Re: IRAQ
OPINION tek Gazeta Shqiptare 16/07/2003
Si mendoni se do ta titullojë George W. Bush raportin e famshem që akuzon Z. Sadam Husein, të cilin ai e paraqiti sne 12 shtator 2002 përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së? "Një dekade mashtrimesh dhe sfidash"
Mashtrime shteterore
--------------------------------------------------------------------------------
Ignacio RAMONET
Kryeredaktor i "Le Monde Diplomatique"
"Më mirë preferoj të vdes, se të them diçka të pasaktë"
GEORGE WASHINGTON
Eshtë historia e hajdutit që bërtet: "Kapeni hajdutin!" Si mendoni se do ta titullojë Z. George W. Bush raportin e famshëm që akuzon Z. Sadam Husein, të cilin ai e paraqiti në 12 shtator 2002 përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së? "Një dekadë mashtrimesh dhe sfidash". Dhe, ç'pohonte ai duke shkoqitur "provat"? Një varg me gënjeshtra! Iraku, thosh ai, mban lidhje të ngushta me rrjetin terrorist Al-Kaida dhe kër-cënon sigurinë e Shteteve të Bashkuara, sepse ai zotëron "armë të dëmtimit masiv" (ADM) - një shprehje tmerruese e farkëtuar nga këshill-tarët e tij. Tre muaj pas fitores së forcave amerikane (dhe të mbështetësve të tyre britanikë) në Mesopotami, ne e dimë se këto pohime, bazën e të cilave e kishim vënë ndërkaq në dyshim, ishin të rreme. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se administrata amerikane ka manipuluar informatat për ADM-të. Ekipi prej 1400 inspektorësh i Iraq Survey Group që drejton gjenerali Dayton nuk ka gjetur asnjëherë as hijen e fillimit të ndonjë prove. Dhe ne nisim të zbulojmë se, mu në çastin kur Z. Bush hidhte akuza të tilla, ai i kishte marë ndë-rkaq raportet e shërbimeve inteligjente të tij, duke treguar se e gjitha kjo ishte e rreme. Sipas znj. Jane Harman, përfaqësuese e demokratëve të Kalifornisë, ne do të hasnim praninë e "manovrës më të madhe intoksikuese të të gjitha kohëve". Për të parën herë në historinë e saj, Amerika hetohet rreth arsyeve të vërteta të një lufte, në një kohë kur konflikti ka përfunduar...
Në këtë manipulim gjigand, një ofiçinë sekrete në gjirin e Pentagonit, Zyra e Planeve Speciale (Office of Special Plans, OSP) ka luajtur një rol helmues. E zbuluar nga Z. Seymour M. Hersh, në një artikull të botuar nga New Yorker, në 6 maj 2003, OSP-ja ishte krijuar pas 11 shtatorit 2001 nga Z. Paul Wolfowitz, numri dy i departamentit të mbrojtjes. E drejtuar nga një "fajkua" i bindur, Z. Abram Shulsky, kjo Zyrë ka si mision të përzgjedhë të dhënat e mbledhura nga agjencitë e ndryshme informative (CIA, DIA, NSA), me qëllim bërjen e sintezave dhe paraqitjen e tyre qeverisë. Duke u bazuar mbi dëshmi ekzilantësh pranë Kongresit Kombëtar Irakian (organizatë e financuar nga Pentagoni) dhe Presidentit të tij, i shumëkundërshtuari Ahmed Shalabi, OSP-ja e fryu jashtëzakonisht kërcënimin e armëve të dëmtimit masiv, sikundër edhe lidhjet midis Z. Sadam Husein dhe Al-Kaidas.
I skandalizuar nga këto manipulime, dhe duke u shprehur nën emrin e Veteran Intelligence Professionals for Sanity, një grup anonim ish-ekspertësh të CIA-s dhe Departamentit të Shtetit pohoi në 29 maj, në një memorandum drejtuar presidentit Bush, se në të kaluarën informatat "ishin të rreme për arsye politike, por asnjëherë aq sistematike sa t'ua hidhnin përfaqësuesve tanë të zgjedhur për të autorizuar një luftë".
Edhe z. Colin Powell u manipulua. Dhe rrezikon tashmë të ardhmen e tij politike. Ai u pati rezistuar presioneve të Shtëpisë së Bardhë dhe të Pentagonit për të përhapur informacionet më të kundërshtueshme. Para fjalimit të tij të famshëm të 5 shkurtit 2003 para Këshillit të Sigurimit, Z. Powell kish për të lexuar kopjen e përgatitur nga Z. Lewis Libby, drejtor i kabinetit të zv/presidentit Richard Cheney. Ajo përmbante informacione krejtësisht të dyshimta që zotin Powell e zemëruan, e bënë t'i flakte tej fletët dhe të deklaronte: "Nuk do ta lexoj këtë. Kjo është t'i bësh m..." Më në fund, Sekretari i Shtetit kërkoi që Z. George Tenet, drejtori i CIA-s, të ulej dukshëm mbrapa tij, në 5 shkurt, dhe të ndante përgjegjësinë e asaj që u tha.
Në një intervistë te revista Vanity Fair, e botuar në 30 maj, Z. Wolfowitz pranoi mashtrimin shtetëror. Ai pohoi se vendimi për të nxjerrë kërcënimin e ADM-ve për të justifikuar një luftë preventive kundër Irakut ishte adoptuar "për arsye burokratike". "Ne u morëm vesh në një pikë, saktësoi ai, për armët e dëmtimit masiv, sepse ky ishte i vetmi argument mbi të cilin të gjithë mund të binin dakord."
Pra, Presidenti i Shteteve të Bashkuara kish gënjyer. Duke kërkuar dëshpërimisht një casus belli për të qorollepsur OKB-në dhe për të bashkuar në projektin e tij të pushtimit të Irakut disa bashkëfajtorë (Mbretëria e Bashkuar, Spanja), Z. Bush nuk nguroi të fabrikonte një nga mashtrimet më të mëdha shtetërore.
Ai nuk ishte i vetmi. Para Dhomës së Komunave në Londër, në 24 shtator 2002, aleati i tij Anthony Blair, kryeministri britanik, pohonte: "Iraku zotëron armë kimike dhe biologjike. (...) Raketat e tij mund të vihen në veprim në 45 minuta." Nga ana e tij, në ndërhyrjen para Këshillit të Sigurimit, Z. Powell deklaronte: "Sadam Huseini ka ndërmarë kërkime për duzina të tëra agjentësh biologjikë që provokojnë sëmundje të tilla si gangrena, murtaja, tifoja, kolera, lija dhe ethet hemoragjike". "Ne besojmë se Sadam Huseini ka ndërtuar armë bërthamore", thoshte zv/presidenti Cheney në mars 2003 në vigjilje të luftës.
Në rrjedhë të deklaratave të panumërta, presidenti Bush kish nxjerrë të njëjtat akuza. Në fjalimin drejtuar kombit, më 8 shkurt 2003, ai shkonte gjer aty sa solli detajet e rreme të mëposhtme: "Iraku ka dërguar ekspertë për eksplozivët dhe për fabrikimin e kartave fallco, të punojnë me Al-Kaidan. Ai gjithashtu ka ndihmuar Al-Kaidan me një trajnim për përdorimin e armëve biologjike dhe kimike. Një agjent i Al-Kaidas u dërgua në Irak disa herë në fund të viteve 1990 për të ndihmuar Bagdadin në blerjen e helmeve dhe gazit."
Të rimara dhe të zmadhuara nga mediat e mëdha luftëdashëse, të shndërruara në organe të propagandës, të gjitha këto denoncime u përsëritën ad nauseam nga rrjetet televizivë Fox News, CNN dhe MSNC, nga kanali i radios Clear Channel (1225 stacione në Shtetet e Bashkuara) e edhe nga gazeta prestigjioze si Washington Post apo Wall Street Journal. Mespërmes botës, këto akuza mashtruese përbënë argumentin kryesor të çdo ecjeje "drejt luftës". Në Francë, për shembull, ato u rimorën në mënyrë të paturpshme nga personalitete si Pierre Lelouche, Bernard Kouchner, Yves Roucaute, Pascal Bruckner, Guy Millière, André Glucksmann, Alain Finkielkraut, Pierre Rigoulot, etj.
Akuzat u përsëritën po ashtu nga të gjithë aleatët e Bushit. Duke filluar me më të zellshmin prej tyre, Z. José Maria Aznar, shef i qeverisë spanjolle, që, në Kortés të Madridit, në 5 shkurt 2003, siguronte: "Ne e dimë të gjithë se Sadam Huseini zotëron armë të dëmtimit masiv. (...) Ne e dimë të gjithë gjithashtu se ai ka armë kimike." Disa ditë më parë, në 30 janar, duke ekzekutuar një porosi të formuluar nga Z. Bush, Z. Aznar kishte hartuar një deklaratë për mbështetje të Shteteve të Bashkuara, "Letrën e Tetëshes", të nënshkruar, ndër të tjerë, nga ZZ. Blair, Silvio Berlusconi dhe Vaclav Havel. Aty, ata afirmonin se "regjimi iraken dhe armët e tij të dëmtimit masiv përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë botërore".
Kështu, përgjatë më tepër se gjashtë muajsh, për të justifikuar një luftë preventive, të cilën nuk e donin as Kombet e Bashkuara, as opinioni botëror, një makinë e vërtetë propagande dhe intoksikimi e drejtuar nga sekti doktrinar që rrethon zotin Bush përhapi mashtrime shtetërore me një kapadaillëk që i shkon përshtat regjimeve më të urryera të shekullit XX.
Ata e skalitën veten në një traditë të gjatë mashtrimesh shtetërore që piketon historinë e Shteteve të Bashkuara. Njëra nga më ciniket ka të bëjë me shkatërrimin e koracatës amerikane Maine në gjirin e La Havanës në 1898-n, që shërbeu si pretekst për hyrjen në luftë të Shteteve të Bashkuara kundër Spanjës dhe në aneksimin e Kubës, Porto Rikos, Filipineve dhe ishullit Guam.
Mbrëmjen e 15 shkurtit 1898, nga ora 21:40, Maine u bë viktimë e një shpërthimi të dhunshëm. Anija u fundos në limanin e La Havanës dhe 260 njerëz vdiqën. Menjëherë, shtypi popullor akuzoi spanjollët për vënie mine poshtë skeletit të anijes dhe denoncoi barbarinë, "kampet e vdekjes" e, madje, praktikën e antropofagisë së tyre...
Dy pronarë shtypi shkuan të rivalizonin në kërkim të bujës: Joseph Pulitzer, i World-it, dhe sidomos William Randolph Hearst, i New York Journal-it. Kjo fushatë pati mbështetjen e interesuar të afaristëve amerikanë që kishin investuar shumë në Kubë dhe që ëndërronin të mënjanonin prej andej Spanjën. Por publiku nuk tregonte asnjë interes. Po kështu edhe gazetarët. Në mars 1898, vizatuesi i New York Journal, Frederick Remington, i shkruante nga La Havana padronit të tij: "Këtu nuk ka luftë, kërkoj të kthehem." Hearst-i i telegrafon përgjigjen: "Qëndroni. Ju dërgoni vizatimet, unë do t'ju dërgoj luftën." Pastaj ia behu shpërthimi i anijes Maine. Hearst ngriti një fushatë të dhunshme, siç e dëshmon Citizen Kane, filmi i Orson Welles-it (1941).
Përgjatë shumë javësh, ditë pas dite, ai i kushtoi shumë faqe të gazetës së tij çështjes së Maine-it dhe kërkoi hakmarrje duke përsëritur pa u lodhur: "Remember the Maine! In Hell with Spain" (Kujtohuni për Maine-in! Në djall të vejë Spanja!). Të gjitha gazetat e tjera e ndoqën. Shpërndarja e New York Journal kaloi fillimisht nga 30 000 kopje në 400 000, pastaj i kapërceu rregullisht 1 milion kopjet. Opinioni publik ishte ndezur keq. Atmosfera u bë halusinante. Nën trysninë e të gjitha anëve, presidenti William McKinley i shpalli luftë Madridit, në 25 prill 1898. Trembëdhjetë vjet më vonë, në 1911-n, një komision hetimor për shkatërrimin e Maine-it do të nxirrte si përfundim një shpërthim aksidental në sallën e makinerive të anijes...
Manipulim i mendjeve
Në 1960-n, në mes të luftës së ftohtë, Central Intelligence Agency (CIA) përhapi pranë disa gazetarëve "dokumenta konfidencialë" që tregonin se sovietikët ishin në gjendje të fitonin garën e armatimeve. Menjëherë, mediat e mëdha filluan të bënin presion mbi kandidatët për president dhe të kërkonin me bujë një rritje substaciale të kredive për mbrojtjen. I lodhur e i bezdisur, John F. Kennedy premtoi t'i kushtonte miliarda dollarë programit të ndërtimit të raketave balistike detare (the missile gap), gjë që e uronte jo vetëm CIA, por gjithë kompleksi ushtarako-industrial. Me t'u zgjedhur dhe votuar programi, Kennedy duhej të tregonte që epërsia ushtarake e Shteteve të Bashkuara mbi Bashkimin Sovietik ishte dërmuese...
Në 1964, dy kryqëzorë deklaruan se ishin sulmuar në gjirin e Tonkinit nga silurët vietnamieno-veriorë. Sa hap e mbyll sytë, televizioni dhe shtypi e bëjnë këtë një çështje kombëtare. Bërtasin për poshtërim. Kërkojnë shpagim. Presidenti Lyndon B. Johnson gjen pretekst nga këto sulme për të lëshuar bombardime shpaguese kundër Vietnamit të Veriut. Ai i kërkon Kongresit një rezolutë që t'i lejojë të angazhojë ushtrinë amerikane. Kështu filloi lufta e Vietnamit, e cila mbaroi - me një dështim - vetëm në vitin 1975. Më vonë u mësua, nga goja e vetë ekuipazheve të dy kryqëzorëve, se sulmi në gjirin e Tonkinit ishte një sajim i pastër...
I njëjti skenar me presidentin Ronald Reagan. Në vitin 1985, ai dekreton befas "urgjencën kombëtare" me arsyen e "kërcënimit nikaraguajan" që përfaqësonin sandinistët në pushtet në Managua, të zgjedhur sidoqoftë në mënyrë demokratike në nëntor 1984 e që respektonin njëkohësisht liritë politike dhe lirinë e shprehjes. "Nikaragua, pohon megjithatë Z. Reagan, është dy ditë larg me makinë nga Harlingeni i Teksasit. Jemi në rrezik!" Sekretari i Shtetit George Schultz pohon para Kongresit: "Nikaragua është një kancer që po shtrihet në territorin tonë, ajo zbaton doktrinat e Mein Kampf-it dhe kërcënon me marrjen e kontrollit të gjithë hemisferës..." Këto mashtrime justifikuan ndihmën masive për gueriljen antisandiniste, Kontran, dhe do të vërshojnë mbi skandalin e Irangate-it.
Nuk po zgjatemi në mashtrimet e luftës së Gjirit, në 1991-shin, të analizuara gjerësisht dhe të mbetura në kujtesë, si paradigma të propagandës mashtruese moderne. Informacione të përsëritura pa ndërprerje - si "Iraku, ushtria e katërt e botës", "plaçkitja e inkubatorëve të maternitetit të Kuvajtit", "fronti mbrojtës i pamposhtur", "goditjet kirurgjikale", "efikasiteti i raketave Patriot", etj. - dolën krejtësisht të rreme.
Qysh nga fitorja e diskutueshme e Z. Bush në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2000, manipulimi i opinionit publik është bërë një shqetësim qendror i administratës së re. Pas atentateve të urryera të 11 shtatorit 2001, kjo u shndërrua në një makth të vërtetë. Z. Michael K. Deaver, mik i Z. Rumsfeld dhe specialist i psy-war-it, "luftës psikologjike", e përmbledh kështu objektivin e ri: "Strategjia ushtarake që sot e tutje duhet të mendohet në funksion të mbulimit televizual [sepse] nëse opinioni publik është me ju, asgjë nuk mund t'ju rezistojë; pa të, pushteti është i pafuqishëm."
Qysh nga fillimi i luftës kundër Afganistanit, në bashkëpunim me qeverinë britanike, qendra informacioni për koalicionin u krijuan në Islamabad, Londër dhe Uashington. Ofiçina autentike të propagandës, ato u imagjinuan nga Karen Hugues, këshilltar për mediat i Z. Bush, dhe mbi të gjitha nga Alistair Campbell, guru shumë i fuqishëm i Z. Blair për atë çka lidhet me imazhin politik. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e shpjegonte kështu funksionin e tyre: "Kanalet përhapin informacione në 24 orë pa ndërprerë; këto qendra do t'i furnizojnë me informacione 24 orë në ditë, ditë për ditë..."
Në 20 shkurt 2002, New York Times shpaloste projektin më të çuditshëm të manipulimit të mendjeve. Për të udhëhequr "luftën e informacionit", Pentagoni, duke iu bindur këshillave të Z. Rumsfeld dhe të nënsekretarit të shtetit për Mbrojtjen, zotit Douglas Feith, kishte krijuar fshehtësisht dhe vendosur nën drejtimin e një gjenerali të forcave ajrore, Simon Worden, një Zyrë të mistershme të ndikimit strategjik (OIS), me mision përhapjen e informacioneve të rreme që i shërbenin çështjes së Shteteve të Bashkuara. OIS-i ishte e autorizuar të praktikonte dezinformimin në veçanti ndaj mediave të huaja. E përditshmja njujorkeze saktësonte se OIS kishte bërë një kontratë prej 100 000 dollarë në muaj me një kabinet komunikimi, Rendon Group, i përdorur tashmë në vitin 1990 në përgatitjen e luftës së Gjirit e që kish vënë në vijë punën me deklaratën e rreme të "infermieres" kuvajtiane që pohonte se kishte parë ushtarë irakenë duke plaçkitur maternitetin e spitalit të Kuvajtit dhe "që kishin rrëmbyer foshnjat nga inkubatorët dhe i kishin vrarë pa mëshirë duke i plasur përtokë". Kjo dëshmi kishte qenë vendimtare për të bindur anëtarët e Kongresit të votonin në favor të luftës...
I shpërbërë zyrtarisht pas zbulimeve të shtypit, OIS-i sigurisht ka mbetur aktiv. Përndryshe, si t'i shpjegosh disa prej manipulimeve më të mëdha të luftës së tanishme kundër Irakut? Në veçanti, mashtrimin e stërmadh lidhur me çlirimin spektakolar të ushtares Jessica Lynch?
Na kujtohet se, në fillim të prillit 2003, mediat e mëdha amerikane përhapën, me një luks mbresëlënës detajesh, historinë e saj. Jessica Lynch bënte pjesë në dhjetë ushtarët amerikanë të kapur nga forcat irakene. E rënë në një pritë në 23 mars, ajo kishte rezistuar gjer në fund, duke shtënë mbi armiqtë gjer në mbarim të municioneve. Më në fund ajo u plagos me plumb, u godit me thika, u lidh dhe u çua në një spital në territorin armik, në Nasiria. Atje, e rrahu dhe e keqtrajtoi një oficer iraken. Një javë më vonë, njësi elitare amerikane arritën ta çlironin gjatë një operacioni surprizë. Megjithë rezistencën e gardës irakene, komandot ia dolën të depërtonin në spital, ta merrnin Jessica-n dhe ta shpinin me helikopter në Kuvajt.
Po atë mbrëmje, presidenti Bush lajmëroi kombin, nga Shtëpia e Bardhë, për çlirimin e Jessica Lynch-it. Tetë ditë më vonë, Pentagoni u dorëzoi mediave një video të xhiruar gjatë këtyre heroizmave me skena të denja për filmat më të mirë të luftës.
Por konflikti i Irakut përfundoi më 9 prill, dhe një grup gazetarësh - në veçanti ata të Los Angeles Times-it, të Toronto Star-it, të El Pais-it dhe të kanalit BBC World - shkuan në Nasiria për të vërtetuar versionin e Pentagonit rreth çlirimit të Jessica-s. Sipas hetimit të tyre pranë mjekëve irakenë që ishin kujdesur për vajzën - dhe konfirmuar nga doktorët amerikanë që e kishin vizituar pas çlirimit të saj, - plagët e Jessica-s (një këmbë dhe një krah të thyera, një kavilje e dalë) nuk ishin si pasojë e të shtënave me armë zjarri, por thjesht të bëra nga aksidenti i kamionit në të cilin ajo udhëtonte... Dhe as nuk ishte keqtrajtuar. Përkundrazi, mjekët kishin bërë gjithçka për ta shëruar: "Ajo kishte humbur shumë gjak, tregoi doktor Saad Abdul Razak, dhe ne na u desh t'i bënim një transfuzion. Për fat të mirë pjesëtarë nga familja ime kanë të njëjtin grup gjaku me të sajin: 0 pozitiv. Mundëm të siguronim gjak në sasi të mjaftueshme. Pulsi i saj rrihte me 140 kur mbërriti këtu. Mendoj se ne i shpëtuam jetën."
Duke marrë përsipër rreziqe tepër të guximshme, këta mjekë u orvatën të lidheshin me ushtrinë amerikane për t'i kthyer Jessica-n. Dy ditë para ndërhyrjes së komandove specialë, ata e kishin çuar me ambulancë pacienten e tyre në afërsi të radhëve amerikane. Por amerikanët hapën zjarr mbi ta dhe mënt e vranë heroinën e tyre...
Mbërritja që pa gshirë, në 2 prill, e komandove speciale të pajisur me një koleksion të paparë armësh të sofistikuara e la pa gojë personelin e spitalit. Qysh para dy ditësh, mjekët kishin informuar forcat amerikane se ushtria irakene ishte tërhequr dhe se Jessica i priste...
Doktori Anmar Udai i tregoi skenën John Kampfner-it të BBC-së: "Ishte si në një film të Hollivudit. Nuk kishte asnjë ushtar iraken, por forcat speciale amerikane po përdornin armët. Ata shtinin më kot dhe dëgjoheshin shpërthime. Bërtisnin: "Go! Go! Go!" Sulmi kundër spitalit ishte një lloj show, apo një film aksioni me Sylvester Stallone-n."
Skenat u xhiruan me një kamera me pamje nokturne nga një ish-asistent i Ridley Scott-it në filmin Rënia e fajkoit të zi (2001). Sipas Robert Scheer-it, i Los Angeles Times, këto imazhe u dërguan menjëherë, për t'u montuar, në komandën qendrore të ushtrisë amerikane, në Katar, dhe si u mbikqyrën nga Pentagoni, u shpërndanë në gjithë botën.
Historia e çlirimit të Jessica Lynch-it do të mbetet në analet e propagandës së luftës. Në Shtetet e Bashkuara ajo do të konsiderohet ndoshta si momenti më heroik i këtij konflikti, ndonëse u provua se bëhet fjalë veçse për një sajim po aq të rremë sa edhe "armët e dëmtimit masiv" të mbajtura nga Z. Sadam Husein, apo lidhjet midis ish-regjimit iraken dhe Al-Kaidas.
Të dehur nga pushteti, Z. Bush dhe eskorta e tij mashtruan qytetarët amerikanë dhe opinionin publik botëror. Mashtrimet e tyre përbëjnë, sipas profesorit Paul Krugman, "skandalin më të madh të historisë politike të Shteteve të Bashkuara, më të madh se Watergate-i, më të madh se Irangate-i".
Përktheu: Diogjen Vozi