Drogohej, rrihte burrin e vjehrrën, dhe më pas kërkon divorcin!
Kishim dëgjuar që burri të ushtronte dhunë mbi gruan. Po të kundërtën? Që gruaja të ushtrojë dhunë mbi burrin dhe më pas të kërkojë divorc…, rrallë mund të na ketë rënë në vesh. Ka filluar bukur, si nëpër filma, por ka përfunduar trishtuar, gjithashtu si nëpër filma. Një histori dashurie, që pa mbushur ende 7 vjet nga kurorëzimi i saj, është përplasur në dyert e organit gjykues, për ti dhënë fund martesës së çiftit. Por këtë herë jo si gjithë të tjerat. Në një vendim të regjistruar në çështjet civile të Gjykatës së Tiranës, me gjyqtare Elona Gjokën, padia ka për objekt; zgjidhje martese. Këtu historia devijon nga rrjedha e zakonshme. Personi që ka ngritur padinë është gruaja, e cila ka mbaruar studimet e larta për rusisht. A. K 36 vjeç, e lindur në qytetin e Kuçovës dhe banuese në Tiranë dhe i paditur është bashkëshorti i saj, N.K 33 vjeç.</p>
Sipas rrëfimeve të çiftit, kjo martesë ka ardhur si pasojë e një lidhjeje të fortë dashurie mes tyre. Vitet e para të njohjes kanë ecur shumë mirë. Në vitin 2002, ata vendosin ta certifikojnë marrëdhënien e tyre, duke u celebruar në kryeqytet. Por, shumë shpejt, asgjë nuk po shkonte siç ata e kishin menduar. Në seancat gjyqësore, pretendimet e secilës palë për njeri-tjetrin janë të ndryshme. 36 vjeçarja A.K. pohon se: ish-bashkëshorti i saj është njeri i dobët, depresiv dhe nuk punon. Largimi në Greqi dhe më pas ardhja në Shqipëri, gjendja e vështirë ekonomike, kanë ndikuar në mosmarrëveshjet e vazhdueshme të çiftit në fjalë. Ndërsa, nga ana tjetër, bashkëshorti i saj ka një argument krejt ndryshe. Ai pohon se, gruaja e tij ka pasur probleme të rënda me lëndën narkotike, duke qene e varur vazhdimisht nga droga. Droga për këtë çift ka qenë prezente që në fillimet e njohjes së tyre. Nuk kishin kaluar shumë kohë nga martesa, dhe gruaja filloi të shfaqë shenjat e drogimit të saj, ishte e dhunshme dhe agresive. Shante e fyente me fjalë të paimagjinueshme, jo vetëm partnerin, por edhe nënën e tij (vjehrrën). Gjatë këtyre krizave, ajo nuk ka kursyer as të “rrahurën” ndaj bashkëshortit të saj dhe vjehrrës. Krahë në këtë rrugë, i janë bërë edhe familjarët e saj, të cilët e kanë mbështetur dhe në bashkëpunim me ta, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortit.</p>
Pasi i ka bërë të gjitha këto, ajo nuk ka përfunduar me kaq. Ka mundur të vjedhë shumë sende me ndihmën e familjarëve të saj, duke e lënë përfundimisht njeriun më të cilin jetoi për aq kohë, jo vetëm pa grua por edhe pa ato pak gjera që ata kishin blerë bashkarisht me kursimet e tyre. Deri këtu, asgjë nuk kishte mbetur që ky çift të jetonte më bashkë, ndaj të dy ranë dakord që ti jepnin fund lidhjes 7-vjeçare të martesës. Në këtë përfundim arritën edhe togat e zeza të Gjykatës së kryeqytetit, të cilat me një vendim të tyre e shpallën të zgjidhur këtë martesë. Nga kjo martesë nuk ka pasur fëmijë, gjë që e ka bërë më të lehtë këtë ndarje me një histori jo si gjithë të tjerat.</p>
Neni 132 i Kodit të Familjes.
“Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të renda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit, ose për çdo shkak tjetër, që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve, që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës, ose për dy bashkëshortët”.(Shekulli)</p>
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23287. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23287