Qëndrimi i Krishterimit ndaj Islamofobisë
Rezart Beka
http://www.e-zani.com/2011/09/30/qendrimi-i-krishterimit-ndaj-islamofobise/
Ligjërimi islamofob në Shqipëri ka marrë gjithnjë e më shumë një fizionomi të qartë. Ai vërtitet rreth disa temave specifike dhe “sugjeron” zgjidhje të caktuara. Një nga temat e rëndësishme të këtij ligjërimi është edhe ajo e islamizimit të shqiptarëve. Kjo çështje shërben si pikënisje për diskutimin e temës, kaq të dashur për ligjërimin islamofob, të legjitimimit të myslimanëve në Shqipëri.
Në vija të përgjithshme teza është si vijon: Shqiptarët janë detyruar me dhunë që të hiqnin dorë nga feja e krishterë dhe vlerat europiane. Perandoria Osmane përdori të gjitha mjetet e mundshme të presionit, dhunës dhe terrorit për të detyruar shqiptarët të përqafonin Islamin. Pas shumë përpjekjesh shqiptarët, me përjashtim të disa zonave heroike, kapitulluan përpara presionit osman dhe përqafuan fenë e pushtuesit. Kjo ishte një tragjedi me përmasa të mëdha për popullin shqiptar, sepse në këtë mënyrë ata jo vetëm tradhtuan fenë e të parëve, por edhe u tëhuajëzuan nga qytetërimi europian të cilit ata i përkasin gjenetikisht.
Pra islamizimi i shqiptarëve nuk është një fenomen i pranuar natyrshëm nga populli shqiptar, por është i imponuar me dhunë nga jashtë nga një perandori armiqësore ndaj tyre. Ky “fakt” është i mjaftueshëm për islamofobët shqiptarë për të vënë në dyshim legjitimitetin e myslimanëve në Shqipëri. Për shumë prej tyre islamizimi i shqiptarëve ka qenë një fatkeqësi historike, së cilës shqiptarët duhet t’i japin zgjidhje sa më shpejt, duke u kthyer sërish në të ashtuquajturat “rrënjë” burimore të tyre.
Në këtë kontekst zë vend edhe teza e domosdoshmërisë së rikonvertimit të shqiptarëve në Krishterim, kryesisht në atë katolik. Për disa prej tyre Islami nuk ka zënë asnjëherë rrënjë të vërteta në ndërgjegjet e shqiptarëve, për këtë arsye mjaft që të gërvishtet pak nën sipërfaqe dhe substrati i krishterë, gati gjenetik, i popullit shqiptar do të dalë në shesh. Për disa të tjerë, Islamizimi, i përfytyruar gjithnjë në terma negativë, ka zënë rrënjë të thella tek shqiptarët dhe ai duhet fajësuar për shumëçka të keqe që haset në karakterin e shqiptarit dhe në shoqërinë shqiptare. Sidoqoftë, ata janë njëzëri në pohimin e domosdoshmërisë së rikonvertimit të shqiptarëve në Krishterim. Vetëm duke hequr dorë nga mbetjet e uzurpatorit lindor turk, Shqipëria do të rimarrë në dorë shansin e saj për të qenë pjesë përbërëse e qytetërimit europian, ku ajo aspiron prej kohësh.
Sa i përket popullatës së gjerë, islamofobët shqiptarë mundohen të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme të presionit, qoftë mediatike, sociale apo kulturore, për t’i imponuar ndërgjegjes së shqiptarëve rikonvertimin në fenë e krishterë, kryesisht katolike. Shpesh kjo bëhet në emër të historisë, në emër të vlerave europiane apo në emër të krishterimit. Ndërsa sa i përket asaj pjese të popullatës shqiptare, që identifikohet dhe praktikon fenë islame, ndaj saj ligjërimi islamofob është akoma më radikal. Ata e konsiderojnë këtë pjesë të popullsisë shqiptare si pengesa më kryesore ndaj ideve të tyre, prandaj edhe masat e propozuara prej tyre ndaj kësaj shtrese të popullsisë janë më drastike. Ndaj tyre presioni dhe diskrimini social-kulturor duhet të jetë më radikal. Në disa raste ekstreme, në publikun shqiptar janë hedhur edhe ide të marrjes së masave ligjore ndaj myslimanëve shqiptarë, duke kërkuar që ata të shpallen të paligjshëm, të detyrohen të emigrojnë ose edhe detyrohen dhunshëm të pranojnë fenë e krishterë.
Ajo që të bën përshtypje në ligjërimin islamofob në Shqipëri është fakti se ai shpesh e përdor fenë e krishterë, kryesisht atë katolike, si një instrument për të ndërtuar ligjërimin e tij diskriminues ndaj fesë islame dhe myslimanëve shqiptarë. Islamofobët shqiptarë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Islamit në Shqipëri në emër të Krishterimit: ata bëjnë thirrje për konvertim “në dobi” të krishterimit. Shpesh ata paraqiten si mbrojtës të krishterimit, të cilët ligjërimin e tyre e ndërtojnë në “favor” dhe për “hir” të krishterimit. Pra, me pak fjalë, krishterimi kthehet në një instrument në duart e tyre dhe përdoret për të realizuar e përmbushur politikat diskriminuese ndaj fesë islame dhe myslimanëve shqiptarë.
Mirëpo ç’gjykim do të merrte ligjërimi islamofob, i cili përpiqet të përdorë mjete të presionit mediatik, social, kulturor, madje edhe ligjor, për t’i imponuar, ndër të tjera, një bashkësie njerëzish konvertimin në një fe tjetër, nëse do të gjykohej nën dritën e parimeve të krishtera, veçanërisht atyre katolike? Çfarë qëndrimi mban Krishterimi katolik ndaj konvertimit me forcë ose përmes presionit dhe diskriminimit social-kulturor që grupe të ndryshme mund të ushtrojnë ndaj shtresave të caktuara të shoqërisë? A është instrumentalizimi që i bëhet Krishterimit nga ligjërimi islamofob në përputhje me parimet e krishtera?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjve do të bazohemi kryesisht tek dokumentet e konçilit të dytë të Vatikanit (1962-1965). Ky konçil është i një rëndësie të veçantë për krishterimin katolik bashkëkohor dhe veçanërisht për temën e lirisë fetare dhe dinjitetit njerëzor. Ai përbën normën dhe vlerën mbi të cilën bazohet jeta individuale dhe kishtare e katolicizmit bashkëkohor.
Në një nga deklaratat e këtij konçili rreth lirisë fetare e quajtur “
Dignitatis Humanae” pohohet se liria fetare dhe mosimponimi me dhunë i saj është një nga doktrinat themelore të fesë katolike – një doktrinë kjo që gjen mbështjetje në fjalën e Zotit dhe në vetë natyrën e veprimit hyjnor në histori. Në paragrafin e dhjetë të kësaj deklarate lexojmë:
“
Një element kyç i doktrinës katolike, i përfshirë në fjalën e Zotit dhe i predikuar vazhdimisht nga Etërit e Kishës, është se qeniet njerëzore janë të thirrura t’i përgjigjen Zotit duke besuar vullnetarisht; askush, atëherë, nuk mund të detyrohet të përqafojë besimin kundër vullnetit të tij [...] Prandaj është plotësisht në përputhje me natyrën e besimit që në çështjet fetare të përjashtohet çdo formë shtrëngimi nga ana e njerëzve.”
Në po të njëjtën deklaratë pohohet se liria fetare dhe mbrojtja e individit nga imponimi i besimit me forcë jo vetëm që është një e vërtetë themelore e besimit të krishterë, që është bërë e njohur nga fjala e Zotit, por edhe një e vërtetë që bazohet tek dinjiteti njerëzor ashtu siç dëshmohet ai edhe nga arsyeja. Në paragrafin e dytë të kësaj deklarate lexojmë:
“
Ky Konçil i Vatikanit deklaron se personi njerëzor gëzon të drejtën e lirisë fetare. Përmbajtja e kësaj lirie është se njerëzit duhet të jenë të imunizuar nga shtrëngimi [në fe] nga ana e individëve, grupeve sociale, apo nga çfarëdolloj fuqie tjetër njerëzore, kështu që në çështjet fetare askush të mos shtrëngohet të veprojë kundër ndërgjegjes së tij e as të pengohet, brenda kufijve të caktuar, për të vepruar në përputhje me të, privatisht apo publikisht, në formë individuale apo të organizuar. Gjithashtu [ky konçil] deklaron se e drejta për të gëzuar lirinë fetare themelohet në të vërtetë mbi dinjitetin e personit siç e kanë bërë të njohur fjala e reveluar e Zotit dhe vetë arsyeja.
Në po të njëjtën deklaratë pohohet se liria fetare duhet garantuar edhe në rastet kur individët veprojnë të organizuar në bashkësi. Atyre u duhet garantuar e drejta që ta organizojnë jetën e tyre komunitare në liri të plotë dhe sa më në përputhje me vlerat dhe parimet e tyre fetare. Në paragrafin e katërt të kësaj deklarate pohohet:
“Liria fetare që i përket individëve, i përket natyrisht atyre edhe kur veprojnë në formë komunitare. Bashkësitë fetare, në të vërtetë, janë një kërkesë e natyrës sociale të qenieve njerëzore, si edhe të vetë fesë.
Grupeve të tilla pra, nëse kërkesat e drejta të rendit publik nuk janë shkelur, duhet t’u njihet e drejta për të qenë të imunizuar ndaj çdo mase shtrënguese në qeverisjen sipas rregullave përkatëse, në kushtimin hyjnisë supreme kultin publik, në ndihmën e anëtarëve të tyre për të ushtruar jetën fetare, në mbështetjen [e tyre] me mësimdhënien përkatëse dhe në promovimin e atyre institucioneve në të cilat anëtarët e tyre të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të rregulluar jetën sipas parimeve të fesë së tyre.”
Pra, përdorimi i çdo mjeti shtrëngimi apo presioni, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë, për t’i detyruar njerëzit të përqafojnë një fe në vend të një feje tjetër është plotësisht në kundërshtim me parimet bazë të krishterimit.
Në paragrafin e trembëdhjetë të një tjetër dekreti konçiliar rreth aktivitetit misionar të Kishës të quajtur “
Ad Gentes”, i cili ka ndryshuar në mënyrë pothuajse rrënjësore mënyrën se si Kisha katolike e sheh aktivitetin e saj misionar në botën bashkëkohore, pohohet:
“
Kisha ndalon rreptësisht detyrimin, nxitjen ose joshjen e çdokujt përmes dredhisë për të përqafuar besimin, ashtu siç në të njëjtën mënyrë pretendon në mënyrë energjike të drejtën që askush të mos devijohet nga besimi përmes yshtjeve të padrejta“.
Tema e ardhjes së Islamit në Shqipëri dhe e konvertimit të shqiptarëve në të, si edhe tema e legjitimitetit të Islamit në Shqipëri ka qenë në qendër të polemikave islamo-të krishtera në vendin tonë për një kohë të gjatë. Ajo nuk është një risi e ligjërimit islamofob, por ka një origjinë më të hershme në kohë. Gjatë historisë shqiptare kjo temë ka qenë shpesh shkaktare e nxitjes së mospajtimit dhe ndonjëherë edhe armiqësisë midis dy bashkësive fetare. Fatkeqësisht, ligjërimi islamofob është një trashëgues i kësaj tradite polemike dhe bën çmos që efektet e saj negative të përtërihen sa më shumë që të jetë e mundur.
Në paragrafin e tretë të një prej deklaratave më të rëndësishme të Konçilit të dytë të Vatikanit në lidhje me marrëdhëniet e Kishës me fetë e tjera jo të krishtera, që mban emrin “
Nostra Aetate”, në lidhje me këtë fakt gjejmë një pasazh tejet të rëndësishëm në të cilin pohohet:
“Nëse, gjatë shekujve, jo pak mosmarrëveshje dhe armiqësi kanë lindur midis myslimanëve dhe të krishterëve, Konçili i shenjtë i nxit të gjithë që të harrojnë të kaluarën dhe të ushtrojnë sinqerisht kuptimin e ndërsjelltë, si edhe të mbrojnë dhe promovojnë së bashku, për të gjithë njerëzimin, drejtësinë sociale, vlerat morale, paqen dhe lirinë.
Ky paragraf është tejet i rëndësishëm, sepse në të i bëhet thirrje e hapur bashkësive myslimane dhe të krishtera që të heqin dorë nga traditat polemike midis tyre dhe gjithçka që ato përmbajnë, dhe të përpiqen sinqerisht që të bashkëpunojnë në promovimin e vlerave për të mirën e bashkësisë dhe individit. Ligjërimi islamofob synon pikërisht të kundërtën e kësaj, duke u përpjekur që të ringjallë tema të vjetra të polemikës islamo-të krishtere në Shqipëri, për të aktualizuar politikat e tyre diskriminuese ndaj myslimanëve shqiptarë.
Nën dritën e parimeve të krishterimit katolik, e kemi bërë të qartë se ky ligjërim është në kundërshtim me parimet më të larta mbi të cilat ngrihet revelata e krishterë. Gjithashtu, ai duhet të konsiderohet si në mospërputhje me dinjitetin dhe arsyen njerëzore. Ligjërimi islamofob jo vetëm që cenon vlerat dhe dinjitetin e myslimanëve shqiptarë, por edhe instrumentalizon krishterimin duke e përdorur atë si mjet për të realizuar projektet e tyre diskriminuese dhe islamofobe.
Në vend që të promovojë drejtësinë sociale, siç kërkohet në deklaratën “Nostra Aetate”, ligjërimi islamofob në Shqipëri ndërton politika diskriminuese ndaj një shtrese të caktuar të shoqërisë në “dobi” të një tjetre. Në vend që të kultivojë vlerat e paqes dhe lirisë, të shprehura qartë në të njëjtën deklaratë, ligjërimi islamofob promovon të kundërtën e tyre, duke ringjallur tema polemike islamo-të krishtera dhe duke u përpjekur të nxisë politika diskriminuese konvertuese ndaj myslimanëve shqiptarë.
Duke pasur parasysh këtë fakt, jemi të mendimit se kundërshtimi i ligjërimit islamofob në Shqipëri duhet të jetë shqetësim si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët. Kundërshtimi i këtij lloj ligjërimi, i cili predikon dhe nxit vlera që bien në kundërshtim me parimet e revelatës së të dyja feve dhe me dinjitetin njerëzor, ashtu siç dëshmohet ai nga arsyeja, mund të jetë në qendër të një bashkëpunimi të ndërsjellët islamo-të krishterë dhe mund të shërbejë si pikënisje për ngritjen e një platforme ndërfetare për denoncimin dhe kundërshtimin e çdo lloj ligjërimi që kundërshton vlerat dhe parimet themelore të lirisë fetare dhe të dinjitetit njerëzor. Përveç parimeve islame, kjo do të ishte krejtësisht në përputhje edhe me pasazhin e lartpërmendur të deklaratës “Nostra Aetate”, ku të dyja bashkësitë fetare nxiten që të mbrojnë dhe promovojnë, për të gjithë njerëzit, vlerat e drejtësisë sociale, ato morale, paqen dhe lirinë.