Jemeni, vendi ku uji është më i çmuar se nafta
Në rrugët e Jemenit mund të hasësh me shumicë vetëm njëlloj mjeti: kamionët që transportojnë ujë. Ai mbartet në autobote të mëdha të shndritshëm që shoqërohen nga njerëz të armatosur, zakonisht luftëtarë fisesh, burra të fuqishëm të gatshëm për të përballuar çdo lloj sulmi të mundshëm ndaj ngarkesës së çmuar, që kalon nëpër malet e luginat e vendit. Kjo, sepse uji në këtë vend plot shkretëtira e nxehtësi është një mall me shumë vlerë, një mall i çmuar që shpesh vlerësohet më shumë se vetë nafta. Uji po shndërrohet në një lëndë, të cilën kanë mundësi ta blejnë vetëm të pasurit. Të tjerët duhet të përgatiten për një realitet të hidhur e të thatë. Linjat e rregullta të furnizimit me ujë në më të shumtën e rasteve nuk funksionojnë, ose janë ndërprerë në shumë zona të caktuara të vendit. Kjo ka bërë që banorët ti drejtojnë sytë nga qielli në pritje të shiut për të lagur buzën, apo për të vaditur të mbjellat. Në këto kushte gjithnjë e më të vështira, Jemeni ka shumë mundësi të shndërrohet në vendin e parë në botë pa rezerva të mjaftueshme ujore për të shuar etjen e popullsisë. E të mendosh që popullsia në atë vend është në rritje e sipër. Për sa i përket kryeqytetit të vendit, Saana, këtu mund të jetosh me ujë edhe për 10 vite, por pas 10 vitesh burimet ekzistente ka shumë gjasa të thahen. Në Jemen lëvizjet e popullsisë kushtëzohen nga uji. Në zonat ku burimet janë tharë, njerëzit ikin e sulen nëpër qytete, apo zona ku ka ende ujë. Si të mos mjaftonte ky telash i madh e me pasoja jetike, vendi është në një situatë të gjithëkahershme lufte e konflikti civil. Vitet e fundit kanë ndodhur 3 kryengritje e rrëmuja të mëdha, që kanë shkaktuar dëme të shumta te civilët, kaos dhe kanë lënë të shkatërruar edhe ato pak rrjete ekzistuese që shpërndanin ujin. Ky vend shquhet për një shkallë shumë të lartë të lindshmërisë. Vitin e kaluar ajo ishte 3.4% dhe mungesa e ujit është aq kritike sa ajo po shndërrohet edhe në shkak rebelimesh civile. Hanah është një nënë e re. Ajo është vetëm 18 vjeçe dhe jeton në afërsi të kryeqytetit. Hanah rrëfen për tmerret e një jete pa ujë, për më tepër kur një familje ka edhe fëmijë. Sipas saj, ka raste që në shtëpinë e saj uji nuk vjen për javë të tëra, më pas vjen për pak kohë dhe ikën përsëri për tu rikthyer kushedi se kur. Ajo dhe i shoqi janë punëtorë fabrike, fitojnë shumë pak dhe ato para që fusin në xhep i rijapin sërish për të blerë ujë të pijshëm për fëmijët, sepse nuk bëhet fjalë për tu larë, apo për të mbajtur higjienën. Ky është rasti i një familjeje që përpiqet të mbijetojë në kushte të vështira, por si ajo janë shumica e familjeve të varfra të vendit. Në Jemen çdo njeri përfiton 100 metra kub ujë në vit, çka përbën një shifër shumë të ulët në krahasim me limitin e varfërisë që është 1000 metra kub ujë për person në vit. Rezervat tokësore janë thuajse në mbarim, pasi ato janë përdorur shumë këto vite. Dikur uji gjendej edhe 20 metra thellë, ndërsa sot duhet të gërmosh 200 metra për të gjetur ujë. Të dëshpëruar nga një situatë e tillë, shumë banorë të Jemenit gërmojnë dhe bëjnë lidhje të paligjshme, duke e thelluar edhe më shumë problemin e ujit në vend. Ka zona ku uji vjen vetëm një herë në 45 ditë dhe zona të tjera që nuk kanë fare dhe që për të marrë pak ujë banorët duhet të kaptojnë malet dhe luginat e thepisura e të mbajnë radhë të gjata. “Nëse qeveria nuk do ti japë zgjidhje këtij problemi, njerëzit do të nisin të tërbohen dhe të revoltohen keqas si në qytetet e mëdha, ashtu edhe në zonat më të thella të vendit. Kjo mungesë ka rritur kriminalitetin, sëmundjet, dhunën dhe nuk është faji i askujt, sepse mungesa e ujit është vdekjeprurëse dhe dramatike”, thotë një banor.
Qytetarët e Jemenit kanë jetuar me pak ujë prej qindra vitesh, por problemi është shtuar me hapjen e uzinave e fabrikave dhe me përdorimin e ujit në industri. Kjo ka bërë që edhe ato pak rezerva të shterojnë. Shumë jemenas mundohen që të marrin lëngjet jetike nga bimët, apo pemët përreth. Kështu ata përdorin disa lloj gjethesh, që kur i shtyp në gojë të heqin etjen. Njerëzit e këtij vendi të varfër janë mësuar me varfërinë, me luftërat, por asnjëra nuk mund të krahasohet me mungesën e ujit. Ata janë të dëshpëruar dhe të pashpresë.(Shqip)</p>
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24555. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24555