Rashdi, dashuria dhe jeta
Gratë, bukuria, thashethemet e më pas arti i të shkruarit, letërsia, dy gjuhët që përdor dhe qytetet e pafundme në të cilat ka qenë. Takim me shkrimtarin e “Vargjeve Satanike”</p>
Në botë nuk janë të shumtë shkrimtarët e përmasave dhe të origjinalitetit të Salman Rashdit. Megjithatë, kur e ke përballë, mendon se këtë njeri e kishe përfytyruar ndryshe para se ta njihje. Arsyet janë të ndryshme: ndoshta për shkak të veshjes së tij shumë ekstravagante, ndoshta për shkak të bluzës së bardhë me copëza lëkure leopardi, e ndoshta për namin që ka si një shijues i jetës së ditës dhe asaj të natës, të jetës shpirtërore dhe asaj fizike. Si në çdo vend ku shkon, qoftë edhe për pushime, ai nuk harron që të marrë me vete laptopin, disa libra dhe mbi të gjitha të organizojë konferenca të vogla me lexues dhe dashamirës të shkrimeve të tij. Fama e tij dhe mbi të gjitha shkrimet nuk janë shoqëruar deri më tani me ndonjë “Nobel”, por me shumë çmime të rëndësishme për botën e letërsisë dhe me një kërcënim nga Teherani në lidhje me librin që e bëri të famshëm “Vargje Satanike”. Ai zakonisht është një njeri që e përdor shumë mirë buzëqeshjen, si dhe gjuhën e tij të dytë, anglishten, të cilën tashmë e ka perfeksionuar në atë shkallë sa të shkruajë e të hedhë në letër gjithë mendimet e veta. Madje, përdor anglishten e zotërinjve me stërhollime gramatikore e frazash që e bëjnë ta dallosh menjëherë nga shkruesit e tjerë jo britanikë. Por po aq mirë ai di të përdorë edhe ironinë, madje sarkazmën hera-herës, që sipas tij, është pjesë e pashmangshme e realitetit tonë. Në vitin 1999, pak pas deklaratës së qeverisë iraniane se tashmë e kishte hequr dënimin me vdekje ndaj shkrimtarit, duke e lënë më në fund të lirë, Rashdi iu rikthye jetës publike që do të thotë se për të nisën të qarkullonin thashetheme, sikundër ai vetë nisi të qarkullonte nëpër festa e mbrëmje me vajza të bukura e njerëz të famshëm, kryesisht britanikë. Kur e pyetën një herë në një intervistë në lidhje me të gjitha thashethemet që qarkullonin për të dhe që mund tia prishnin imazhin, Rashdi u përgjigj se thashethemet janë rrezik i zanatit dhe se ai ishte shumë i qartë për risqe të tilla e se i kontrollonte fort mirë. Shkrimtari i madh që ka sjellë në jetë një botë me personazhe të shumta e të çuditshme, ndoshta nuk do të ishte bërë i tillë sikur të kishte një jetë të zakonshme. Ai i kërkon vetë situatat e jashtëzakonshme e personazhet e çuditshme. Veç kësaj, ai është i famshëm edhe për marrëdhëniet e tij me femrat. Për tu martuar me ish-gruan e tij 25 vjet më të madhe në moshë, Padma Lakshmi, ai divorcoi bashkëshorten e tretë. Për të pasur një divorc të shpejtë, ai i dha ish-gruas plot 7 milionë euro. Por fatkeqësisht dhe kjo përpjekje e katërt e bashkëshortes nuk i doli mbarë dhe nuk dihet ende se sa para i ka dhënë ai ish-gruas së tij të katërt që vendosi ta linte një ditë të bukur. Nga të gjitha këto përvoja ka mësuar se në marrëdhënien në çift është shumë e rëndësishme miqësia. “Libri juaj i fundit quhet E mrekullueshmja e Firences dhe rrëfen për Italinë dhe Indinë në epokën e Rilindjes. Libri para këtij titullohej: “Klouni Shalimar” dhe është historia e një vrasësi të lindur në Kashmir. Por një nga përpjekjet e tij më të suksesshme është edhe shkrimi i historisë së Orfeut dhe Euridicës, më pas keni shkruar reportazhe shumë të bukura për Nikaraguan, ese për politikën, futbollin dhe madje edhe përralla për fëmijë. Në çdo material keni përdorur një gjuhë të re të foluri. Ka raste që ajo është e thjeshtë dhe e kuptueshme, e herë të tjera bëhet shumë hermetike, e koklavitur dhe e pasur me figura letrare”. “Kur nis të shkruaj pyes gjithmonë veten: ku zhvillohet ngjarja dhe mbi të gjitha në çfarë epoke. Vetëm pasi i kam dhënë përgjigje një pyetjeje të tillë unë vendos që të zgjedh edhe gjuhën që u shkon për shtat atyre ngjarjeve. Në rastin e librit për Firencen kam dashur të rrëfej një mister dhe misteri është gjithmonë interesant, por duke qenë se kisha zgjedhur një ngjarje në të shkuarën, madje në të shkuarën e largët u frymëzova nga librat dhe stilet e veprave të tilla si ato të Aristotelit dhe Don Kishotit”. Rashdi ka shkruar për të tashmen në reportazhet e tij dhe për të shkuarën në romane, po a do të shkruajë ndonjëherë për të ardhmen? Ai vetë thotë se e ka menduar një gjë të tillë dhe se do ti pëlqente dhe madje mund të jetë edhe subjekti i romanit të tij të ardhshëm. Ai ka qenë gjithmonë i magjepsur nga historitë fantastiko-shkencore dhe libri i tij i parë me tregime, për të cilin ai nuk është se ka ndonjë konsideratë të madhe profesionale tani, është një rrëfim fantazie dhe fantashkence njëherazi. Ai e ka përdorur fantashkencën edhe në romane të tjera, por jo në të gjithë linjën, por në linja të veçanta. Kur ishte i ri i pëlqente shumë që të lexonte për të rejat e fundit të shkencës dhe për parashikimet e së ardhmes. Veçanërisht kjo lloj gjinie pati një bum të vërtetë në vitet 60 që sot konsiderohet edhe si periudha e artë e fantazisë. Fatkeqësisht, sot kjo lloj letërsie kaq pjellore dhe intriguese nuk ekziston më, të paktën në ato përmasa. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve të sotëm fantastiko-shkencorë nuk shkruajnë me ndonjë nivel dhe fantazitë janë të vakëta. Kështu, Rashdi rrëfen se ai ishte i ngopur dhe nuk e lexonte më këtë lloj krijimtarie, por kishte menduar që ta sillte vetë edhe pse kishte pak droje, pasi një letërsi e tillë kërkonte edhe punë kërkimore dhe hulumtime në fusha të ndryshme të shkencës. Nga ana tjetër fantashkenca është një fushë që i jep shumë hapësirë një shkrimtari dhe kjo është premisa e parë që ky zhanër është i destinuar për të rilindur. Sipas tij, është i vetmi zhanër që i jep mundësi shkrimtarit që të lëvrojë shumë ide. Ndërkohë në librat e tij, Rashdi ka shkruar për shumë qytete të ndryshme të botës, kjo sepse autori ka jetuar dhe ka shkuar në shumë qytete. E në morinë e këtyre metropoleve të mëdha e të vogla cili është ai që shkrimtari e konsideron qytetin më interesat të botës?</p>
Sipas tij, deri në vitin 2001 qyteti më interesant i botës ishte Nju Jorku, por më pas situata ndryshoi dhe rënia në fakt ndodhi para këtij viti. Nju Jorku, sipas shkrimtarit, ka qenë qendra kulturore e botës dhe kjo deri në fund të viteve 70. Në atë epokë, shumë pak gjëra kishin të bënin me paratë. Rashdi vazhdon të thotë se në vitet 80 hyri fuqishëm kulti i parasë dhe pagesave dhe arti u shndërrua në konsum dhe pjesë e biznesit fitimprurës. Paraja ndryshoi vlerat e deriatëhershme dhe vlerat u zëvendësuan nga injoranca e mitet e rreme. Qyteti rreshti së prodhuari art e në vend të artit prodhimi i tij i parë ishin paratë. Më pas, situata rrodhi duke u përkeqësuar deri më 11 shtator që shënoi jo vetëm për Nju Jorkun, por për tërë botën një epokë të re. Sipas shkrimtarit, sot në botë nuk ekziston një vend kryesor që të mund të konsiderohet si Roma e re. Ndoshta për disa vjet një qytet i tillë mund të jetë Pekini, apo Mumbai. Fakti është se bota po ndryshon në një mënyrë marramendëse. Por duke iu rikthyer dashurisë së parë të shkrimtarit, Nju Jorkut, që është edhe vendi ku ai ka jetuar për një kohë të gjatë çfarë vërtet i pëlqen atij në këtë qytet? Rashdi thotë se çdo qytet të kërkon dhe të jep diçka dhe për sa i takon Nju Jorkut është një qytet që kërkon shumë nga banorët e tij. Në këtë metropol, njerëzit punojnë 12 orë në ditë dhe kjo është një nga gjërat që i pëlqejnë më shumë shkrimtarit, pasi në një vend ku të gjithë punojnë shumë, është shumë më e lehtë që të punosh më mirë dhe si pasojë edhe ai e ka pasur periudhën e Nju Jorkut shumë produktive. Por kur një shkrimtar dashurohet me një qytet, bëhet fjalë për një dashuri që zakonisht ka si shkak një arsye të caktuar dhe zgjat një periudhë të caktuar. Rashdi është shumë kozmopolitan. Dashuritë e tij për njerëz të ndryshëm e qytete të ndryshme janë tashmë të njohura e si pasojë pikërisht këto dy tema të mëdha, pra përkatësia dhe çrrënjosja janë ndër temat kryesore të shkrimeve dhe romaneve të tij. Sipas vetë fjalëve të shkrimtarit, njerëzimi jeton në një dilemë të përjetshme ekzistenci
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23093. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23093