Re: Bisede me ateistet!
Sepse ekziston vdekja, ndaj nuk ekziston Zoti.
Thotë Bataille, erotizmi është njohja e jetës brenda gjirit të vdekjes, por kjo nuk do të thotë prani e Zotit. Përkundrazi njeriu mbi shtratin e seksit ka ngritur erotizmin në lartësinë e vet, si qenie e arsyeshme. Dhe si e tillë veçohet nga të tjerat jo për një dëshirë hyjnore, por natyrale. Kafshët janë shfaqur në planet 500 milion vite më parë, atëhere kur kushtet klimatike e lejuan diça të tillë; shtimi i sasisë së oksigjenit në nivelet e sotme, nëse nuk gabohem rreth 21 përqind të ajrit. Nga ai çast e deri më sot, vihen re dy tendenca: e para ajo e kafshëve të cilat në përgjithësi janë të programuara gjenetikisht, psh mjaft insekte kanë mbetur njësoj si njëqind milionë vite më parë, ose krokodili, kohanik i dinosaurëve etj, dhe njeriu, margaritari i kurorës së botës së gjallë, thotë Shekspiri te Hamleti (të thuash pse nuk ka shpirt, ose ta bëjmë me shpirt, psh një copë gur, tregon miopi, për faktin e thjeshtë se ne jemi ndërtuar nga atome sikundër edhe gurët e çdo formë tjetër e saj në gjithësi, por pikërisht u deshën miliarda vjet që kjo materie të organizohej e diferencohej në organike e joorganike, e thënë në gjuhën vulgare, me shpirt e pa shpirt. Çdo formë e materies është përbërë nga atome – vija e drejtë që na lidh dhe shpirti apo të menduarit, si veti e saj, merr fund sëbashku me të) pra, njeriu si qenie jo e programuar sepse ai ka ndryshuar veten në vartësi të mjedisit, sikundër citohet nga mjaft studiues të biologjisë molekulare, njeriu është “epigjenetik”. Koncept në realitet, i përdorur nga Aristoteli që besonte te epigjeneza si një zhvillim i formave jetësore jashtë modeleve të dhëna. Për të mbrritur te përkufizimi i Conrad Waddington më 1942 se epigjeneza është ajo rrymë e bilogjisë që studion ndërveprimin rastësor midis gjeneve dhe pasojës e që përcakton në to fenotipin (fenotip – bashkësi e vetive të një individi, grupi ose popullsie) përkufizim i pranuar pa hezitim nga bota shkencore, thelbi i të cilit gjendet në të gjitha enciklopeditë.
Kjo parantezë disi e gjatë bëhet për të thënë se njeriu ndryshon veten dhe përrethsinë. Këtu nuk ka të bëjë erotizmi, më shqip, dashuria, por seksi, sepse është ai që siguron vazhdimësinë, jo dashuria (një term mbi të cilin hipokrizia kristiane spekullon gjerë, për arsye se kasta fetare katolike e ka të ndaluar të kryejë marrdhënie seksuale e për të gjetur ngushëllim, termin dashuri përpiqet ta përcjellë te Zoti duke e identifikuar madje me dashurinë për Zotin si më sublimja. Tallje, asgjë shumë. Hakmarrje, ndër të tjera, e katolicizmit ndaj shoqëriosë njerëzore. Provo të hapësh krahët e të përqafosh Zotin, çfarë përqafimi është ai kur mungon një trup qenieje brenda. Zotit as që i kërcet fare menderja nëse e duan njerzit apo jo, përndryshe do t’i kishte pajisur me këtë dashuri që në lindje dhe mbi të gjitha do ta privonte nga dyshimi – armiku numër një i vetë Zotit), pra jo dashuria, por intimiteti riprodhon jetën, përndryshe femrat do të mbeteshin shtatzëna edhe me një pasion të ushqyer nga larg, pasion që jemi mësuar ta quajmë dashuri platoniane e që jetës i vlen aq sa edhe një byzylyk në dorën e femrës. Flutura kur bën pjalmimin kalon lule më lule. Mjaft kafshë nuk i dorëzohen partnerit të parë, por më të fortit, domethënë përzgjedhin. Dhe këtu nuk ka të bëjë shpirti. Përndryshe nuk do të shpjegonim dot se si bota e gjallë është ende gjallë dhe pse (ku përfshihen si bimët edhe kafshët, të cilat qëndrojnë vetëm dy shkallë më posht nesh), pra, pse kjo botë nuk u zhduk me kohë? Sepse edhe bima ka mënyrën e saj për të jetuar e mbijetuar. Bima nuk ka këmbë për të lëvizur, as edhe për të emigruar, ose ndërruar mjedis, atëhere duhet të gjejë një mënyrë që ajo të shtohet. Një prostitutë në rrugë, gjysmëlakuriq, trupbukur, fytyrë tërheqëse, e godet vëmendjen tonë dhe kur kjo goditje shndërohet në turbullire, ngacmon aq sa ndalon. Bima është si prostituta, bën një frut të bukur, të shijshëm dhe kafsha apo njeriu i parë, që kalon e këput, e ha dhe farat i pështyn gjetiu. Rasti i kundërt është kërpudha helmuese. Ajo me helmin e vet mbrohet dhe shtohet brenda llojit. Gjithë kjo ka inteligjencien e vet brenda llojit që siguron vazhdimësinë e kolektivit, jo të individit. Është këtu humnera që thotë Niçe e cila po e vështrove edhe ajo të shikon ty. Humnera si sinonim i vdekjes të cilën vetëm individi mund ta shikojë. “Kjo humnerë hapet, psh midis meje që flas e ju që dëgjoni, - thotë Bataille në një konferencë. – Ne tentojmë të komunikojmë por asgjë e tillë midis nesh nuk do të jetë në gjendje kurrë të fshijë ndryshimin përbërës. Nëse ju vdisni, nuk jam unë që vdes. Jemi ju dhe unë qenie fragmentare...”
Përse flasim për jetesë e mbijetesë?
Sepse në natyrë, në të gjitha nivelet, shfaqet një dukuri e pashmangëshme sikundër është vdekja. Veti dominuese. Shkatërruese dhe krijuese e universit. Sikur të mos ishte vdekja, jeta nuk do të ekzistonte, si një pa-mundësi simbiozë; në të parmen “pa” mohuese mbillet fara dhe në të pasmen lind, hapësira midis është vetëm ballafaqim i simbiozës, dmth jeta. Ndaj edhe e përkufizojmë pa humbur sikurse ndodh kur përpiqemi të përkufizojmë pafundësinë. E pamundur ta përfshijmë, e pamundur ta imagjinojmë dhe biem ne tautologji sepse në fund themi: Pafundësia është pafundësi. Prania e vdekjes e rrëzon këtë mur vicioz dhe me gurët e tij shtron udhën lineare.
Zoti vdes me vdekjen e njerzve që e besojnë ekzistencën e tij.
Jeta e Zotit ka këtë vlerë, të kalbë njeriun në ujra kënetore. Mjafton të hidhni një sy në histori. Për mijëra vjet njeriu është dëfryer me perënditë, e keqja erdhi kur sajimi u jetërsua. “Merita” i përket fesë monoteiste; shkak i një tragjedie, aktet e të cilës luhen ende sot. U deshën thuajse dymijë vjet që njerëzimi të ndante të paktën istitucionet shtetërore nga feja dhe në veçanti të mos dënohej për faktin më të thjeshtë se ai nuk besonte në dokrra. (Çdo mëtim sot nga besimtarët për respekt është qesharak sepse këta, për dymijë vjet kanë ngrohur duart në zjarrin që digjte njerzit e pafajshëm dhe dijetarët vetëm pse guxonin. Pranojmë ekzistencën por respekt nuk meritojnë. Dje, në Gjermani referendumi që kërkonte të bëhej mësimi i fesë i detyruar nëpër shkolla, pësoi fiasko. E shkreta Merkel që u rradhit në anën e obskurantistëve!) Dysheku i rëndë i Zotit do të zgjatë në kohë sepse flasim për një koncept bosh dhe kjo e vështirëson realizimin por nuk e bën të pamundur. Vdekja nuk është koncept bosh sepse është vetë asgjëja dhe këtë e manifeston çdo herë, ndërsa Zoti po, është një koncept bosh sepse nuk është në gjendje të manifestojë të kundërtën. Kur ideja e Zotit të pranohet si patologji, refuzimi është çështje formale, gjë që do ta shndërojë vdekjen në ontologji, atëhere njeriu do t’i kushtohet jetës tokësore e jo qiellore si një humbje kohe e pazëvendësueshme. Jemi vite dritë nga një progres i tillë, thotë profesori francez, Michel Onfray te vepra e tij shumë e shitur (200 mijë kopje në një javë); “Traktati i ateologjisë”.
Ekzistenca e vdekjes është kocka që mbetet në grykën e besimtarit sepse atë nuk ka mundur kurrë ta kundërshtojë, e rrjedhimisht provon se Zoti është sajim i njeriut për t’iu kundërvënë vdekjes. Demenca, ankthi, frika, krijuan diçka që në realitet nuk ekziston por që e dëshirojnë si një mjetë kundërvënieje. Motivin ia dha vetë vdekja me pavdekësinë e saj. Krijoi Zotin për të kundërshtuar vdekjen, natyrën e saj asgjësuese. Është dëshira tonë si një përpjekje e dëshpëruar për ta shndruar pa-mundësinë në mundësi por harrojmë që kemi një simbiozë e jo një fenomen të vetëm, nuk kemi “pamundësi”, por “pa – mundësi”.
Nëse i kthehemi vajtimit. Ka lindur me njerëzimin dhe kjo është një nga provat që besimi te Zoti është i pasardhur. Vajtimi tregon se njeriu kur shikonte trupin e të afërmit të ngrirë nga fryma e vdekjes, shpërbërjen e tij, ndjente një dhimbje të thellë të cilën e shprehte në atë mënyrë që nuk ka ndryshuar ende sot e kësaj dite. (madje duhet thënë se kur lepuri ikën me vrap, e ndjekur nga qentë, ose gazella nga leopardi, është instikti i jetës që e nxit ta ruajë, si diçka vlerën e ti cilit në një mënyrë e di, përndryshe nuk do të vraponte, por do ta shikonte indiferente gjahtarin e vet. Ndërsa sorkadhes i pikojnë lot nga sytë kur është duke vdekur, etj).
Vajtimi është reagimi ndaj një humbjeje të parikthyeshme. Gjë e njohur edhe nga bota e kafshëve. Një grup majmunësh të këqyrur vazhdimisht, dënuan një individ sepse u bë shkak që të vdiste një majmun i vogël. Grupi e braktisi dhe e la në mëshirën e fatit e natyrisht përfundoi në dhëmbët e një tigri. Ideja e vdekjes si humbje e pariparueshme është rrënjosur thellë në botën e gjallë si ide natyrale e trashëguar me të.
Nëse ideja e Zotit do të ishte e lindur e primare, atëhere është tepër e kuptueshme që njeriu nuk do të vajtonte sepse që atëhere ai do të mendonte në mënyrë natyrore se vdekja nuk është ikje e përgjithmonëshme, asgjësim përfundimtar dhe i pashpresë, por kalim diku tjetër, në një botë më të mirë!!!. Kur di të ardhmen, moskokëçarja bëhet veti. Pra do të kishim tjetër qëndrim e reagim ndaj vdekjes. Në fakt nuk do të ekzistonte koncepti i humbjes së përherëshme dhe as nevoja e ngushëllimit - ideja e Zotit si e tillë.
Qielli nuk ka preferenca, - thotë Remarku te romani i tij me të njëjtin titull.
Vdes që vdes, përse duhet të besosh? Cili është përfitimi? Asgjë! Humbja? e jashtëzakonëshme, shpërdoron jetën duke e rrethuar veten me dogma të kota. I përgjuar në çdo hap, i diktuar në çdo mendim, hipokrit, sepse do t’i përpunosh sjelljet e tua, shtijak dhe moralist. Kini ngrënë fasule? Sigurisht, të paktën njëherë në jetën tuaj. Të bësh pordhë më pas, nuk është dëshirë por detyrim. Mirëpo, ideja e Zotit në këtë rast është pikërisht ajo anë qesharake e moralit që të detyron, (ideja e mëkatit) edhe pse të pjerdhurit është nevojshmëri. Thotë mirë doktor Adhami: Kur t’u vijnë mos i mbani.
Çlirojeni jetën nga dogmat.