E dinte, por ai kishte nevojë për punë. Kjo ishte tani për tani gjëja më e rëndësishme për të. Pasi eci disa ditë në këmbë, rrugës, në një fshat malor, takoi një burrë, që i tha se kishte një javë punë për të, punë bujqësie. Atë natë e mori në shtëpinë e tij për të fjetur, e të nesërmen në mëngjes i tha se do ta çonte në punë.
Famija e tij, e përbërë nga gruaja, një djalë dhe një vajzë, e priti mirë. Në darkë u ulën afër sobës me dru dhe hëngrën bukë. Ishte një familje e thjeshtë, e cila për nga mënyra e jetesës dhe orenditë që kishin në shtëpi, dukej sikur jetonin në shekullin e 18-të.
Në oborr, në trungun e një peme, varej një bidon i madh prej llamarine, të cilit i kishin bërë një çarje në formë katrore dhe e kishin sajuar si kafaz. Në këtë bidon-kafaz jetonte një çift pëllumbash , të cilin, vajza e tyre, Urania, e ushqente çdo mëngjes me misër.
Urania në shqip përkthehet qiell, ose qiellore. Ishte një vajzë e bukur, rreth 20 vjeçe, me trup të gjatë dhe të drejtë, me flokë ngjyrë lajthie, pak të dredhur, kurse faqet i kishte të kuqe, si me quka. Ardhja e djalit të huaj në shtëpi ishte një ngjarje e re dhe interesante për jetën e saj monotone në fshat. Ajo e shihte ngultas dhe sytë e tyre ndesheshin shpesh...
Kulmi arriti të shtunën, kur ai shkoi të bënte dush. Urania i solli një peshqir për t'u fshirë dhe ia la mbi derën e banjës, por duke qenë se dera ishte e ulët, ajo përfitoi nga rasti që t'i hidhte një shikim të shpejtë. Ai ishte me kurriz, po lahej dhe nuk e pa, po kur u kthye dhe pa peshqirin mbi derë, e kuptoi se vajza kishte qenë aty...
Të hënën në mëngjes ai iku, u nis me autobus drejt Athinës. Në mendimet e tij kishte shqetësim dhe pasiguri për të ardhmen. E në këto mendime të trazuara, i shfaqej herëpashere edhe Urania...