LAJM I FUNDIT
Lajm i orës së fundit: Lëvizja MJAFT nuk ekziston më. Imagjinoni festën e disave. Pas një viti e diçka, mori fund ai që mund të quhet një eksperiment ndoshta i parakohshëm për Shqipërinë. Djemtë e udhëheqjes, u treguan të dobët. Të mësuar me utopinë e një bote perfekte që ekziston vetëm në ëndërra, më në fund edhe ata u dorëzuan para presionit. Edhe Noli studionte trishtueshëm violinën ndërsa gjenerali Wrangel mësynte periferitë e Tiranës.
Varrmihësit goditën majtas dhe djathtas. Erjon Braçe kërkonte ta disiplinonte MJAFT-in duke e burgosur brenda një NIPT-i fiskal. E kishte të qartë që një frymë nuk mund të indeksohet, por Partisë i nevojitej pak mjegull për të fshehur njollat e padeklaruara të fytyrës. Përmendte “Cosa Nostra”-n, por ndoshta kishte parasysh marksizmin. Ditët e fundit edhe në shtypin e djathtë lexoheshin ca trakte që i krahasonin mjaftistët me “Djemtë e Bashkuar, anëtarë të idealeve komuniste”! Sa për të qeshur këta komunistë të pavetëdijshëm që në vend të Trockit u ka zënë dora Lubonjën. Në optikën e tyre, DEBATIK-u s’kish ndonjë ndryshim nga MJAFT-i. Ta mendosh hollë, as organizata e të rinjve komunistë s’do kishte protestuar në favor të atyre që thërrasin “vota, vota” edhe atëherë kur ato s’janë vjedhur vërtet. Rreziku dihet. Të mësohen veshët pastaj me alarme të rreme dhe s’çan kryet kur ujku bën vërtet kërdinë duke ngrënë jo bagëti por deri edhe kuti votimi. Disa përrallëtarë skocezë vdiqën në masë nga infarkti në shekullin e 18-të ngaqë nisën të besonin edhe vetë në kukudhët për të cilët rrëfenin. Kështu edhe këta “përrallëtarët” e sotshëm të cilët kërkojnë nga qytetarët t’u besojnë në çdo trill, më shumë se si politikanë që kërkojnë mbështetës, ngjajnë si klerikë që thërrasin besimtarë. Nuk shpallin ndonjë doktrinë a filozofi politiko-ekonomike, mbase ngaqë s’kanë nevojë për një ideologji, por për një besim fetar. Në fund të historisë, ndoshta MJAFT pat bërë zgjedhjen e duhur. Mbase s’ia vlen të harxhosh frymën për votat në një vend ku shkolla e 26 majit ’96 është ngritur në institucion. Por ku edhe pranimi i humbjes në zgjedhje është harruar qysh nga e para dhe e fundit herë. Qysh nga një 1992-sh i largët. Mbase njerëzit papritur patën nevojë që dikush të mos revoltohet pse “shokët” e njërës apo tjetrës parti nuk kapën kuotat e parashikuara për të hyrë në Kuvend. Ndoshta njerëzit deshën dikë që të bërtasë për ta. Këtu mund të të vijnë ndërmend sytë e fëmijëve të Kasharit dhe duart e ngritura të mijëra kryqeytetasve para kryeministrisë më 9 janar. S’di në kish ndonjë rregull të përdorej më shumë e djathta apo e mëngjërta ato ditë.
Tani që më e keqja ndodhi, një pyetje mbetet. Si do të jetë një ditë më pas? Veç të majtëve dhe të djathtëve - secili i pakënaqur ngaqë MJAFT ishte tepër i madh për sqetullat përkatëse - prognoza e lumturisë është e parashikueshme edhe për ata që një koleg i quante: mafia e OJQ-ve. Deri një vit më parë frekuentues të rregullt të seminareve në anglisht, ata dhjetëra burra e gra të ngjallur nga ushqimi dhe rehatia 13-vjeçare, u shtrënguan t’i hyjnë një epopeje të vërtetë mali e cila shpesh ngjante tragjikomike. Një mundim i vonë për të mos mbetur prapa çunave me bluxhinsë që trazuan Tiranën me “dorën e kuqe”. Në këto muaj u mësuam t’i shohim edhe këta profesorë teksa dashurpadashur, ndiqnin me zjarr “ungjillin sipas Mjaft”. Kravatë shkopsitur, ndërsa pushtuan rrugët duke protestuar për principe humaniste, ishin po ata që deri pak kohë më parë flladiteshin nën ajrin e kondicionerëve, duke peshuar me mend pragmatikat e suksesit të dy palëve ndërluftuese (sepse gjithmonë ka dy palë), për t’u bërë më pas me më të fortin. Kur befas me MJAFT-in palët u bënë tre, revolucioni filloi. Bashkë me të edhe dashuria për aksionin që u kujton atyre kohën kur ishin të rinj e të bukur. Ilustrime? Pa merak. Takimi është lënë të hënën në bulevard. Ndërsa të martën në Durrës. Qeveria është tashmë e plagosur në brinjë dhe po i merren këmbët, ndërsa turmat e korbave fluturojnë përsipër duke të kujtuar skena nga filmi “The Birds”, i Alfred Hitchcock-ut. KRSH befas kupton se është plakur duke shkruar strategji teorike me fonde të qeverisë dhe shpreson të marrë statusin e veteranit- hero duke shkrehur nja dy pushkë në fund të luftës. Një rast tjetër shembullor i bashkëpunimit shtet-biznes-shoqëri civile: të ngujuarit e gjakmarrjes transportohen periodikisht për t’u përdorur si “mburoja njerëzore” në skena publike të pastrimit të imazhit. Sipas disave, edhe atij të parave. Monedhave gënjeshtare të ndonjë linje autobusash interurbanë ose të ndonjë projekti për mbledhjen e armëve të luftës së parë botërore në Malësi. Grupime e shoqata fantazëm me emra e qëllime të përkthyera fjalë për fjalë, indinjohen: Po ne? I virgjëri Kreshnik Spahia kërkon ta shndërrojë ZMQ-në në një parti por 1,2 milionë dollarë të USAID-it, dhënë këtu e tre vjet më parë, janë sosur para se avukati të kuptonte se e tepëroi me vegjetim. Edhe në çmendinën e Vlorës një OJQ italiane ka harxhuar po kaq milionë për të rinovuar tjegullat e çatisë dhe dorezat e dyerve. Duhen para për ta bërë Zyrën parti dhe në këmbim të kursimit nga ndonjë fushatë antipublicitare, aplikohet për fonde në ndonjë kompani celulare. Kur pengmarrjet alla-Marko Millosheviç ndaj delijorgjëve dhe xhanëve bëhen haptaz në mes të ditës, pse të mos u zhvaten natën ca grekëve kontribute për demokracinë? Kjo edhe mund të falet. Endërra për një Di Pietro paska qenë aq e fortë ndër shqiptarë saqë nga sondazhet e vetë ZMQ-së, gjindjes i ardhka më shumë për mbarë të ketë në zemër emrin e heroit sesa siglën e koklavitur të zyrës së tij. Kështu, ndërsa MJAFT është tretur e harruar, mbivendosen njëra mbi tjetrën inicialet e turlilloj shoqatash e organizatash. Aplikuese konstante për fonde ndërkombëtare që shndërrohen në thjesht “asgjë” dhe frekuentuese të rregullta seminaresh përsëri në anglisht dhe retreate-sh të tërhequra në luksin e ndonjë qyteti bregdetar. Dhe zgjedhjet vijnë prapë dhe dalin ca rekomandime. Dhe ca të tjerë që irritohen, por pa dalë nga zyra. Dhe partitë prapë qahen se u vodhën votat dhe rezultati prapë s’pranohet. Kokat e njerëzve të hutuar nga tërë ky reality show gjigand kthehen sa majtas djathtas derisa më në fund dorëzohen: “çdo popull ka qeverisjen që meriton”. Ja pra, u gjet më në fund dhe artifici. Në një day after MJAFT, kjo do të jetë arsyeja e të gjitha përse-ve. Arsyeja përse shoqëria civile rikthehet të jetë sërish e pafuqishme por gojë- larë. Arsyeja pse predikuesit e DEBATIK-ut dhe Cosa Nostra-s humbasin të përbashkëtat. Arsyeja përse me një gjobë të vogël, intelektualët e së sotshmes pjellin Di Pietro-t e së ardhmes. Dhe më në fund, arsyeja përse e gjithë premisa e këtij artikulli ishte thjesht një fiction: MJAFT nuk mund të mos ekzistojë.