Re: Formula 1 2007
<font color="blue"> Kimi Raikonen përvesh mëngët!
Sporti Shqiptar
Pas përgjegjësve teknikë, Aldo Kosta dhe Zhill Simon, ka qenë radha e Kimi Raikonenit për t'iu nënshtruar pyetjeve të mediave të pranishme dje pasdite në territorin e kokëkuqes. Kjo ka qenë e para konferencë shtypi për finlandezin në Fiorano, pas debutimit të javës së kaluar me skuderinë Ferrari Marlboro në Madona di Kampiljo. "Sapo e pashë F2007-n në sallën e montimit, ishte shumë e bukur dhe do të jetë shumë emocionuese për ta parë duke garuar në pistë", - shpjegon piloti finlandez. Modest, Raikonen përcakton objektiva të mëdha, duke e ditur që ende asgjë nuk ka filuar. "Mezi pres të fillojë sezoni i ri që pres të jetë i ashpër, por mendoj se do të jemi në garë për kampionatin", - pranon finlandezi.
Ata që e pyetën për të krahasuar Ferrarin me McLaren-in, skuadrën që sapo ka lënë, Raikoneni përgjigjet: "Më kanë pritur shumë mirë këtu dhe kam përshtypje të shkëlqyera. Është bukur të jesh te Ferrari dhe nuk dua të bëj krahasime me të kaluarën, sepse është komplet tjetër histori. Le të themi që Maranelo është tamam ashtu siç prisja."
Kimi Raikonen nuk mund të marrë pjesë në provat e fundvitit të Ferrarit, kështu që e ka shijuar më së miri pushimin e detyruar, pas të cilit mezi pret të kthehet në timon. "Koha e lirë në këto muaj është gjithmonë pozitive, edhe pse pushimi i detyruar nuk të ndihmon për të gjetur me lehtësi ritmin. Tani do të provoj makinën dhe do të filloj periudhën time të ambientimit. Duhet të punojmë të bashkuar dhe të japim maksimumin, - thekson Raikonen. - Nesër do të jem këtu për F2007-ën në pistë. Është gjithmonë interesante të shohësh një makinë të re kur bën xhirot e para. Gjëja më e rëndësishme për të qenë të shpejtë, është një ndjesi e mirë me makinën. Këtu gjithçka është ndryshe nga ç'kam parë deri tani në karrierën time, ishte një ekip që diti të më presë mjaft ngrohtë. Mendoj se kam bërë zjgedhjen e duhur që vendosa të vija te Ferrari". Raikonen di si t'i fitojë zemrat e tifozëve dhe ka zbuluar objektivin e parë për 2007-n: "Do të mundohem të mësoj italishten patjetër, sepse është shumë e rëndësishme për t'u klimatizuar dhe kuptuar më mirë ambientin. Si gjithçka, edhe kjo do të kërkojë kohë, por pak nga pak them ta mësoj. Gjithsesi, nuk është ndonjë problem i madh në skuderi, sepse këtu te Ferrari të gjithë e flasin edhe anglishten".
Todt: Do të jetë një vit ndryshe
Gjatë prezantimit të djeshëm të F2007-s, administratori i deleguar i Ferrarit, Zhan Todt, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku midis të tjerave tha: "2007-a do të jetë ndryshe për një sërë faktorësh. Zakonisht prezantimin e kemi bërë të Kampiljo, por vendosëm të qëndrojmë në Fiorano për të festuar me njerëzit që po vazhdojnë punën. Ky fakt është simbol i një cikli të ri që po hapet te Ferrari. Shumakeri dhe Ros Braun nuk janë më dhe të bën përshtypje të shohësh Kimin të veshur me të kuqe." Më tej, francezi u shpreh: "Kampionati i ardhshëm do të jetë një betejë e vështirë, sepse kemi përballë kundërshtarët të fortë dhe ambiciozë. Por ne jemi mësuar gjithmonë të luftojmë për që qenë më të fortët. Nesër, nëse moti na e lejon, Masa do të fillojë punën me makinën e re."
Felipe Masa: Eshtë një mrekulli
Felipe Masa është entuziast për Ferrarin e ri dhe këtë e shpreh gjatë konferencës për shtyp të dhënë dje, pas prezantimit të kokëkuqes në Fiorano. Piloti brazilian ka folur për makinën që do të ketë mundësinë të provojë, duke filluar nga dita e sotme. "Makinën e kisha parë edhe përpara vitit të ri, - saktëson Masa. - Dua të them që kam një ndjesi të mirë. Makina është shumë e bukur estetikisht dhe ka disa të reja që shihen me sy të lirë, por shumë të lehta për t'i ambientuar." Më pas, piloti në vitin e tij të dytë te Ferrari vazhdoi: "Duhet të provojmë shumë në këtë periudhë për ta kolauduar si duhet, por kjo makinë është zhvilluar në bazë të shumë informacioneve nga e kaluara. Eshtë e kotë t'ju them se e pres me padurim garën e parë, ashtu si ditën e nesërme, kur ta ndez për herë të parë këtë mrekulli." </font>