Re: Euro 2004 ... he si thoni?!
FRANCE :
Trajneri i përfaqësueses angleze kërkon të shmangë tragjedinë e vitit 2000 në Stamboll
Eriksoni-tifozëve: Do t'ju vrasin!
Tifozët e Anglisë mendojnë ende të shkojnë në Turqi për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës, pavarësisht nga paralajmërimi i trajnerit Sven Goran Erikson dhe nga përpjekjet e vazhdueshme të federatës angleze për të mos u shitur bileta për ndeshjen vendimtare eliminatore të tetorit. Eriksoni ka frikë se mos tifozët anglezë mund të vriten nëse shkelin në Stamboll, edhe pse ekziston mundësia që Federata Turke të sigurojë bileta për ta. "Tifozët tanë mund të vriten,- tha Eriksoni.- Ata mund të rrezikojnë jetën, ashtu siç ndodhi me Lidsin në Turqi. Nëse autoritetet e sigurisë thonë se ky është një problem, duhet t'i dëgjojmë ato." Tifozët e Lidsit, Kevin Speit dhe Kristofer Loftus, u vranë përpara se skuadra e tyre të përballej në Stamboll me Gallatasarain në prill të vitit 2000.
Federata angleze është e vendosur për të shmangur një tragjedi të përmasave të tilla dhe dëshiron që të mos përsëriten skenat e dhunës, që janë parë në ndeshjet e fundit ndërmjet Anglisë dhe Turqisë.
2000 tifozë bëhen gati për në Turqi
Burime nga policia angleze thonë se rreth 2 mijë tifozë kanë vendosur të mos u binden këshillave të saj. Dëshira e tyre për të shkuar në Turqi është nxitur edhe nga fakti që federata turke ka thënë se do t'u shesë 2-3 mijë bileta. Tifozët e Anglisë Karl Uenz dhe shoku i tij Met Uds kanë vendosur të shkojnë në Stamboll. Ata kanë rezervuar biletat e avionit para disa muajsh dhe janë pajisur edhe me bileta për ndeshjen. Karli, 35 vjeç, thotë: "Pritet të jetë thjesht një ndeshje futbolli. Turqia është një vend turistik, që vizitohet shumë nga anglezët dhe, nëse e mban kokën ulur, nuk të ndodh asgjë. Nuk mendoj se do të ketë probleme. Edhe ata kanë frikë se mos arrestohen." Ndërsa 34 vjeçari Met mendon ndryshe: "Besoj se shokët tanë do t'i provojnë nervat e tifozëve turq. Incidente do të ketë, shpresojmë të mos jenë serioze." Karli dhe Meti ishin në grupin e përbërë nga rreth 400 tifozë që ndoqën nga afër ndeshjen ndaj Maqedonisë. Ata i blenë biletat në tregun e zi për 21 paundë, ose 4200 lekë të reja.
Bekhami në stol apo në fushë të mërkurën?
Ndërkaq, trajneri i Anglisë mund të mos e aktivizojë kapitenin Devid Bekham në ndeshjen eliminatore të së mërkurës ndaj Lihtenshteinit. Bekhami, i cili po pret me padurim të luajë në ish-stadiumin e tij "Old Trafford", ka një karton të verdhë dhe mund të rrezikojë të mos luajë në tetor ndaj Turqisë. Anglia është në gjendje të fitojë me lehtësi ndaj Lihtenshteinit edhe pa ndihmën e mesfushorit të Realit të Madridit. Eriksoni nuk preferon të rrezikojë, pasi për Anglinë do të ishte tepër e vështirë që të merrte një barazim ndaj Turqisë pa Bekhamin më 11 tetor. Mësohet se suedezi nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Rio Ferdinand dhe mesfushorin Niki Bat. Ferdinandi ka ende probleme me veshkat, që e detyruan të mos luante ndaj Maqedonisë, ndërsa Bati luajti në atë ndeshje, edhe pse ishte i dëmtuar në kyçin e këmbës së djathtë. "Niki Bat dhe Rio Ferdinand, fatkeqësisht, nuk do të luajnë për shkak të dëmtimeve,"- tha zëdhënësi i federatës angleze. Ndaj Lihtenshteinit do të mungojnë edhe Pol Skols e Trevor Sinkler, ndërsa Stivën Xherrard është riaftësuar plotësisht.
F.P.
Trajneri i Portugalisë po përballet sërish me një situatë të njëjtë me atë të Botërorit 2002
Skolari në shënjestër të kritikëve
Pasi u emërua trajner i Brazilit në vitin 2001, një sërë ndeshjesh të dobëta dhe zgjedhjesh të gabuara bënë që ai të përballej me kritika të ashpra, që u zgjidhën vetëm kur fitoi botërorin e vitit të kaluar. Në prag të Euro 2004-s, Skolari, trajneri i Portugalisë, po përballet me të njëjtin presion, për të njëjtat arsye. Skuadra portugeze nuk ka qenë në gjendje të bindë me lojën e saj nën drejtimin e trajnerit 54 vjeçar. Fitorja e paharrueshme ndaj Brazilit në një miqësore, bëri që Skolari të fitonte respektin e tifozëve portugezë. Por humbja me rezultatin 3-0 ndaj Spanjës në miqësoren, nxori në pah disa dobësi të Portugalisë dhe kritikët tashmë po mprehin "thikat". "Muaji i mjaltit për Skolarin ka mbaruar,"- shkruante në faqen e parë gazeta sportive "A Bola" pas ndeshjes, gjatë së cilës tifozët e pakënaqur mbanin lart shami të bardha në shenjë dorëzimi. "Ne kemi stadiume shumë të bukura, por a do të kemi një skuadër?"- pyet "A Bola". Megjithatë, Skolari u ktheu një përgjigje të sinqertë në dukje kritikëve. "Humba 3 0, e pranoj,- tha ai.- Skemat e mia taktike dështuan si gjithçka tjetër. Lojtarët i zbatuan të gjitha planet që u kisha porositur. Faji është imi." Pas 8 takimesh dhe 33 lojtarësh të provuar, shumë pyetje ende nuk kanë marrë përgjigje. Në fakt, skuadrat e Skolarit kanë qenë një përzierje e së kaluarës dhe e së tashmes. Rui Kosta i Milanit dhe Luis Figo i Realit të Madridit janë të paprekshëm në mesfushë, edhe pse nuk kanë arritur që formën e tyre të mirë me klubet përkatëse ta shfaqin edhe me Portugalinë, ndërsa sulmuesi i Paris San Zhermenit, Pauleta, e ka mbajtur vendin e tij në skuadër, paçka se nuk ka shënuar në ndeshjet e fundit. Ata kanë lënë në hije lojtarët e rinj të Portugalisë, si Kristiano Ronaldon e Mançester Junajtid apo Rikardo Kuarezmën e Barcelonës. Të shpresojmë që në Euro 2004 Portuglia të ketë aq fat sa Brazili.
F.P.
Mesfushori akuzon Santininë
Pëti: Po largohem nga Franca
Mesfushori francez Emanuel Pëti lajmëroi fundin e karrierës së tij në arenën ndërkombëtare, duke akuzuar njëkohësisht trajnerin e Francës, Zhak Santini, për mungesë sinqeriteti. "Nuk ishte një vendim aspak i lehtë për t'u marrë,- tha lojtari 32-vjeçar i Çelsit,- por kam vendosur të largohem dhe kjo është e pakthyeshme. Unë jam në formë tepër të mirë fizike, por nuk mendoj se skuadra franceze udhëhiqet nga njeriu i duhur. Santinisë i mungon sinqeriteti. Ne nuk kemi biseduar që në majin e kaluar, kur u operova. Situata ime nuk u sqarua asnjëherë. Mendoj se ai ka vështirësi për të mbajtur përgjegjësitë që i takojnë." Qëkur Santini u emërua në vendin e trajnerit pas eliminimit të turpshëm nga botërori i kaluar, Pëti është konsideruar zëvendësues i Patrik Vierasë dhe Klod Makeleles. Mesfushori që ka luajtur 63 ndeshjen me fanellën blu, është aktivizuar për herë të fundit me Francën në miqësoren e shkurtit të kaluar ndaj Çekisë. Pëti e ndihmoi skuadrën kampione të Evropës të fitonte Botërorin e vitit 1998, duke shënuar golin e 3-të në finalen ndaj Brazilit, dhe u shpall kampion edhe në vitin 2000.