gjithë bota e qytetëruar dhe veçanërisht qeveria e perandorisë Otomane le ta dijë mirë se të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, kristjan dhe mysliman, nuk do ta pushojnë luftën për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri’’.
Edhe në këtë luftë turke, greke dhe sllave, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, sllave, greke dhe turke, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe pregatiti breza të rinjë atdhedashës.
Megjithëse ky revolucion kulturor ishte përfytyruar si një konfirmim jo i dhunshëm, shpejtë ai ishte kthyer në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlona, do nxitonin hapat për të shpallur mëvetësin e Shqipëris më 28 nëntor të 1912 në Vlorë.
Mbas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytetet historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga serbët dhe kroatët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptar u therrën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ata familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u asimiluan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.
Në përfundim të kësaj përmbledhje të shkurtër mbi ‘’Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triunfi i saj’’ duhet të kujtojmë amanetin e atdhetarëve të ndershëm, që luftuan e punuan të bashkuar, gegë e toskë, të çdo feje, në Prishtin, Shkup e Tiranë, në Ulqin e gjetkë, për mos zhdukjen e gjuhës tonë kombëtare.
Prandaj, kurrë të mos e braktisim gjuhën tonë amtare shqipe, mos ta lemë të vdesi sa t’kemi jetën, të punojmë dhe të merremi vesh të bashkuar, që sa më gjatë ta ruajmë gjuhën tonë , atdheun dhe zakonet tona të bukura të lashta që rrrjedhin nga pellazgjët tek shqiptarët.