Tema e ditës

Diskutime mbi temat më të veçanta të ditës
 
Një komision hetimor i Parlamentit Britanik arriti në përfundimin se rreth 650 milionë dollarë ndihmë për Afrikën janë shpërdoruar. Komisioni i Jashtëm i Dhomës së Ulët të Parlamentit hetoi një ndihmë me vlerë 1,3 miliardë dollarë, financuar nga Brukseli për projekte të ujësjellësave në vendet sub-sahariane gjatë dekadës së fundit. Më pak se gjysma e 23 projekteve madhore të financuara arrijnë të përmbushin nevojat për të cilat ato u ndërtuan. Projektet kanë qenë problematikë që në fazat e planifikimit dhe shpërdorime janë vërejtur edhe gjatë zbatimit të projekteve. Një zëdhënës i Komisionit Europian u mbrojt nga përfundimet e këtij raporti duke thënë se disa prej projekteve ishin tepër ambiciozë dhe ndonëse funksionalë, nuk arrijnë të zgjidhin problemin e furnizimit të popullatës me ujë në masën e shpresuar. Megjithatë, hetimi i Parlamentit Britanik hedh dritë mbi atë që mund të jetë një afër e madhe korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, në dëm të fondeve të Bashkimit Europian. / Top Channel
Partia Demokratike do të nisë menjëherë procesin e ndryshimit të lidershipit të saj. Burime zyrtare nga PD bëjnë të ditur për Top Channel se kryetari në detyrë, Sali Berisha, ka thirrur të premten mbledhjen e kryesisë, nga ku do të njoftohet nisja e procedurave për zgjedhjen e lidershipit të ri. Këtë lëvizje, zoti Berisha e parashikoi gjatë fjalimit të tërheqjes nga posti i kryetarit të PD-së, kur mori mbi vete të gjithë përgjegjësinë e humbjes. Gjatë të njëjtit fjalim, Sali Berisha nuk la vend për hamendje, se si do të kryhen procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së. “...dhe në përputhje me statutin e Partisë Demokratike do të qëndroj në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e PD-së të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim nën udhëheqjen e tij, drejt fitores së betejës më të afërt që na pret. Përpara!”, ishte shprehur Berisha një ditë më parë. Asnjëherë më parë, në këto 2 dekada, kryetari i Partisë Demokratike nuk është zgjedhur nga anëtarësia dhe kjo risi duket se e ka një shpjegim. Nëpërmjet kësaj forme, Sali Berisha u jep mundësinë e futjes në garë të gjithëve atyre që duan të kandidojnë për kreun e PD-së dhe njëkohësisht u heq atyre mundësinë për hatërmbetje pas vendimit që do të dalë nga anëtarësia. Këtu vijnë dhe pikëpyetjet më të mëdha. Sa kandidatë do të jenë në garë? Kush do të jenë ata? A do të mbështesë në ndonjë formë, publike apo jopublike, Sali Berisha ndonjërin prej kandidatëve? Këto pyetje do të marrin përgjigje brenda pak ditëve. Megjithatë, kushdo qofshin kandidatët në garën për kryetarin e Partisë Demokratike dhe vijnë nga brenda kryesisë aktuale, ata hyjnë në garë me një emërues të përbashkët. Secili prej tyre, përvec sekretarit organizativ, Flamur Noka, ka humbur qarkun për të cilin ishte përgjegjës. Gara për pasuesin e Berishës Basha: Lajmi i vetëm që dua të komentoj sot është TAP-i 24 orë pas dorëheqjes së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, njëriu më i përfolur si pasardhësi i tij në krye të PD-së, Lulzim Basha, nuk ka pranuar të komentojë, nëse ai do të jetë kandidat për këtë post, por është ndalur gjatë te miratimi i projektit TAP, duke nxjerrë në pah rolin e Berishës në këtë proces. “...dhe thekson edhe njëherë dimensionin e jashtëzakonshëm të këtij njeriu, që kemi pasur fatin ta kemi si udhëheqësin e Partisë Demokratike, dhe njeriun që shndërroi dhe mundësoi transformimet më të mëdha në Shqipërinë e pas viteve ’90. Dhe nuk ka provë më të mirë se kjo, në ditën e sotme, se sa konfirmimi i linjës së TAP-it, një projekt për të cilin kryeministri Berisha ka lobuar që në fillim të mandatin e parë, nga 2005-2008, kam pasur privilegjin të jem përkrah tij, kur në samitet e rëndësishme ndërkombëtare i dedikonte energji dhe kohë këtij projekti të jashtëzakonshëm dhe për momentin, ky është i vetmi lajm për të cilin do të doja të komentoja”, u shpreh Basha. Edhe Genc Pollo, kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Beratit, i pyetur nëse ai do të jetë në garë për kreun e PD-së, është shprehur se është ende herët për një gjë të tillë. “Zoti Berisha ishte njeri, që përballoi edhe në situata të vështira këto 8 vite, përgjegjësitë e veta si kryeministër dhe, përballë një rezultati të caktuar, diti me dinjitet të merrte përgjegjësitë e veta dhe të shpallte dorëheqjen”, tha Pollo. I pyetur në lidhje me situatën aktuale te PD, në luftën për marrjen e kreut të saj, dhe nëse do jetë ai një nga kandidatët në garë për këtë post, Pollo u përgjigj: “Ky është një proces, që do hapet dhe besoj se lajmet do t’i merrni në kohën e duhur, do të keni kohë të bëni gjueti emrash”. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Halim Kosova, e ka cilësuar si të papritur largimin e Berishës, por ka shtuar se kjo duhet të shërbejë si një shtysë për t’u forcuar dhe për të përballuar sfidat e ardhshme. “Kjo është një mundësi mobilizimi për më shumë, në mënyrë që opozita të luajë rolin e vet. Kjo gjë nuk duhet të fillojë 2-3 muajë përpara, por ndoshta që tani, të hënën, dhe në mënyrë intensive të kthejë edhe njëherë besimin në popullatë, se forcat e djathta janë e ardhmja e vendit”, u shpreh Kosova. / Top Channel
 
Presidenti amerikan Barack Obama u bëri thirrje të enjten vendeve anembanë botës, të dekriminalizojnë homoseksualitetin, një ditë pasi Gjykata Supreme në SHBA “firmosi” një fitore të madhe për përkrahësit e martesave të të njëjtit seks. Cdo grup individësh ka një të drejtë ndaj pikëpamjeve të veta, tha Obama, ndaj dhe ky diversitet duhet respektuar, “por, kur vjen puna se si shteti i trajton njerëzit, se si ligjet i trajtojnë njerëzit, besoj se cdokush duhet trajtuar në mënyrë të barabartë”. Ai foli në një konferencë për shtyp me presidentin Macky Sall, i Senegalit, një vend ku homoseksualiteti është i jashtëligjshëm. “Pavarësisht racës, besimit, gjinisë, orientimit seksual... njerëzit duhen trajtuar në mënyrë të barabartë. Ky është një princip për mua, që duhet të aplikohet universalisht”, tha Obama. Kjo deklaratë erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje të CNN, se pse ai po ushtronte presion ndaj Sall për këtë cështje. Obama tha se ky problem nuk u diskutua në bisedime, por cështja se si gay-t apo lesbiket trajtohen është ngritur në tërësi në të gjithë Afrikën. Megjithatë, Sall u përgjigj se vendi i tij nuk ka ende në plan të dekriminaliozjë homoseksualitetin. “Senegal është një vend tolerant, i cili nuk diskriminon në aspektin e të drejtave të patjetërsueshme të njerëzimit”, tha ai. “Njerëzit nuk po refuzohen në punë, për shkak se është një gay. Por, ne ende nuk jemi gati ta dekriminalizojmë homoseksualitetin. Megjithatë, është e qartë se kjo nuk do të thotë se ne jemi homofobë”. Sall iu kthye më pas një tjetër cështjeje, e cila diferencon dy vendet: ndëshkimi kapital. “Në vendin tonë, ne e kemi shfuqizuar atë prej vitesh. Por, ne kemi respekt për zgjedhjet e secilit vend”, përfundoi presidenti i Senegalit. / Top Channel
Sot pashe ne nje artikull te televizionit APOLLON qe e ka qendren ne qytetin e Fierit. Kjo eshte nje kenge kushtuar Sali Berishes nga grupi i famshem polifonik te Mallakstres me kengetar Ali Shametaj dhe me orkestrene tradicionale mallakastriote. Grupi Polifonik i Mallakastres eshte shume i njohur ne Ballkan,Europe dhe jehona e tij ka arritur deri ne Japoni.Ai fitoi cmimin e 2 ne Europe per kenget tradicionale te Europes ne vitin 2003,nje festival qe zhivllohet cdo 20 vite.Ali Shametaj eshte i pari kengetar shqiptar qe ka marr shume cmime nderkombetare per kenget e tij tradicionale nga Europa. Respekte shqiptareve dhe i uroj te tere shqiptare guxim dhe fitore.
 
"Nuk arritëm të fitonim në garën e 23 qershorit dhe për këtë që ndodhi, përgjegjësia bie mbi një njeri të vetëm dhe ky jam unë, Sali Berisha. Duke marrë të gjitha përgjegjësitë, kam vendosur që të jap dorëheqjen nga funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike". Ky ishte thelbi i fjalimit të shumëpritur këto orët e fundit nga Kryeministri Sali Berisha, i cili pritej të dilte në publik pas humbjes që pësoi në zgjedhjet e të dielës. Me një fjalim të mirëpërgatitur, Berisha deklaroi se do të qëndrojë në Partinë Demokratike për të dhënë kontributin e tij, ndërsa e konsideroi këtë fjalim, jo si fjalim lamtumire, por si një veprim normal pas zhvillimeve të fundit. Ndryshe nga gjuha e ashpër politike përpara dhe gjatë fushatës, Berisha i uroi kundërshtarit të tij Edi Rama mbarësi në detyrën e re. Berisha tha se ky mesazh ishte i vonuar, por e justifikoi këtë duke thënë se e bëri për të respektuar punën e komisionerëve që numëronin votat e shqiptarëve. Kryeministri theksoi se i bindet verdiktit të sovranit, i cili foli me votë dhe zgjodhi alternativën tjetër. "Qytetarët votuan alternativën tjetër, sepse kundërshtarët kanë premtuar shërbime shëndetësore falas, ulje të taksave për 95 për qind të popullsisë e këto premtime ne nuk mund t'i bënim dot, sepse ato bien në kundërshtim me barazinë sociale dhe me konkurrencën e ndershme", tha Berisha. Më tej, me bindjen se PD do të rivijë në pushtet, Berisha u shpreh se në mandatin tjetër do të realizohen të gjitha premtimet e bëra për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa bëri një panoramim të punës 8-vjecare në krye të qeverisë.Po ashtu Berisha vlerësoi projektin TAP, si historik për fatin ekonomik dhe zhvillimin e Shqipërisë. Berisha fotografohet nga qytetarët Kryeministri Sali Berisha është fotografuar për herë të parë në publik që pas datës 23 qershor, paraditen e te merkures, në momentin e lënies së apartamentit të tij pranë “Rrugës së Elbasanit”. Në shoqërinë e truprojave të tij është drejtuar per ne ambasaden hungareze, ku ka shprehur ngushellimet e tij per largimin nga jeta te ish-kryeministrit te ketij vendi. Një ditë më parë kryeministri i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, takoi në presidencë Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Nuk ka asnjë informacion, si nga zyra e kryeministrit ashtu edhe nga ajo e presidentit mbi atë që është diskutuar në takim. Berisha e përshëndet TAP, por në hartë mungon Kosova Pas një heshtje tre ditore erdhi edhe reagimi i pare i kryeministrit Sali Berisha ne faqen e tij ne rjetin social Facebook. Berisha nuk reagoi per humbjen e zgjedhjeve por përshëndeti përzgjedhjen e projektit të gazsjellësit TAP. “Te dashur miq, projekti i gazesjellesit TAP u perzgjodh. Fitoi Shqiperia, projekti i shekullit per ne!!!” shkruan Berisha, ndërsa në hartën e publikuar, Kosova nuk figuron si shtet më vete. / Top Channel
 
Të paktën 27 ujgurë mbetën të vrarë në Kinë ditën e enjte, në përleshjet midis manifestuesve dhe policisë. Manifestimi u kthye në një përleshje masive, në të cilën autoritetet ndërhynë duke qëlluar me armë zjarri. Tensionet në krahinën perëndimore të Xinjiangut, ku është përqendruar pakica problematike e ujgurëve, prej kohësh janë shndërruar në një problem për autoritetet kineze. Ujgurët, një pakicë etnike muslimane me origjinë turke, prej disa vitesh janë bërë protagonistë të manifestimeve të dhunshme, ndërsa vendimi i Pekinit për të rritur prezencën e kinezëve etnikë në krahinë në mënyrë të vazhdueshme ka ngjallur pakënaqësira të shumta. Aktualisht, forca të shumta policore kanë rrethuar kryeqytetin krahinor, Urumqi. Mediat ujgure në diasporë, nga ana e tyre kanë hedhur hije të forta dyshimi mbi reportimin zyrtar, në të cilin shkruhet se autoritetet qëlluan ndaj turmës, pasi ajo sulmoi komisariatet e policisë. Situata mbetet e paqartë, pasi korrespondentët e rrjeteve ndërkombëtare e kanë të ndaluar të zhvendosen në këtë zonë.
Ministrat e Financave të Bashkimit Europian kanë rënë dakord mbi një plan se si të shpëtojnë bankat e trazuara, pa lënë taksapaguesit të përballojnë faturën. Marrëveshja u arrit në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pas një tjetër sesioni bisedimesh të gjata mes 27 vendeve anëtare të BE-së. Kjo shihet si një hap i rëndësishëm përpara drejt synimit të BE-së për t’i futur bankat e saj në një terren të qetë, pas krizave shokuese të kreditimit dhe të Eurozonës. Rregullat përcaktojnë se kush do t’i mbajë humbjet, kur një bankë përfshihet në probleme. Në të ardhmen, taksapaguesit do të jenë të fundit që do t’u faturohen humbjet, teksa bankat dhe kreditorët apo aksionerët e tyre do të goditen të parët. Pas kësaj, kursimtarët e zakonshëm me depozita mbi 100 mijë euro do të jenë përsonat e tjerë që do të përballojnë humbjet. Nëse kjo nuk rezulton e mjaftueshme, qeveritë kombëtare do të thirren për t’i ofruar mbështetje.
 
Udhëheqësit e Bashkimit Europian sheshuan mosmarrëveshjet dhe ranë dakort për buxhetin në 7 vitet e ardhshme. Marrëveshja për buxhetin 2014-2020 është arritur mes Parlamentit Europian dhe qeverive të 27 vendeve anëtare. Sipas kësaj marrëveshje, Bashkimi Europian parashikon 920 miliard euro për 7 vitet e ardhshme. Për herë të parë që nga krijimi, BE bie dakort të shkurtojë shpenzimet në disa sektorë. Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso në përfundim të samitit në Bruksel deklaroi se plani synon përshpejtimin e reformave për punësimin e të rinjve. Një në katër të rinj në BE është aktualisht i papunë, ndërsa në vendet e prekura më fort nga kriza, si Greqia dhe Spanja situata është akoma me dramatike, ku thuajse gjysma e të rinjve nuk mund të gjejnë dot punë. Udhëheqësit e BE-së dhe vendet anëtare po konsiderojnë mundësinë e shpenzimit të 6 miliard eurove më herët nga sa kishin planifikuar për të ndihmuar në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç. Mes pikave ku liderët e BE-së ranë dakort ishte edhe ajo e reformës në agrikulturë dhe mekanizmi i shpëtimit të bankave. Marrëveshja për buxhetin 2014-2020 ishte arritur që në muajin shkurt, por ajo ishte bllokuar nga Parlamenti Europian që vendosi si kusht që paratë që tepronin në përfundim të një viti buxhetor të kalonin automatikisht për tek viti tjetër buxhetor dhe jo t’u ktheheshin qeverive të vendeve anëtare. Kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz konfirmoi marrëveshjen në një postim në rrjetin social Twitter dhe u bëri thirrje euro-deputëteve që ta mbështesin atë. PE pritet të votojë për buxhetin javën e ardhshme dhe gjasat janë që ky votim të mos hasë pengesa.
 
Qeveria turke kërkoi nga rrjeti shoqëror “Twitter” ngritjen e një zyre brenda vendit, në mënyrë që përfaqësuesit e kompanisë të kontaktohen më lehtësisht nga autoritetet. Ndërsa “Twitter” ende nuk ka reaguar zyrtarisht, kërkesa e Ankarasë zyrtare është konsideruar si një mjet i mundshëm presioni. Aktualisht, Turqia vazhdon të jetë e përfshirë nga protesta anti-qeveritare, për të cilat “Twitter” dhe “Facebook” kanë dhënë një ndihmesë të madhe, në bashkërendimin e protestave dhe përhapjen e shpalljeve publike në të gjithë vendit. Deri më tani, disa dhjetëra të dyshuar si nxitës të dhunës, nëpërmjet komenteve të tyre në “Twitter”, janë arrestuar nga policia. Arrestimet janë konsideruar flagrante dhe të papranueshme nga organizata të mbrojtjes së fjalës së lirë në botë, të cilat kanë theksuar se postimet në rrjetet shoqërore janë një e drejtë e fjalës së lirë dhe se pavarësisht përmbajtjes, ato nuk mund të konsiderohen si nxitëse të trazirave masive. ”Kur na duhet informacion, dëshorijmë që të kemi dikë në Turqi të cilit t’i drejtohemi dhe të na e sigurojë këtë. Ekziston një nevojë për të pasur një zyrë lokale, që mund të dëgjojë ankesat tona ose mund të korrigjojë me shpejtësi një gabim, nëse do të verifikohet ndonjëi tillë”, komentoi Ministri i Transportit dhe Komunikacioneve, Binali Yildrim, ditën e enjte. / Top Channel
 
Qeveria e Egjiptit ka marrë vendimin për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, njofton Ministria e Jashtme kosovare. Vendimi zyrtar i njohjes së Kosovës nga Kajro zyrtar i është komunikuar ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj nga homologu i tij egjiptian, Mohamed Kamel. Ai është publikuar edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme egjiptjane. Në deklaratë theksohet se: “Republika Arabe e Egjiptit dëshiron me këtë vendim vendosjen e marrëdhënieve të mira me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat dhe në të njëjtën kohë konfirmon angazhimin e saj për vazhdimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të saj të mira që i lidh gjithmonë me shtetet e rajonit”. Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe autoritete të tjera të larta të shtetit kanë zhvilluar aktivitete të shumta lobuese në Egjipt, si rezultat i të cilës dy shtetet kanë konsoliduar raporte shumë të mira për më shumë se dy vjet. Njohja nga Egjipti ka një rëndësi të veçantë pasi mund të ndikojë në njohjen e mëtejshme të Kosovës së pavarur nga vende të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme. / Top Channel
 
Partia Demokratike permbylli fushatën e saj në Tiranë në një miting në sheshin "Nënë Tereza", i cili nisi në orën 19.44 minuta, duke i qëndruar kështu traditës të mbylljes së fushatës në kryeqytet. “Ky miting në Tiranë është uragani i forcës së qytetarëve shqiptarë të të gjitha bindjeve politike për të ecur së bashku përpara në rrugën e zhvillimit dhe mirëqënies, për të ecur së bashku përpara në rrugën e punësimit, i forcës tuaj për të ecur përpara për të bërë Tiranën, Shqipërinë qytetet dhe fshatrat e saj, Tiranën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar, fshatra dhe qytete të zhvilluara", tha Berisha. Kryeministri ftoi socialistët shqiptarë që të votojnë për alternativën demokratike, sepse kjo alternativë është për zhvillimin e biznesit, për subvencionimin e fermerëve, për zhvillimin e jetës së qytetarëve. Po ashtu Berisha ftoi votuesit që bashkë me ekipin qe ai drejton të bëjnë betejën më të madhe, betejën kundër murit të patriarkisë. "Do të shembim mure, do të luftojmë si njerëz të lirë për barazinë mes qytetarëve të këtij vendi. Kemi arritur progrese këto vite, por progresi më i madh është i domosdoshëm për katër vitet që vijnë", tha Berisha. Berisha ftoi fermerët, punëtorët, të rinjtë, të rejat, pensionistët, qytetarët e këtij vendi që të bashkohen me këtë alernativë, që sipas Berishës është rruga drejt të ardhmes, drejt integrimit të vendit. "Le të bashkohemi së bashku, të marrim statusin e vendit kandidat. Gjatë këtij do të bëjmë cdo gjë për të hapur negociatat me Bashkimin Europian", premtoi Berisha. Ne kete miting permbylles, Berisha iu rikthye edhe njehere premtimit te tij per liberalizim te vizave me SHBA-te.
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka mbërritur në Berlin për një vizitë, gjatë së cilës ai do t’i drejtohet turmës nga porta e Brandenburg-ut, objekti më i famshëm i qytetit. Ai iu drejtua për herë të fundit berlinezëve, si një kandidat për president në 2008-n, duke mbledhur një turmë prej 200 mijë vetësh në qytetin, dikur të ndarë në dy pjesë. Fillimisht, si do të zhvillojë bisedime me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Vizita e tij vjen menjëherë pasi liderët e G8 mbështetën thirrjet për mbajtjen e bisedimeve për paqe ndaj Sirisë, në Gjenevë, “sa më shpejt të jetë e mundur”. Kjo është vizita e parë e Obama-s në Berlin si president i Amerikës, ndërsa fjalimi i tij ndaj studentëve dhe zyrtarëve të qeverisë në Portën e Brandenburg-ut, vjen pothuajse 50 vjet pasi John F. Kennedy mbajti fjalimin e famshëm “Ich bin ein Berliner” (Unë jam berlinez). Në fjalimin e tij në Portën e Brandenburg-ut, Obama pritet të bëjë atë, që zyrtarët amerikanë e përshkruajnë si “një thirrje për veprim” për Perëndimin, për të qenë më pjesëmarrëse në cështjet globale. Ai pritet të flasë gjithashtu në detaje, edhe për mënyrat e promovimit të demokracisë dhe dhënien fund të konflikteve, ashtu si dhe përballja me ndryshimet klimaterike dhe përhapjen e armëve bërthamore. Kancelarja Merkel, e cila do të angazhohet me votimet e muajit shtator, e ka bërë të qartë se do të kërkojë “më shumë transparencë” në lidhje me programet e survejimit amerikan të internetit dhe telefonave, problem që shpërtheu javën e kaluar. “Ne duhet të jemi të qartë, cfarë po përdoret dhe cfarë nuk po përdoret”, tha ajo, duke shtuar se, ndërkohë që shërbimet sekrete duhet të luftojnë terrorizmin, “kjo gjë duhet të jetë proporcionale”. Kreu i agjencisë amerikane të spiunazhit elektronik, gjeneral Keith Alexander, tha të martën se programet kanë ndihmuar të pengojnë 50 sulme terroriste, që prej 2001-shit. / Top Channel
 
Gjenerali i ushtrisë greke befason: “Do largohem jashtë vendit për punë, nuk ia dalë dot me ato pak të holla që marrë këtu” Është padyshim gjenerali më i famshëm i ushtrisë greke dekadat e fundit. Fjala për ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Greqisë, Gjeneralin, Frangos Frangoulis, i cili fitoi besimin dhe simpatinë e kolegëve dhe të forcave të armatosura gjatë kohës që ai ishte në “timonin” e tyre. Por, gjenerali u akuzua gjatë udhëheqjes së kryeministrit Andrea Papandreu për “grusht shteti”. Pasi doli i “pastër” nga kjo peripeci i mbështetur nga të gjithë, ai shkroi një libër të suksesshëm për Greqinë dhe Turqinë dhe për bisedimet që ai ka kryer në të gjithë Greqinë si dhe jashtë saj. I intervistuar nga gazeta e madhe greke “Real News”, të gazetarit më të njohu grek, Nikos Hatzinikolaou, ai theksoi se kriza e madhe që ka “pushtuar” vendin e ka prekur shumë e dhe atë pasi pensioni i është përgjysmuar. “Nuk ia dalë mbanë. Pensioni im nuk më mjafton dhe mendoj të largohem jashtë vendit për të punuar”, është shprehur gjenerali.
Vetëm pak orë parpara nisjes së procesit të votimit, Partitë Popullore Europiane, me anë të një deklarate për shtyp, kanë shprehur bindjen se Partia Demokratike do të fitojnë një mandat të tretë. "Partite Popullore Europiane dhe Presidenti i tyre, Wilfried Martens jane te gezuar qe Shqiperia ka nje qeveri te kujdesshme dhe me stabilitet, qe ka qene e afte per te marre vendimet e duhura ne kete kohe te veshtire ekonomike dhe financeiare ne Bashkimin Europian. PPE pergezon Kryeministrin Berisha per punen e tij te shkelqyer dhe vendosmerine e tij per ta cuar Shqiperine perpara drejt integrimit ne Bashkimin Europian. Pa dyshim, PPE mbeshtet plotesisht Kryeministrin Sali Berisha dhe ne jemi te sigurt qe shqiptaret do te rijapin vote besimin e tyre per Partine Demokratike ne zgjedhjet e dites se diel. Ne jemi besimplote se zgjedhjet e 23 Qershorit do te shenojne nje hap te rendesishme perpara per Shqiperine drejt integrimit europian te saj", thuhet në deklaratë. Në deklaratën e saj, PPE rendit arritet e Shqipërisë gjatë viteve të qeverisjes demokratike, si shenjë suksesi e Kryeministrit Sali Berisha. / Top Channel http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=259305&ref=fp
 
Një fëmijë vetëm 4 vjeç ka humbur jetën pasditen e të premtes në qytetin e Durrësit ndërkohë që një tjetër i mitur ka mbetur i plagosur rëndë pasi ashensori i pallatit ku banoni u këput. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar brenda një pallati të ri, ku sipas dëshmitarëve në vendngjarje fillimisht është dëgjuar një zhurmë e madhe për shkak të këputjes së ashensorit, ndërkohë që pas kontrollit brenda tij janë gjetur 2 fëmijë të mitur 4 vjeç, binjake, njëri nga të cilit është transportuar i pajetë për në spitalin rajonal ndërsa fëmija tjetër është në gjendje të rëndë për jetën me plagë të shumta në trup. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë. / Top Channel
Top