Vazhdon dëshmia e Colit: Vrasës me pagesë në ekzekutimin e Lul Berishës
Pas dështimit të atentatit të parë kundër Lul Berishës, banda e drejtuar tashmë nga Indrit Dokle nuk hoqi dorë. Rekrutimi i djemve nga Burreli nuk po jepte rezultat, ndaj edhe anëtarët e bandës u detyruan të paguajnë dy kosovarë, të cilët sollën nga Kosova në Tiranë, brenda një kamioni me patate dy antitanke. Megjithatë, fati do të ishte edhe këtë herë me Lul Berishën, pasi njëri prej kosovarëve plagosi veten aksidentalisht. Në dëshminë e tij, Adriatik Coli rrëfen për planin e ekzekutimit gjakftohtë të Avni Gashit si dhe motivet që i shtynë të përplasen me truprojën e diskos tek “Sheratoni”, ç’ka do të shënonte edhe vrasjen e fundit të kryer prej bandës së Durrësit.</p>
TIRANË- …Ne morëm vesh më vonë se kur e kishim qëlluar Indrit Taullain, ai kishte shkuar me vrap tek një lokal i njohur dhe atje e kishte marrë në telefon Lul Berishën. I kishte thënë: më kanë qëlluar. Luli nuk kishte shkuar vetë, por i kishte telefonuar ndërmjetësit dhe i kishte thënë që të merrte Indrit Taullain. Edhe ai kishte çuar një njeri tjetër. Na thanë se ky i fundit e kishte takuar Indrit Taullain dhe kishte vërejtur se ai ishte shumë i trembur dhe nuk ishte normal. Luli nuk e besonte historinë që i kishte ndodhur Indrit Taullait, pasi i thoshte se si ka mundësi që nuk të kanë vrarë, sepse këtu qenkan gëzhojat dhe t’i ke shpëtuar dhe je hedhur nga 50 km në orë. Na thanë madje se Luli kishte filluar të dyshonte tek Indriti dhe biles kishte bërë prova me makinë, duke ecur me 50 km në orë me makinën e tij dhe i thoshte Indritit që të hidhej, por Indriti nuk hidhej.
Në takimet që ndërmjetësi ka bërë me ne, si moment nuk më kujtohet mirë, por pas vrasjes së Klodit na tregoi se Plarenti me Indrit Taullain ziheshin të dy, duke thënë se nuk e vrave ti, por e vrava unë. Indriti i thoshte “po ku qëllon Lenti, e di ti se si qëllon Lenti”. Pas ngjarjes së ndodhur me Indrit Taullain ramë në qetësi. Unë i thashë Indrit Dokles se do të ikja. Kjo për arsye sepse kishin filluar dyshimet mes nesh, pasi Indriti më thoshte pse nuk po del Luli, mos e lajmëron njeri atë etj. Kështu që unë u largova për në Itali, në muajin korrik të vitit 2005. Në Itali kam qëndruar deri në mes të muajt gusht 2005. Gjatë kësaj kohe komunikoja rregullisht me Indritin.
***
Kur erdha nga Italia, kisha mbledhur 100 mijë euro nga tregtia e drogës. Kur erdha unë, menjëherë jam vendosur në Tiranë tek shtëpia që kishte Indriti bashkë me dashnoren e tij. Aty gjeta Ervinin, Selën, Kujtim Bunën, një djalë me emrin Spartak nga Burreli dhe Sardian Sulejmanin nga Durrësi. Të nesërmen unë me Indrit Doklen dhe Ervinin nga Burreli shkuam me avion në Prishtinë, që nga Tirana për t’u interesuar për trafikun e drogës. Pasi bëmë muhabetet rreth trafikut të drogës, u kthyem në Tiranë të nesërmen. Mora vesh se Indrit Dokle, këta burrelasit i dërgonte vazhdimisht në Durrës që ta ruanin Lulin dhe ta vrisnin. Pasi unë u ktheva nga Italia, Sela shkoi dhe nja tre a katër herë të tjera në Durrës, së bashku me Sardianin dhe Spartakun për ta vrarë Lulin, por nuk u bë gjë. Kujtim Buna, një natë bëri fjalë me Selën në prani të të gjithëve dhe po i thoshte përderisa do marrësh lekët, përse nuk shkon me e vra, apo po shkon për t’u tallur. Ngrihet Ervini dhe thotë se këtij nuk i kanë vrarë as nënë e as babë. Aty ndërhyn Indriti, duke thënë ty nuk të takon me fol shumë, se në qoftë se nuk e vrisni ju, do të vrasim vetë, kështu që prishet muhabeti dhe vendosem të ndërronim shtëpi dhe u ndamë me ta. Nga ai moment iku Sela me Spartakun dhe pas dy ditësh iku edhe Ervini. Pastaj ne vendosem me njëri-tjetrin që të largoheshim prej aty. Në atë kohë, unë rrija me Indritin, Sardjan Sulejmanin dhe Kujtim Bunën, pasi me burrelsat ishim prishur. Gjatë kësaj kohe po bënim plane për të vrarë Lulin me kundërtank, për këtë gjë u interesua Kujtim Buna, i cili i telefonoi një personi nga Kosova për të blerë dy kundërtank njëpërdorimësh. Këto dy kundërtanke i sollën dy shtetas kosovarë, të moshës rreth 40 vjeç njëri prej tyre ishte i gjatë dhe rreth 1.80 m dhe i shëndetshëm, kishte flokë biondë, ndërsa tjetri ishte më i shkurtër rreth 1.65 m me trup të dobët dhe me flokë të rëna. Bisedat paraprakisht me këta i kishte bërë Kujtimi dhe me këta Kujtimi ishte shoqëruar, që e morëm vesh më pas. Tre apo katër ditë pas porosisë së Kujtimit, dy kosovarët për të cilët fola, sollën në Tiranë dy kundërtanket e fshehur në një kamion të mbushur me patate. Kamionin me patate e kanë sjellë deri në afërsi të rrugës “Komuna e Parisit”.
***
Në këtë vend ndaluan makinën pak larg, i morën kundra-tanket në një thes dhe na i sollën në shtëpi. Kur erdhën në shtëpi po na mësonin se si t’i përdornim. Nga udhëzimet e tyre mësuam se këto ishin njëpërdorimshe dhe pasi bëhej shpërthimi i parë që çanin blindën, shpërthenin përsëri brenda dhe kishin një temperaturë 4000 gradë. Në këtë kohë, Kujtimi bisedoi me kosovarin e shkurtër dhe i kërkoi t’i gjente nja dy kosovarë, të cilët duhej të qëllonin për të vrarë Lul Berishën. Erdhën dy kosovarët që i solli baca i vogël, me këtë emër e thërrisnim kosovarin e shkurtër që solli kundra- tanket. Me këta e bëmë pazarin për 80 mijë euro për të vrarë Lul Berishën. Ne u kërkuam që të qëllonin me kundra- tank, por ata nuk pranuan dhe thanë se është më lehtë ta vrisnim me pistoleta, pasi t’i afrohemi afër. Ne këtyre u dhamë dy pistoleta si dhe fotografinë e Lul Berishës, fotografi kjo e prerë nga fotot e dala në kohën kur grupi ishte bashkë. Njëri nga kosovarët ishte më i shkurtër dhe e quanin “kinezi”, ndërsa tjetrit nuk ia mbaj mend emrin. Dy kosovarët i dërgoi në Durrës Sardian Sulejmani dhe u tregonte vendin dhe lokalin ku do t’i gjuanin Lulit. Kosovarët i strehuam në plazh, tek një hotel të cilit nuk ia di emrin. Ditën që ka ndodhur ngjarja, dy kosovarët po qëndronin në zonën afër lokalit të Lulit, por të shkëputur me nga 50 metra nga njëri -tjetri.
Në kohën kur po prisnin daljen e Lulit, njëri prej kosovarëve ishte sulmuar prej tre personave të cilët i ishin qepur për ta rrahur. Ky kishte futur dorën tek pistoleta dhe e ka shkrepur pa dashje, duke plagosur veten. Siç na tregoi Sardiani më vonë, ai i kishte rënë telefonit të këtij kosovarit, por nuk përgjigjej. Në një nga këto thirrjet, ai është përgjigjur me gjysmë zëri. Atëherë është afruar Sardiani me kinezin dhe e kanë gjetur kosovarin të shtrirë në tokë. Ai i ka kërkuar Sardjanit ndihmë. Por Sardiani ia ka marrë armën të vetë plagosurit dhe kinezit dhe ka ikur që aty, duke i lënë në rrugë. Ndërkohë, kinezi ka lajmëruar policinë dhe ka shkuar bashkë me shokun e tij në spital. Kur policia më pas ka shkuar në spital, kinezi i është dorëzuar policisë dhe kjo tentativë vrasjeje ndaj Lul Berishës dështoi.
***
Indrit Doklesi ishte bërë fiksim se Avni Gashi kishte spiunuar kur ishte vrarë Klodi. Kjo përshtypje i ishte krijuar, pasi natën e vrasjes së Klodit, Avniu kishte qenë duke shkuar për në Tiranë dhe kishte ndaluar në autostradë, ku kishte parë makinën e Klodit përmbys. Këtë muhabet, Avniu na e kishte treguar mua dhe Indritit. Atë ditë do të luhej ndeshja Shqipëri-Turqi në Tiranë. Para se të fillonte ndeshja, unë me Indritin, Sardianin dhe Kujtim Bunën ishim tek shtëpia me qira tel “21 dhjetori”. Indriti e mori në telefon Avniun dhe i tha: “hajde e flasim për punë pune, por mos i trego njeriu që ke ardhur këtu”. Indriti la takim me Avniun tek hoteli aty pranë dhe e porositi që të vinte me furgon që të mos ta shikonte njeri. Dhjetë minuta para ndeshjes, Avniu i bëri telefon Indritit e i tha se kishte ardhur tek hoteli. Indriti i tha: më prit se po vij aty. Në këtë moment ne ishim te garazhi poshtë shtëpisë sime dhe po prisnim ardhjen e Avniut. Pas telefonatës që i bëri Indritit, ky i fundit dërgoi Sardianin në këmbë për ta marrë, pasi shtëpia ishte rreth 300 metra larg hotelit. Pas rreth 5 minutash, Sardiani erdhi së bashku me Avniun pa asnjë merak, pasi njiheshin me njëri-tjetrin. Sapo Avniu erdhi, ai u takua me mua, Kujtimin dhe Indritin dhe u ulëm tek karriget. Unë në atë kohë isha duke luajtur në kalçeto dore me topa ping-pongu së bashku me Kujtimin. Përpara se të vinte Avniu, ne e kishim planifikuar se ai do të vritej. Sapo Avniu u ul në një karrige, Indriti e pyeti atë për ngjarjen e vrasjes së Klodit dhe ai i tregoi momentin që na kishte treguar më parë. Pas pesë minutash ata afrohen afër meje dhe Kujtimit. Sardiani ishte në krah të djathtë të Avniut. Kur Avniu afrohet afër kalçetos, e qëllon me silenciator nga xhepi i brendshëm i xhaketës së krahut të majtë dy herë në kokë. Avniu bie menjëherë në tokë. Unë mora një qese të zezë, vesha një palë doreza dhe me qese i mblodha kokën e Avniut. Qesen e shtrëngova me skoç rreth qafës, në mënyrë që mos të dilte gjaku. Kujtimi më ndihmoi duke e ngritur kokën e Avniut që unë ta fusja në qese dhe ta shtrëngoja me skoç. Pastaj i hoqa jelekun Avniut, pasi ishte bërë me gjak e tërhoqa nga pellgu i gjakut. Hapa bagazhin e “Jaguarit” dhe shtrova qese të zeza dhe pastaj morëm kufomën dhe e futëm brenda të katërt. Jelekun e futëm me një qese dhe e hodhëm në një kazan plehrash në lagje. Pasi e futëm trupin e Avniut në bagazh, filluam të pastronim pellgun e gjakut, të cilin e kemi pastruar me shtupa dhe detergjente. Shtupat, fshesët dhe celularin e Avniut, pasi e thyem, i hodhëm të kazani i plehrave në lagje. Kur i mbaruam këto punë, Indriti na tha që ai do të ikte para me Kujtimin, ndërsa unë me Sardianin do ta ndiqnim mbrapa me “Jaguar”.
***
Indriti me Kujtimin morën një taksi dhe kur taksia erdhi, ne e ndoqëm nga mbrapa. Makinës “Jaguar” i jepja unë, ndërsa Sardiani ishte në vend të parë. Vazhduam rrugën për në autostradë dhe në Sukth morëm Indritin dhe Kujtimin, të cilët kishin zbritur nga taksia. Pastaj kaluam mbikalimin dhe morëm rrugën Plepa – Tiranë. Aty qëndruam në një lokal dhe hëngrëm bukë. Në atë kohë, ishte pjesa e dytë e ndeshjes Shqipëri-Turqi. Ne pritëm sapo u errësua pak dhe me pas hipëm makinës dhe morëm drejtimin për në Tiranë. Pasi kishim bërë rreth 100 metra rrugë, pamë një lavazh makinash dhe na u duk vendi i përshtatshëm për të hedhur kufomën e Avniut.Kthyem makinën me prapakolp, unë me Kujtimin veshëm doreza nga ato që përdoren për pastrim shtëpie, dolëm nga makina, hapëm bagazhin dhe pasi morëm kufomën e Avniut, e ulëm në tokë. Pastaj unë i hoqa qesen që kishte në qafë dhe këtë qese e futa në një qese tjetër të pastër dhe Avniun e vrarë e hodhëm tek disa ferra poshtë lavazhit. Mbasi e hodhëm trupin, i hoqëm dorezat dhe i futëm tek qesja me gjak. Këtë qese e futëm përsëri në bagazhin e makinës dhe pasi u futëm në makinë u nisëm dhe morëm rrugën nga kishim ardhur. Kur dolëm te katër rrugët e Shijakut, ndoqëm rrugën për në Tiranë. Kur kaluam Maminasin, ndaluam makinën dhe dogjëm qeset me çakmak dhe nga ato nuk ngeli asgjë. Pastaj vazhduam rrugën për në Tiranë, kur shkuam te garazhi i shtëpisë sime. Ata ikën të tre tek shtëpia e re, që kishim marrë me qira, ndërsa unë qëndrova. Më pas mora vesh nga Indriti se armën me të cilën Sardiani qëlloi Avniun, ai e kishte bërë copa-copa dhe e kishte hedhur nëpër puseta të lagjes.
Të nesërmen te garazhi i shtëpisë sime ka ardhur Kujtim Buna dhe unë me Kujtimin pastruam edhe njëherë vendin ku u vra Avniu. Mbasi e pastruam mirë dhe na u mbush mendja se nuk kemi lënë asnjë shenjë, filluam të mbyllnim dy vrimat që kishte lënë pistoleta në momentin që u qëllua Avniu. Vrimat i mbushëm me llaç dhe i lyem me gëlqere. Vrimat ishin në faqen e majtë të murit, në pozicion sipër njëra tjetrës kur futesh te garazhi majtas. Pasi i bëmë këto punë, Kujtimi iku, ndërsa unë qëndrova. Disa ditë më pas, Indritin e morën në telefon nga shtëpia e tij dhe i thanë se ka ardhur një fletë-thirrje nga Prokuroria e Durrësit. E kishin sjellë dy oficerë krimesh. Indriti konsultohet me babanë e tij dhe i thotë që nuk kam pse të shkoj. Indriti i tha babait të tij të takonte avokatin, në mënyrë që të pyeste nga prokuroria se për çfarë e kishin thirrur. Avokati nuk kishte kthyer përgjigje dhe pas dy ditësh, Indritit i vjen fletë-thirrja e dytë nga Prokuroria e Durrësit, të cilën ia kishte çuar tek shtëpia një mikrobus policie. Indritin e morën përsëri nga shtëpia e tij dhe e lajmëruan se kishte shkuar mikrobusi i policisë së durrësit dhe i kishte çuar fletë-thirrjen. Indriti vendosi që të paraqitej në Prokurori.
***
Një ditë para se të shkonte në Prokurori, ai ishte së bashku me mua tek shtëpia e tij me qira. Atë natë, tek shtëpia e Indritit ishte Kujtim Buna, Sardian Sulejmani dhe unë. Kujtimi doli nga shtëpia rreth orës 18:00 – 19:00 dhe na tha se do të shkonte të takonte disa shokë. Vjen në shtëpi aty nga ora 22:30, ishte i prerë dhe filloi të shante me fjalë të ndyra. Unë dhe Indriti e pyetëm se çfarë kishte që shante, por ai vazhdonte duke rrahur duart dhe duke sharë. Indriti e pyeti se çfarë kishte. Ai u përgjigj që truproja i diskos ia kishte bërë për kunj. Ne e pyetëm si është puna dhe ai tha see kishte hyrë në disko me një shef policie të Lezhës dhe atë nuk e kishte kontrolluar bodigardi, kurse Kujtimin e kishte kontrolluar. Kujtimi nga mërzia dhe nga inati kishte filluar të pinte në disko dhe kur erdhi në shtëpi, rreth orës 22:30 ishte bërë tapë. Indriti, pasi dëgjoi këtë i tha Kujtimit ik e zihu. Në këtë moment, Kujtimi stepet pak dhe unë e Indriti i thamë ta linte këtë muhabet për ta zgjidhur nesër. Kujtimi më përgjigjet mua, duke më thënë: “unë të kam ngrënë bukën në shtëpi ty, ndërsa ti akoma s’ma ke ngrënë bukën mua”. Indriti i thotë Kujtimit që ai është më i madh se ty, prandaj duhet me ia dëgju fjalën. Kujtimi, pas këtyre fjalëve merr në telefon një shok të tij që është punonjës policie, me origjinë nga Kukësi. Kujtimi i tha atij që të shkonte tek shoku i vet që ishte një mundës me origjinë nga Kukësi, me banim në Laprakë dhe të merrte dy pistoletat. Po ashtu, Kujtimi mori në telefon edhe mundësin që e thirri në emër, po mua nuk më kujtohet dhe i tha që do të vijë shoku ynë t’i marrë pistoletat dhe t’ia japësh. Ai punonjësi i policisë shkoi i mori armët dhe ia solli po atë natë tek shtëpia, me qese. Ne kishim zbritur nga shtëpia dhe dolëm para restorantit turk, që ndodhet në rrugën e Kavajës dhe e pritëm atë policin që erdhi me makinën e tij. Hipën që të katërt, unë, Kujtimi, Indriti dhe Sardiani. Në makinë morëm pistoletat që ishin dy, unë të tipit ‘CZ” dhe “Beretën” e mori Kujtimi. Të gjithë bashkë shkuam te disko që ndodhej tek “Hotel Sheratoni”. Aty zbritëm nga makina dhe hymë në disko, unë, Indriti dhe Sardiani, ndërsa Kujtimi dhe polici qëndruan tek dera e diskos. Indriti takoi përgjegjësin e sigurisë së diskos dhe dolën që të dy jashtë, duke biseduar, ndërsa unë me Sardianin i shoqëruam nga pas. Kur dalim jashtë, duke kaluar derën e diskos, Indriti i thotë përgjegjësit se cili është badigardi që e ka kontrolluar Kujtimin. Pas këtij momenti, Kujtimi shkon tek cepi i hyrjes së diskos që futesh për nga hoteli. Nga ajo si tip porte që ndodhej në këtë krah nga shkoi Kujtimi del një person që e tërheq Kujtimin si leckë. Unë ndërkohë i them se kush je ti, se ne jemi katër vëllezër. Në këtë moment, pas meje ishte Indriti i cili me zë të lartë i thotë personit që po tërhiqte Kujtimin: “kush je ti”.
Ky person i thotë se jam Ilir Koldashi, po ti kush je. Indriti iu përgjigjet “unë jam Indrit Dokle”. Ai i thotë: t’i je ai krimineli?. Indriti i përgjigjet se jam nga Hasi, ndërsa atij i tha emrin e fshatit të tij. Personi nuk iu përgjigj dhe ne morëm rrugën për të ikur. Indriti del tek dera e portës së diskos. Personi ishte afër me Kujtimin dhe Sardianin. Në krahun tim ka qenë përgjegjësi i diskos. Indriti, para se të dalë tek dera shan duke thënë: “mbajeni mend se do t’ubëj motrën të gjithëve”. Personi i thotë: “mua më shan nga motra, more kllëf” dhe i turret Indritit. Indriti i tha që unë nuk të shava ty. Kujtimi i del përpara këtij personi që u prezantua si Ilir Koldashi dhe e qëllon me të dy duart në fytyrë. Iliri i gjuan Kujtimit me grusht dhe ata lidhen me njëri-tjetrin duke u mundur t’i qëllonin njëri-tjetrit me grusht. Në atë kohë, Ilirin e kisha me kurriz dhe nxora pistoletën dhe e qëllova dy herë dhe pastaj ika me vrap. Vrapova në drejtim të pastiçerisë “Venecia” dhe mbas meje vjen Kujtimi dhe Sardiani me vrap. Indriti ikën avash -avash, ndërsa ne morëm drejtimin për në rrugën që të çon te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.(Shekulli)</p>
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23298. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23298