Nga "shekulli"
Ndërtim-shkatërrimi apo “ideologjia” e sakrificës”?
Rexhep Meidani
Në Evropë (p.sh., në Gjermani, Zvicër, Britaninë e Madhe etj.) apo në Amerikë ( p.sh., në Guatemala, Kosta Rika etj.) mund të gjesh disa ura të vjetra të njohura me emrin “ura e shejtanit” apo e djallit . Po ashtu, janë të shumta urat që kanë emra të tjerë, por prapa të cilave, në pikëpamje historike, qarkullojnë të njëjtat legjenda. Për to veçohen apo qarkullojnë ngjarje të ngjashme, sipas të cilave, për realizimin apo përfundimin e këtyre veprave, sidomos kur nuk ecte më puna, ndërtuesit e tyre ishin të detyruar, në njëfarë mënyre, të futeshin në “marrëdhënie” me shejtanin, djallin apo demonin. Ky i fundit për të mundësuar apo përshpejtuar ndërtimin e një ure rezistente e afatgjatë kërkonte pagesë-sakrificën, viktimën e tij (që sipas shumë legjendave ishte ajo qenie e gjallë, që do të kalonte e para urën). Por njerëzit, edhe pse e dinin çfarë kërkonte djalli, nuk mund t’i bindeshin kësaj sakrifice mizore, prandaj e zëvendësonin mjaft shpesh qenien njerëzore të kërkuar me një kafshë shtëpiake (lopë, kalë, buall, dash, qen, gjel apo pulë, etj.). Kur e mësonte këtë djalli tërbohej nga inati por tashmë mallkimi i tij nuk arrinte më mbi urën e përfunduar. Kështu, p.sh., në legjendën për urën Saksenhojzer (Sachsenhäuser) pranë Frankfurtit, ndërtuesi duke kaluar për të parën herë urën e sapo përfunduar, vuri përpara tij një kaposh të shtëpisë, që, sipas marrëveshjes, e nënkuptonte atë kafshë si sakrificë për djallin. Por ky i fundit që ishte në pritje të një qenieje njerëzore, për të rrëmbyer shpirtin dhe trupin e saj, në kulmin e zhgënjimit dhe të inatit e rrëmbeu kaposhin e shqeu në dysh dhe e hodhi tutje në urë (Sipas legjendës, ende sot në urë ka dy bira që nuk ngjasojnë fare me atë të dy predhave mortaje…).
Pra, në legjenda, që një urë, kullë, kala apo ndërtim tjetër, të mbetej një vepër e fortë dhe solide, kërkohej një sakrificë, një jetë e gjallë. Por me thellimin e procesit të kristianizimit në Evropë, sidomos me vlerësimin e sakrificës së Krishtit si aktin më sublim, kjo lloj sakrificë e trashëguar nga periudha më të hershme, filloi të zbehej deri të konsiderohej si një veprim jo i drejtë, madje djallëzor...
Kështu, gradualisht, në përvojën evropiane filloi të zhdukej tradita dhe “ideologjia” e sakrificës (më shumë me origjinë pagane), apo dhe vetë jehona e saj humane e zëvendësimit të viktimës apo sakrificës njerëzore me atë të një kafshe shtëpiake. Traditë kjo që ndeshet ende në vende të tjera të botës, por që mund të qëndrojë gjysmë e përgjumur e gjysmë aktive dhe në disa koka tonat...
***
Duke biseduar me një mikun tim inxhinier konstruktor, kur mora vesh “hedhjen në erë” të mbi një milion eurove të taksapaguesve të kryeqytetit ai në mënyrë disi të çuditshme, filloi të analizonte ngjarjen e fundit të Zogut të Zi, në një plan pothuajse paralel me traditën e “ideologjinë” e mësipërme. Pra, sipas tij, këmbëngulja për shembje të këtij mbikalimi lidhej me mos sakrifikimin, që në nisje të veprës, të ndonjë kafshe shtëpiake në themelet e saj! Apo akoma se, ndoshta, ndërtuesi apo porositësi kishin refuzuar apo neglizhuar një marrëveshje me “djallin”, që të lejohej vazhdimi e mbarimi i saj! Apo dhe ndonjë marifet tjetër të ngjashëm me atë të legjendës së kalasë, por jo me “tre vëllezërit e gratë e tyre”, por me “qypa zairesh, lokalesh të vdekura apo parash nën dorë”! Kur unë e pyeta se me mos me këtë punën e “mosmarrëveshjes me djallin” nënkuptonte mos respektim të ligjit dhe të rregullave të nevojshme proceduriale e teknike, ai, pa e zgjatur, m’u përgjigj se “motoja ligjore” apo teknike nuk hynte fare në këtë mesele! Dhe me të vërtetë, kur është fjala për një vepër publike në shërbim të qytetarëve, me para të po këtyre qytetarëve, bëhet mjaft e vështirë të mos gjesh arsye e mundësi për kërkim të rrugëve të zgjidhjes nga ana ligjore, procedurale e teknike, qoftë dhe me gjobitjet përkatëse!...
Edhe pse këto gjykime, si gjysmë ironi e gjysmë shaka, të lëshuara nga një mendje tepër serioze dhe gojë mjaft e kursyer, përsëri m’u duk fare i çuditshëm e befasues ky interpretim i mikut tim. Kjo, megjithëse ai më përmendi dhe një ngjarje tragjike që unë nuk e kisha dëgjuar më parë (ndoshta, do të kem qenë në atë kohë jashtë shtetit), por që kishte ndodhur në periudhën e ndërprerjes së punimeve tek mbikalimi i Zogut të Zi, pikërisht në “zjarrin” e përplasjeve pushtet vendor-pushtet qendror.
Sidoqoftë, dhe duke mos e besuar bashkëbiseduesin e specializuar, me këtë lloj “interpretimi”, në mënyrë normale të lindin dhe shumë pikëpyetje që lidhen qoftë me ndonjë konceptim “ekzotik” mbi qeverisjen dhe “filozofinë e sajimit” të viktimës, qoftë dhe me sjelljen arrogante qeverisëse si pronare arbitrare e parave të taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë, që në fakt duhet të ishte fare e kundërta. Sepse, përdorimi i këtyre parave të taksapaguesve nuk është dëshirë e thjeshtë apo çështje vetëm e ndonjë shtetari, as lojë politike e kujtdo qoftë në qeverisje (sado i pushtetshëm dhe i gjithëfuqishëm mund të shitet sot ai), por një detyrim politik-institucional për administrim e shfrytëzim të tyre me nikoqirllëk, me racionalitet e efektivitet, dhe mbi të gjitha vetëm në shërbim të qytetarëve, të jetesës, punës, edukimit, shëndetit dhe sigurisë së tyre. Në fund të fundit, ajo është paraja e tyre, puna dhe djersa e tyre dhe në një mënyrë apo tjetrën duhet të rikthehet tek ata. Prandaj, pavarësisht se veprimet e komentet e shkatërrimit të Zogut të Zi janë sot thjesht partizane apo marrin vetëm ngjyra të pastra politike, do të vijë një ditë që do të duhet të jepet dhe llogari ekonomike-ligjore. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë humbje ose lloj abuzimi, i cili po të amplifikohet politikisht në mënyrë të skajshme (sidomos në kushte presioni, kërcënimi e frike) mund të hedh në erë apo të bëj zero (deri negativ) çfarëdolloj kontributi taksapaguesish
09/07/2006