Tema e ditës

Diskutime mbi temat më të veçanta të ditës

Kontraceptivët, intimiteti që ndahet me farmacistët Sipas farmacistëve, kontraceptivët nuk janë më tabu për të rinjtë kryeqytetas.Ekspertja: Farmacistët të krijojnë ambient mikpritës
Tashmë, jo vetëm që nuk janë tabu, por guxojnë të bisedojnë me farmacistet rreth madhësisë, ngjyrave dhe aromat që kanë kontraceptivët. Ndërkohë, djemtë që nuk duan të bëjnë publike të dashurat e tyre, shkojnë vetë dhe blejnë kontraceptivin e emergjencës, pa as më të voglën ndrojtje.
Madje, kur kanë përballë ndonjë farmaciste të bukur, nuk i kursejnë as bisedat rreth marrëdhënieve të tyre seksuale. Kjo, është një dukuri që ndodh rëndom në kryeqytet, pasi farmacistët pohojnë, se po bien gjithnjë e më shumë tabut ndaj kontraceptivëve.
Por sipas tyre, ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, pasi shumë persona janë indiferentë ndaj metodave kontraceptive, dhe si pasojë, femrat bien pre e shtatzanive të padëshiruara dhe sëmundjeve seksuale, kur meshkujt nuk përdorin kondom.
Ndërsa gjinekologia, Lindita Myzyri pohon se: shpesh, meshkujt blejnë kontraceptivin e emergjencës për të dashurat e tyre, në mënyrë që të mos i bëjnë publike ato. Ndërkohë ekspertja e Planifikimit Familjar, Teuta Pipa, shpjegoi mënyrën se si farmacistët, duhet të krijojnë një klimë sa më të mirë për klientët që kërkojnë kontraceptivë.
Fenomeni
Tashmë trokasin në farmaci, jo vetëm për të blerë kontraceptivët por nuk ngurojnë të tregojnë as historitë e tyre. Farmacisti Armand Konomi, shpjegon se të rinjtë, tashmë janë shumë të interesuar, për të marrë edhe këshilla në lidhje me përdorimin e metodave kontraceptive.
“Meshkujt komunikojnë shumë lirshëm në lidhje me metodat kontraceptive, megjithatë, edhe femrat nuk hezitojnë ti blejnë ato, ndonëse me shohin se jam djalë, nuk e kanë problem të kërkojnë kontraceptivë”, – pohon Armand Konomi duke shtuar se përdormi i kontraceptivëve po vjen gjithnjë në rritje, por ende mbetet shumë punë në këtë drejtim, pasi shumë persona për shkaqe të ndryshme janë indiferent ndaj metodave kontraceptive moderne.
Ndërsa farmacistet femra, pohojnë se djemtë shpesh i vënë në siklet, tek bëjnë pyetje nga më të ndryshmet rreth kontraceptivëve sidomos për kondomët. “Sigurisht që të rinjtë nuk i’a përtojnë as shakarave. Fillojnë e pyesin për madhësitë e kondomëve, ngjyrave dhe çdo gjë që kanë lidhje me këto. Puna jonë është që t’ua shpejgojmë”, – pohon njëra nga farmacistet.
Farmacistët
Farmacistët duhet të krijojnë një klimë sa më të mirë për klientët e tyre, në mënyrë që ata të gjejnë një shërbim korrekt. Kështu u shpreh Specialistja e Planifikimit Familjar, Teuta Pipa, gjatë shpërndarjes së çertifiaktave të 48 farmacistëve, për trajnimin e organizuar nga USAID për metodat kontraceptive.
“Farmacistët duhet të krijojnë një ambient mikpritës për klientët dhe të krijojnë një kënd për të folur në intimitet me ta”,- pohon Pipa duke shtuar se ata duhet të gjejnë një gamë të gjerë kontraceptivësh në farmaci. Sipas saj, asnjëherë nuk duhet t’u mungojë informacioni dhe këshillimi klientëve, dhe nëse është nevoja, duhet që t’i referojnë ata drejt rrugës së duhur.
Specialistët: Kontraceptivët, jo vetëm për marrëdhëniet seksuale
Kontraceptivët, nuk shërbejnë vetëm për t’u mbrotjur nga shtatzanitë e padëshiruara apo për të shmangur infeksionet seksualisht të transmetueshme në rastin e kondorit, por edhe për të rregulluar ciklin menstrual.
Kështu u shpreh gjenekologia, Lindita Myzuri duke shtuar se periudha përpara dhe gjatë periodave mund të jetë e vështirë për disa femra dhe këto femra, përjetojnë kombinime mjaft individuale të simptomave. Sipas specialistëve ato mund të ndihen të fryra, të lodhura, ose mund të irritohen për gjëra shumë të vogla.
Gjithashtu ato mund të kenë aq shumë lodhje dhe dobësi ose një gjendje mjaft të rëndë shpirtërore, saqë e kanë të vështirë të ngrihen nga shtrati. “Kur simptomat janë të këqija, ato mund të ndikojnë seriozisht në jetën dhe marrëdhëniet personale.
Megjithatë, cilat do qofshin simptomat, nuk duhet t’ë bëshkëjetojnë me to”, – pohojnë specialistët, duke shtuar se marrja e pilulës së kontraceptivit mund t’i ndihmojë duke i bërë periodat më të rregullat dhe më të lehta, më pak të dhimbshme dhe më të parashikueshme.
Për më tepër, sipas specialistëve kontraceptivi Yaz, e lehtëson diskonfortin, që shkatohet zakonisht nga mbajtja e ujit në organizëm, i indikuar nga estrogjentë, që mund të rezultojë në fryerje të gishtave të këmbëve apo të gjirit. Madje ky kontraceptiv, redukton luhatjet hormonale të lidhura me ciklin menstrual.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27067. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27067

Meta e Topalli: Opozita të vijë në Kuvend Pas marrjes së vendimit nga BE-ja, Meta dhe Topalli i bëjnë thirrje opozitës të bëhet pjesë e Kuvendit
Ministri i Jashtëm: Çështja e zgjedhjeve është një kapitull i mbyllur që pas daljes së raportit të OSBE-ODHIR-it.
TIRANË – Zv-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për miratimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, i kërkuan dje opozitës që të kthehet në Parlament.
Zëvendës-kryeministri Meta, theksoi se, është në të drejtën e opozitës që të bëjë protesta, por sipas tij në një moment të tillë për Shqipërinë, ajo duhet të ketë si objektiv kontributin e saj për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Është e drejta e opozitës të bëjë protesta, por mendoj se në një moment historik, edhe opozita si qëllim kryesor të saj duhet të ketë kontributin për procesin e integrimit evropian.
Ky është një proces, që ka nisur prej kohësh në vendin tonë, është një proces ku kanë qenë të përfshira vazhdimisht mazhoranca dhe opozita të ndryshme, që kanë respektuar edhe rotacionin në sajë të zgjedhjeve që ka bërë populli shqiptar, është një proces i cili do të vazhdojë, dhe që pa dyshim, i fton të gjithë të bëhen më të përgjegjshëm, më të arsyeshëm, edhe më evropian”, – tha dje Meta.
Në një prononcim për mediat, ministri i Jashtëm Meta, nënvizoi se, opozita nuk mund t’i përgjigjet me dhunë thirrjeve të mazhorancës dhe ndërkombëtarëve.
Meta, shtoi se çështja e zgjedhjeve është një kapitull i mbyllur, që pas daljes së raportit të OSBE-ODHIR-it. Ai vuri në dukje, se mazhoranca e fton opozitën të bëhet pjesë e procesit të përmirësimit të standardeve zgjedhore.”Ky raport, tashmë ka dalë dhe është përshëndetur nga të gjithë vendet dhe pa asnjë diskutim, çështja e zgjedhjeve është një kapitull i mbyllur.
Çështja e përmirësimit të mëtejshëm të standardit të zgjedhjeve është një kapitull i hapur dhe qeveria ka qenë dhe është shumë e angazhuar për të përfshirë opozitën në këtë proces, madje, t’i japë edhe lidershipin e reformës së ardhshme zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë në standardet më të larta demokratike evropiane”, – u shpreh Meta.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë thirrje opozitës që të bëhet pjesë e Parlamentit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet kompromisi politik. Sipas Topallit, opozita duhet të jetë në Kuvend për të mos humbur rastin që të japë kontributin në ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Është një rast, të cilin opozita nuk mund ta humbasë. E humbi shansin për të qenë në Parlament, për të kontribuar gjatë këtyre dy muajve për t’u bërë pjesë e kësaj fitoreje”,- tha Topalli. Sipas kryetares së Parlamentit, deputetët socialistë do të gjejnë gjithë hapësirat e tyre, dhe se çdo deputet ka një kontratë dhe detyra me zgjedhësit, të cilave nuk mund t’i shmanget askush.
“Shfrytëzoj dhe një herë rastin, për të ftuar në Parlament deputetët socialistë. Ata, do të gjejnë hapësirat më të mëdha më të mundshme, që mund të imagjinojnë.
Në Parlament, ne kemi arritur kompromise të jashtëzakonshme, unë besoj se në Parlament do të bëjmë shume punë të rëndësishme, por në mënyrë të veçantë, Parlamenti, si i vetmi institucion që është përfaqësues, duhet të përcjellë kontratën që secili prej deputetëve, i majtë apo i djathtë ka me qytetarët e tij, me zgjedhësit e tij, ka detyra të mëdha dhe këtyre detyrave dhe kësaj kontrate nuk mund ti iki askush”, – theksoi Topalli

Berisha, tha se përgjigjet e pyetësorit, duhet të përfundojnë brenda dy muajsh.
Pyetësori për statusin, qeveria nis procedurat
TIRANË- Qeveria shqiptare, ka nisur procedurat e para për plotësimin e pyetësorit që do të lëshohet nga Komisioni Evropian, i cili do të vlerësojnë gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar ose jo në Bashkimin Evropian.
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, zëvendësministrja e Integrimit, Jorida Tabaku, theksoi se janë rreth 2200 pyetje që do të lëshohen nga KE-ja dhe që do të plotësohen nga administrata publike shqiptare.
Për këtë sipas Tabakut, janë ngritur grupet institucionale të punës si dhe një task- forcë, që do të punojë posaçërisht për këtë proces. “Janë 2200 pyetje që do të vlerësojnë gatishmërinë e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Janë ngritur grupet institucionale të punës.
E gjithë baza po hartohet, që këto grupe të kenë mundësi për veprimin e tyre gjatë procesit të plotësimit. Është krijuar edhe një grup Task- Forcë që po punon mbi këtë proces”, – tha dje zëvendësministrja.
Sipas saj, në këtë proces do të përfshihen rreth 800 persona, si dhe dhe personat që do të marrin pjesë në procesin e dhënies së përgjigjeve për pyetjet që shtrohen në pyetësor.
Ajo vuri në dukje gjithashtu, se data e përfundimit e gjithë dokumenteve ligjorë do të jetë 15 dhjetori i këtij viti. “Janë rreth 800 persona, që do të përfshihen në këtë proces përfshirë edhe personat që do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.
Është hartuar edhe një Plan Veprimi për plotësimin e këtyre procedurave. I gjithë informacioni do të hartohet online. Data e përfundimit të të gjitha dokumenteve ligjorë është 15 dhjetori”,- tha ajo.
Lidhur me procesin për plotësimin e pyetësorit, Kryeministri, Sali Berisha, theksoi dje, gjatë mbledhjes së qeverisë se zëvendëskryeministri, Ilir Meta, do të drejtojë këtë proces në koordinim me të gjitha institucionet shqiptare.
Berisha bëri të ditur edhe mundësinë e fillimit dhe mbarimit të të gjithë ecurisë së plotësimit dhe dorëzimit të pyetësorit. Sipas tij, nëse Komisioni Evropian do ta dërgojë pyetësorin në mesin e muajit dhjetor, atëherë duhet që qeveria ta dorëzojë atë, nga mesi i muajit shkurt i vitit të ardhshëm.
“Meta do të drejtojë procesin në tërësi, në koordinim me institucionet e pavarura. Sipas Kryeministrit, në mënyrë që procesi i plotësimit të pyetësorit të mbarojë brenda dy muajve, duhet që përkthyesve ekzistues t’u shtohen edhe 40 të tjerë për të kryer sa më mirë përkthimin e pyetësorit në gjuhën shqipe.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27070. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27070

Befasia e Kuzhes: Dua në kombëtare senegalezin e Dinamos, Diop! Trajneri i kombëtares shqiptare, kroati Josip Kuzhe, kërkon në ekipin kuqez futbollistin xhol të Dinamos, Ablaje Papa Diop. Ky është lajmi i bujshëm që gazeta ka mundur të sigurojë nga burime konfidenciale pranë trajnerit Josip Kuzhe. Për këtë fakt është informuar edhe presidenca dinamovite dhe pikërisht presidenti Besnik Sulaj, ka urdhëruar plotësimin e dokumentave të nevojshme që senegalezi të marrë dokumentacionin e mundshëm për nënshtetësinë shqiptare. Nëse ky plan i Kuzhes realizohet, nr.23 i Dinamos do të jetë lojtari i parë i huaj që do aktivizohet për Shqipërinë. Mbase për vetë skemën që trajneri Kuzhe preferon me kombëtaren kuqezi (4-1-4-1), Diop si një futbollist xhol mund te jetë i duhuri për të luajtur përpara mbrojtjes së Shqipërisë. Kujtojmë që ndaj Danimarkës këtë pozicion e ka kryer Elvin Beqiri, ndërkohë që ndaj Gjeorgjisë në miqësore ka qenë pikërisht Kristi Vangjeli që ka luajtur në kë rol. Në ndeshjet e fundit kemi parë që Klodian Duro është spostuar nga krahu i djathtë në rolin tip Pirlo përpara mbrojtjes kuqezi. Tashmë nëse plani Diop realizohet, trajneri kroat do të ketë një kartë më shumë në duart e tij për skemat dhe idetë rreth skuadrës. Papa Diop ka mbërritur në Tiranë gjatë sezonit 2004-2005 për tiu bashkuar skuadrës së Dinamos nga kampionati arab i futbollit. Tashmë senegalezi u bë gati 6 vite që jeton në Shqipëri dhe ka mësuar shumë mirë gjuhën tonë dhe komunikon pa probleme me shokët e skuadrës, por edhe me mediat e pranishme pranë klubit blu. Mosha e lojtarit të Dinamos premton për të ardhmen, pasi Diop më datën 12 dhjetor mbush 25 vjeç, çka do të thotë që ka një karrierë të gjatë përpara dhe nuk është në limitet e karrierës së tij. Është përfolur shumë për mbrojtësin e majtë të Tiranës, nigerianin Abraham, që mund ti bashkohej kombëtares sonë në kohën e trajnerit Ari Han. Por duket se fatin për të veshur një lojtar joshqiptar do ta ketë senegalezi Papa Diop, i cili me shumë mundësi duke filluar që nga eliminatoret Euro 2012. Vetë futbollisti në fjalë është kontaktuar rreth kësaj çështjeje nga drejtuesit blu dhe është shprehur më se i disponueshëm për të luajtur për ngjyrat kuqezi në të ardhmen, edhe pse çështja ende është duke marrë rrugën zyrtare me dokumentet e nevojshme për tu plotësuar dhe sigurisht Kuzhe sduhet të ndryshojë ide rreth lojtarit polivalent të bluve kryeqytetas.
Skeda e lojtarit
Emri: Abljaje Papa Diop
Datëlindja: 12/12/1984
Karriera: Dinamo 2004-2009
Vendlindja: Senegal
Pozicioni: Mbrojtës/Mesfushor (SportiShqiptar)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27073. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27073

Obama: Marrëdhëniet mes SHBA e Kinës shkojnë përtej tregtisë Presidenti Barak Obama tha se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën po zgjerohen përtej tregtisë dhe ekonomisë, siç janë ndryshimet klimatike, çështjet e sigurisë dhe ato të shqetësimeve ndërkombëtare.
Obama i bëri këto komente për gazetarët para takimit me kryeministrin kinez Ven Xhiabao, në ditën e tretë dhe të fundit të vizitës së tij të parë në Kinë si president amerikan.
Në fjalën e tij, kryeministri kinez po ashtu i mbështeti përpjekjet për të ndërtuar një partneritet të ri SHBA-Kinë, duke thënë se dialogu është më i mirë se konfrontimi.
Uashingtoni thotë se monedha kineze mbahet artificialisht në nivele të ulta duke i zënë frymën konkurencës dhe duke penguar rimëkëmbjen globale.
Ndërsa Kina është e shqetësuar se politikat financiare amerikane janë duke influencuar investimet e mëdha të saj në SHBA.
Pas Pekinit, Obama pritet ta përmbyllë qëndrimin në Kinë me një vizitë te Muri i Madh.

Obama në Shanghai: S’jemi kundërshtarë
Presidenti amerikan Obama që është në vizitën e tij të parë shtetërore në Kinë, ka thënë se të gjithë vendet duhet të pranojnë atë që ai e quajti e drejtë universale e shprehjes, lirisë së besimit fetar dhe informacionit.
Në fillim të një debati me disa të rinj në Shangai që po transmetohet direkt në internet nga Shtëpia e Bardhë, zoti Obama tha se Kina dhe SHBA nuk kishin pse të ishin kundërshtarë.
Më pas, presidenti Obama do të shkojë në Pekin për bisedime me udhëheqësit kinezë.
Presidenti Obama ka shmangur një grindje të mundshme me kinezët mbi Dalai Lamën, pasi ai shtyu një takim me të.
Vendimi i presidentit Obama për të shtyrë takimin i ka dhënë atij popullaritet në Kinë.
Qeveria kineze e sheh udhëheqësin tibetian si separatist të rrezikshëm.
Por kur vjen puna te çështjet e tregtisë, zoti Obama nuk po fiton shumë miq këtu. Një ndalim bërë importeve nga Kina si goma dhe tuba çeliku është kritikuar ashpër si proteksionizëm.
Kina gjithashtu bën përgjegjëse SHBA për krizën globale financiare. Pekini ka paralajmëruar Amerikën që të jetë më e përgjegjshme nga ana fiskale. Kina është mbajtësi më i madh i borxhit qeveritar amerikan.
Presidenti Obama ka përmirësuar imazhin e Kinës, por sipas një sondazhi të fundit, gjysma e vendit ende nuk e sheh me sy të mirë Amerikën pasi shumë njerëz besojnë se SHBA po përpiqet të pengojë ngritjen e Kinës si superfuqi.
‘Kina e fortë na bën mirë’
Një Kinë e fortë është në të mirën e të gjithëve. Kështu është shprehur Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, që gjendet për një vizitë disa ditore në Azi. “SHBA nuk ka ndërmend të kufizojë suksesin e Pekinit, por do të ndjekë një bashkëpunim “pragmatik” me Kinën në çështjet e interesit të përbashkët”, tha ai.
Obama ndër të tjera tha se “Nëse do të kultivojmë fushat e bashkëpunimit në të gjithë sferat e influencës do të thotë se ka progres për të gjitha vendet”. Për këtë arsye është e rëndësishme që të ndjekim një bashkëpunim pragmatik me Kinën në çështjet me interes të përbashkët: Nuk ka një komb të vetëm që mund të zgjidhë sfidat e mëdha të shekullit të 21-të.
Duke folur për sferën ekonomike, Obama u shpreh se “është një rajon që kalon pjesën më të madhe të biznesit tonë dhe ka blerë shumicën e mallrave tona”.
Ndërkohë që bëri apel për lirimin e të burgosurve politikë në Kinë.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27056. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27056

Ja fondet që përfiton secila ministri Pjesën e luanit e ka marrë Ministria e Punëve Publike me 51.9 mld lekë, rreth 10 miliardë më pak se viti 2009. Rritet fondi për Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale.
Buxheti,
TIRANË- Komisioni i Ekonomisë kaloi dje në parim prjektbuxhtin e vitit 2010 duke miratuar fondet për ministritë dhe gjithë institucionet shtetërore.
Në vend të parë me fondin më të madh ashtu si edhe një vit më parë qëndron Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit me 51.9 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e këtij fondi rreth 37 miliardë parashikohet të shpenzohet për ndërtimin e sistemit rrugor.
Rreth 9 miliardë të tjera do të shpenzohen për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, ndërkohë që për vitin 2009 fondi për këtë sektor ishte rreth 5 miliardë. Fondi i përcaktuar në buxhtetin e vitit 2010 për MPPTT-në është rreth 10 miliardë lekë më i vogël së ai për vitin aktual.
Nëse bëhet një krahasim midis shifrave të këtij vitit dhe atyre të vitit të ardhshëm, vetëm fondi për zhvillimin e rrjetit rrugor është rreth 52 miliardë, e barabartë me të gjithë zërin e përcaktuar për vitin 2009 ose rreth 19 miliardë më shumë se i vitit 2010.
Një zë të rëndësishëm në buxhtein e shtetit kap edhe fondi i ndarë për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës me 43.8 miliardë lekë. Shpenzimet më të mëdha në këtë sektor parashikohet t’i marrin investimet në arsimin bazë me 25.6 miliardë lekë.
Rreth tetë miliardë janë parashikuar për arsimin e lartë dhe 6 miliardë për atë të mesëm. Në krahasim me vitin aktual, buxheti i 2010-ës parashikon një ulje me 1.6 miliardë lekë të fondit për arsimin e lartë dhe rritje me 3 miliardë për arsimin bazë.
Gjatë prezantimit të buxhetit, kryeministri Sali Berisha kishte theksuar se arsimi do të ishte një nga priroritetet e këtij viti, ndërkohë fondi për këtë sektor në buxhetin e 2010 në krahasim me vitin aktual është vetëm 2.4 miliardë lekë.
Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është një nga përfitueset e mëdha të fondeve në buxhetin e shtetit. E renditur e treta ndër ministritë, ajo ka thithur rreth 43.6 miliardë lekë duke shënuar rritjen më të madhe me 9.2 miliardë lekë në krahasim me vitin 2009.
Pjesën më të madhe të fondit të përcaktuar për këtë ministri e thithin dy sektorë. Rreth 21 miliardë janë përcaktuar për sigurimet shoqërore ndërsa 20 miliardë të tjera për programin e mbrojtjes sociale.
Në vend të katërt për nga vëllimi i fondeve të marra qëndron Ministria e Shëndetësisë me 29.4 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të fondeve në këtë sektor e merr shërbimi i kujdesit dytësor me rreth 17.8 miliardë lekë. Rreth 8 miliardë lekë janë ndarë për shërbimin e kujdesit parësor.
Edhe shëndetësia është shpallur si një nga prioritetet e qeverisë ndërkohë që në krahasim me një vit më pare, fondet për këtë sektor kanë pësuar një rritje me 3.8 miliardë lekë.
Me pranimin e Shqipërisë në NATO, verehet edhe një rritje e fondeve të përcaktuara për Ministrinë e Mbrojtjes. Nga 23.6 miliardë lekë që ishte për 2009 ai është rritur në 25 miliardë. Pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, vendit tonë i është kushtëzuar përcaktimi i një fondi sa 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto për Mbrojtjen.
Më pas renditen Ministria e Brendshme me 17.5 miliardë lekë, ajo e financave me 7 miliardë, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Bujqësisë me nga 6.8 miliardë, Mjedisi me 2.1 miliardë, Ministria e Jashtme 2.3 miliardë. Për t’u theksuar është edhe fondi i përcaktuar për Televizionin Publik , rreth 570 milionë lekë.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27059. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27059

I dhunuari fundos dy të akuzuarit për pedofili Gjykata administroi dje dëshminë e G.B, një prej fëmijëve të keqtrajtuar nga Arnold e Kristodulu, në qendrën fëmijët e tij.Babai birësues i fëmijës, pohoi në rrëfimin e tij se pasi mësoi për abuzimet bindi disa prej tyre të denonconin
TIRANË- I përlotur e me zë të dridhur, nga rikujtimi i torturave, mesditën e djeshme dëshmoi për rreth tri orë në Gjykatën së Shkallës së Parë në kryeqytet, një nga fëmijët e abuzimit seksual në qendrën e konsideruar bamirëse “Fëmijët e tij” gjatë periudhës 2003-’05.
Fëmija që tashmë është birësuar nga prindër amerikanë, mbërriti në Shqipëri për të dhënë dëshminë e tij mbi krimet e kryera ndaj tij dhe fëmijëve të tjerë në ambientet e qendrës në vitet ‘03- ‘05, nga të akuzuarit, Dino Kristodulu e Robin Arnolds. Me kërkesë të prokurorisë, babai birësues Xhon Pancreas solli nga Kalifornia e SHBA-së, djalin e tij me inicialet G.B. për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj dy të pandehurve të akuzuar për “pedofili”, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold.
Dëshmia u dha nëpërmjet video-konferencës nga djali që tashmë është adoleshent. Herë pas herë ai ndërpreu rrëfimin për shkak të të qarave, për arsye të veprimeve abuzuese seksuale që ai tregonte. Këto sipas tij ishin kryer ndaj tij nga i pandehuri Dino Kristodulu (i dënuar në Angli vite më parë po për pedofili).
Rrëfimi
“Aty kam qëndruar për disa kohë, pasi isha jetim dhe endacak i rrugëve. Në atë shtëpi më ka marrë David Braun (apo siç i thonim ndryshe “babai”). Ai na ushqente dhe strehonte për të fjetur. Gjatë kësaj kohe në këtë qendër punonin disa të huaj, mes tyre edhe personi që më ka birësuar dhe më ka ndihmuar të denoncoj këto abuzime.
Në qendër kam qëndruar gati dy vite dhe ndërroheshin shpesh punonjësit. Shqiptarë nuk kishte shumë pasi “babai” nuk besonte tek ata. Shpesh ai na merrte në krevat dhe flinim me atë, duke na prekur në vende të ndryshme të trupit”,- rrëfeu fëmija i abuzuar, gjatë dëshmisë e tij.
Më tej ai tregoi: Kishte raste që abuzonte me gishta nëpër pjesë të trupit tim. Gjithashtu, shpesh ai merrte fëmijë dhe lahej bashkë me ta në banjë. Pas një kohe, në qendër erdhën Dino dhe Arnoldi. Ata punonin si vullnetarë në qendër dhe rrinin me ne gjithë kohës. Kishte raste kur Dino abuzonte me mua, duke më detyruar të bëja gjëra që nuk më pëlqenin.
Ai më detyronte të bëja seks oral apo edhe të më fuste gishtat mbrapa. Na kërkonte ta urinonim në gojë dhe ai sillej si i çmendur”- tha djali G.B, para togave të zeza me disa herë ndërprerje të dëshmisë për shkak të gjendjes emocionale jo të mirë të tij. Në fund të dëshmisë ai kërkoi të dënohen abuzuesit e tij dhe të shokëve dhe bashkëmoshatarëve të tij.
Veç të dëmtuarit, dje dëshmoi edhe birësuesi i fëmijës, Xhon Pancreas. Ai shpjegoi para togave të zeza, se djali i tij ka kaluar një kohë tmerri në atë qendër dhe kërkon kohë që ai të shërohet nga këto skena makabre.
“Me të ardhur në qendër si punonjës mësova për abuzimet që bëheshin ndaj fëmijëve dhe i binda G.B. dhe fëmijët e tjerë të dëshmonin në prokurori për abuzimet e kryera ndaj tyre”. Më tej ai tregoi se: Duke parë gjendjen e djalit G.B. kishte vendosur ta birësojë dhe ta rriste si djalin e tij.
Akuza
Dy të pandehurit e ekstraduar nga Anglia, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, akuzohen për kryerjen e veprave penale të “marrëdhënieve homoseksuale me të mitur nën moshë” në bashkëpunim. Gjithashtu, kjo gjykatë ka dënuar po për këtë vepër penale edhe drejtuesin e kësaj qendre, David Braun, me 20 vite burg.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27062. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27062

Masakrohet muratori pas sherrit në lokal Policia arreston autorin e dyshuar të krimit si dhe një bashkëpunëtor të tij, ndërsa bllokon një pistoletë.Pajtim Elezi, u gjet i pa jetë mëngjesin e djeshëm në Shkozë jo shumë larg banesës së tij.
Masakrohet me mjete të forta muratori nga Shkoza, pas një sherri me disa persona në një lokal.
Trupi tij gjendet i pajetë rreth orës 6.30 të mëngjesit në lagjen Shkozë të Tiranës, ndërsa policia e komisariatit nr.1, arreston autorin e dyshuar të krimit, një bashkëpunëtor të tij të akuzuarit dhe një tjetër që dyshohet se nuk ka kallëzuar krimin.
Shkak për grindjen dyshohet të ketë qenë gjendja e dehur e personave të cilët janë grindur në lokal për motive banale.
Pajtim Elezi, 37 vjeç nga Kukësi dhe banues prej disa vitesh në Shkozë, ka mbetur i vdekur në orët e vona të të hënës duke u gdhirë dita djeshme, pasi është goditur me dërrasë në kokë.
Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar Fatjon Lekën, 18 vjeç, të dyshuar të ketë vrarë me sende të forta 37- vjeçarin. Trupi i pajetë i Elezit u gjet nga banorë të lagjes së Shkozës, dje në mëngjes, disa metra larg vendit ku mendohet të ketë pasur fillimisht një përleshje trup me trup mes viktimës dhe autorit dhe më pas vrasja e tij me sende të forta.
Autori i dyshuar i vrasjes së Pajtim Elezit është arrestuar disa orë pasi është gjetur trupi i viktimës, në rrugën “Aleksandër Moisiu” në afërsi të Freskut, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Për këtë ngjarje është arrestuar edhe Altin Koldashi, 25 vjeç, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit. Pas kontrollit të ushtruar në banesën e Koldashit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip automatik.
Nga të dhënat zyrtare të policisë mësohet se prezent në vendin e ngjarjes ka qenë dhe një person tjetër i njohur me emrin Refik Kurti, 34 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale të mos kallëzimit të krimit dhe do të ndiqet në gjendje të lirë.
Nga informacionet paraprake mësohet se debati midis viktimës dhe autorit të dyshuar të krimit ka ndodhur, kur të dy këto të fundit kanë qenë në gjendje të dehur. Sipas disa dëshmive të fqinjëve të Elezit, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të së hënës, duke u gdhirë dita e martë.
Nga informacionet e Policisë së kryeqytetit, mësohet se motiv i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një grindje e çastit midis viktimës dhe të riut Fatjon Leka që është arrestuar, si personi që i ka shkaktuar vdekjen punëtorit të ndërtimit.
Në grindje e sipër, Leka mësohet se e ka qëlluar 37- vjeçarin me dërrasë në kokë disa herë, duke i shkaktuar plagë të rëndë.
Pasi Elezi është qëlluar disa herë dhe ka gjetur vdekjen nga dëmtimet e rënda në kokë, trupi i tij më pas është hedhur pranë një shtëpie, në lagjen ku edhe ky i fundit jetonte.
Pasi është konstatuar se Elezi kishte vdekur, banorët e shtëpisë ku ishte hedhur trupi kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje për të nisur hetimet për atë çfarë kishte ndodhur. Trupi i viktimës është nisur më pas për në Institutin e Mjekësisë Ligjorë, ku edhe është kryer autopsia e tij për të mësuar shkaqet e vdekjes.
Personi që është arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes, akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje, ndërkohë që blutë e kryeqytetit po punojnë për të hetuar motivet e sherrit, që më pas ka përfunduar në vrasjen e 37- vjeçarit Pajtim Elezi. Viktima jetonte në një banesë private në periferi të kryeqytetit me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij, ndërkohë prej disa vitesh punonte si usta në ndërtimin e shtëpive.
3 persona janë marrë në ndjekje penale nga policia e Tiranës, pas ngjarjes së konstatuar mëngjesin e djeshëm nga Banorët e Shkozës. Një prej tyre akuzohet për vrasje, një si bashkëpunëtor dhe i fundit për moskallëzim krimi.
Të akuzuar
Fatjon Leka 18 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes, arrestuar në flagrancë Altin Koldashi, 25 vjeç, i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes, arrestuar në flagrancë Refik Kurti, 34 vjeç, dyshohet se nuk ka kallëzuar krimin. Hetohet në gjendje të lirë.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/shoqeria/masakrohet-muratori-pas-sherrit-ne-lokal.html. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/shoqeria/masakrohet-muratori-pas-sherrit-ne-lokal.html

Në Tiranën e çliruar me Fiqret Shehun Rrëfimi i ditëve në Tiranën e çliruar. Udhëtimi nga Berati për në kryeqytet me Fiqretin, të fejuarën e Mehmet Shehut dhe si e gjeta Tiranën
Pas 19 ditë luftimesh të rrepta, erdhi lajmi i shumëpritur i çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor 1944. Gëzimi i njerëzve dhe i partizanëve të mbledhur në oborrin e selisë qeveritare ishte i papërmbajtur, hidheshin thirrje dhe brohoritje për Shqipërinë e Lirë, për qeverinë demokratike, buçiste vendi nga vallet dhe këngët e partizanëve dhe nga të shtënat e armëve në ajër.
Ndërsa Enveri doli në dritaren e selisë për të përshëndetur dhe uruar njerëzit që ishin mbledhur në oborr unë e pushtuar nga emocione të forta kontradiktore, gëzimi dhe dhimbjeje, shkova në dhomën time të madhe dhe rashë përmbys mbi krevat e qava-qava gjatë me lot të nxehtë e ngashërim, duke kujtuar një nga një shokët e shoqet që luftuan së bashku, që nga Qemali e Vasil Shanto, edukatorët e mi të parë, Misto Mame, punëtori që mund të bëhej piktor i shquar, Mihal Duri, që vajti drejt vdekjes veç të kryente detyrën e ngarkuar.
Kujtova Vojo Kushin, me sy të qetë si qielli pa re dhe me trup partizani që u hodh mbi tankun e fashistëve, kujtova të riun shkodran Ludovik Shllakun, që më 6 prill (1939), kishte shkuar si vullnetar në mbrojtje të Durrësit e të gjithë Shqipërisë, u kthye në Tiranë i tradhtuar nga mbreti Zogu I dhe e pashë me sa trishtim nxori nga gjoksi flamurin kombëtar dhe mbuloi një varr të panjohur në mes të një fushe në të dalë të Tiranës, ku lagjja jonë kish shkuar për tu mbrojtur nga “bombardimi i rremë” sa të ikte mbreti me familjen e tij dhe floririn e popullit.
Kujtova e qava për shoqet e mia që në bankat e shkollës e në demonstrata, për Margaritën e bukur në pamje e në shpirt, me shpirt poeti por dhe në zjarr revolucionar e atdhetar, e gjeje në radhët e para të nxënëseve të Institutit Femnor të Tiranës, përkrah luftëtares energjike, shoqes time të ngushtë që në celulën e parë komuniste, Ramize Gjebrea, e bashkë me shoqe të tjera, grisnim flamurin me sopatat fashiste, kujtova flamurtaren sypatrembur të demonstratave të rinisë së Tiranës, punëtoren Frosina Plaku.
Përmenda vetëm këto me të cilët pata punuar dita-ditës, në vite, në forume e mbledhje të atyre kohëve, por shkova nëpërmend edhe ato dhjetëra -mijëra shokë e shoqe, që flijuan jetën e tyre në altarin e atdheut, duke luftuar heroikisht kundër pushtuesve, duke qëndruar krenarë para torturave, para skuadrave të pushkatimit dhe lakut të varjes.
Kjo ndjesi për shokët dhe shoqet e humbur, ka qenë për mua aq e fortë sa më dukej si e padrejtë që të hidheshim përpjetë për këtë fitore, “ajo u përkiste atyre, atyre që dhanë jetën për të, prandaj hapi i parë ishte dhe mbeti kujtimi e nderimi ndaj tyre.
Kujtimi e nderimi ndaj tyre është një “borxh” i përjetshëm që ka atdheu dhe populli ndaj tyre, por unë personalisht, në momentet më të shënuara gjatë gjithë jetës sime, kam kujtuar ndjesinë e asaj dite: edhe kur u martova dhe kur linda fëmijë i kujtova ato që s’arritën gëzimin të martohen dhe të krijojnë familje.
Sa herë Shqipëria festonte fitore të reja, kujtoja ato, të paharruarit tanë të lavdishëm, që nuk i panë dhe nuk i gëzuan ato që ndërtuan dhe u realizuan në sajë të sakrificës së tyre sublime.
I kam kujtuar dhe në momentet më të vështira të jetës sime, kur si për ironi të fatit, u burgosa po në ato qeli të shokëve dhe shoqeve të mia të ngushtë dhe u dënova me po aq vite burg (13 a 14) sa isha dënuar gjatë pushtimit fashist, por në mungesë. I kujtova dhe u betova: “Do të duroj si ju e do të qëndroj krenare si ju…para hakmarrjes ” të të mundurve nga ju dhe lufta jonë fitimtare nacionalçlirimtare!”.
Të nesërmen e lajmit të bukur të çlirimit të Tiranës, tek Enveri erdhi Fiqret Sanxhaktari (Shehu) dhe i kërkoi leje që të nisej në Tiranë, me që luftimet kishin mbaruar dhe ajo donte të ishte pranë Mehmet Shehut. Siç më kishte thënë vetë Fiqreti, ajo ishte fejuar me Mehmetin që në Përmet, kur po zhvillohej kongresi. Duke i dhënë pëlqimin që ajo të shkonte, Enveri mu drejtua mua: “Nexhmije, pse s’nisesh dhe ti bashkë me Fiqretin?
Unë këtu do të jem shumë i zënë me punë, ndërkohë edhe ti çmallu ca me prindërit e tu,- shtoi duke qeshur, se afroi koha të vemi edhe ne në shtëpinë tonë”. Kështu vendosa dhe unë të largohem nga Berati. U nisëm të dyja, me një miliçento. Me ne erdhi edhe një shok. Më kujtohet, që Ura vajgurore, a si quhej atëherë, ishte shkatërruar dhe e kaluam lumin me trap.
Kur kaluam në Qafën e Kërrabës e deri në Tiranë, pamë se ende dilte tym nga disa tanke të djegura, pamë, gjithashtu, edhe një kufomë gjermani të braktisur. Me të arritur në Tiranë zbritëm në qendër të sheshit “Skënderbej”, për të ecur në këmbë, për tu çmallur me Tiranën.
Ajo që më ra në sy menjëherë ishte minareja e bukur e xhamisë pranë Sahatit, së cilës, nga ndonjë predhë, i kishte mbetur vetëm gjysma. Në qendër të sheshit, ku kryqëzohen të gjitha rrugët që dalin aty, gjermanët kishin pas ndërtuar një bunker, pothuajse rrafsh me tokën, me frëngji, sa për të parë e për të nxjerrë grykat e mitrolozëve.
Nuk e di se nga hynin aty ushtarët, se mu duke shumë i ngushtë për tu futur nga sipër, ndoshta mund të kishin bërë ndonjë tunel nën shesh. Tregonin se ajo pikë-zjarri e armikut, kishte rezistuar gjatë dhe kishte bërë kërdinë duke vrarë dhe plagosur partizanë, që sulmonin me guxim, për ta eliminuar atë kuçedër që villte zjarr në zemër të kryeqytetit. Më në fund ajo u mposht dhe një nga piktorët tanë e ka hedhur në telajon e tij, duke vënë mbi atë bunker, si mbi një piedestal, partizanin fitimtar.
Në rrugën mbretërore, që mori emrin rruga e Barrikadave, dukeshin akoma mbeturinat nga lufta e ashpër që qe bërë në atë rrugë, siç tregonin nga njësitet guerile të Tiranës, në bashkëpunim me skuadra të specializuara partizanësh, të ndihmuar edhe nga të rinj vullnetarë dhe gra antifashiste tiranase. Në rrugën e Bamit, që mori emrin “Qemal Stafa” u ndamë me Fiqretin.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27047. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27047
Kasaforta prej gruaje Pas vdekjes së poetes më të madhe italiane të shek të XX-të, Alda Merinit, “Shekulli” boton për herë të parë disa poezi të saj dhe një shkrim të Nicola Saracinos i cili flet muzikalitetin, natyrshmërinë dhe mënyrën unike të ndërtimit të poezisë së saj
Pak javë pas vdekjes së saj, është një pirg librash të vegjël të editorëve të ndryshëm, pak a shumë të rëndësishëm, ajo që duket sot vepra e Alda Merinit.
Ende e pa kaluar përmes përkushtimit unifikues të distribucionit të madh dhe radiografisë së thellë të mendimit kritik, ende e pa përmbledhur në një korpus me veshje të dlirtë, akt i lartësimit në olimpin letrar botëror, ajo që kristalizon një autor në librari, e përhap në raftet publike dhe private të t’gjithë botës por nuk influencon mbi forcën e tërheqjes që ushtron në duart e lexuesit.
Prapëseprapë itinerari poetik i Merinit, që nuk nis dje, është një shkulm vullkanik që zgjat dekada me fat alternues që kur, shtatëmbëdhjetëvjeçare, publikon poezitë e saj të para. S’do jetë mund i lehtë, për kritikët, të rigrupojnë përmbledhjet e saj, të gjejnë karaktere dalluese për çdo grup, të lidhin veprat me peripecitë e jetës së saj dhe të ekzaminojnë influencat letrare tek të cilat është varur.
Kjo sepse Merini, krejt e ushqyer me art, ka sublimuar rregullisht realitetin e saj, duke ja asimiluar të vërtetës së artit dhe duke arnuar dialogje të një esence të thellë me personazhe të jetës reale, pranë saj, aq sa edhe format abstrakte të artit që ka përvetësuar.
Nuk ka një evoluim shprehës të dukshëm në historinë e prodhimtarisë së saj poetike. Stili qetësisht bisedor shkëputet krejt nga proza mbi krahët e një prirje impresionuese dhe natyrale tek metafora dhe një muzikaliteti që mbart më mirë mesazhin se sa ndërton shtratin ku ky vendoset.
Është një muzikalitet që shekuj poezie italiane e kanë mbështetur mbi pasurinë ritmike të endecasillabi, që Merini përdor me një natyrshmëri unike, të afta këto të krijojnë pushime dhe përshpejtime dhe të gdhenden në kujtesë edhe në mungesë totale rimash dhe asonancash.
Dhe, para se struktura e komponimit të bëhet tepër e skuadruar, iper-statike, ndërmjetëson vargje thjeshtimi, të shkurtra në reflektim o në rikoshet, ose vargje të gjata të përbëra nga më shumë vargje të shkurtra në numër, me rrokje të pabarabarta, që modulojnë tensionin shprehës.
E gjitha përbëhet me natyrshmëri ekstreme, në një harmoni të lehtë dhe lehtësisht imperfekte, të një imperfeksioni të vërtetë si shpirti dhe si keqardhja.
Janë kryesisht biseda në vetën e parë poezitë e Merinit, drejtuar një vete tjetër, që mundojnë dimensionin e unit psikologjik dhe abdikojnë të afirmojnë qendroren e një uni mitik o legjendar, duke harmonizuar kështu me përhapjen universale nga Vetja tek të tjerët, o me të njëjtën istropi të universit, ku çdo trup është qendër dhe është i bashkuar me gjithë të tjerët nga një moto që i ikën kaosit, duke bërë të parashikueshme distancat dhe të vrojtueshëm çdo bashkëveprim.
Nuk është, poezia e Merinit, një gërmim i vuajtur në shpirtin njerëzor apo një zbulesë e Fjalës, por më tepër është një udhëtim i ndriçuar mes forcave tërheqëse dhe shtytëse, pre-ekzistuese, të përhershme dhe rezistuese ndaj çdo vëzhgimi invaziv, është një rikumbim i fazave të frymëmarrjes universale që bashkojnë ligjet e universit dhe të atomit, që lidhin Zotin me çdo krijesë.
Në Taranto, vendi ku ka jetuar do vjet Merini, e kujtojnë si një grua të mjerë, sepse pa përmbajtje, ajo, manifestonte shqetësime e pazakonshmëri. Asgjë e pazakontë në këtë, asgjë për t’u shqetësuar një Poet i madh është një njeri i përçmuar, me serbator përherë në rezervë, që ushqehet me ushqim të freskët (nëse e gjen) dhe nuk nxjerr përfitim nga trafiku i produkteve të ngrira keq apo të ruajtura keq.
Përjetësisht e pazonja të mbronte veten, deri në pikën sa të mos mundte të ndalonte që t’i merrnin fëmijët sepse e deklaruar e paaftë t’i rriste, dinte të tregonte dhëmbët dhe të shpërthente me irë në vargje kur ishte pikërisht poezia ajo që sulmohej dhe fyhej nuk shkarkoj angullima por gjëmima natyre, ato që për mijëvjeçarë kanë penguar irën e Zotit kundër teprisë njerëzore.
Teksa ne fundosim Vetet tona në biseda të copëtuara, në teposhtë deri në një fund të paarritshëm, ku gjithçka do mbulohet nga pluhuri, Alda Merini është e dallueshme në çdo poezi të sajën ashtu siç është universi nga çdo pikë e tij.
Nëse është e mundur ti jepet termi “universale” një domethënieje, do themi që Ajo është në çdo poezi tonën, e që në një Univers të tillë le të bëjë pjesë!
Nga “Laraska grabiqare”
Fort i deshta do dashnorë t’ëmbël pa dit’ kurrë asgjë ato. E mbi këta arnova rrjeta merimangash dhe isha pre e materies time. Në mua shpirti kishte do kurvëri të engjëllores të gjakpirëses e të hipokrites. Shumë i dhanë një emër mënyrës time të jetesës dhe isha sak një histerike.
Nga “Moçali i Manganellit” Për ty, Giorgio, bufon i njohur i fjalës, skica ime e errët , dashuria ime e pathyeshme, kam ikur, pavarësisht teje, ndonëse më ke burgosur në njelmin e gjuhës tënde. Ti, më e para dashuria ime ke pasur njerëzi për fatin tim mizor, ti më ke marrë një ditë mbi bar, në pikën e diellit, perlën e rinisë time. Sa bukur ishte, i dashur, të t’ ndjeja të rremë. Dhe ti që s’doje. Ti, për të cilin isha Beatriçja e vuajtur e hijeve. Por s’ishe ti që më kishe ishte psikanaliza. Dhe në fund, Giorgio, kam pësuar gjithmonë atë që t’kam bërë t’pësosh.
Nga “Poezi per Marinën” Sa e kuptoj seksin Dhe mendoj për të gjitha baqthet e hapura por të papërlyera që si çelen acarit, do mbytja turpin e vargjeve për t’mos i parë kurrë të përgjaken. Përkundrazi burri yt të hap e të rimbyll Si një libër që s’di të lexojë Dhe se zbulon fjalën dashuri.
Ditëlindje
Për çdo vit që kalon më kaplon një lodhje e madhe e ditëve që vijnë, të zbrazta si bukuria jote nuk do të fyhet kurrë besoj unë nga vulgariteti i errët i kohës dhe nga ajo ndroja majmunore që frymon poetin. Përpara të kalojnë Kukulla njerëz që lypin veç një ideal që s’kanë njohur. Mes turmës ti vetëm s’ekziston.
Fletë poezie
Këto fletë poezie unë do t’i humb e alarmuar prej zhurmës së parë s’do mund t’ja dorëzoj plakut që ka njëmijë, dymijë oda.
Këto fletë poezie unë do ti humb duke i kaluar dorë më dorë si drogë për të gjithë.
Këto fletë poezie unë do ti rigjej të shtypura brenda një puthje.
Pastaj jam larguar prej tokës kam banuar në shtëpitë e poetëve kisha çelësat e të gjithë këtyre personave të mëdhenj që herë pas here qanin në tryezën time të shkrimit. Mund të t’them emrat e tyre mund të t’them historitë e tyre por ti për trupat e tyre s’ke qenë xheloz por për emrat e tyre. Me këto emra ata kanë hapur kasafortën time prej gruaje e më kanë vjedhur, është e vërtetë, kam patur duar grabitqare mbi mua kur t’ jam prezantuar isha aq e virgjër, aq e lakuriqtë dhe ti as që e ke vënë re që asnjeri s’më kishte prishur. Ky është misteri i gruas, të kalojë mbi kampe beteje dhe të gjendet e rrethuar nga njëmijë të vdekur që ajo si ka vrarë. Kanë vdekur të gjithë sepse donin të preknin lumturinë dhe ky është krim, është si të duash të vesh një gisht në zemrën e Zotit. Por po ikën, Po ikën sepse më do e nuk do doje të shihje kurrë kufomën tënde të shtangur mbi një shtrat që m’akuzon prej vitesh.
Përktheu nga italishtja: E Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27050. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27050

Ish-deputeti: Më ulni pagesën për djalin, skam të ardhura Ish-deputeti Taulant Dedja, ka kërkuar nga Gjykata e Tiranës të ulë detyrimin mujor që kjo gjykatë i ka caktuar të paguajë për djalin e vet pas divorcit. Padia e ish-deputetit socialist është rregjistruar në 28 tetor dhe mban si numër çështjeje numrin 13829. Për të vendosur mbi kërkesën e Dedjas, do jetë gjyqtarja Fiqirete Mullaj. Z.Dedja, djali i shkrimtarit të njohur Bedri Dedja është divorcuar dhe gjykata kishte caktuar asokohe që ai duhej të paguante 25 mijë lekë në muaj si pension ushqimor për djalin. Vendimi për këtë masë pensioni mujor pas divorcit është marrë në 3 qershor të vitit 2008 dhe mban numrin 1785. Tashmë Dedja kërkon uljen e këtij pensioni nga 25 mijë lekë në 13 mijë lekë pasi sic argumentohet në kërkesë ai nuk është më deputet dhe nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të përballuar këtë pension.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27053. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27053

Tuneli i tre kryeministrave Tre turqit e rinj, që janë brenda njërës prej kabinave të kampingut të administratës, para tunelit të Thirrës, të shikojnë si me përtesë. Pinë shumë duhan, ndërsa një djalë inxhinier shqiptar, që na ka prirë drejt tyre, hesht si me sustë. Njësoj si ai kanë heshtur dhe gjithë punëtorët që pyeten për tunelin. Me një anglishte gjysmake dhe fort me bezdi, turqit të tregojnë se ku mund të gjesh informacionin “e duhur” për shembjen e Tunelit të Thirrës. “In Reps, there is information. You can get her… our director of publik relacion…”. “Ku? – e pyesim, – saktësisht”. Na gënjejnë paq, sepse njeriu i shtypit të kompanisë është në Tiranë, dhe këtë e provojmë teksa dikush e merr nga hyrja e tunelit. Në sheshin para tunelit qëndron e patrazuar një ambulancë dhe panele betoni të kryqëzuara në kënd të drejtë dhe të tjerë panele me ngjyrë të kuqe. Asnjë hap më tej. Më kot, një ditë më vonë, do e provojnë edhe disa deputetë të majtë. Të gjithë këtë hapësirë e menaxhon një polic i nginjur, që ha ambulatisht diçka. Krejt i shkujdesur. Kur provon të bësh një hap më tej, ai zgjohet dhe… fillon gjeste me duar dhe këmbë. “Rruga është qytetërim dhe një rrugë që kalon përmes malesh është akoma edhe më shumë”, – kujtojmë fjalët e thëna të kryeministrit turk, Erdogan, në inaugurimin e tij.
Si ka ndodhur?
Nuk ka shumë kohë nga inaugurimi dhe tuneli nuk funksionon më. Kuptohet, edhe rruga. Makinat bëjnë rrugën e vjetër dhe këtë e ka provuar vetë dhe prefekti i Kukësit pak ditë më parë, kur i është dashur të kalojë një ambulancë në galerinë veriore. Duhet të pyesim, gjithsesi. E gjithë shembja ka ndodhur në galerinë jugore, në atë që në fakt nuk ka pasur ndonjëherë kalime të mjeteve. “Janë shkelur parametrat e kontratës, sipas menaxherit Mort – tuneli do të përfundonte në vitin 2010, në verë të këtij viti, kurse ai u inaugurua përpara kohe”. Me këtë argument specialisti i firmës nuk i lejon dhe deputetët. “Patëm rrëshqitje të masivit jugor në tunel, dhe nuk mund të hymë brenda. Mesi i tunelit paraqet probleme”. Menaxheri i projektit Darren Mort ka pohuar gjithashtu, se tuneli nuk ka mbaruar krejtësisht dhe se kontrata me qeverinë përfundon pikërisht në fund të verës së ardhshme. Por ne nuk e kemi këtë fat, sepse askush nuk na flet.
Bash në hyrje të tunelit, në të djathtë, gjendet një hangar i ndarë në tri seksione. Në njërin janë mbledhur disa burra; në tjetrin s’ka njeri; ndërsa në të tretin është vendosur një si rulotë, ku një djalë i ri shtrirë merret me telefonin e tij celular. Të tria apo të dyja shërbejnë si minibare. Djali na përcjell te burrat, sepse nuk ka ndonjë gjë të madhe. Nga jashtë vjen e pandalur zhurma e atyre pak makinave, të cilat kanë lidhje me tunelin. “Këta s’bënë një rrugë për pesëqind vjet, jo të bëjnë gjë të hairit”, – na thotë një punëtor, sepse duhet gjetur një justifikim në historinë tonë të ngatërruar me turqit. Si për ironi, në vesh na qëndrojnë fjalët e Erdogan, që theksoi rëndësinë e madhe që ka ndërtimi i kësaj rruge, ku, sipas tij, tani Shqipëria i ka afruar shqiptarët akoma dhe më shumë rreth vetes, dhe ku largësia ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm 3 orë.
“Ishte aq, – më thotë një shofer. – Se tash ban sërish dyfishin”. Dëshiron të futet në bisedë.
Biem shpejt në muhabet dhe gjithçka e zbut më shumë një gotë e stërmbushur rakie. Shembja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të enjtes, të një jave më parë – rreth orës 20:00. Ndërsa kanë qenë duke punuar në brendësi të tunelit, një masiv dheu ka rënë në pjesën veriore të tij. Dy syresh, që janë në këtë si hangar, mëtojnë se kanë qenë brenda. Ka pasur viktima? “Jo”, -më thotë prerë dikush. Punëtorët flasin njëkohësisht, por veçmas duket se i ruhen paq njëri-tjetrit. Dy që vijnë me uniformat e punës fosforeshente nuk pipëtinë, por, sa marrin vesh që aty ndodhet një gazetar, zhduken tej… prapa rulotës . “Shembja asht e madhe dhe shtrihet deri në 100 metra. Në këtë hapësin s’ka dritë dhe është bash e vështirë për ta pastruar”, – thotë një nga punëtorët. “E kam ni si tërmet”, – më thotë një burrë, që derdh pa kuptuar një lum fjalësh. Nga larg na ndjek një burrë, që nuk përzihet. Kur shikon kaosin, atëherë me fonemat e rënda të Veriut, që ai i gëlltit edhe më shumë në gojën e tij, fillon të na sqarojë. “Unë s’kam frikë, – më thotë. – Jam specialist.” Preng M. është 59-vjeçar, por gjithsesi na duhet të veçohemi pak: “Tuneli në 2000-metërshin e parë ka qenë material i fortë. Kur u shkëput kontakti i bakrit me kromin ka hasur në formacione me klorite dhe këto nuk kanë qenë të studiuara. Ata e dinin se deri diku ishin, por jo që ka pasur të dhëna ekzakte në hapësirën 12 me 8 të gjerë dhe 12 me 8 të lartë. Pas saj, tuneli ka qenë i pashtruar me beton dhe duke u futur oksigjeni krijohet përzierje dhe bien.. Kjo do të bësh kështu: një hap dhe pastaj me betonim… Gabimi ishte teknologjik asgjë më tepër … sepse ana gjeologjike s’është bërë më parë dhe ka qëndruar më shumë. Ka qenë shembje e madhe. Nuk dihet lart lartësia, sepse nuk punohet dhe duhet të punohej me harqe e pastaj të eliminohet. Ka punëtorë shqiptarë, por platformat i bëjnë turqit…”.
Nuk pipëtin më asnjë, por pak më vonë do marr vesh se burri është simpatizant i PD dhe këtij i lejohet të flasë lirisht. Burri ka respekt për punën dhe mëton se shqiptarët kanë bërë punë më të vështira. Ai vetë ka punuar më parë në tunelin e Gjadrit, ku më përmend një seksion 14×9 të bërë me makineri, vetëm se këto të sotmet ndryshojnë, sipas tij. Ka qenë pneumatike puna. Duhej të gërmohej dhe të betonohej. “Duhej të përfundonin këtu dhe të vazhdonin me qemer te tjetri. Politika është tjetër, kurse teknika është ndryshe”. Në fakt, dikush që futet befas në bisedë, më tregon me një skemë të vështirë se si mbahen tunelet dhe se kjo është bërë më shpejt. Por edhe ai nuk e do emrin, sepse do ketë siklete. “Është inauguruar më parë. A e kupton apo jo”, – thotë burri dhe largohet. Jo, dhe për këtë s’është dakord punëtori i vjetër. Më tregon se ka eksperienca të vështira, sepse veç Gjadrit ka qenë edhe në Librazhd dhe në Murrash. “Unë s’jam dakord që u inaugurua më parë, por ky dyshi (galeria jugore) nuk duhet të bëhej… Gabimi më fatal ka qenë lënia shumë pa betonuar. Ky është gabim teknik. Shembja mund të ndodhë kudo dhe ne kemi punuar në kushtet më të vështira, por kurrën e kurrës s’u falet kjo… dhe sidomos “Enkës”. Dhe unë jam për këtë, se ajo ka pasur mundësi të bënte njëherësh njëshin dhe pastaj të niste tjetrin. Kjo është bërë që të mbaronte shpejt”.
Kryeministri kosovar Thaçi: “Realizuam një ëndërr. U bashkuam”. Kryeministri Berisha: “Tuneli i kushtueshëm, por më i lartë çmimi i bashkimit dhe shërbimit që i bën qytetarëve dhe daljen në det që i jep Kosovës, dhe fqinjëve të saj”. Berisha mëton se ky korridor për nga përmasat e tij vetëm në segmentin Rrëshen-Kalimash tejkalon 4 deri në 5 herë HEC-in e Fierzës dhe mbi 2,8 here tërë kaskadën e Drinit.
Nga shkohet
Burri nuk do të flasë më. Në fakt, koha ka fluturuar. Tashmë, rruga nacionale Kukës-Tiranë ka marrë atributet e dikurshme. Ëndrra e shqiptarëve dhe kryeministrave mbeti në sirtarin, ku depozitohen premtimet e shumta, duke i bërë sërish të largëta Tiranën, Kukësin dhe Prishtinën mes tyre. Ca më shumë akoma, mospërdorimi i gjatë bëri që rruga e vjetër t’i nënshtrohej erozionit, duke u dëmtuar shumë. Në të njëjtën kohë, në Qafë-Mali, Shëmri dhe Qafë-Shllak punojnë një numër fadromash, që pastrojnë dheun e skarpateve dhe prurjet e erozionit, duke bërë që të mos ndërpritet qarkullimi. Për fat, përtej Kalimashit është autostrada dhe kjo i tërheq garipat dhe qindra e qindra drejtues mjetesh, që tentojnë dhe e presin shkurt. Në këtë mënyrë karvanët e furgonëve e fuoristradave e deri tek autoveturat dhe kamionët gjetën fill pas mbylljes së tunelit, një tip “arterie ndihmëse”. Fillimisht e kaluan vetëm fuoristradat, por më pas gati çdo mjet udhëtarësh preferon t`i kalojë asaj rruge. Është e rrezikshme ajo rrugë, sidomos në dimër, flasin dy burra, që kanë ardhur sakaq në hangarin tonë. Nga rruga e vjetër tentojnë kosovarët ose furgonët lokalë, që kuptohet se i troshitin shumë njerëzit. Ata pak që provojnë rrugën e vjetër e shohin me sy katrahurën. Për fat, rruga këtu shkon vetëm 50 minuta dhe pastaj mund të manovrosh. E kam të vështirë të kuptoj shpjegimin e gjatë të një burri dhe toponomastikën, për shkak se germat shpesh shkrihen në gojën e tyre. Një variant shkon Arrni (Qafa e Kombit) apo ajo e Qafës së Kumbullës te Laku i Qershisë. Kurse kryeplaku i Dardhasit, që ka zbritur me një kamionçinë nga fshati dhe tash është rrasur në cep të hangarit ka një version tjetër: “Për mendimin tim, si popull, rruga më e shkurtër është në hyrje të Çangës te Dardha te Qafja e Komit. Dhe dilte rrugë e sheshtë dhe me më pak probleme prej ngricave të krijuara. Por këto janë punë të qeverisë dhe unë nuk i di. Di se do dilte më shkurt”. Është i papunë, por ai më zgjidh dhe rebusin i pari, sepse shumë rrinë pa folur. Ata që njihen si mbështetës të së majtës, nuk flasin, sepse do kenë probleme në punë. Ai vetë s’ka ç’të humbasë më dhe çështjen e tij do ta përcjellë deri në Strasburg. Ka qenë dikur në postë, por e kanë pushuar. Versioni i tij i rrugës është ende më futurist. Kryetari i komunës së Fanit e ka penguar. Sa për kohën, më mirë e lëmë, të gjithëve këtu duket se nuk u duhet koha. Ndue Çeku është i egër dhe i vendosur në ato që thotë, por mllefi më i madh është me firmën dhe me punët jo të mira dhe se pse fshatin e tij e kanë anashkaluar! Dy herë ka organizuar fshatarët dhe kanë dalë në rrugë, sepse rruga, e cila është e vetmja arterie e tyre, nuk funksionon më në kushte optimale. Beson si të gjithë militantët socialistë që e majta do i fuste në burg.
Frika
Në fakt, askush s’ka hyrë në burg dhe deputetët e PS e vizituan për herë të parë vetëm këtë javë. Për fat, shembja s’ka ndodhur në tunelin që ka qenë i hapur, por në galerinë tjetër jugore dhe kjo situatë është normale. Kurse firma ndërtuese në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka”, e ka pohuar shembjen në tunel vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë, e në të gjitha herët e ka shmangur rrezikun që ekziston në të. Për hir të së vërtetës, thuhet se punëtorëve që ishin brenda u është thënë të kenë kujdes, por këtë e ke të vështirë ta konfirmosh. “Bechtel-Enka” vetë nuk e ka pohuar asnjëherë publikisht. Kur flet pa diktofonin në dorë, punëtorët të thonë se rreziku ka qenë i vazhdueshëm. Çdo ditë ndodhnin shkarje të dherave, gjë që kuptohet është hedhur poshtë me fraza teknike dhe si proces normal punimesh nga firma. Ca më keq akoma, duket se nga burrat që kemi përballë duhet të jetë dikush që prish punë, sepse ata pas pak kohësh nuk flasin më. Ndërkaq, bëjmë një hamendësim për harxhimet në tunelin e Thirrës, që me sa duket do të gllabërojë ende shifra të konsiderueshme parash nga ana e buxhetit të shtetit dhe do të ketë një kosto më të lartë për kurrizin e shtetit shqiptar. Teknikisht, diku kam lexuar se punimet në këtë tunel i konsideron si volum pune dhe për këto duhet që të paguhet nga ana e shtetit shqiptar. E kjo shifër, e cila duhet të paguhet nga shteti shqiptar, nuk mund të parashikohet, pasi firma ndërtuese nuk punon me çmime fikse, por thjesht nga vlerësimet. Kujtoj zërin e një specialisti, kohë më parë, që fliste për rrezikshmërinë dhe për këtë formacionin problematik, që po hasej në tunel… por, ashtu si ndodhin gjërat në Shqipëri, edhe kjo kaloi thjesht. Ky aksesor në qershor u quajt i mbaruar dhe kryeministri, Sali Berisha, para një turme ku valëviteshin flamujt e pafund të PD, theksoi fatin e madh të ndërtimit të saj dhe se Shqipëria dhe Kosova ishin bashkuar tashmë. Tashmë, shumë prej këtyre burrave, edhe pse nuk janë inxhinierë, të shprehen gati me një zë: Tuneli është hapur para kohe dhe se rreziku është kurdoherë shumë i pranishëm. Në njëfarë mënyre autoritetet shqiptare, që kanë lejuar kalimin në dy galeritë, duken si shumë të papërgjegjshme me këtë rast. Por ato vazhdojnë stigmën dhe talljen e atyre që ngrenë pretendime për tunelin. Sa i përket firmës, duket se menaxheri i saj ka qenë shumë konkret këtë javë në vizitën që kanë bërë deputetët: “Do ende kohë të mbarohet”, – është shprehur ai.
Si duhej
Në të vërtetë duhet të dojë kohë. Shfrytëzojmë rastin që ka pushuar pak shiu dhe dalim jashtë. Jemi poshtë flamurit të PD, që duket si pika e vetme e referimit në këtë mjedis betoni. Burri, që është militanti i PD, bëhet më lakonik: “Kjo teknologji është e vjetër. Pretendoja që do vinte një makinë me impiant pneumatik dhe pastaj me transportier e përcjell. Bën 30 metra në ditë, por me këtë s’u bë. Fajin për këtë e mban “Enka” për mua”. Shtrëngojmë duart. Një burrë, që e mbështet, më thotë se e njëjta firmë ka bërë punë të shkëlqyera me urat dhe me veprat e tjera të artit përgjatë aksit Durrës-Morinë, por këtu s’ka qullosur gjë!!! Ndahemi. Ndueja vazhdon të ankohet dhe më kërkon një kontakt me FIKS-in. Më merr madje për të më treguar fshatin, por habitem se si një burrë që pretendon se merr thjesht 15.000 lekë, të ketë mundësi të mbajë kamionçinën në këtë rrugë. Deklamon dhe më ankohet gjithë rrugën, që përshkruajmë bashkë nga anash tunelit dhe diku deri drejt fshatit të tij: “Jetojmë me blegtori dhe punojmë ato toka me dynym. Vepër e madhe, por këtu është korrupsion i madh. Duhej hapur rruga sipër tunelit dhe të mos hapej kaq shpejt për votim. Kam dëgjuar se në Turqi këto punë shkojnë për 4-5-6 vjet. Por ky tunel ka ujë shumë dhe nga të vjetrit dimë se do ketë probleme dhe të mendosh se ka rrugë tjetër që kishte diell dhe jo si këtu që nuk e rreh fare dielli”.

E qetësoj disi. I premtoj numrat. “PS u njoh sot me rrugën në Kalimash, kjo është pozitive. PS njohu rrugën, edhe pse me vonesë. Por do të doja që të kishte qenë vetë Rama në Thirrë”, – ua kthen ministri Olldashi nga Tirana deputetëve, që në sheshin ku marrin sqarim u duhet të përballin disa njerëz të drejtuesve të komunës së Fanit që duan të prishin takimin dhe gjithçka. “Ky është tuneli ynë dhe kjo është rruga jonë. Ikni andej nga keni ardhur! Ç’ju duhet juve me këtë muhabet”. Kanë të drejtë me të tyren. Për ta shteti është PD. Naimi do më thotë pak më vonë se hangari ishte në tri pjesë, sepse dy vëllezër, që e kishin, s’gjenin gjuhën me njëri-tjetrin. Zgjidh dhe ‘misterin’ e flamurit të PD mbi të, që është e njërit prej vëllezërve simpatizantë të PD.
Ne e kemi më lehtë. Ndueja më merr dhe më lë diku përtej rrugës kryesore, pasi më ka treguar rrugën për në fshat dhe pamundësinë e tyre. “Tashti do më heqin dhe vajzën nga puna, – më thotë-, që të jam ankuar”. Përshëndetemi thjesht. Turqit, që kam takuar përtej, më duket se kalojnë atypari. Largohemi, ndërsa shiu ka pushuar fare pak. Kurse fjalët e tre kryeministrave për tunelin të duken të largëta dhe të largëta pafund, ashtu si edhe fundi i dy galerive të Thirrës.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27038. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27038

Emri, Greqia e ndërkombëtarët presin sinjale nga Shkupi Qeveria greke tashmë i ka të qarta pozicionet e saj lidhur me kontestin e emrit, duke ofruar një “non – paper”, ku janë parashtruar të gjitha pikat që duhet të pranohen nga pala e Shkupit, në rast se dëshiron të zgjidh kontestin e emrit.
Identiteti, gjuha, toponimet, kodet ndërkombëtare, emrat e institucioneve, librat e të dhënat zyrtare, materialet dhe dokumentet e ndryshme shtetërore në nivel të brendshëm dhe të jashtëm janë të përfshirë në dokumentin grek, i cili është shqyrtuar nga kreu shtetëror i Maqedonisë, mirëpo kjo çështje vazhdon të mbahet si sekret i lartë. Për të gjitha këto, pala greke kërkon ndryshim duke përfshirë edhe emrin në radhë të parë. Greqia kërkon që të mos përdoret emri “maqedonas”, duke përfshirë përcaktimin e identitetit, gjuhës, institucioneve, kodeve dhe tërë gamën e gjerë të dokumenteve dhe të dhënave zyrtare. Greqia propozon që pas zgjidhjes së një emri të pranueshëm me përmbajtje gjeografike, atëherë duhet të rregullohet edhe çështja e emërtimeve të brendshme dhe të jashtme në Maqedoni, duke nisur pra nga identiteti. Pala greke synon që ky vend për shkak të multietnicitetit të përdor nocione të karakterit qytetar, në këtë kuptim duke synuar që në rast se emri do të jetë “Maqedonia Veriore”, atëherë do të lejohej që ata të quheshin si qytetar të Maqedonisë Veriore dhe jo maqedonas të veriut.
Këto të dhëna janë publikuar ditëve të fundit edhe nga gazeta “Etnos”, e cila ka sqaruar detaje të planit grek, të rishqyrtuar nga ekipi i kryeministrit Papandreu.
Kreu shtetëror i Maqedonisë nuk ka publikuar këto kërkesa greke, por duke i pohuar ato nëpërmjet një fjalori të paqartë. Ministri i Jashtëm, Antonio Milloshoski ka theksuar se bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit vazhdojnë edhe përskaj propozimeve maksimaliste të Greqisë “Republika e Maqedonisë edhe më tej do të jetë e kyçur në këtë dialog bilateral, i cili mbahet nën mbikëqyrjen e OKB-së. Presim që fqinji ynë jugor do të mbahet në normat nga kjo marrëveshje e përkohshme dhe në mandatin që e ka ndërmjetësuesi Nimic, dhe në bazë të së cilës mund të përcaktohet një dinamikë dhe të hapen diskutime për çështje të caktuara”, ka deklaruar ministri Milloshovski. Zgjidhja e kontestit të emrit tanimë ka rënë në nivel të dy partive politike VMRO-DPMNE dhe LSDM, të cilët kanë drejtuar dje kritika dhe akuza mes tyre lidhur me këtë çështje. (INA)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27041. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27041

Ujërat territoriale, pse ti ulim në 12 milje Relacioni i shtatorit 1989, i përgatitur nga katër specialistë shqiptarë pas notës së SHBA-ve
Në pjesën e parë të këtij materiali, për qëndrimin e Shqipërisë ndaj presioneve të huaja për zvogëlimin e gjerësisë së detit territorial, zbuluam një dokument të 20 viteve më parë, që tregonte, se Shqipëria kishte vendosur kufijtë e saj detarë në ujërat territoriale, duke i çuar ato edhe 15 milje detare.
Në qershor 1989, ambasada e SHBA-ve në Paris, me ndërmjetësinë e ambasadës Franceze, i çoi një notë qeverisë shqiptare, kundër kufirit 15 milje detare të ujërave territoriale, ku tregohet se Uashingtoni ishte i shqetësuar për kufirin e ujërave territoriale të Shqipërisë, të vënë në mënyrë të njëanshme nga qeveria komuniste që në vitet ‘70, duke kërkuar uljen e tyre në 12 milje detare, sa ç’e parashikonte Konventa e Detit e vitit 1982.
Ministri i jashtëm i asaj kohe, Reis Malile, informon qeverinë për notën e dorëzuar nga qeveria e SHBA-ve, duke zbardhur edhe tekstin e plotë të notës amerikane.
Në vijim është relacioni i përgatitur në shtator 1989 nga disa specialistë shqiptarë, ku i sugjerohen disa hapa shtetit të drejtuar nga Ramiz Alia, duke propozuar edhe rrugët se si ky ndryshim, të mos duket si tërheqje përballë SHBA-ve, por si njohje jozyrtare të konventës së detit dhe duke logjikuar se ulja e gjerësisë nga 15 në 12 milje nuk do ta cenonte sigurinë dhe ekonominë e vendit.
Relacion
Për disa probleme të ngritura nga qeveria e SHBA lidhur me gjerësinë dhe rregjimin e ujërave tona territoriale
Qeveria e SHBA, me anën e një note dorëzuar kohët e fundit nëpërmjet Ambasadës franceze, ka shprehur rezervat e veta për gjerësinë dhe regjimin e ujërave territoriale. Ajo konteston, si të pambështetura në të drejtën ndërkombëtare, çështjet e mëposhtme: a. Gjerësinë e ujërave tona territoriale përtej kufirit të 12 miljeve. b. Disa nga segmentet përbërëse të vijës bazë të bregdetit tonë (vijës ku fillon matja e gjerësisë së ujërave territoriale). c. Ndalimin e kalimit paqësor të anijeve të huaja ushtarake në ujërat tona territoriale.
Shënojmë se, nuk është e para herë që një shtet i huaj shtron ndaj nesh probleme të tilla. Në vitin 1976, kur me dekretin nr.5384, datë 23.2.1976, Presidiumi i Kuvendit Popullor, e rriti gjerësinë e ujërave tona territoriale nga 12 në 15 milje detare, disa shtete shprehën rezervat e tyre.
Por, kësaj here SHBA shtrojnë edhe dy çështje të tjera, atë të bazueshmërisë së vijës bazë, në përputhje me kërkesat e konventës për të drejtën detare dhe të kalimit paqësor të anijeve të huaja luftarake në ujërat territoriale.
Është fakt, se SHBA nuk duan të njohin si ujëra territoriale, rripin tonë ujor prej 3 miljesh përtej kufirit të 12 miljeve (deri në 15 milje). Megjithëse nuk rezulton që këtë ta kenë shprehur në ndonjë dokument, por e kanë treguar me veprime konkrete, duke futur në këtë zonë disa raste anijet e tyre luftarake.
Gjithashtu, kanë lënë të kuptohet, se dhe në të ardhmen, anije të tilla mund të lundrojnë në kufirin e 12 miljeve ose të hyjnë edhe në brendësi të zonës së 12 miljeve, duke krijuar kështu situate të ndërlikuara për interesat e mbrojtjes së vendit tonë.
Edhe pretendimi tjetër, për korrigjimin e vijës bazë të drejtë, do të ishte me pasoja. Një gjë e tillë, do të çonte në zvogëlimin e sipërfaqes së ujërave të brendshme, të ujërave territoriale dhe do të ndikonte edhe në ndarjen e shelfit kontinental me fqinjët tanë.
Prandaj, duke pasur parasysh, karakterin e veçantë e tepër delikat të këtyre çështjeve, një grup i përbashkët pune me specialistë nga MMP, MPB dhe MPJ e shqyrtoi edhe një herë problemin e ujërave territoriale, duke pasur parasysh normat ndërkombëtare e sidomos Konventën për të Drejtën e Detit të vitit 1982 dhe aktet kryesore të legjislacionit tonë.
Vendi ynë, nuk është palë në Konventën për Të Drejtën e Detit të vitit 1982, të cilës i referohet posaçërisht nota e Qeverisë Amerikane. Kështu që, nga pikëpamja formale-juridike, ai nuk është i detyruar që të zbatojë dispozitat e saj, sepse në bazë të së drejtës së traktateve (konventave të Vjenës të viteve 1969 dhe 1986), traktatet ndërkombëtare nuk mund t’u vënë detyrime shteteve që nuk janë palë në to. Aq më tepër, që konventa e vitit 1982 ende nuk ka hyrë në fuqi.
Megjithatë, theksojmë se konventa për të drejtën e Detit e vitit 1982 është disi e veçantë, pasi një varg dispozitash të saj, kanë marrë prej kohësh vlerën e normave zakonore dhe kanë gjetur zbatim të përgjithshëm.
Duke pasur parasysh këtë fakt, problemet e ngritura nga nota amerikane, nuk mund të shihen të shkëputura nga përcaktimet që janë bërë në konventën e lartpërmendur dhe nga qëndrimet që janë adoptuar nga shumica dërrmuese e shteteve të botës. Në këtë vështrim, çështjet paraqiten si vijon:
1. Mbi gjerësinë e ujërave territoriale të RPSSH:
Akti i parë, për caktimin e gjerësisë së ujërave territoriale të vendit tonë pas çlirimit, ishte vendimi i këshillit të Ministrave, nr.168, datë 9.12.1946, i cili e fiksoi atë në 6 milje detare (11 km e 112 m).
Më vonë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH, me dekretet nr.1535, datë 4.9.1952, nr.3325, datë 9.3.1961, nr.4650, datë 9.3.1970 dhe nr.5384, datë 23.2.1976 e rriti atë përkatësisht në 10 milje (18 km e 520 m), 12 milje (22km e 224 m), dhe në 15 milje (27 km e 780 m).
Siç shihet, vendi ynë, ndryshimin e fundit mbi gjerësinë e ujërave territoriale duke i rritur ato nga 12 milje në 15 milje detare, e ka bërë me dekret të veçantë, i cili në mars të vitit 1976, ju bë i ditur vendeve të ndryshme të botës duke u shpërndarë si dokument i OKB-së.
Argumentet që u përdorën në atë kohë, për të mbështetur ndërmarrjen e këtij vendimi, ishin kryesisht për arsye ekonomike dhe ushtarake, të cilat konsistonin siç thuhej në relacionin e atëhershëm “Në krijimin e disa kushteve të favorshme, në radhë të parë nga pikëpamja ushtarake dhe se kufiri prej 15 miljesh detare siguron të gjitha kuadratet ku peshkojnë anijet tona, shton pjellshmërinë e peshkut dhe lejon kontrollin nga bregu të anijeve të peshkimit”.
Ky vendim për rritjen e gjerësisë së ujërave territoriale, nga një numër shtetesh si p.sh: RFGJ, Britania e Madhe, Austria, Danimarka, Norvegjia, Italia, Jugosllavia, Greqia etj u konsiderua i papranueshëm dhe u cilësua si veprim që binte në kundërshtim me frymën dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Konventa për të drejtën e detit e vitit 1982, e fiksoi në 12 milje detare gjerësinë maksimale të ujërave territoriale. Pas kësaj, edhe shumë shtete, që në atë kohë e kishin gjerësinë e ujërave territoriale të tyre më shumë se 12 milje, e zvogëluan atë në kufirin e vendosur nga Konventa. Aktualisht vetëm 4 shtete, duke përfshirë edhe vendin tonë (Ekuadori, Guinea, Peruja, Shqipëria) nuk e kanë bërë akoma këtë gjë.
Duke parë rezultatet e vërtetuara në praktikë, gjatë periudhës nga viti 1976 e deri tani, tendencën e përgjithshme të zhvillimit të së drejtës së detit, si dhe duke i rishqyrtuar edhe një herë argumentet që u përdorën në vitin 1976, për rritjen e gjerësisë së ujërave territoriale, mendojmë se duhet riparë edhe një herë kjo çështje, duke e zvogëluar atë nga 15 milje në 12 milje detare.
Rënia në kufirin e 12 miljeve detare, të pranuar nga pothuajse të gjithë shtetet e botës, nuk e cenon në mënyrë të ndjeshme çështjen e sigurimit të shtetit dhe veprimtarinë luftarake të flotës luftarako-detare, pasi sistemi i zjarrit i artilerisë sonë bregdetare mbulon përgjithësisht kufirin e 12 miljeve dhe është i efektshëm për këtë distancë.
Diferenca prej 3 miljeve (nga 15 në 12 milje), është një distancë relativisht e vogël, që nuk ndikon në zbulimin larg të luftanijeve të huaja dhe në kohën e afrimit të tyre, pasi ajo kalohet për 10-15 minuta. Gjithashtu, aktivitetin e tyre të zbulimit, luftanijet e huaja mund ta realizojnë në distanca më të mëdha se 12 e 15 milje nga bregu ynë.
Një gjë e tillë, nuk do të ulë veprimtaritë ekonomike të anijeve tona të peshkimit, pasi nuk ka asnjë pengesë juridike që anijet tona të peshkojnë jashtë ujërave territoriale, Gjithashtu, kuadratet e gjuetisë së peshkut, si nga kufiri i 12 miljeve ashtu edhe nga ai i 15 miljeve, nuk mbulohen, pasi 50 për qind e tyre është jashtë këtyre distancave në det të hapur.
Ndërsa kontrolli i anijeve të peshkimit, nga bregu, me mjetet radioteknike, kryhet në distanca më të mëdha se 15 milje, deri në 21-25 milje. Veç kësaj, ndarja në të ardhmen e shelfit kontinental, në marrëveshje me shtetet fqinje, që siç dihet, ka filluar me Italinë që në vitin 1985, do të siguronte avantazhe, jo vetëm në drejtim të peshkimit, por edhe të kërkimit e shfrytëzimit të pasurive natyrore të kësaj zone.
Me qëllim, që ky veprim, të mos interpretohet si një farë tërheqje nga ana jonë, ose si ndryshim nga qëndrimet e deritanishme, mendojmë që ai të bëhet në kuadrin e ndonjë rregullimi në legjislacionin tonë për këto çështje.
Kështu, mund të saktësohej dispozita për shelfin kontinental duke e zgjeruar dhe plotësuar atë edhe me përcaktimin konkret të të drejtave që ushtron vendi ynë në të. Mund të krijohet zona e puqur, zonë kjo që shtrihet përtej ujërave territoriale në një gjerësi prej jo më shumë se 24 milje detare, duke filluar nga vija bazë prej nga matet gjerësia e ujërave territoriale.
Në këtë zonë, shteti ushtron kontrollin e nevojshëm për parandalimin e shkeljes së legjislacionit të tij, në fushën doganore, fiskale, shëndetësore ose të emigrimit. Mund të saktësohet dispozita përkatëse për kalimin paqësor të anijeve, duke e specifikuar në mënyrë të hollësishme se në cilat raste kalimi është paqësor.
Mund të vihen kufizime për kalimin në këto ujëra të anijeve të huaja që bartin lëndë bërthamore, të anijeve që transportojnë substanca radioaktive ose substanca të tjera me përmbajtje të rrezikshme etj.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27044. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27044

Gjykata: Jo gjykim të shkurtuar tre të akuzuarve të Gërdecit TIRANË- Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesat e Delijorgjit, Minxhollit dhe Pinarit, tre të akuzuarve të çështjes “Gërdeci”, për gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë disa nga të pandehurit kanë kërkuar të thirren si dëshmitarë në gjyq Fatmir Mediu, Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj.
Në seancën e sotme trupi gjykues nuk ka pranuar kërkesën e bërë pak ditë më parë nga avokatët mbrojtës të Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit e Dritan Minxholli, të cilët kërkonin gjykim të shkurtuar, një tentativë për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm.
Avokatët e të pandehurve i kërkuan Gjykatës, që të pranojë kërkesën për gjykimin e klientëve në aplikim të gjykimit të shkurtuar. “Jemi dakord të gjykohen me ato prova që janë siguruar. Në asnjë rast nuk pranojmë akuzat e ngritura nga Prokuroria, pasi ato janë të pabazuara ligjërisht, për të cilat në pretendimet tona përfundimtare do t’i argumentojmë”,- thanë avokatët e të pandehurve, Delijorgji, Pinari, Minxholli, Margariti, e kompanisë “Albademil”, një seancë më parë, kur u bë dhe kërkesa.
Por, kjo u kundërshtua nga prokurorët e çështjes, sipas të cilëve gjykimi i shkurtuar cenon procesin gjyqësor dhe dëmton provat e mbledhura prej tyre.
Vetëm pak ditë më parë, kjo gjykatë refuzoi kërkesën e ish-zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Agim Lala, për gjykimin e shkurtuar të tij.
Nëse kjo kërkesë pranohej nga trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, i shpëtonte automatikisht ata nga dënimi kapital me burgim të përjetshëm, nëse ata deklarohen fajtorë për akuzat e “vrasjes masive në rrethana cilësuese” në bashkëpunim.
Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve “Alba Demil”, mesditën e 15 marsit 2008 mbetën të vrarë 26 persona, u plagosën qindra të tjerë në fshatin Gerdec.

Nis “Gërdeci”, Mediu i dyshuari pa akuzë
29 tetor
TIRANË- Filloi dje zyrtarisht procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Përfaqësuesit e akuzës lexuan për dy orë kërkesën për gjykim me rreth 120 faqe në ngarkim të të pandehurve, duke parashtruar edhe provat që janë siguruar në fazën hetimore bashkë me listën prej 391 dëshmitarëve, që do të thirren prej saj në këtë cilësi në gjykatën e Tiranës.
Në listën e këtyre dëshmitarëve të akuzës, falë imunitetit parlamentar nuk ndodhej emri i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu tashmë me detyrën e ministrit të Mjedisit, edhe pse shpërthimi i Gërdecit ka ardhur si pasojë e urdhrave të lëshuar nga ai, sipas pretendimit të prokurorisë.
Sipas kërkesës për gjykim që u lexua nga katër prokurorët e çështjes, nga 30 minuta secili, në dosje përmendet emri i Mediut vetëm si qytetar dhe jo si person i pandehur. Siç dihet, me vendim të Gjykatës së Lartë, procedimi penal ndaj tij është pushuar falë imunitetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit.
“Për të provuar akuzat ndaj 28 të pandehurve të kësaj dosjeje, kërkojmë nga gjykata ta pranojë dhe të thërrasë me cilësinë e dëshmitarëve 391 persona, mes tyre, familjarë të viktimave, ish- punëtorë të punishtes së demontimit të municioneve, ish- dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, të nivelit të lartë, të mesëm dhe të ulët, ushtarakë e civilë, punonjës të firmave private, etj”- thuhej në kërkesën e prokurorisë.
Gjithashtu, sipas akuzës, u kërkua të merren në shqyrtim provat materiale të renditura sipas rendit alfabetik në 199 faqe, që i bashkëngjiten kërkesës për gjykim si dhe kërkesa për pyetjen e 27 të pandehurve të kësaj dosjeje, duke përjashtuar këtu vetëm të pandehurin “Albademil” si person juridik.
Ndërkohë, pas parashtrimit të kërkesave paraprake nga organi i akuzës, të gjithë avokatët e pranishëm në sallën e gjyqit kërkuan kohë për të paraqitur kërkesat e tyre për këtë procedim penal, kërkesë kjo që u miratua nga gjykata.
Ndërkaq, ajo refuzoi të rrëzojë kërkesat e mbrojtësve përsa i përket pavlefshmërisë për një sërë aktesh ekspertimi, të kërkuara prej avokatëve në një nga seancat e mëparshme, që kishin të bënin kryesisht me shpërthimin dhe vlerësimet e dëmeve.
Në fund trupi gjykues shtyu seancën për më datën 2 nëntor në orën 10:00. Të pranishëm në sallën e gjyqit ndodheshin vetëm 9 nga 27 të pandehurit. Të pandehurit e tjerë nuk preferuan të paraqiteshin. Gjithashtu, në sallë munguan edhe disa prej avokatëve mbrojtës, mes të cilëve edhe kreu i Dhomës Kombëtare, Maksim Haxhia.
Ai kishte kërkuar të shtyhej seanca pasi ndodhej në një proces tjetër penal, por gjykata vendosi ta zëvendësojë atë me dy avokatë kryesisht.
Prokuroria: Shpërthimi nga zhvendosja e kontenierëve të saposalduar
Nga hetimet disamujore ka rezultuar se shtetasi Fatmir Mediu, me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, me kërkesë të të pandehurit Ylli Pinari, ka firmosur urdhrin për hapjen e tenderit për çmilitarizimin e municioneve.
Më pas po i pandehuri Pinari bashkë me Patrik Henry, përfaqësues i kompanisë SAC dhe i pandehuri Mihal Delijorgji kanë hapur një shoqëri me emrin “Albademil”. Firma amerikane SAC ka fituar tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin e fishekëve, por me ndërhyrjen e Pinarit ka nënkontraktuar firmën e Delijorgjit “Albademilin” me përqindje. Kjo kompani ka filluar punën duke çmontuar municione pa krijuar kushtet elementare të sigurisë.
Përveç mos krijimit të kushteve të sigurisë, kompania e drejtuar nga drejtori teknik, tashmë i pandehur, Dritan Minxholli punësoi gra e fëmijë të pa kualifikuar në çmontimin e municioneve. Me datë 15 marsit 2008 në kohën e drekës, rreth orës 12:00 përgjegjësit e punëtorëve, duke parë se koha ishte pak e vrenjtur urdhërojnë punëtorët të fusin brenda kapanoneve dhe bunkerëve barutin që ndodhej jashtë.
Një kontenier i mbushur me barut, të cilit pak minuta më parë ia kishin salduar rrotat duke e shtyrë me forcë drejt kapanonit krijon flluska zjarri në beton, këto shkëndija mbërritën tek baruti që nisi të digjej. Duke parë skenën e djegies së barutit, punëtorët fillojnë të largohen me vrap për t’i shpëtuar shpërthimit të pritshëm që ndodhi pas disa minutash.
Djegia e barutit dhe predhave të pa çmontuara që ndodheshin aty shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, flakët e të cilit përqafuan qiellin, duke arritur në një lartësi prej dhjetëra e dhjetëra metrash. Shpërthimi solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve të plagosur. Njëkohësisht pati edhe dëme të konsiderueshme materiale, pasi shtëpitë e fshatrave për rreth u shembën bashkë me shumë biznese.
Sipas akuzës, të 28 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në role dhe kohë të ndryshme, kanë kryer një sërë veprash të rënda penale, duke sjellë për pasojë shpërthimin e ndodhur më 15 mars 2008 në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec të komunës së Vorës.(Shekulli)
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27035. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27035

Etnos: Greqia e vendosur në qëndrimet e saja rreth kontekstit të emrit me Maqedoninë Athina zyrtare qartëson qëndrimet lidhur me emrin e Maqedonisë. Sipas gazetës Etnos, Greqia i kërkon vendit fqinj, edhe ndryshimin e identitetit, gjuhës, toponimeve, kodeve ndërkombëtare, librave e të dhënave zyrtare. Gjithashtu, grekët i bëjnë thirrje autoriteteve, të përdorin nocione të karakterit qytetar. Nëse emri është “Maqedonia Veriore”, banorët të quhen qytetarë të Maqedonisë Veriore dhe jo maqedonas të veriut, për shkak të shumë-etnicitetit.
Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=24019. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=24019
Top