Re: Fakulteti Ekonomik duhet reformuar, por si?
Duket se kjo tema jone po sherben si material per gazetaret /pf/images/graemlins/wink.gif
Ekonomiku, edhe studentë me mesatare 5.7
Bruna Prifti -Shekulli
Studentë me mesatare shumë të ulët dhe të dobët, në Matematikë. Ky është një nga rezultatet e analizës që ka bërë Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë, për pranimet e vitit të shkuar, i pari ku u zbatua skema e Maturës Shtetërore. Me faj për këtë situatë jo të kënaqshme në fakultet, dekani Dhori Kule bën formulën e pranimeve, sipas tij, plot probleme dhe diskriminim për kandidatët. Skemë, që sipas Kules, la jashtë auditorëve maturantë cilësorë, por bënë zgjedhje joharmonike sipas koeficientëve të përcaktuar për shkollat dhe lëndët me zgjedhje. Për këtë, ai kërkon heqjen e koeficientëve për pranimin në fakultetet. Ndërsa garanton se në Ekonomik, pranimi do të bëhen pa marrë parasysh koeficientët sipas shkollave të mesme nga vijnë maturantët, apo lëndët që do të japin me zgjedhje.
Rezultatet e ulëta
Kanë hyrë studentë me notë maksimale në letërsia apo italisht dhe jo ata që kanë pasur notën maksimale në Fizikë e Matematikë. "Kjo ishte një nga padrejtësitë e mëdha të formulës që u përdor vjet, ndaj nuk duhet të bëhet i njëjti gabim edhe këtë vit"- tha dje dekani Dhori Kule, gjatë një takimi me maturantë të shkollave të ndryshme, të interesuar për të ndjekur studimet në këtë fakultet. "Këtë vit akademik, ne kemi pasur fitues kandidatë me mesatare shumë të ulët, që nga mesatarja 5.7 dhe pastaj shumë të tjerë me mesatare 6.2 dhe 6.4",- thotë për "Shekullin", Kule, ndërsa shton se edhe të dhënat për notat në lëndët bazë, si ajo e Matematikës, lënë shumë për të dëshiruar. "Krahas mesatareve të ulëta, na rezultojnë më shumë se 150 fitues me notën poshtë 7-ës në Matematikë dhe ky për ne, si Fakultetet Ekonomie, është një shqetësim shumë i madh",- thotë ai, duke iu referuar analizës që ka bërë për pranimet e fundit në universitet. Sipas së cilës, kanë dalë në pah shumë të meta të Maturës Shtetërore.
Analiza
Kule pranon se ka të dhëna të detajuara që mund t'i shërbenin edhe Ministrisë së Arsimit për përmirësimet e nevojshme, nëse do të donte t'i merrte në konsideratë. Pavarësisht kësaj, të dhënat e 6 mijë konkurrentëve, tendencave, prirjeve dhe rezultateve të arritura, janë të mjaftueshme për këtë fakultetet, që të vendosë për pranimet e këtij viti. "Të dhënat për mesataret shumë të ulëta të kandidatëve fitues, janë tregues i qartë se notat e provimeve të Maturës Shtetërore, nuk janë fort të besueshme",- thotë ai. Në këtë rast, me faj mund të bëhet mosadministrimi i mirë i provimeve dhe mundësitë jo të pakta për kopjim gjatë zhvillimit të tyre. Dhe kjo, sipas dekanit të Ekonomisë, nuk ka si të jetë ndryshe, sepse statistikat e mbledhura nga të dhënat e kandidatëve nuk të lënë të gabosh. Kjo, sepse nuk ka raste sporadike, por të konsiderueshme, aq sa për t'u bërë shqetësim serioz. Llogaria e bërë është e thjeshtë. Sipas tij, mjaft që një maturant të kopjojë në shkollë, i bie së paku 300 nota me kopje në të gjitha shkollat. "Por këta, janë kontigjent që preferojnë universitetet e Tiranës dhe jo ato me kuota të hapura, duke u bërë kështu konkurrentë të padrejtë me të tjerët",- thotë Kule, ndërsa thekson se këtë vit, duhet menduar në mos për ndryshimin e rregullave, për një mirëadministrim të ecurisë së provimeve.
Korrupsioni me kurset
Kurse private për provimet e Maturës Shtetërore. Ky është një tjetër shqetësim i stafit të Fakultetit Ekonomik në Tiranë, pas kontakteve dhe debateve të zhvilluara me maturantë të ndryshëm. Sipas dekanit, Kule, Matura Shtetërore po prodhon organe korruptive që licencohen nga Ministria e Arsimit, posaçërisht për të zhvilluar kurse në lëndë të caktuara. "Kjo do të cenojë cilësinë e procedurës së maturës, duke e zhvendosur efektin jashtë shkollës, por duke rënduar gjithsesi mbi maturantët dhe familjet e tyre",- thotë ai, duke kërkuar që ministria të marrë masa për të ndaluar këtë fenomen dhe duke mos e inkurajuar me licencime. Kjo, sipas tij, do të thotë para-ekstra, për ata që janë të interesuar për të ndjekur shkollën e lartë.