Re: Domosdoshmenia e kthimit te gegnishtes?
Letër e hapun e Adrian Pacit drejtue botuesit të gazetës “Java” Migjen Kelmendit
Nuk më duket se problemi asht te gjuha, por tek raporti që na vendosim me te
Ajo gjetja jote për ‘talebanët e gjuhës’ asht mjaft e fortë aq sa ta ka kopjue edhe Sali Berisha në parlament kur don me sha socialistat, por nëse monumentet e shkreta të Budës u thërrmune nën predhat e talebanëve, gjuha qe ku asht e na po e flasim e po e shkruejmë prapë. Aty asht Frang Bardhi, Gjeçovi, Fishta, Koliqi, Migjeni (ai tjetri), Camaj, e sa e sa të tjerë që sot studjohen në shkolla e bashkë me ta studjohet edhe gjuha e tyne. Monumenti i Budës u thërrmue, por gegnishtja që ti vazhdon me e shkrue te “Java” nuk ka dekë, e sot nuk mundet kush me folë për situatën kulturore të Kosovës pa e konsiderue risinë që kjo gazetë ka futë në debatin kulturor shqiptar. Pra, gegnishtja nuk asht shkatërrue
ADRIAN PACI
Tung Migjen,
Gjithmonë e kam pasë problem me ia thanë italianëve përkthimin në shqip të përshëndetjes “Ciao”. ‘Tungjatjeta”, tingëllonte jashtëzakonisht e komplikueme për ta, e njikohësisht shumë e gjatë për me kenë simotra në shqip e ciao’s italiane (të njajtin problem kishte me pasë edhe përkthimi i përshëndetjes anglisht ‘hi’), deri sa nji ditë, për fat të mirë (a të keq t’emin), u njoha me Erzen Shkolollin, i cili më shkruente e-mail, e mbas emaili me subjektin “TUNG”.
Tung, pra, Migjen,
Nuk na ka qëllue me ndejtë shumë bashkë e megjithate më duket sikur njihemi prej kohësh.Ti ke pa videot e mia para se me u takue me mu, e une kam mbajtë në duer shkrimet e tua ma gjatë se ato pak orë që kena pasë rast me kalue bashkë. Kot me e mbajtë të fshehtë admirimin që kena për shoqi-shojn, e se bashkë ndajmë me njani-tjetrin shumë gjana ndoshta na vjen ma lehtë me diskutue edhe për pozicionet e ndryshme a të kundërta që mund të kena.
Une e di se ti ke do kohë që e ke marrë flamurin e gegnishtes në Kosovë (e në fakt këte letër po ta shkruej në gegnisht). Nuk jam aq i lujtun mendsh me iu futë sot nji debati me ty për gjuhën. Jo se po trembem prej teje (hijen e randë e ke, por gogol nuk je ba ala), por kur ti po vuen prej kompleksit të kompetencës, aq ma teper une, që jam shkollue për pikturë, nuk kam sesi me përballue nji debat të tillë. Kompetencat e mia në gjuhësi mundem ma së shumti me ia shpreh Erzenit, kur më nisë mesazhe me gabime sintakse a gramatike, por me ty nuk du me ba sot nji debat për çashtje gjuhësore. Po, për çka tjetër mundet me debatue njeriu me ty sot, pos se për gjuhën?
Fjalët e Mehmetit, kur po të kërkojsha nëpër rrëmujen e mbramjes në Vienë, mes zhurmës së muzikës dhe tallavisë: ”Nuk e di se ku asht Migjeni, por shih se kushedi se kujt po i flet për gegnishten”, më janë kujtu sa here e kam qeshë me vedi kur po mendojsha këte letër.
“Shkon gjuha ku dhemb dhami”, thona na. E në rastin tand, duhet me thane se dhami i jot i sëmurë asht pikërisht gjuha. Ti në shkrimet e tua ban nji afirmim shumë të randësishëm kur thu: “Nuk ka gjuhë të mirë e gjuhë të keqe”. Plotësisht dakort. Gjuha asht nji konvencion për me komunikue. Gjuha nuk asht e shejtë, nuk asht e paprekshme, duhet respektue doemos, por nuk meriton asnji adhurim. Mundesh me folë e me shkrue me gabime nji gjuhë, mundesh me e shkrue e me e folë keq e përdreq, por nuk ekziston gjuhë e denjë e gjuhë e padenjë, e meritueme dhe e pameritueme me u folë e me u shkrue. Po atëhere, ku asht problemi? Me sa kam kuptue une Migjen, problemi asht se në Kosovë, për arsye që dihen tashma, e që ti bukur mirë i shtjellon në librin tand “Carere Patria”, gjuha e njisueme ishte, si të thuesh, prologu i Shqipnisë së njihsueme, ishte ai moment magjik ku shqiptarët, këtej e andej kufinit, ndiheshin Nji, ishte andrra e bukur për të cilën ia vlen me ba sakrifica të pafundme. Ishte as ma shumë e as ma pak se nji tabu, prekja e të cilit mujte me vu kedo para rrezikut me u përbuzë si tradhëtar. Asht me të vërtetë prekëse të jesh përballë ndjenjave të tilla Atdhedashëse, por, siç e ke kuptue mirë, këto lloj ndjenjash ishin veç tjerash edhe fryt i nji deformacioni ‘moskomunikimi e keqkuptimi të madh’. Udhëtimi yt në Shqipni ta rrëzoi mitin e Atdheut e të vuni para realitetin e hidhun. Iluzioni i lëshoi vendin deluzionit, e miti t’u shkërmoq para syve tuj të lanë nji shije të hidhun zhgënjimi.
E bashkë me mitin e shtetit Amë, t’u shkërmoq para syve adhe ajo për të cilën ti deri atëhere nuk kishe dyshue, miti i gjuhës së njisueme. Pra, problemi nuk asht gjuha në vetvedi, problemi asht se muri mes Kosovës e Shqipnisë e kishte kthye gjuhën në nji tabu për kosovarët, e ti fort mirë e kuptove sapo e kapërceve këte mur se ky ishte nji tabu i rrejshëm, iluziv, e bile i rrezikshëm për emancipimin e shoqnisë kosovare. Çfarë i duhet ma mirë nji njeriu, që për vokacion ka kreativitetin e lirinë individuale, se të përballunit me nji argument të tillë? Ti mirë e kuptove se ky ishte momenti yt dhe ia nise luftës. Nuk asht problem gjuha Migjen, problem janë ata që nuk dinë me pasë me gjuhën nji raport normal, real, e jo inferior. E mue po më duket se jo vetëm adhurimi i dikurshëm për Shqipninë, e si rrjedhojë edhe për gjuhën e njisueme, por edhe kjo luftë që i ke shpallë gjuhës së normës, asht veç tjerash edhe shejë e moslirimit nga efektet e këtij inferioriteti. Them nga efektet, mbasi mendoj se inferioritetin e dikurshëm, që aq bukur e përshkruen në librin tand (e që mue më kujton inferioritetin tem në kontaktet e para me Italinë), e ke superue e bile aq e ke superue sa herë herë më dukesh se ke kalue në ekstremin tjetër, e nuk e di pse por thonë se shpesh ekstremet puqen.
Kurthi “Na” dhe “Ju”
Mos kujto se për ne që jetojshim në diktaturë, të paveshun e në rradha për djathë e kortodha, ishte ndonjë kënaqësi me ditë se në Kosovë e mendojnë Shqipnin ‘Zojë të rande’. E nuk asht prap ndonji kënaqësi me ndi shfrimet e atyne që, mbasi e mendojshin Zojë të randë, e zbuluene se ishte nji grue e përdalun e kaq u mërzitën nga ky zhgënjim sa nuk lanë gja pa i thanë. Por, une nuk due me e futë diskutimin tonë në kurthin “NA e JU”, mbasi mendoj se kjo kishte me kene nji rrugë pa krye e pa bereqet.
Ajo që përsëri du me theksue asht se luftën tande kundër normës nuk mundem mos me e pa si luftën e njeriut që ka vendosë me i shpallë luftë individuale tabusë kolektive, mbasi e ka prekë me dorë, e ka provue se asgja shejte nuk ka në te, e ka pa se asht nji zot i rrejshëm, nji idhull për me u rrëzue. Asht kjo e jotja nji betejë si kundër inferioritetit kosovar për gjuhen e njisueme, ashtu edhe kundër prepotencës tiranase që qelbet prej fobisë. Sepse, duhet me pranue se nuk kishte vetëm nji tabu të gjuhës së njisueme në Kosovë, por edhe nji pranim të detyruem me forcë të saj në Shqipni. Rrethanat e kishin ba gjuhën e njisueme të ishte e paprekshme, e padiskutueshme, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipni.
Nuk asht puna te gjuha, gjuha asht vetëm preteksti që rethanat e veshën me petkun e nji tabuje të paprekshme të cilën ti, jo vetëm me argumenta, por mbi të gjitha me vokacionin tand, ke vendosë me e sfidue.
Rreth teje sillen besimtarët e verbër të këtij idhulli dhe të mallkojnë, por ti në vend që të trembesh merr guxim ma tepër, e bash në këto mallkime gjen vërtetimin se sa e deformueme asht marrëdhania e besimtarëve të verbër ndaj këtij religjioni falls, e i provokon besimtarët e këtij farë religjioni; u flet për “fene e të parëve” që ata kanë lanë mbas dore në shkëmbim të “fesë tjetër” që për ma tepër, asht “feja” e nji tirani, që i ka sundue me gjak e dhunë. E këtu më duket se fillon momenti jot ma demagogjik. Për me ia mbushë mendjen gegëve se duhet me shkrue e me folë gegnisht, përdorë si argument faktin se gjuha letrare asht pjellë e diktaturës, e meqë diktatura ishte nji e keqe për kombin shqiptar, edhe gjuha që ajo vendosi asht nji gjuhë e keqe, duhet ndrrue.
Po a ishe ti Migjen ai qe thojshe se nuk ka gjuhë të keqe e gjuhë të mirë?
E shkruen edhe ti vetë se shumica e gjuhëve të njehsueme janë ba nën dhunën e despotëve e diktatorëve, prandaj më duket vërtet demagogji me e sulmue gjuhën e njehsueme shqipe me kësi argumentash. Jam plotësisht me ty kur e shkruen gegnishten, kur ve në diskutim absolutizmin e normës, kur ve në lojë mitin e adhurimit për njisimin gjuhësor, por edhe kur bërtet për efektet e kompleksit të inferioritetit qe u krijohen kosovarëve nga vështirësitë me gjuhën e njisueme, por nuk të ndjek në denoncimin denigrues që i ban normës sikur ajo të ishte nji e keqe, nji smundje prej se cilës mund të dilet vetëm tuj e luftue me kurën e gegnishtes. Gjuha asht nji konvencion Migjen, e ajo vlen për me komunikue. Këtu ku jetoj une, ba me i ba bashkë nji bergamask, nji napoletan e nji sard, e me i vu me folë në dialektin e tyne, i bijnë njani thundrës e tjetri patkonit, prandaj kanë ra në ujdi me folë italisht.
Çabej pat sugjerue elbasanishten si bazën ku mund të themelohej gjuha e njisueme, për të vetmen arsye se aty tosknishtja tuj komunikue me gegnishten ia kishin zbutë cepat njena-tjetrës, tue u sfumue në njena-tjetrën. Nëse jemi të mendimit se shqiptarëve u duhet nji kod komunikimi mes vedi, e kjo në fund të fundit asht thelbi i çashtjes kur flitet për gjuhën e njisueme, duhet thjesht të rrisim komunikimin, të rrimë ma shumë me njeni tjetrin, të flasim me njeni-tjetrin për muzikë, për raki, për femna, për filosofi, pa ndjenjë superioriteti e inferioriteti, pa pasë nevojë me përkthy toskën në gegë e gegën në toskë, e meqë kena me dashtë me u kuptue kena me u mundue me kenë të kuptueshëm për tjetrin, e kena me kërku të folmen që na afron ma tepër, kena me shkëmbye shprehje e fjalë e ndoshta edhe kena me qeshë me shoqi-shojn për mënyrën si njeni thërret diçka, e si i thotë tjetri të njajtës gja. Une mendoj se sot shqipja e ka nji kod komunikimi, e ky kod asht gjuha e njisueme. Por, une nuk besoj se ky kod asht i paluejtshëm e i pandreqshëm. Une mendoj se gjuha asht nji organizëm i gjallë që nuk mund të mbyllet në arkivolin e nji udhëzimi për drejtshkrim. Ndoshta gegnishtja, që për arsye politike u përjashtue në masën ma të madhe nga formulimi i këtij kodi, ka nevojë të jetë ma prezente në te, e pikërisht për këte duhet që sot gegnishtja të shkruhet nga shkrimtarë e poetë, e ti i dashtun Migjen të vazhdosh me “Javën” me ushqye komunikimin mes gegnishtes e tosknishtes, jo për ta ba gazetën tande flamur lufte kundër gjuhës së njisueme, por për ta ofrue si nji hapsinë ku norma e njisueme dhe gegnishtja takohen e flasin për art, politikë, kulturë, seks e receta gatimi.
Siç e din, une kam le në Shkodër e me folë e me shkrue gegnisht për mue nuk asht aq e zorshme. E gegnishtja nuk asht për mue vetëm gjuha me të cilën më ka folë gjyshja, por janë vargjet që qysh i vogël i kam lexue e mësue përmendësh të Fishtës, Mjedës, Migjenit (atij tjetrit). Asht gjuha e Hyllit të Dritës që lexojsha tinzash, e ku përveç gjuhës kam marrë edhe leksionet e para të nji mendimi ndryshe. Prandaj, i dashtun Migjen, jam krejt dakort me ty kur e shpall luftën tande për gegnisht, veç të tjerash, si nji betejë për të “drejtën me kenë i ndryshëm, pa u shpallë tradhëtar, përçamës”. Larg qoftë që une me të shpallë ty tradhëtar apo përçamës. Përkundrazi, mue veç po me vjen keq që si shumë po merresh me kësi budallajsh që gegnishten tande po e shohin si diversion anmiqësor kundër Atdheut. Hiqju Migjen kësi debilash e mos u merr shumë me ta, se hup kohë kot.
Joautenticiteti kosovar mbrenda normës
Në këte letër që ta kam nisë i kam mëshue shumë faktit se beteja jote kundër normës asht beteja e nji individi kreativ e antikonformist kundër nji norme të ngritun në tabu e të mbrojtun me fanatizëm nga nji grup njerëzish që nuk dinë me mendue ndryshe e nuk guxojnë me thurrë nji mendim kritik. Megjithate, duhet ta pranoj se tue i lexue shkrimet kam vu re se përtej penës së mprehtë të intelektualit antikonformist, ka në betejën tande nji dhimbje e nji piskamë të sinqertë për fatin e atyne kosovarëve që moszotnimi i normës i banë me kenë të tulatun e të mbetun. Sigurisht që ky asht nji deformim serioz, por une nuk due me besue se gega i Kosovës asht i ndryshëm prej gegës së Shqipnisë në marrëdhanien e vet me gjuhën e njisueme. Nese une shkodrani e kam studjue gjuhën e njisueme në shkollë, e kam folë në Universitet, e kam shkrue e nuk kam kenë fallc, pse atëhere kosovari duhet me u konsiderue si i pamujtun me e ba nji gja të tillë? A mos vallë ka diçka në natyrën e tij që ia ndalon këte gja? Pse Ridvan Dibra apo Stefan Çapaliku (dy emna shkrimtarësh të mirë e miqsh tonë nga Shkodra), shkruejnë gjuhën letrare pa pasë problem se janë të palexueshëm në Tiranë, kurse shkrimtarët e Kosovës vuejnë nga nji problem i tillë palexueshmënie? Më fal Migjen, por une nuk besoj se ka në natyrën e kosovarit diçka që e pamundëson nji zotnim të plotë të gjuhës së normës. Une nuk di me i dhanë përgjigje tjetër këtij dallimi mes gegësh në raport me gjuhën e normës pos faktit se gegët e Kosovës, për shkaqe që dihen, kanë jetue të ndamë nga komunikimi gjuhësor me Shqipninë, kanë jetue nën nji regjim që e ka pengue studimin e gjuhës shqipe, dhe kanë ba pjesë në nji shtet sllav-folës që nuk ka lanë pa ndikue edhe në gjuhën e shqiptarëve të Kosovës. Kishte me kenë groteske që une këtu me sugjerue zgjidhje e me shkop magjik me dhanë përcaktime mbi nji situatë kaq komplekse si ajo që ti përshkruen, por nuk e di pse une rrugëdaljen e shoh vetëm te rritja e komunikimit, tue pasë për bazë gjuhën e normës pa e konsiderue si herezi, e bile tuj kultivue edhe gegnishten.
Dy fjale ma shumë për inferioritetin
Nuk më duket se problemi asht te gjuha, por tek raporti që na vendosim me te. Sigurisht që po ta mveshim gjuhën me nji domethanje simbolike, pra, po ta konsiderojmë ate si simbol i diçkaje tjetër e po ta perdorim për qëllime patriotike e politike, ajo do të jetë ma shumë se asht, nji kod komunikimi, e do të bahet argument beteje e lufte ku në fund të fundit gjuha do jetë vetëm preteksti. Kur ti shkruen në librin tand “Carere Patria” se kosovarët ishin Të Shituem Utopie, e kjo utopi kishte emnin “Shqipëri”, une të kuptoj fort mirë. Edhe na në Shqipni kena pasë të shituemit tonë e jo vetëm ata që ti quen ‘të shituem utopie komuniste’, jena kenë të shituem edhe prej utopisë perendimore. Më kujtohet se si frekuentojsha me kënaqësi familjet e disidentave të komunizmit e rrija me fëmijët e tyne, e në msheftësi flisnim për …mendo pak …“Festivalin e Sanremos”. A e kupton Migjen, çfarë transgresionit….Zhgenjimi yt prej Shqipnisë mue më kujton e më ngjason si dy pika uji me zhgënjimin tem fillestar prej Italisë. E pra Migjen, mue Italia nuk ma kishte pikën e fajit. Fajin e kishte pikërisht ajo ndamja e mungesa e komunikimit, që ma kishte deformue vizionin e më kishte ba me kenë inferior e i topitun para nji realiteti që aq e kisha andrrue sa nuk mujsha me e pranue ashtu të vërtetë, siç ishte para syve të mi.
Kështu, pra, nuk e ka fajin Skanderbeu i Krujës pse kosovarët e presin me brohoritje kopjen e tij në Prishtinë, e as skulptori që e ka ba, njashtu siç nuk e ka fajin as Kadareja pse kur vjen në Kosovë njerëzit i përulen si të ishin besimtarët iranianë para Ajatollahut. Nganjihere mitet na i krijojmë nga nevojat e mungesat tona, ma shume sesa mitet vetë na imponohen.Të njajtën gja mundem me e thanë edhe kur i luftojmë ato. Ma shumë se Miti na intereson akti i luftës karshi tij, rebelimi. Une nuk du me besue se midis adhurimit nënshtrues dhe rebelimit nuk mund të ketë nji raport tjetër ma të natyrshëm dialogu e analize kritike, që nuk mbetet viktimë e komplekseve mitizuese që dashtë e padashtë krijojnë raport inferior. Kur flas për inferioritet, une kam parasysh as ma shumë e as ma pak se ato që ti shkruen në librin tand, e që ka të bajë me nji situatë ku rrethanat nuk na lejojnë me pasë me realitetet rreth nesh raporte të natyrshme. Por, na i deformojnë vizionet si Don Kishotit që mullinjtë e erës iu dukshin anmiqë të rrezikshëm. E viktimë e këtij deformimi nuk je sigurisht vetëm ti e as vetëm shqiptarët e Kosovës në lidhje me shqiptarët e Shqipnisë, por edhe vice-versa, e këtu nuk po du me e lanë jashtë edhe vedin. Komplekset e krijueme nga moskomunikimi mundena me i kapërcye vetëm tue i hjekë gardhet ndamës, e kjo letër e gjatë nuk asht tjetër vetëm nji përpjekje e vogël në këte drejtim.
Të ndyshojmë normën
Pra, u morëm vesht, se norma nuk asht e shejtë e nuk asht e pagabueshme. Po pse pra atëhere të mos e ndryshojmë normën? Aq ma tepër që ajo iu imponue gjuhës shqipe nga dhuna e nji diktatori? Po mundohem me shpjegue me pak fjalë pse une nuk e shof zgjidhjen te ndryshimi i forcuem i normës. E para, une nuk besoj në nji gjuhë “mushkë”, as gegnisht e as tosknisht, as mish as peshk, as mashkull as femën. Kjo lloj gjuhe kishte me kenë njilloj e huej për kosovarin ashtu si për matjanin e mallakastritin, e nuk kishte me e zgjidhë problemin nëse bjen me parashutë prej nalt. Mundësia tjetër, ndryshimi i roleve: gegnishtja gjuhë zyrtare e tosknishtja dialekt i përjashtuem – më duket nji perspektivë që nuk arrihet pa gjurulldina, përmbysje e ngatërresa që kishin me na futë edhe nji here në vorbulla destabilizuese.
Ajo gjetja jote për ‘talebanët e gjuhës’ asht mjaft e fortë aq sa ta ka kopjue edhe Sali Berisha në parlament kur don me sha socialistat, por nëse monumentet e shkreta të Budës u thërrmune nën predhat e talebanëve, gjuha qe ku asht e na po e flasim e po e shkruejmë prapë. Aty asht Frang Bardhi, Gjeçovi, Fishta, Koliqi, Migjeni (ai tjetri), Camaj, e sa e sa të tjerë që sot studjohen në shkolla e bashkë me ta studjohet edhe gjuha e tyne. Monumenti i Budës u thërrmue, por gegnishtja që ti vazhdon me e shkrue te “Java” nuk ka dekë, e sot nuk mundet kush me folë për situatën kulturore të Kosovës pa e konsiderue risinë që kjo gazetë ka futë në debatin kulturor shqiptar. Pra, gegnishtja nuk asht shkatërrue.
Une ma mirë e preferoj nji gegnishte që e ushqen trungun e gjuhës shqipe në transformimin që kjo ka me e pësue gjatë kohnave, sesa nji gegnishte që merr në dorë frenat e gjuhës zyrtare tuj qitë jashtë tosknishten e sotme, ashtu siç ban nji fitimtar kur ia heq nga dora pushtetin kundërshtarit. Ti thu se je për respektin ndaj të ndryshmit, Tjetrit, e kjo përban nji cilësi europiane përkundër enverizmit të ndonji akademiku kosovar. Atëhere le ta kultivojmë gegnishten tonë si diçka tjetër karshi normës, jo të kundërt me te, por thjesht disi të ndryshme prej saj. Le ta shkruejmë e ta flasim pa krijue mure ndamëse me gjuhën e standartizueme, por tuj synue komunikimin me te, e nga ana tjetër, të pretendojmë nji gjuhë të njisueme që nuk asht dialektofobe, por që i mbanë të hapuna dyert e dritaret për prumjet e dialekteve. Mandej, ndoshta kanë me dalë do gjuhëtarë që kanë me u mbledhë prapë në ndonji kongres e kushedi se në çfarë përfundimesh kanë me mbrrijtë…
Para do ditësh mora nji mesazh nga Anri Sala që mbyllet me përshëndetjen TUNG. E, TUNG më tha edhe Muka kur më mori në telefon herën e fundit për Bienalen.
Tung, pra, Migjen!