Lubonja e Baze replikojnë ashpër
Lubonja e Baze kanë repikuar në distancë i pari nga gazeta Korrieri dhe i dyti nga TemA në kuadrin e debatit të hapur ditët e fundit pas dhunës mbi botuesin e TemA. Tonet janë ashpërsuar dhe qëndrimet janë bërë më radikale. Më poshtë janë dy artikujt e botuar dje dhe sot të dy prej njerëzve më të njohur të skenës së medias në Tiranë.</p>
* * * * *</p>
Liri e medias apo liri e shprehjes?</p>
Fatos Lubonja</p>
Rasti i rrahjes së Mero Bazes nga biznesmeni Taçi ka rindezur edhe një herë debatin mbi lirinë e mediave. Së fundi ka pasur një debat të ashpër në emisionin “Opinion”, i cili pati si jehonë dy peticione kundër njëri-tjetrit, të firmosur nga qindra gazetarë e një numër shkrimesh.
Po përpiqem të shpreh mendimin tim lidhur me çka është thënë në këto debate nëpërmjet këtij shkrimi, që e konsideroj si vazhdimësi të dy shkrimeve që kam botuar së fundi në gazetën “Korrieri”, me titujt “Mbi mizerabilitetin e mediave” dhe “Fenomeni ‘Taçi’”..
Gjykoj se ka një spekulim me termin “liria e mediave”, kur kjo përdoret duke nënkuptuar lirinë e shprehjes. Janë dy gjëra të ndryshme, veçanërisht në Shqipëri. Mediat në Shqipëri nuk janë viktima, që kërkojnë të çlirohen, sikurse janë përpjekur shumë gazetarë (dhe jo vetëm), t’i paraqesin ato në këtë debat, duke identifikuar rrahjet e gazetarëve me rrahjen e mediave. Në Shqipëri, viktima e vërtetë është liria e shprehjes, kurse çështja e lirisë së mediave është diçka tjetër, më e komplikuar, madje me kundërthënie të forta. Sepse mediat te ne janë fatkeqësisht një nga shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit që është ngritur në Shqipëri, të cilin në shumë shkrime paraardhëse e kam quajtur “regjim mediatik”, i cili, si çdo regjim, është shtypës edhe i lirisë së shprehjes.
Le ta shtjelloj çka dua të them, duke u nisur nga debati mbi televizionin “Klan” (e jo vetëm), që u lakuan pas “Opinionit”, për shkak të deklaratave të Frangajt.
Çfarë është televizioni “Klani”? Sipas Bazes dhe mbrojtësve të tij, është një instrument i pushtetit të Berishës. Sipas asaj që tha Erion Veliaj në “Opinion”, është një viktimë e pushtetit, si shumë media të tjera, sepse nuk mund të mbijetojë dot pa lidhjen apo pa i shërbyer atij. Sipas drejtorit Frangaj, zgjedhja e “Klanit” për të qenë me pushtetin është një zgjedhje editoriale, ashtu siç është një zgjedhje editoriale ajo e “Top Channel” apo e “Neës 24″ për të mbështetur opozitën. Cila është e vërteta e gjithë këtyre televizioneve dhe e shumëve rreth tyre?
Sipas meje, këto tre argumente nuk e përjashtojnë krejtësisht njëri-tjetrin, por e vërteta e të vërtetave është ajo që e dimë të gjithë: këto media ose lindën si anekse të bizneseve të tjera të pronarëve të tyre, për t’i mbrojtur e zhvilluar ato duke shantazhuar politikën apo duke i shërbyer asaj, ose u bënë të tilla gjatë rrugës. Kurse të ashtuquajturën gazetari e “liri shprehjeje”, si material me të cilin punon media, ato e kanë përdorur në mënyrë selektive e abuzive për të shantazhuar politikën apo për t’i shërbyer asaj. Ky është thelbi i së vërtetës së tyre, i zhveshur nga detaje dhe nga hipokrizia e shumë pronarëve e gazetarëve. Dhe mediat nuk mund të quhen kurrsesi viktima të pushteteve, siç tha Veliaj, sepse ato kanë pasur një rol aktiv në ngritjen e ruajtjen e këtij sistemi. Dhe jo vetëm televizioni “Klan”. Televizioni “Top Channel” apo “Neës 24″ e me radhë janë edhe ato instrumente pushteti, por të pushtetit të opozitës, e cila është ndërtuesja e këtij sistemi mediatik pas vitit 1997, me protagonistë kryesorë Metën dhe Ramën, në njërën anë, dhe një numër biznesmenësh nga më të njohurit në vend në anën tjetër. Ato nuk janë pra të lira, pasi ato janë të ndërvarura plotësisht me pushtetet, që ato normalisht, po të ishin të lira, do të duhet të kontrollonin. Mjafton të kesh parasysh se mediave, ashtu si dhe partive politike dhe bizneseve më të fuqishme, nuk u dihen burimet e të ardhurave për të nxjerrë konkluzionin se bash te kjo ndërvarësi e bashkëfajësi qëndron lidhja midis tyre.
Prandaj, kur bëhet fjalë për dhunim ose favorizim të mediave, këtë duhet ta kuptojmë në kontekstin e luftës për pushtet midis dy forcave politike ekonomike, instrumente të të cilave janë edhe mediat. E në këtë luftë, ai më i forti, që zakonisht është ai që ka pushtetin qendror, fillon e dhunon tjetrin.
Në këtë kontekst po zhvillohet edhe konflikti i fundit lidhur me rrahjen e Bazes. Edhe Baze vetë nuk është thjesht një gazetar. Ai është edhe një pronar, të cilit i janë prekur interesat nga pushteti politiko-ekonomik që ka në krye Berishën. Që të jemi deri në fund të vërtetë, duhet thënë se ai gëzoi disa privilegje në krye të herës, kur Berisha mori pushtetin dhe ia morën ato me forcë, kur filloi të kritikojë pushtetin. Shkaku i prishjes ende nuk është bërë i qartë as nga Baze, as nga Berisha. Kryeministri ka heshtur (vetëm tani, d.m.th., shumë vonë për një juriste, e bija e tij, ka deklaruar se prishja ka ardhur lidhur me shitblerjen e “Temës”, ku Baze, sipas saj, i ka propozuar një skemë që mbante erë pastrim parash), kurse Baze ka pretenduar se prishja është bërë për të denoncuar mosmbajtjen e premtimeve nga kryeministri për të luftuar korrupsionin. As njëri e as tjetri argument nuk janë bindës. Dyshimi se prishja është shkaktuar për pazare të prishura është shumë i fortë dhe kjo flet shumë për çka po përpiqem të shtjelloj. Edhe Baze, pra, sipas meje, nuk ka arritur të bindë për principialitetin e kritikave të tij jo vetëm pse Berishës i ka mbështetur në të kaluarën bëma shumë më të rënda, por edhe sepse një luftë principiale kundër korrupsionit nënkupton goditjen e tij 360 gradë dhe jo përqendrimin në dy-tri shënjestra dhe lënien jashtë të shumicës, e veçanërisht të sistemit që e prodhon atë. Me këtë nuk dua të them se ai ka shpifur, siç akuzohet nga kundërshtarët e tij. Këtë mund ta provojë vetëm gjykata dhe vetë jam i prirur të besoj se më shumë se shpifja, e nervozon e vërteta. Por dua të them se ka goditur në mënyrë selektive, pra se ka përdorur të njëjtat metoda për të cilat akuzohet Berisha kur i thuhet se godet mediat në mënyrë selektive. Po kështu, këtë luftë Baze nuk do të mund ta bënte kurrsesi pa pasur një prapavijë politike dhe ekonomike, sepse thjesht si gazetar i pavarur, nuk do të mund ta mbante dot gazetën “Tema” as edhe një ditë të vetme. Dua të them pra, se në thelb të këtij konflikti nuk kemi të bëjmë me luftën midis medias si “qen roje” e interesit publik në njërën anë, dhe kërcënuesve të këtij interesi, cilëtdo qofshin ata, në anën tjetër, por me luftën midis dy pushteteve: pushtetit në rritje të Berishës dhe Metës e mediave pranë tij nga njëra anë, dhe atij të Ramës dhe mediave pranë tij, që synojnë ripërmbysjen e kësaj situate në anë tjetër. Nëse mund ta çoj pak më tej metaforën me “qenin roje”, mediat tona, si të thuash, lehin për të ruajtur gardhin e pronarëve dhe politikanëve të lidhur me ta, çka do të thotë se lehin në mënyrë selektive, sepse hajdutë të tjerë i lënë ta kalojnë gardhin pa problem.
Në këtë lloj lehjeje ekziston edhe një kod heshtjeje që Baze së fundi e ka shkelur. Sipas këtij kodi, gazetarët kanë akuzuar politikanët e njëri-tjetrit, por jo pronarët e njëri-tjetrit. Sipas këtij kodi, Sali Berishën, Edi Ramën e Ilir Metën mund t’i akuzosh sa të duash, por jo biznesmenët dhe veçanërisht jo pronarët e mediave që mbështesin ata. Ata duhet të jenë të lirë të kalojnë gardhin. Kështu, teatri i gjoja demokracisë sonë funksionon në rregull: të parët bëjnë lojën e demokracisë në skenë, të dytët tërheqin fijet e lidhjeve korruptive në prapaskenë. Kurse në darkë, pas rënies së perdes, të dyja palët bëjnë hesapin se sa kanë fituar nga spektatorët.
Ajo çka bie në sy sot përtej elementit psikologjik të Bazes, i cili në këtë njëanshmëri është shquar edhe për përdorje të goditjeve nën bark, është se interesat e palëve në konflikt, ku janë përfshirë edhe gazetarët, po bëhen më të ashpra. Ndoshta për shkak të krizës ekonomike që ka varfëruar tryezën. Ndoshta për shkak të polarizimit të mëtejshëm të politikës shqiptare; (ekzistenca e LSI-së si një pol i tretë siguronte pak më shumë hapësira). Ndoshta për shkak se në krye të politikës kanë mbetur dy persona antropologjikisht të ngjashëm, që ëndërr finale kanë eliminimin e çdo kundërshtari. Ndoshta pse kjo është rruga e pashmangshme e një diçkaje të ngritur keq, që kështu është e dënuar të dështojë.
Dikush, në këtë pikë, do të më thotë nëse është e drejtë të përdoret fjala “dështim” për këtë sistem mediatik. Pse të mos themi se kjo dialektikë ndeshjeje e interesave të kundërta edhe për pushtet mund ta çojë përpara të vërtetën edhe lirinë e shprehjes? Në shkrimin paraardhës e kam pohuar edhe vetë, por duke shtuar dyshimin e fortë, se “përvoja që kemi me akuzat e ndërsjella e të dyja palëve, që “harrojnë” përgjegjësinë e tyre, nuk na ka çuar shumë përpara”. Kam shkruar edhe për gazetari që “vret” të vërtetën nëpërmjet luftës së gjysmë të vërtetave. Për të kthjelluar këto dyshime, më erdhi në ndihmë një shkrim i gazetarit italian Marco Travaglio, ribotuar pikërisht në gazetën “Tema”, mbi gazetarët me kurriz të drejtë dhe me kurriz të lakuar. Midis të tjerash, Travaglio, duke folur për gazetarinë që i shërben njërës palë kundër palës tjetër thotë: “Është shumë më e mirë mungesa totale e informacionit, sesa një shumicë e informacioneve gjysmake ose false”. E më pas shton: “Duke bashkuar dy gjysmë të vërteta, nuk arrihet një e vërtetë. Arrihet një dopio gënjeshtër, e më keq akoma, duke bashkuar gënjeshtra të ndryshme, arrihet një gënjeshtër me fuqi të shumëfishuar”. Për mua kjo gazetari e gjysmë të vërtetave, ashtu sikurse edhe politika e gjysmë të vërtetave që pasqyron ajo, janë një alibi e fuqishme edhe për sistemin gjyqësor që akuzohet sot pse nuk vepron. Një gazetari e së vërtetës të plotë do të ndihmonte edhe një sistem gjyqësor së pavarur, që do të ndëshkonte çdo krim kundër interesit publik dhe anasjelltas, një sistem gjyqësor i pavarur do të ndihmonte një gazetari të të vërtetave të plota.
Kjo historia e “gjysmë të vërtetave” ka filluar herët në mediat tona, shpejt pas lindjes së këtij sistemi mediatik që kemi sot. Një datë simbolike mund të ishte fushata e katarsisit të Nanos, i cili pati mbështetje të fortë mediatike. Rezultatet dihen: në vend të katarsisit patëm shtim të pisllëkut. Sot, pas dhjetë vjetësh, nuk di të them nëse prej asaj kohe e këtej shprehja e lirë, si nevojë për të vërtetën e plotë, ka ecur përpara apo prapa. Kur shikoj gazetarët e rinj që ka prodhuar ky sistem, që tashmë nuk merakosen fare të kenë një të vërtetë të tyren, por edhe shpinën gjithnjë e më të përkulur të të vjetërve, them me siguri që ka bërë prapa në favor të gazetarisë së gjysmë të vërtetave. Dhe një nga shkaqet, sipas meje, është se gjatë këtyre viteve ky sistem është konsoliduar në kuptimin se klasa e politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve që e ka ndërtuar atë, është konsoliduar në pushtet. Me aq sa mund të flitet për konsolidim, sepse rasti “Baze” tregoi gjithashtu edhe brishtësinë dhe kalbëzimin e këtij sistemi.
Dikush do të më thotë: këto i dimë, i ke thënë edhe herë të tjetra, por puna është sesi ta ndryshojmë këtë gjendje. Personalisht, para katër vjetësh e kam paraqitur një projekt, të cilin ma hodhën poshtë me fjalë dhe me heshtje, me veprime dhe mosveprime, si mazhoranca e Berishës, ashtu edhe opozita e Edi Ramës dhe mediat e tyre. Sipas meje, kjo sepse ata ishin tashmë vetë sistemi i gjysmë të vërtetave apo i dopio gënjeshtrës që unë propozoja të prishej. Në ndonjë nga shkrimet pasardhës, duke ndjekur edhe debatin që po zhvillohet, do të përpiqem t’i artikuloj disi më mirë disa prej ideve të asaj kohe, që më duket se mbeten aktuale, por edhe më të vështira për t’u realizuar sesa katër vjet më parë.</p>
***********************
REPLIKA E BAZES:</p>
Shqetësimet për bashkëjetesën dhe mbijetesën në media</p>
Mero Baze</p>
(Një replikë me kolegun Fatos Lubonja)</p>
Dje, ndoshta me vonesë, kuptova se problemet, me të cilat ndeshet puna ime si gazetar dhe problemet, me të cilat ndeshet kolegu im, Fatos Lubonja, janë të ndryshme. Në shkrimin e tij të djeshëm në gazetën “Korrieri”, në një përpjekje të mundimshme për të bërë diferencën mes lirisë së shprehjes dhe lirisë së medies, Lubonjën, ndryshe nga unë, e shqetësonin dy probleme të mëdha: Problemi i parë dhe shumë i madh për të është se “cilat janë pazaret e prishura mes meje dhe Berishës”, një pyetje kjo e neveritshme prej së paku katër vjetësh, dhe problemi i dytë, i cili shfaqej gati në formë habie dhe meskiniteti, ishte se ku i gjej unë paratë, që akoma, e theksoj akoma, vazhdoj të botoj gazetën “TemA”.
Në fakt, problemet që ka liria ime dhe liria e shumë kolegëve të tjerë të mi për të qenë gazetarë sot, janë të ndryshme. Ato kanë të bëjnë mbi të gjitha me përpjekjet për të thënë të vërtetat tona dhe marrjen përsipër të kostos shpesh deri fizike për të mbijetuar pas këtij akti. Shqetësimet e zotit Lubonja i ngjajnë rëndom shqetësimeve të njeriut që përpiqet të përligjë bashkëjetesën e tij me diçka që s’do ta kishte qejf ta kishte si fat, por që s’ka fuqi ta zbojë tutje, kurse unë dhe kolegët e mi të gazetës “TemA” nuk e kemi problem këtë lloj bashkëjetese, por mbijetesën, që tashmë na e kanë imponuar.
Meqë për zotin Lubonja shqetësimet e mia reale nuk janë pjesë e shqetësimeve të tij, siç nuk janë dhe të një pjese tjetër të medies, për respekt të historisë së tij do t’i përgjigjem, jo për shqetësimet e mia, por për shqetësimet e tij.
Shqetësimi i tij mundimshëm, nëse “unë me Sali Berishën jemi prishur për pazare”, tani, edhe pas gati katër vitesh, është banal. Zoti Lubonja ose të ngjashmit e tij në këtë makth duhet së paku të gjejnë qoftë dhe një rast, kur dikush në këtë vend është prishur me Sali Berishën, se s’ka rënë dakord për pazare me të. Edhe ata që 18 vite më parë janë ndarë me të për pazare postesh, janë rikthyer tek ai, se e kanë gjetur më në fund pazarin. Edhe ata që janë ndarë me të pas 1997-ës, se nuk kishin çfarë të vidhnin në opozitë, janë rikthyer prapë, sapo erdhi në pushtet. Edhe ata që kanë urdhëruar arrestimin madje dhe vrasjen në tentativë të tij, janë rikthyer prapë dhe tashmë kërkojnë eliminimin e opozitarit të radhës. Pra, profili i Sali Berishës, sidomos pas rikthimit në pushtet, nuk të lë asnjë dyshim se me të mund të prishesh për pazare. Për pazare me të tani mund të bëhesh mik dhe të harrosh gjithë historinë tënde me të, dhe nëse e ke pasur armiqësore, siç e kanë pasur shumë nga ata që janë në kabinetin e tij.
Arsyeja tjetër, përse unë me Sali Berishën nuk jam prishur për ndonjë pazar, është dhe sjellja jonë e ndërsjellë. Është e vërtetë se unë kam bërë akuza të forta dhe ekstreme ndaj tij dhe ai po ashtu s’ka lënë gjë pa bërë për të shkatërruar biznesin dhe mbijetesën time si gazetar. Në të tilla raste, një njeri që do të ishte prishur për pazare, s’do të guxonte as të hapte gojën dhe ai tjetri as të ngrinte dorën. Nëse do të kisha qoftë dhe një moment kompromentimi me Sali Berishën, do t’i ngjaja atyre bashkëpunëtorëve fatkëqij të Sigurimit, që vetëm për operativin e tyre nuk flasin. Dhe për ta mbyllur këtë debat të pështirë, që fyen dhe Sali Berishën në fakt, do të thosha se dikush që prishet për pazare, nuk largohet nga pazari. Shembuj ka me bollëk dhe te vetë stacioni televiziv Klan, ku Lubonja angazhohet. Dhe duke e hedhur poshtë me neveri këtë meskinitet, do t’iu lutesha më mirë të debatonim përse duhet prishur miqësia me udhëheqës të tipit Sali Berisha, kur ata sundojnë, kështu siç po sundon ky. Nëse unë e kthej debatin në të kundërt dhe pyes plot kolegë të mi, përse nuk e ngrenë zërin kundër Sali Berishës, po të përdor logjikën e tyre, kam të drejtë të them, se kjo ndodh, sepse ata nuk janë prishur ende në pazare me të apo janë dorëzuar në një sistem që poshtëron profesionin tonë. Nuk e kam thënë kurrë dhe nuk do ta them kurrë këtë për askënd, dhe për ata që i shoh se turfullojë të pafuqishëm nga ky poshtërim, pasi kjo nuk është një betejë kolektive, por mbi të gjitha individuale. Duke qenë e tillë ajo nuk detyron askënd të luftojë medoemos, por natyrisht dhe askënd të fyejë ata që luftojnë medoemos. Kur në këtë betejë ka shumë individë dhe kur ata dominojnë me betejat e tyre, natyrisht një debat i tillë si ky i Lubonjës kundër meje bëhet periferik. Argumenti i Fatos Lubonjës se unë kam mbrojtur “bëma dhe gjëma” më të mëdha të Sali Berishës më parë dhe kjo është një arsye, se të dy i jemi nënshtruar një “Kodi të Heshtjes”, është po ashtu i pabazë. Unë, jo vetëm që s’kam mbrojtur asnjë bëmë të Sali Berishës në pushtet, por ndjehem keq që jam shumë i vetmuar shpesh në betejat kundër bëmave të tij. Unë kam qenë një mbështetës publik dhe gati-gati një luftëtar për të ri-ngritur figurën e Sali Berishës pas vitit 1997, kur ai ishte në opozitë dhe përfaqësonte një opozitë, e cila po dërrmohej pa mëshirë. Nuk dua të ribëj histori, pasi atë s’ka qejf ta kujtojë as Sali Berisha dhe as TV Klani, por dua të them se për mua shumë pak gjëra kanë ndryshuar në profilin tim si gazetar. Unë kam përballë të njëjtët njerëz, të njëjtat probleme dhe të njëjtat teza: Antiopozitarizmin dhe korrupsionin. Kam përballë sërish TV Klanin, që nuk është se zgjedh “politikë editoriale”, siç thotë Lubonja, por zgjedh pushtetin e korruptuar për t’i dalë zot fitimeve të veta të paligjshme. Krahasimi vulgar se TV Klan ka zgjedhur pushtetin si Top Channel opozitën, megjithëse çalon, edhe sikur të merret i mirëqenë, ka një diferencë të madhe morale, nëse nisemi nga paranoja e Lubonjës se dikush i paguan. Të zgjedhësh opozitën, e ke të sigurt, se së paku nuk ke zgjedhur pagesën, s’ke zgjedhur tenderët, s’ke zgjedhur pushtimin e tokave të të tjerëve, s’ke zgjedhur zaptimin e Kinostudios, dhe as reklamat qeveritare me shumicë. Asnjë paralele nuk mund të bëhet mes këtyre dy fateve. Kjo më shfajëson dhe mua për atë pse kam mbrojtur Sali Berishën në opozitë për tetë vite, pasi në atë kohë gazeta ime dhe unë sërish ishim pa pará, me mundësi ekstreme mbijetese dhe me një pushtet arbitrar, që stimulonte izolimin dhe ekstremizimin e qëndrimeve. Ato “bëma dhe gjëma” që unë ia kam justifikuar Sali Berishës për tetë vite në liri, janë thjesht betejat e tij për të mbrojtur opozitën, për të protestuar ndaj vjedhjes së votave, dhe natyrisht, për të mundur një sistem kleptokrat. E vetmja gjëmë që nuk i mbuloj dot Sali Berishës është se tashmë është aleat me ata që mundi më 3 korrik të 2005 dhe unë jam sërish përballë gjithë tyre, tashmë dhe Sali Berishës.
Shqetësimi tjetër madhor i Fatos Lubonjës, i përsëritur dhe më parë, është burimi financiar i gazetës “TemA”. Dua t’i kujtoj Fatos Lubonjës, se prej 11 muajsh shtypshkronja dhe investimet e tjera të gazetës “TemA”, të cilat shkonin deri në 500 mijë euro, janë bllokuar me dhunë dhe janë shkatërruar prej qeverisë. Deri atëherë gazeta mbahej me biznesin e shtypshkronjës së saj në mënyrë modeste dhe mund të mbijetonte. Prej 11 muajsh ajo është në rrugë prej Sali Berishës, dhe thuajse ka kaluar çdo limit mbijetese. Ekipi është shkurtuar tri herë dhe tashmë ajo është më shumë një neësletter editoriale sesa një gazetë e mirëfilltë dhe e plotë pikërisht për shkak të problemeve financiare. Unë vetë punoj aty vullnetarisht dhe paguaj prej pagës sime në një medie tjetër rrogat modeste të disa gazetarëve që bëjnë të mundur botimin e saj. Në këtë gjendje skeletike që e ka katandisur qëndrimi politik i Sali Berishës ndaj medies kritike, ajo ka një buxhet aq modest, sa do turpëronte çdokënd që do ishte përgjegjës i atij projekti. Për këtë unë jam gati që nesër t’u lë me orë të tëra, nëse keni kohë, të bisedoni me financieren e gazetës dhe po deshët dhe ta administroni atë vetë për të parë nga vijnë paratë dhe sa duhen për të mbijetuar. Ajo që më shqetëson në këtë rast, është meskiniteti i tepruar, që të punosh në një medie si TV Klani, ku miliona euro shkojnë në mënyrë të paligjshme nga arka e qeverisë në xhepat e pandershëm të një botuesi të korruptuar dhe të mos të të zërë gjumi, përse nuk mbyllet një “neësletter” si gazeta “TemA”, e cila i prish gjumin qeverisë. Jo, i dashur Fatos. Në këtë gjendje që e ka çuar qeveria gazetën “TemA”, ajo nuk mbyllet më.
Ajo që mua më duket e tepërt, është se në gjithë këtë lukuni mediesh, që rrojnë, herë duke iu servilosur Ilir Metës me Edi Ramën, kur ishin bashkë në pushtet, dhe tani Ilir Metës me Sali Berishën, çuditem se si shqetësim përbën fakti se, “si ka mundësi që nuk mbyllet kjo gazeta “TemA”. Kjo është një pyetje torturuese për zotin Berisha, i dashur Fatos, dhe ty nuk të ka hije. Lëre atë t’ia bëjë vetes dhe miqve të vet këtë pyetje dhe kur të humbasin qetësinë, siç e kanë humbur shpesh këtë vit, të nisin jeniçerët e tyre të djegin makina, të rrethojnë redaksitë dhe të mbrojnë ditën banditët, që nisin për të linçuar gazetarë natën. Mos e lejo veten të vuash nga të njëjtat makthe që vuan dhe Sali Berisha për ditën kur do mbyllet kjo gazetë. Realisht nuk ke asgjë të përbashkët me të, dhe këtë gjë e them dhe e besoj. Beteja jote e respektuar kundër Edi Ramës në fillim të viteve 2000 nuk u paragjykua kurrë nga askush, as si prishje pazaresh dhe as si financim i dikujt tjetër. Është e tepërt të vulgarizosh betejën tonë për mbijetesë me paranoja që ne nuk i kemi pasur sinqerisht për ty. Ne e dimë se nuk jemi duke bërë një gazetari normale, pasi kjo s’mund të bëhet kurrë në një mjedis anormal, jo-konkurrent, dhe të korruptuar prej pushtetit. Ne e dimë se nuk jemi engjëj në betejën tonë, pasi përballë kemi djajtë.
Por jemi në luftë për mbijetesën tonë dhe si çdo luftë që nuk është mbyllur kurrë, pse ka munguar fisheku i fundit, dhe beteja e kësaj gazete me qeverinë nuk ka për t’u mbyllur kurrë për 30 lekëshin e fundit të një lexuesi, që ngrihet çdo mëngjes për ta blerë, qoftë dhe për ato pak faqe që i kanë mbetur, me një foto policësh në krye të çdo faqeje. Lëre Berishën ta përjetojë këtë makth, se ai e meriton. Ti ke bërë plot beteja për lirinë dhe pavarësisht zhgënjimit, s’ke pse zhgënjen dhe të tjerët. Na lër të zhgënjehemi vetë.(Shekulli)</p>
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26487. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26487