Ndotja akustike, ankesat e banorëve: Sa ikën makina e policisë, ngrihet sërish volumi
Myzejeni tregon se i nipi nuk kthehet në shtëpi para orës 02:00, sepse nuk duron dot zhurmat.

Myzejeni është një e moshuar që jeton në rrugën “Pjetër Bogdani”, poshtë shtëpisë së saj gjenden disa lokale nate. Muzika që vjen prej tyre krijon një kakofoni tingujsh që e bën të pamundur jetesën në apartamentin e saj.

Ajo tregon se familja e saj vetëm ditët e para të javës mund të bëjë pa gjumë të qetë sepse muzika fillon që nga dita e mërkurë dhe vazhdon deri të dielën.

Znj. Myzejen a ju shqetësojnë lokalet që gjenden poshtë pallatit tuaj?

Zakonisht na shqetëson “Lizardi”, ai është më e kryesori që dëgjohet më shumë këtu tek ne. Zhurma fillon të mërkurën dhe vazhdon deri të dielën. Gjatë këtyre ditëve dëgjohen zërat e këngëtarëve që këndojnë lloj-lloj këngësh. Po edhe të dielën nuk është qetë. Edhe pse nuk këndojnë, e ngrenë zërin e muzikës në kupë të qiellit.

Sipas ligjit ato duhet të mbyllen në 11:00 të darkës po asnjë nuk e zbaton. Ne kemi thirrur policinë bashkiake por ata vijë dhe shohin nga rruga. U kërkojnë të ulin zërin. Sa ikën makina e policisë fillon prapë muzika e lartë.

Por probleme me dëgjimin keni?

Nipi nuk vjen në shtëpi para orës dy për shkak të zhurmave, ulërimat e njerëzve apo edhe nga muzika tepër e lartë. Unë nuk arrij të fle dot natën, përpiqem të fle ditën por gjatë ditës kemi edhe punë për të bërë.

Sa kohë keni që jetoni me këtë problem?

Të them të drejtën u bënë tre vite që këtu luhet muzikë.

Jeni ankuar diku?

Jemi ankuar tek policia bashkiake por askush nuk ka bërë gjë apo të na ketë dhënë një përgjigje. Këtu kanë ardhur plotë të huaj për të jetuar por janë larguar vetëm prej zhurmës.

Keni biseduar me pronarët për të gjetur një zgjidhje?

Kemi folur edhe me pronarët por nuk kemi gjetur ndonjë zgjidhje. Madje bëjnë edhe të paditurit dhe pyesin “Pse vërtetë dëgjohet zhurma atje lartë “. E transformojnë bisedën për të mirën e pronës apo biznesit të tyre.

Po këto ditë është ulur ndopak volumi i muzikës?

Javën që kaloi sikur ishte pak më ulët, ishte pak qetësi. Zakonisht e vënë muzikën me zë të lartë edhe në fillim të javës të hënë apo të martën. Edhe pse nuk e ngrinin shumë volumin, gjithsesi dëgjohej.

Besimi fajëson kryetarin për situatën, për të vetëm Edi Rama mund të zgjidhë problemin.

Për banorët e rrugës “Pjetër Bogdani” jetesa është bërë shumë e vështirë. Poshtë apartamenteve të tyre gjenden një numër lokalesh të cilët sapo kalon ora 23:00 fillojnë të luajnë muzikë secili sipas dëshirës së tyre. Besim është një qytetar apartamenti i të cilit gjendet sipër lokalit “Lizard”.

Për të dhe familjen e tij netët me gjumë të qetë nuk janë të shpeshta. Ai tregon se disa herë i ka dërguar mesazhe në celular Kryetarit të Bashkisë, Edi Ramës për zgjidhjen e problemit. Por policët Bashkiak kanë mundur të vendosin qetësinë vetëm për një farë kohe, pas largimit të tyre muzika ka filluar sërish.

A ju shqetësojnë lokalet që janë poshtë pallatit tuaj?

Shumë. Të vijë një fshatar dhe të na shqetësojë nuk ka te drejtë. Unë personalisht i kam dërguar disa here mesazh në celular Edi Ramës dhe ai ka sjellë policinë bashkiake. Por policët bashkiake edhe ata të rendit janë tepër ordinerë, gënjehen me një shishe birrë dhe ikin pa zgjidhur gjë.

Cilat janë netët më problematike?

E hëna dhe e marta janë më të qeta, kurse ditët e tjera muzika është e padurueshme. Nuk kanë të drejtë të na shqetësojnë në këtë mënyrë. Po na bëjnë të lëmë shtëpitë e të ikim diku tjetër. Unë kam edhe prindërit që banojnë në këtë pallat. Babai im është 80 vjeç dhe gjithë natën ri pa gjumë. Kushdo që është pronar i atij lokali nuk ka të drejtë të sillet në këtë mënyrë.

A jeni ankuar diku për këtë problem?

Ne e kemi ngritur zërin por asgjë nuk ka ndodhur. Situata mund të ndryshojë vetëm po të behet ndonjë aksion i madh qytetar. Jemi bërë të shesim shtëpitë, nuk ka fjalë që të përshkruajë situatën.

Bashkia nuk ka pse t’ja hedhë fajin policisë së rendit, është ajo që administron gjithë qytetin e Tiranës. Po të dojë Bashkia vë polica aty për një javë, ditën edhe natën. Por jo policë të paaftë që gënjehen me një shishe birrë.

Jeni përpjekur të zgjidhni këtë problem me pronarët e lokalit?

Po kemi tentuar disa herë të flasim, por asgjë. Madje pronari më ka parë edhe me mospërfillje. Unë një herë në shenjë proteste vura biçikletën tek dera e lokalit dhe i thashë” si të vjen ty që po të bllokoj hyrjen e lokalit? Kush je ti që më lë pa gjumë” Por njerëzit të vrasin se i parakalove me makinë e jo më për këto gjëra.

Meleqe Bakalli, banon mes dy lokale të natës në rrugën “Xhorxh Bush”. Shqetësimi më i madh për të është muzika që luhet deri në orët e para të mëngjesit.

Përdor qetësues për të fjetur gjumë

Meleqe Bakalli është një banore e moshuar e zonës ku ndodhet lokali “Living Room” Ajo tregon se që kur është hapur lokali zhurmat të krijuara nga muzika e lartë kane qenë një shqetësim serioz për të. Familja e saj është një familje muzikantësh dhe janë mësuar me muzikën. Por jo me këtë muzikë që ngrihet në kupë të qiellit. Ajo tregon se shpesh i duhet të marrë qetësues për të fjetur.

A është shqetësuese muzika e lartë që vendosin lokalet pranë shtëpisë tënde?

Zhurmat që kur është hapur lokali kanë qenë një shqetësim i madh për ne se jemi dhe të moshuar. Pas orës 23″00 , kur bëhemi gati për të fjetur, muzika ngrihet me volum shumë të lartë dhe brenda në shtëpinë time nuk mund të flesh i qetë, pasi dritarja është ngjitur me lokalin.

Ku jeni ankuar për këtë situatë?

Jemi ankuar të gjithë si lagje, por nuk kemi mundur që t’i japim një zgjidhje këtij problemi, pasi policia ka ardhur për pak minuta dhe është larguar përsëri. Kjo është shqetësuese sepse edhe kur ankohemi nuk na e vë veshin njeri. Me pronarët e lokalit është e kotë të merresh se nuk të kuptojnë dhe justifikohen me atë që kanë dalë për të punuar.

Si e zgjidhni problemin e gjumit?

Po nga halli detyrohemi të pushojmë pak ditën kur kemi kohë. Njerëzit në fakt duhet të të pushojnë natën pasi gjithë ditën lodhen në punë. Ka raste që përdorim dhe qetësues se për ndryshe nuk vëmë gjumë në sy. Kam një mbesë 10 vjeçe e cila mundohet të flejë pasdite

Po këto ditët e fundit ka pasur të njëjtin ritëm si edhe më parë?

Me thënë të drejtën po bëhet dy ditë që volumi ka qenë pak më i ulët, por përsëri mbetet shqetësues. Por jo vetëm muzika na shqetëson, pasi edhe zhurmat që bëjnë klientët kur hyjnë dhe dalin në lokal janë të bezdisshme pasi jemi familjarë. Unë jam familje muzikantësh dhe e dua muzikën, por kjo lloj muzike po na shqetëson pa masë.

Policia qëndron pranë lokalit, por nuk ndërhyn

Luljeta jeton në një apartament pranë “Living Room” dhe për të e gjitha vera ka kaluar pa një natë të qetë. Sipas saj muzika fillon në 23:00 dhe mbaron në katër të mëngjesit, duke krijuar një zhurmë të pa zakontë.

Luljeta thotë që Policia nuk ka ndërhyrë për të bindur pronarët e lokalëve që të ulin volumin e muzikës. Praninë e tyre pranë lokalit të natës ata konsiderojnë të nevojshme vetëm për ruajtje e rendit dhe jo të qetësisë.

Zonja Luljeta, jetoni afër një lokali nate. Keni shqetësime nga muzika e lartë që përdoret në lokal?

Shqetësime kemi pasur gjatë gjithë verës, madje që kur është hapur lokali. Pas orës 23:00 këtu zien muzika nga volumi i lartë, kjo na shqetëson aq sa nuk flemë dot. Muzika që luhet në lokal dëgjohet njësoj sikur të ishte brenda në shtëpinë time.

Kjo zhurmë vazhdon deri në katër të mëngjesit dhe ne jemi të detyruar të pranojmë këtë gjendje se nuk kemi ku të shkojmë. Përveç kësaj zhurmat e klientëve janë të bezdisshme, pasi ata përdorin edhe një fjalor të pa përshtatshëm.

Sikur të mos mjaftonte kjo, na është shtuar dhe muzika e taksive që qëndrojnë jashtë lokalit. Shoferët e tyre i hapin të katërta dyert e makinës dhe ngrenë volumin e muzikës për hesap të tyre. Çfarë nuk na qëllon të dëgjojmë edhe muzikë çiftelie ne katër të mëngjesit.

Keni bërë ankesa për ketë situatë?

Ankesa kemi bërë sa të duash, por nuk ka ndryshuar gjë. Sa i përket policisë ka ardhur si Policia Bashkiake dhe ajo e rendit. Policia rri gjithëmonë para lokalit dhe nuk është se ka ndërhyrë për të bindur pronarët e lokalëve që të ulin volumin e muzikës. Kur ne ankohemi policia thotë që ne jemi këtu për të ruajtur rendin që të mos ketë konflikte midis klientëve.

Po si e zgjidhni problemin gjumit, duke qenë se lokali punon gjithë natën?
Jemi mësuar me këtë situatë. Flemë aq sa flemë dhe mundohemi të flemë pak ditën. Mund të them se në fundjavë organizohen dhe festa ditëlindje dhe krijohet një zhurmë shumë e bezdisshme.

Banorja me qera në rrugën “Pjetër Bogdani”

Që kur kemi ardhur këtë me qira këtu para tri vitesh nuk kemi kaluar një natë të qetë. Këtu ka dhe shumë lokale dhe muzika vjen në katër anët. Do të detyrohemi të largohemi se nuk kemi çfarë të bëjmë. Këtu erdhëm për më mirë, por do të largohemi se nuk e shtyhet në këtë gjendje.

Këto mblidhen çdo natë disa këngëtare dhe organizojnë festa .Këtu ishte ambasadori rus, po iku vetëm nga zhurmat. Është një këngëtar që nuk veç të tjerash nuk ka as zë të bukur. Po presim me padurim të përfundojë shtëpia jonë dhe të ikim që këtu.

Ndreca
“Ne mundohemi të bëjmë punën tonë si duhet. Me ligj nuk është detyra jonë që të merremi me lokalet e natës”.

Pika dy e nenit 31 të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” thotë:
Në rast kundërshtimi për zbatimin e masave të mësipërme, bashkëpunohet me Policinë e shtetit dhe me policinë e bashkisë/komunës”.

Geri Selenica

Me gjithë jehonën që gazeta juaj i ka bërë këtij problemi asgjë nuk ka ndryshuar. Mbrëmjen e së enjtes muzika në lokalin “Living Room” ka vazhduar deri në orën 04:30 të mëngjesit.

Edhe pse tri banorë të ndryshëm të kompleksit të banimit “Torre Drin” kanë marrë në telefon policinë bashkiake asgjë nuk ka ndodhur.

Edhe unë kam marrë në telefon dje policinë Bashkiake dhe më janë pergjigjur “Tani po nisemi për tek Living Room”, dua të theksoj se polica bashkiake është vetëm 100 metra larg lokalit.

Ndonëse unë kam marrë në telefon nga ora 3:30 muzika aty ka vazhduar deri në orën 4:30.

Jeta këtu është bërë e padurueshme. Një nga banorët e huaj të kompleksit më tha se i dukej sikur po i shkatërrohej dera e dhomës së gjumit nga tronditja e zhurmës.
Asnjë lloj policie nuk ka ndërhyrë.

Ata të bashkisë thonë se ka mangësi ligjore dhe prandaj nuk mund të ndërhyjnë ndërsa policia e shtetit thotë së është kompetencë e bashkisë.
Ky është treguesi themelor i një shteti të paorganizuar si në nivel lokal ashtu dhe në atë qendror

Shefi i shërbimit të ORL-së, Radovani, shpjegoi pasojat negative nga zhurmat. Është e patolerueshme, asnjë vend i BE-së nuk e lejon këtë fenomen

Zhurmat sjellin pasoja negative mbi shëndetin. Ato shkaktojnë probleme jo vetëm me dëgjimin, por edhe mbi shëndetin mendor. E ndërsa qytetarët po vuajnë çdo ditë e më shumë stresin e ndotjes akustike, strukturat përgjegjëse nuk po marrin asnjë masë për të evituar këtë problem. Shefi i shërbimit të ORL-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Prof. Dr. Pjerin Radovani, në intervistën për gazetën “Shekulli” shpjegon pasojat negative që shkaktohen nga zhurmat. Ndërkohë, ai bëri apel që të merren masa emergjente ndaj këtij problemi, pasi është detyrë e institucioneve që të marrin mas ndaj këtij fenomeni.

Doktor, tashmë zhurmat në shumë zona të banuara janë kthyer në fenomen ditën dhe natën. A kanë pasoja negative mbi dëgjimin?

Zhurmat, në mënyrë ta padiskutueshme sjellin pasoja negative mbi shëndetin. Ndotja akustike ka qenë problem që në kohërat e luftës kur plasën lëndë plasëse, më pas, zhvillimi i industrive solli problematikë sa u takon zhurmave. Sot po vëmë re një fenomen tjetër, që janë lokalet e natës, pub-e, disko dhe plot aktivitete të tjera që janë bërë të padurueshme për qytetarët e Tiranës dhe qytete të tjera. Akoma më problematike është fakti kur këto zhurma janë të vazhdueshme ditën dhe aq më tepër në orët e natës, kur organizmi i njeriut kërkon një qetësi të plotë pas një ditë me aktivitet që ka patur.
Dua të theksoi se pasojat që shkaktojnë zhurmat tek dëgjimi nuk janë të menjëhershme, por ato vijnë në mënyrë graduale, deri sa pacienti, kur paraqitet tek mjeku, është shumë vonë, pasi dëgjimi i tij është dëmtuar në ata shkallë sa nuk kemi çfarë të bëjmë ndaj tij. E thënë në gjuhën mjekësore, në fillim zhurmat prekin tonet e larta dhe më pas tonet e ulëta, duke sjellë në mënyrë graduale probleme thelbësore për dëgjimin.

Ndotja akustike, përveç dëgjimit, a shkakton probleme të tjera mbi shëndetin?

Padyshim që po. Dua të theksoj se nuk është vetëm dëgjimi që dëmtohet nga zhurmat, pasi ndotja akustike sjell edhe probleme të tjera, si lodhje të shëndetit mendor, stres dhe pse jo, nëse kjo ndotje akustike është e vazhdueshme dhe e pandërprerë, sjell edhe depresion. Mund t’u sjell një shembull të thjeshtë në lidhje me këtë. Në bankoprovat e aviacioneve, punonjësit që merren me këtë punë, punojnë vetëm 15 minuta në ditë dhe plus kësaj, kanë edhe trajtime speciale pikërisht për këtë periudhë kohe që punojnë për 15 minuta, pasi puna e tyre bëhet në zhurma shumë të larta dhe kjo është cilësuar si punë e rëndë. Krahasoni me këtë shembull një banor që është i ekspozuar non stop ndaj zhurmave, sidomos gjatë orëve të natës. Pra, pasojat mbi shëndetin janë më se të qarta.

A ka ligj në vendin tonë që i mbron qytetarët nga zhurmat dhe si reagojnë vendet e tjera ndaj këtij fenomeni?

Për fat të keq, në vendin tonë, kuadri ligjor nuk është i plotësuar sa i takon ndotjes akustike. Por, si të mos mjaftonte kjo, as strukturat përgjegjëse nuk marrin masa ndaj këtij fenomeni, që është vërtet shumë problematik. Nga specializimet dhe eksperienca që kam mundur të përfitoj nga kolegët e mi të vendeve të Evropës, mund t’u them se në këto vende të gjitha subjektet që janë burim zhurmash ndërtohen jashtë zonave të banuara, madje ato duhet të jenë të izoluara mirë që të mos shkaktojnë ndotje akustike. Pra, mund t’u them se ndotja akustike është një kriter për të hyrë në Bashkimin Evropian. Çdo shtet duhet t’u sigurojë qetësi banorëve. Mund të përmend se në Zvicër apo Gjermani, pas orës 10 të natës nuk ka të hapura as lokale nate, të cilat janë thjesht bare pa zhurma, por që kanë grumbullime njerëzish, pa le të mendojmë lokale të zhurmshme në mes të natës në këto vende. Mund t’u përmend edhe Greqinë që e kemi këtu afër. Ata vërtet janë të dhënë pas jetës së natës dhe kanë shumë lokale të tilla, por të gjitha janë jashtë zonave të banuara. Mendoj se ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për këtë problem edhe në vendin tonë, pasi ka të bëjë me shëndetin e banorëve.

Ndotja akustike në Tiranë, edhe diplomatët, letra ankese Ramës

dt. 24 shtator

Ankohen në Bashki Ambasadori Kroat Darko Javorski dhe ai rumun Viorel Stanila. “Duam qetësinë që kanë ambasadorët tuaj në vendet tona”

TIRANË- Zhurmat e lokaleve të natës apo edhe të mjeteve të transportit që sjellin aty banorët e orëve të vona kanë detyruar një grup funksionarësh diplomatikë t’i drejtohen për një zgjidhje Bashkisë së Tiranës. Këta funksionarë jetojnë në kompleksin e banesave “Torre Drin” në rrugën Abdi Toptani (pak metra larg Bashkisë së Tiranës). Në letrën që i drejtojnë Z. Edi Rama shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me dy lokalet verore që gjenden në këtë zonë. “Që nga fundi muajit prill e deri tani “The living Room” dhe “Folie Terrace” që gjendet pas Kinema Millenium, luajnë muzikë me volum të lartë deri në orët e para të mëngjesit, duke na lënë pa gjumë”,- shkruhet ne letrën e firmosur nga Darko Javorski, (Ambasadori kroat), Viorel Stanila, (Ambasadori rumun), Raffaella Valentini, (sekretarja e parë e Ambasadës Italiane), Clare Sears, (atashe kulturor në Ambasadën Britanike), Luigi Fabri, (administratori i Torre Drini), Geront Selenica dhe Besnik Sulaj (banorë), dhe Znj. Simpson (UNDP) si dhe Noorimasa Shimomura (UNDP).
Here në mënyre individuale e herë të përfaqësuar nga Administrata e godinës ku jetojnë, këta banorë i janë drejtuar disa here Bashkisë dhe Policisë së Shtetit por situata vazhdon të mbetet e njëjta. Madje në letër shkruhet se “Disa prej këtyre ankesave policia i është përgjigjur se diskotekat e përmendura kanë leje nga Bashkia për të luajtur muzikë në orët e vona”. Ndërkohë nga bashkia thuhet se asnjë lokal në Tiranë nuk ka leje për të qëndruar hapur gjatë natës.
Diplomatët e huaj me delikatesë i sugjerojë Bashkisë që te gjejë një mënyrë për të zgjidhur situatën. “Pa dashur të ndërhyjmë në procedurat tuaja administrative apo në biznesin e këtyre lokaleve, me mirësjellje do t’ju kërkonim të rishikonit situatën”,- shkruhet në letër. Me tej shpjegojnë se muzika në apartamentet e tyre dëgjohet më tepër për shkak të altoparlantëve që lokalet kanë vendosur në ambientet e tyre. Ato e përforcojnë edhe më shumë volumin, që i tejkalon disa here kufijtë e normales. Nëpërmjet kësaj letre/ankesë ftojnë zyrtarë bashkiakë që të vërtetojnë fjalët e tyre duke matur nivelin e zhurmës gjatë natës në këtë zonë. Madje në katet e larta ku banojnë ata, muzika amplifikohet dhe iu vjen më e fortë në formë jehone.
Por përpjekja e banorëve për të zgjidhur problemin nuk mbyllet me kaq. Duke qenë se ne vendin tonë janë mysafirë ata shkruajnë se Tiranën e konsiderojnë si shtëpinë e tyre dhe do të donin që të paktën këtu të kishin kushtet minimale të jetesës. “Si mysafirë zyrtarë në vendin tuaj, disa prej nesh do të dëshironin të kishim të njëjtën qetësi që ambasadorët shqiptarë kanë në vendet tona”,- mbyllet letra e depozituar në Bashki.
Y.Lezo

Koço Naso
“Jemi bërë gati të ndërrojmë shtëpi”

Koço Naso është një nga banorët e zonës përreth lokalit “Steelwings”, një vend i njohur edhe për frekuentimin e “motoristëve”. Ai pohon se jeta në këtë zonë të bllokut është bërë e padurueshme dhe shumë nga banorët janë bërë gati të ndërrojnë vend.
Z. Naso, ju jetoni në zonë ku ka disa lokale nate. A ju shqetëson muzika e tyre?
Kanë ndërruar edhe marmitat e motorëve, kanë nga ato që bëjnë zhurmë. Po pate fëmijë të vogël në shtëpi i pushoi zemra nga zhurma. I ndezin motorët dhe lëshojnë gazin në maksimum. Sa fillon mbrëmja e deri në orët e para të mëngjesit krijohet një situatë e padurueshme. Sikur të bëhej një monitorim me kamera do të ishte më mirë. Mblidhen jo më pak se 30 motorë nga ata të mëdhenjtë dhe nuk kanë të reshtur nga zhurma. Këtu bëhet nami, shumë prej banorëve u është mërzitur shtëpia dhe duan të ikin nga kjo lagje.
Jeni ankuar në Policinë e Rendit apo në atë Bashkiake?
Të them të drejtën për shkaqe të ndryshme unë nuk jam ankuar por një pjesë e mirë e fqinjëve të mi i janë drejtuar policisë duke marrë në telefon apo edhe me letra.
Këto lloj lokalesh ekzistojnë në çdo vend, por janë në zona ta pabanuara, në periferi e jo në mes të pallateve dhe zonave të banuara. Nuk di se si lejohen që të shqetësojnë të tjerët në këtë mënyrë.

Luan Dallxhiu
“Zhurmat? Tashmë na ka ikur gjumi”

Luan Dallxhiu banon në një prej rrugicave të bllokut ku ndodhen disa lokale që mbajnë zërin e lartë. Ai shpjegon se në shtëpinë e tij mund të flihet gjumë vetëm në disa orare të caktuara, kur kanë baruar zhurmat e lokaleve të natës. Edhe pse janë interesuar në polici, përgjigjja që kanë marrë banorët e kësaj zone është se duhet që të bëjnë një peticion në bashki dhe ndoshta mund t’ iu vijë një zgjidhje.
Zoti Dallxhiu, jeni i shqetësuar nga zhurmat që shkaktohen në këtë zonë?
Po si të mos jesh, kur shumica e këtyre lokaleve që kemi pranë shtëpisë (për të mos thënë ngjitur) e mbajnë çdo natë muzikën me volum të lartë sa nuk flemë dot gjumë. Fillon muzika që nga ora 20.00 e mbrëmjes deri në 04:00 të mëngjesit, na çmenden. Këtu në këtë zonë ka shumë familjarë që duan të çlodhen në shtëpitë e tyre.
Si ia bëni me gjumin?
Unë fle në 01.00 dhe ngrihem në 04.00, tre orë gjumë ose përpiqem të fle ditën. Që kur kanë filluar këto lokalet përreth na ka ikur edhe gjumi tashme. Presim të mbarojnë ata qejfin njëherë. Nuk di se si do zgjidhet kjo punë.
Jeni ankuar diku?
Kemi marrë policinë e rendit dhe atë bashkiake por deri tani nuk ka ndryshuar asgjë. Madje na sugjerojnë që kjo çështje mund të zgjidhet duke bërë një peticion në Bashki.
Një natë rreth orës 00.30 ka ardhur një furgon i policisë bashkiake për këtë punë. Muzika u ndal për pak dhe filloi përsëri. Nuk besoj të bëjnë gjë as Policia Bashkiake dhe as Policia e Shtetit pasi në momentin që vijnë, kam parë që pronarët e lokaleve i marrin brenda dhe i qerasin.
Zakonisht ka çdo natë muzikë të lartë apo vetëm ne ditë të caktuara të javës?
Thuajse çdo natë. Por më shumë zhurmë ka nga dita e mërkurë deri të shtunën.

Rrëfimi i njërit prej banorëve të rrugës Vaso Pasha ku zhurmat e motorëve e kanë kthyer vendin të pabanueshëm
“Ministrat marrin pjesë në festat e zhurmshme”

Vangjel Nako banon në rrugën pranë lokalit “Steelëings” dhe zhurmat janë kthyer në një stres të vërtetë për familjen e tij. Ai dhe banorët e lagjes kanë menduar që të ankohen por nuk kanë se ku pasi edhe pushtetarët marrin pjesë në festa të ndryshme që organizohen aty. Pak kohë më parë ishte ministri i Kulturës, Ardian Turku dhe homologu i tij kosovar që ndodheshin në atë festë dhe përshëndesnin motoristët.
Zoti Vangjel jeni i shqetësuar nga zhurmat e lokaleve e të natës?
E kam shtëpinë pranë një lokali të tillë këtu në rrugën “Vaso Pasha”. Zakonisht ka zhurma që shkaktohen ose nga muzika e lartë e lokalit ose nga motorët.
Si e përballoni këtë situatë?
Po ç’të bëjmë, më këto kushte jemi të detyruar të përshtatemi.
Jeni ankuar diku për këtë problem?
Unë jo, po janë ankuar shumë banorë nga lagjja. Madje flitet se do të bëhet një peticion dhe do t’i dërgohet bashkisë. Po s’ke edhe kujt t’i ankohesh. Mbaj mend një natë, rreth dy a tri javë më parë, ishte një festë e këtyre grupeve që kanë motorë. U mblodhën këtu tek rruga, duke bërë shumë zhurmë. Madje aty ishin edhe ish-ministri ynë i Kulturës, Ardian Turku, bashkë me Ministrin e apo zëvendës ministrin e i kulturës së Kosovës. Erdhi policia dhe ata (motoristët) filluan të tallen me policinë. Madje e kam dëgjuar edhe nga brenda shtëpisë kur thërrisnin me altoparlant, “Tani do të përshëndesë ministri Kulturës i Shqipërisë” apo “E ka radhën ministri i Kulturës së Kosovës për të na përshëndetur”

Frederik Hadëri pohon se banorët janë duke përgatitur një peticion ku kërkojnë që t’i jepet një zgjidhje këtij problemi
“I kam dërguar e-maile Ramës por pa përgjigje”

Frederik Hadëri është një nga qytetarët që e vuan zhurmën e lartë që shkaktojnë lokalet e natës. Ai e ka shtëpinë tek rruga “Vaso Pasha”, pikërisht një kat më lart lokalit të quajtur “Steel Ëings”. Përveç muzikës së lartë familja Hadëri duhet të përballet edhe me zhurmën e motorëve të klientëve të këtij lokalit. Frederiku thotë se ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Rendit dhe asaj Bashkiake por situata vazhdon të jetë e njëjtë. Nisur nga kjo eksperiencë ai rrëfen se i ka humbur besimi në institucionet qendrore apo ato lokale duke shpresuar vetëm tek sensibilizimi i qytetarëve të Tiranës që të gjithë së bashku t’i japin fund këtij stresi të përditshëm. Ai i kërkon të gjithë “bashkëvuajtësve” të tij që të mos tregohen indiferentë ndaj kësaj çështjeje por të organizohen për një zgjidhje të përhershme të saj.
Zoti Frederik jeni i shqetësuar nga zhurmat e lokaleve të natës ?
Poshtë shtëpisë kam një lokal i cili po ma vështirëson jetesën sa jam detyruar të marr një shtëpi tjetër me qira për të banuar. I mbaj të dyja shtëpitë dhe këtu vij herë pas here. Kam gjashtë vite me këtë histori. Më parë aty ka pasur një biznes tjetër i cili gjithashtu shkaktonte zhurma të shumta. Tashmë që është bërë ai lokali nuk mund të jetohet më aty. Jo më larg se pardje, rreth orës 03.00-04.00 të mëngjesit kishin ngritur volumin e muzikës edhe pse në lokal nuk kishte mbetur njeri tjetër përveç kamerierëve. Pastaj filluan të ngulin gozhdë, duke na zgjuar sërish nga gjumi. Nënën e kam të sëmurë, për shkak edhe të moshës ka probleme me të fjeturin imagjino që edhe ta zgjojnë sapo e zë gjumi.
Jeni ankuar për problemin tuaj në bashki, polici apo diku tjetër?
Vazhdimisht. Hera e fundit ka qenë jo më larg se parmbrëmë. I kam dërguar e-mail edhe Kryetarit të Bashkisë, zotit Edi Rama, por deri tani nuk ka një masë konkrete për zgjidhjen e problemit. Më parë jam ankuar edhe te Policia e rendit kurse tani tek ajo bashkiake. Vazhdimisht kam vënë në dijeni ish-nënkryetarin e bashkisë, Eduard Shalsin. Ka pasur raste edhe që i kam çuar mesazh në telefon në orën 24.00 të mbrëmjes dhe policia bashkiake ka ardhur e ka ndaluar muzikën për një periudhë shumë të shkurtër. Menjëherë pas ikjes së tyre ka vazhduar sërish.
Ka pasur raste kur kam kërkuar ndërhyrjen e Policisë Bashkiake dhe nuk ka ardhur njeri.
Po me pronarët a jeni përpjekur të bisedoni?
Kam folur me pronarin e lokalit, por ai e ka dhënë me qira dhe aktivitetin e zhvillon dikush tjetër. Ai më kërkoi falje për shqetësimin mendova se u zgjidh kjo punë por, dy ditë më pas vazhdoi e njëjta situatë.
Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?
Brenda pak ditësh mendojmë t’i dërgojmë një peticion të firmosur nga banorë të lagjes Bashkisë. Më shumë se tek institucionet e shtetit apo tek bashkia kam besim tek një lëvizje qytetare. Do të ishte më mirë që qytetarët e Tiranës të sensibilizoheshin për këtë problem dhe të kërkonin një zgjidhje përfundimtare të tij. Kjo çështje duhet të zgjidhet nga ata persona që e kanë mbi kurriz.
E.Senja

Banorët:
“Zhurmat e natës po na torturojnë”

Një herë e një kohë të ishe banor i Bllokut ishte një privilegj por tashmë është kthyer në një stres zhurmash. Banorë të ndryshëm të kontaktuar nga “Shekulli” pohojnë se jeta e tyre është bërë e pamundur për shkak të zhurmave të shumta gjatë natës dhe ditës. “Zhurmat po na stresojnë deri në çmenduri. Nuk mund t’i durojmë, se jemi të moshuar dhe të sëmurë”,- pohon banorja e ish-zonës së Bllokut, Afroviti Ropi. “Jetojmë në një trysni zhurmash të vazhdueshme. Nuk na lënë të flemë gjithë natën. Jemi të moshuar dhe kjo situatë është e padurueshme për ne”
Stresi i tyre më i madh është nata. “Këtu nuk zbatohet asnjë limit. Dëgjojmë muzikë me zë të lartë deri në orën 4 të mëngjesit. Edhe dita është e zhurmshme, kështu që prej vitesh nuk kemi kaluar asnjë natë të qetë në shtëpitë tona,”- pohon e moshuara Olimbia Kodra, banore e ish-zonës së Bllokut. Ndërsa bashkëshorti i saj, Kostandin Kodra, pohoi se vitet e fundit ka filluar t’i humbasë dëgjimi, ndaj e ndien veten më me “fat” se banorët e tjerë, sepse e përballon më shumë torturën e shkaktuar nga zhurmat. “Jam me aparat në vesh, siç e shikon, dhe e vendos sa herë dua të dëgjoj dikë kur flet. Në të kundërt e heq dhe nuk dëgjoj atë zhurmë të padurueshme që mbizotëron në zonën tonë”,- pohon ai.(Shekulli)

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22989. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22989