Re: Formula 1 2007
<font color="red"> Armando Qerama, shqiptari që garoi me Alonson
Endi Tufa
Pasaporta e Armando Qaramës
Datëlindja: 05.01.1977
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Athinë
Gjendja civile: I martuar, me një fëmijë
Nr. i makinës: 3 (në varësi të renditjes në kampionat)
Tituj kampion në Greqi: 2 (2002, 2003)
Renditja më e mirë në europian: vendi i 3 të
Renditja më e mirë në botëror: vendi i 22 të
Armando Qerama është emri i një tjetër shqiptari, i cili lakohet prej vitesh në Greqi. Ai është dy herë kampioni i garave KART në shtetin fqinj dhe përfaqësues i tyre në kampionatet botërore dhe europiane të këtij sporti. Pasioni i tij për garat e shpejtësisë ka filluar që në Shqipëri kur ishte fare i vogël. Vetë Armando pohon se ishte me "fat" që shtëpinë e tij të lindjes në Tiranë, e kishte fare pranë një parku autobusësh. "Isha me fat, pasi kaloja shumë orë brenda këtij parku, laja autobusët, ndihmoja shoferët dhe mekanikët vetëm për të marrë një "shpërblim". Ky shpërblim ishte një xhiro disa metërshe me autobus brenda parkut, - thotë ai. Pasioni im për makinat arriti një ditë deri në një çmenduri. Së bashku me vëllain tim më të vogël shkuam natën në parkun e autobusëve dhe pasi "korruptuam" rojën me gjysmë litri raki, u futëm brenda dhe morëm njërin prej autobusëve. Dola xhiro gjatë gjithë natës. Kur po afronte mëngjesi, vendosa të kthehesha dhe të fusja autobusin në park, po te dera e hyrjes na mbaroi karburanti dhe u detyrova ta lija aty. Të nesërmen drejtuesit e parkut kishin nxjerrë një lajmërim, në të cilin ndalohej rreptësisht hyrja ime në atë park," - tregon Armando, ndërsa qesh për këtë "shaka pa kripë" që i kishte bërë për pasionin e tij më të madh.
Emigrimi dhe vazhdimi i ëndrrës "së çmendur"
Në vitin 1992, edhe ai si shumë të rinj të tjerë vendosi të largohej në emigrim së bashku me familjen. Ky vendim padyshim që u mor për një jetë më të mirë dhe jo për të zgjuar ëndrrat e tij. Në fakt rezultoi një vendim i drejtë për të. Emigrimi e detyroi të futej në punë fare i vogël dhe si fillim puna e tij ishte e rëndomtë, pra një punë krahu së bashku me babain e tij.
Në vitin 1997, ai fillon punë si punonjës i një "Luna Parku" të lëvizshëm italian. "Me këtë punë të re që bëja, lëviznim shumë, nëpër vende të ndryshme të Europës. Një ndër këto vende ishte edhe ishulli grek Kreta. Aty "Luna Parku" u vendos shumë pranë një kartodromi dhe pas miqësisë që zumë me punonjësit e saj, filluam të shkëmbenim xhetona, pra ne u jepnim atyre për të hyrë në "Luna Park", ndërsa ata na jepnin për të hyrë në kartodrom dhe për t'u argëtuar me makinat, edhe pse ato nuk ishin profesionale," - tregon Armando.
Dashuria për garat solli zhvlerësimin e parasë
"Kur u ktheva në Athinë, pas rreth 10 vitesh punë, arrita për herë të parë të blej makinën time personale, një FIAT GT. Në atë kohë sapo isha fejuar dhe së bashku me nusen fillova të bëja gara shpejtësie në rrugë në vende të caktuara, ku dhe vetë grekët provonin dhe vinin në garë makinat e tyre sportive. Aksidentet ishin shumë të shpeshta dhe kthimi i makinës në gjendjen e mëparshme kërkonte shumë para, por kjo gjë nuk më shqetësonte aspak. Rëndësi për mua kishte praktikimi i këtyre garave të çmendura, edhe pse isha vetëm 21 vjeç. Arriti një pikë kur edhe nusja ime (Lela) më kërkoi të hiqja dorë. Grindjet me të ishin aq të shpeshta, saqë më tha "o mua ose garat e tua të çmendura", tregon Armando duke qeshur.
Lidhja e parë me garat profesioniste KART
"Duhej të gjenim një kompromis, pra unë doja të garoja akoma, por të paktën të gjeja diçka më pak të rrezikshme, ndoshta të garoja në një pistë. I telefonova pronarit të kartodromit në Kretë dhe i kërkova një zgjidhje, ai më drejtoi te skuadra greke PRT (Polikronidhis Racing TEAM), ku unë vazhdoj të jem aktualisht. Bisedova me Sokrati Polikronidhi dhe i kërkova të më provonte për të garuar. Pas disa kërkesash të shpeshta të miat, ai më dha mundësinë të provoja një makinë garash KART. Edhe pse më këshilloi të kisha kujdes, pasi ishte shumë më e shpejtë dhe më e rrezikshme se makina që kisha provuar në Kretë, unë nuk e dëgjova dhe që në kthesën e parë dola jashtë dhe u përplasa. U ktheva në bokse, i kërkova të ma rregullonin makinën sa më shpejt dhe të futesha sërish në pistë, isha i paduruar për t'u treguar atyre njerëzve se kisha diçka dhe që ata duhej të më besonin. Ishte viti 2002, pas provave të shumta që kisha zhvilluar (tri herë në javë), ata më besuan dhe më futën në 4 gara të kampionatit dhe ndër pesë pilotët që kjo skuadër kishte, unë luftoja gjithnjë me të katërtin.
Largimi i kampionit për t'i hapur vend Armandos
"I biri i pronarit tim, Jorgo, ishte tri herë rresht kampioni i Greqisë, në vitin 2002 ai vendosi të "varte skafandrën në gozhdë" për të ma lënë mua vendin. Ai u bë trajneri im dhe unë gjithë atë besim që më dhanë, ua shpërbleva duke u shpallur kampion i Greqisë, edhe pse nuk fitova asnjë garë, por duke u renditur i 3 ti dhe i 4 ti në të gjitha garat e kampionatit. Një vit më pas, që në garën e parë theva rekordin e pistës dhe arrita të fitoja për herë të parë një garë. Si përfundim fitova 5 nga 6 garat e sezonit dhe u shpalla sërish kampion i Greqisë për sezonin 2003. Tri vitet pasardhëse ishin me të vërtetë "të errëta" për mua. Problemet e shumta të makinës në çdo garë të çdo sezoni nuk më lejuan të ngjitesha më shumë se vendi i tretë në sezonet 2004, 2005 dhe 2006.
Pjesëmarrja në botëror e europian dhe gara me Alonson
Në vitin 2002, si kampioni i Greqisë shkova në Afrikën e Jugut për të përfaqësuar këtë shtet në kampionatin botëror. Përgatitja e një gare botërori ishte shokuese, aq sa më shtoi edhe më shumë emocionet që kisha. Gjatë provave kualifikuese për garën finale të botërorit, pësova një aksident nga një pilot tjetër dhe gjithçka për mua dhe për Greqinë në atë botëror përfundoi aty. Në vitin pasardhës, në 2004 n, shkova sërish në kampionatin botëror që këtë herë zhvillohej në Sharmen Sheik. Arrita të kualifikohesha për garën finale, u nisa i 28 ti dhe e përfundova i 11 ti, një rezultat që u festua në Greqi. Më pas, po në këtë vit shkova edhe në europian, i cili u zhvillua në Itali, aty u rendita i 3 ti. Edhe në vitin 2005 u rendita sërish në vendin e 3 të në europian. Në vitin 2006 shkova sërish në botëror dhe nga 106 pjesëmarrës arrita të renditesha i 22 ti.
Në vitin 2002, pas kampionatit botëror zhvillova edhe kampionatin europian. Në një nga garat e këtij kampionati, pasi janë disa, në pistë ishte dhe kampioni i botës së Formulës 1, Fernando Alonso. Në atë kohë nuk e njihnin pothuajse fare, megjithëse të gjithëve u bëri habi që një pilot, i cili u nis i 30 ti, arriti ta përfundonte garën në vendin e dytë dhe më pas u shpall kampion. Ndërsa unë në atë garë u nisa i 34 ti dhe e përfundova në vendin e 18 të."
Gjithçka është me vetëfinancim
Për çdo garë dhe për çdo pjesë të makinës, Armando paguan ashtu siç mban me rrogë dhe trajnerin e tij. "Gomat e makinës i ndërroj një herë në javë (4x150 euro), ndërsa motori i makinës ndërrohet një herë në muaj (1x1500 euro). Çdo sezon në kampionatin grek më kushton rreth 10 mijë euro, ndërsa në kampionatin europian 20 mijë euro. Kampionati botëror paguhet nga shteti grek, nëse del i pari," - tregon ai.
Makina
Motori: Rock
Kubikët: 125cc
Kuaj fuqi: 32
Amortizatorë: Nuk ka
Lartësia nga toka: 2 cm
Shasia: Tony Kart (firma më e njohur italiane në këtë kategori garash)
Gomat: Bridgestone
Pesha: 106 bashkë me pilotin </font>