Re: IRAQ
Botuar ne BBC: E hënë , 12 maj 2003 - 14:27 CET
Claire Short jep dorëheqje
Gjithmonë kritike, Claire Short
Një nga ministrat më kundërthënës në politikën britanike, Claire Short, sekretare për Zhvillim Ndërkombëtar në kabinetin e Tony Blairit, ka dhënë dorëheqje nga qeveria.
Ajo akuzoi zotin Blair për shkelje të sigurimeve të cilat ai i ka dhënë rreth rolit që Kombet e Bashkuara do të kenë në Irakun e pas-konfliktit.
"Qëndrimi të cilin Britania po e mban në Këshillin e Sigurimit është plotësisht i padenjë dhe shkel premtimet se Kombet e Bashkuara do të kenë një rol të posaçëm në krijimin e një lloji të qeverisë së përkohshme legjitime të Irakut. Prandaj unë nuk mund ta mbrojë atë, është gabim sipas ligjit ndërkombëtar dhe për rindërtimin e Irakut. Dhe, shkel premtimet që kryeministri m'i ka dhënë", tha Claire Short.
Mirëpo, kjo akuzë është kundërshtuar nga kabineti i kryeministrit.
Një zëdhënës i zotit Blair mohoi të jetë shkelur çfarëdo premtim i dhënë dhe Foreign Office ka nënvizuar se projekt propozimet për Irakun parashohin një rol jetik për Kombet e Bashkuara.
Por, Claire Short thotë se ajo mendon që qeveria britanike po bënte gabimet e njëjta tashti në Irak sikundër i bëri para fillimit të luftës, duke mos i bindur Shtetet e Bashkuara që t'u ofrojnë Kombeve të Bashkuara një rol udhëheqës.
Gjithmonë kritike
Claire Short gjithnjë ka thënë atë që ka menduar. Dhe kur Tony Blair e mori në kabinetin e parë në vitin 1997, ishte e qartë se ajo nuk do të ndryshonte:
"Do përpiqem të jem e mirë, gjithnjë e bëj këtë, por s'ndryshoj dot", pati deklaruar ajo.
Claire Short ka qenë deputete e zonës Birmingham Ladywood që në vitin 1983, kjo është një zonë multietnike, ku edhe ajo vetë u lind dhe u rrit, si një nga shtatë femijët e një familjeje irlandeze me bindje republikane.
Shumë shpejt ajo u bë e njohur si majtiste, pasionante për të drejtat e grave.
Fushata e saj për të ndalur botimin e fotografive të vajzave gjysmë të zhveshura në faqen e tretë të gazetave bulevardeske i dha asaj emrin "Claire pa humor".
Ajo e humbi atë betejë por jo shpirtin luftarak.
Qëndrimi të cilin Britania po e mban në Këshillin e Sigurimit është plotësisht i padenjë dhe shkel premtimet se Kombet e Bashkuara do të kenë një rol të posaçëm në krijimin e një lloji të qeverisë së përkohshme legjitime të Irakut...
Claire Short
Në vitin 1991 Claire Short dha dorëheqje nga kabineti hije i laburistëve, për shkak të përkrahjes së laburisteve për luftën e fundit të Gjirit, në vitin 1991.
Por ajo u kthye.
Tony Blari e mbajti në ekip, pavarësisht nga kritikat e saj për njerëzit e afërt të tij.
Kur laburistët morën pushtetin, Claire Short vazhdoi me reputacionin e saj. Ajo ishte në krye të fushatës për ndalimin e minave. Kriza në Kosovë ishte një periudhë prove. Por Claire Short mbështeti fort dërgimin e trupave britanike për të ndalur spastrimet etnike.
Pastaj erdhi kriza e Irakut.
Ndërsa trupat britanike po mblidheshin në shkretëtirë dhe përpjekjet diplomatike për të siguruar mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për veprime ushtarake po dështonin, ajo deklaroi se po konsideronte dorëheqjen dhe nisi një sulm personal mbi mënyrën se si Tony Blair ishte marrë me krizën.
Sfiduese edhe si deputete e thjeshtë
"Kam frikë se mendoj se e gjithë atmosfera në situatën aktuale është shumë mospërfillëse. Mospërfillëse për botën, nuk pyet për faktin se po minon Kombet e Bashkuara në këtë botë të çrregullt që është më e gjerë se Iraku. I pakujdshëm me qeverinë tonë dhe me të ardhmen e tij", deklaroi Short.
Disa u habitën që ajo nuk u shkarkua menjëherë, por kur ajo e bëri të qartë se do të vazhdonte të shprehte shqetësimet e saj, u bë e pamundur që të vazhdonte të qëndronte në qeveri.
Largimi i Claire Short mund të largojë një zë kritik nga kabineti, por ajo mund të jetë një kritike më e rrezikshme si deputete e thjeshtë.
@+