Re: Gjuha Shqipe: A po defermohet ajo
Fjalët e huaja do hyjnë në gjuhë dhe nuk duhet t'u trembemi aq sa të fillojmë të bëjmë ligje kundër atyre që i përdorin dhe t'u vëmë gjoba si Franca. Nga ana tjetër televizioni, radioja, dhe shtypi janë ata që shkelin më rëndë rregullat gjuhësore dhe duhet bërë diçka për të përmirësuar cilësinë e gjuhës që përdoret në këto mjete komunikimi.
Po bëj disa krahasime me anglishten, të cilën mund ta quajmë pa dyshim gjuhë të suksesshme. Gjuha angleze ka ndryshuar pa pushim. Fjalë të reja janë krijuar nga njerëzit për të emërtuar objekte ose ide të reja si edhe për të sqaruar apo thjeshtëzuar fjalë dhe koncepte të vjetra. Kur një fjalë ishte e gatshme në gjuhë tjetër, është huazuar, sepse ishte më lehtë sesa të krijoje një fjalë që njerëzit mund të mos e përdornin.
Kam dëgjuar shpesh idenë e një kuvendi gjuhësor dhe asnjë plan për kuvend të tillë nuk ma ka mbushur mendjen se mund të arrinte rezultatet e dëshiruara. Kuvendi gjuhësor jemi ne. Gjithë njerëzit që flasin shqip janë automatikisht pjesë e kuvendit dhe votojnë sa herë që hapin gojën për të folur shqip, sa herë që marrin penën apo kapin tastierën për të shkruar shqip. Fakti është që ne i kushtojmë më shumë vëmendje përmbajtjes sesa mënyrës së shprehjes. Për këtë arsye duhet një grup që luan rolin e mbrojtësit të gjuhës, që na drejton me shembullin e vet si të shprehemi me gojë dhe me shkrim.
Grupi më i natyrshëm për këtë rol formohet nga shkrimtarët (autorët e librave), redaktorët (e gazetave, revistave, radios, dhe televizionit), dhe përkthyesit (e librave, gazetave, filmave, etj.). Kur ky grup, që duhet ta ruajë e ta pasurojë gjuhën, e dëmton atë, duhet gjetur një mënyrë për ndryshim.
Duke qenë se nuk jetoj në Shqipëri, nuk dua të jap mendime të tepërta për ndryshime atje. Megjithatë po e shpreh një ide. Përsëris që ndryshimi me dekret qeverie nuk më pëlqen. Në radhë të parë, nuk më duket se është e drejtë e qeverisë të vendosë si flasim ne. Në radhë të dytë, edhe sikur të ishte e drejtë e qeverisë, nuk mendoj se ka aftësinë dhe mundësinë të kontrollojë si flasim.
Po dekreti qeveritar nuk është e vetmja metodë e qeverisë për të ndikuar jetën e vendit. Qeveria mund të bëjë të vetën duke u kujdesur që në mjetet që janë provë e qeverisë flitet e shkruhet saktë. Në qoftë se lajmet e dhëna në një stacion janë më informuese, më të kuptueshme, dhe njëkohësisht pa çensurë politike, atëherë më shumë njerëz do i ndjekin ato lajme. E njëjta ide për librat, filmat, etj. - konkurrenca përmirëson cilësinë. E di që kjo nuk është e lehtë në kushtet e çastit në Shqipëri, por - siç thotë fjala e urtë italiane që ka hyrë edhe në anglisht - Roma nuk u ndërtua brenda ditës.
Tani kush më gjen një fjalë të urtë shqipe që shpreh të njëjtën ide se mua nuk po më kujtohet ndonjë?