Re: Treni Elektrik i Pocit dhe Nanos
nuk na mbetet vecse te lexojme gazetat
www.shekulli.com.al
“Treni elektrik”, një skandal finanicar
Feti ZENELI
Mungesa e vlerësimit të duhur të efektivitetit ekonomik dhe konflikti i pastër i interesit që krijon prania e një dore të vetme në kryerjen e studimit të fizibilitetit dhe zbatimin e projektit të “trenit elektrik”, kanë qenë dy nga argumentet kryesore ku është mbështetur kundërshtimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për një investim të tillë, sa të shtrenjtë aq dhe të parakoshëm për kushtet e Shqipërisë që vuan ende “për bukën e gojës”. Përfaqësuesi i FMN-së në vendin tonë, Jan Peter Oleters, qysh para disa muajsh i kërkoi qeverisë shqiptare që para se sa të vendosë për bashkëpunimin e shumëpërfolur me “General Electric”, për modernizimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, projekti duhet të vlerësohet mbi bazën e një studimi fizibiliteti nga një kompani prestigjioze e painteresuar për zbatimin e tij. “Ne kemi argumentuar që për projektet publike është i nevojshëm një studim fizibiliteti i pavarur dhe për të shpallur tenderat, -thotë zoti Olters. -Studimi i fizibilitetit do ta ndihmojë qeverinë për të marrë vendimin, nëse projekti ka vlerë ose jo”. Përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë e bëri këtë kërkesë në kohën që nuk dihej asgjë publikisht lidhur me studimin e fizibilitetit dhe fondet që do të përdoreshin për realizimin e një projekti të tillë, por që në terma të përgjithshme gjithçka tjetër ishte përfunduar lidhur me marrëveshjen për një investim të tillë të qeverisë shqiptare nëpërmjet “General Electric”, taman si në një ceremoni martese ku dhëndri dhe nusja nuk e njohin njëri-tjetrin. Në mesin e vitit të kaluar, ish-kryeministri socialist, Ilir Meta, pas reflektimit në ndërgjegje që i shkaktoi përplasja politike tashmë e njohura me Fatos Nanon, zbardhi publikisht faktin se “e njëjta kompani që ka bërë studimin e fizibilitetit ka marrë përsipër dhe zbatimin e projektit”. Në këto kushte Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore i kërkuan qeverisë shqiptare që të nxiste rikryerjen e studimit të fizibilitetit të bërë nga “General Electric”, nëpërmjet një kompanie tjetër konsulence, që nuk kishte interesa direkte apo indirekte te ky projekt.
Por konflikti i intersave është vetëm maja e ajzbergut të skandalit financiar me trenin elektrik, pasi në thellësi të ujërave të pista të mungesës së transparencës dhe turbullirës së korrupsionit fshihen përmasat e vërteta të tij. Sidoqoftë për t’u kuptuar më gjerësisht fenomeni në fjalë, interpretimi fizik i rregullave dhe ligjeve duhet kombinuar me interpretimin ligjok të çështjeve përkatëse. Pikënisja në këtë rast duhet të jetë përfundimi i arritur nga studimi i fizibilitetit të kryer nga “General Electric”, sipas të cilit, projekti rezulton fitimprurës, pavarësisht shkallës së ulët të besueshmërisë së tij. Janë faktet e mëtejshme të azhornimit tinzar të kësaj kompanie, gjithsesi të mirënjohur, me projektin dhe mënyrën e realizimit apo financimit të tij, që thërrasin në skenë logjikën e mospranimit të një konkluzioni të tillë për efektivitetin e ulët të investimit. Dyshim dhe njëkohësisht pyetja e parë kundërshtuese që shtrohet në këtë rast është: Po të ishte kaq fitimprurës një projekt i tillë, pse “General Electric” nuk e mori me koncesion këtë objekt? Duke parë dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare në përdorimin vend e pa vend të praktikës koncesionare, këto kohët e fundit, një alternativë e tillë sipërmarrjeje besoj se nuk do të kishte pengesë institucionale që të plotësohej. Në praktikën investuese të kompanive serioze, projekte të tilla infrastrukturore kërkohet të realizohen vetëm me koncesion. Nga ana tjetër, një projekt fitimprurës është gjithnjë i vetëfinancueshëm nga sipërmarrësi, gjë e cila do të thotë më tej se nuk është e nevojshme marrja e një kredie me terma komerciale nga qeveria shqiptare. Dyshimet mbi të vërtetën e efektivitetit të investimit për modernizimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe krijimin e nje degëzimi të ri për në aeroportin e Rinasit, shtohen edhe më shumë kur huamarrësi nuk është “General Electric”, por qeveria shqiptare dhe huadhënësi një bankë e huaj, megjithëse mjaft e njohur në botë siç është holandezja “ABN AMRO”. Por fakti që sipërmarrësi për realizimin e një projekti të tillë dhe banka kredidhënëse, janë emra mjaft të njohur të biznesit ndërkombëtar, nuk mund të shërbejnë si profilaksi për praktikën dhe bashkëpunimin e ndjekur me qeverinë e korruptuar shqiptare. Nuk ka diskutim që “ABN AMRO” nuk është futur në lojë prej ekzekutivit tonë, po prej sipërmarrësit të huaj amerikan. Marrja e kredisë komerciale nga qeveria shqiptare për të financuar punimet e një sipërmarrësi të huaj, pavarësisht se objekti ndërtohet në truallin shqiptar, nuk ka sens të mirë dhe përmban mjaft të fshehta për sytë dhe mendjen e opinionit të gjerë publik. Dhe qytetarët shqiptarë në këtë rast nuk janë thjesht vëzhgues apo përfitues fatmëdhenj të vlerave materiale të investimit, por para së gjithash janë kontribues të pandërgjegjësuar teknikisht dhe ekonomikisht për financimin e këtij investimi. “General Electic” dhe banka holandeze “ABN AMRO”, që në pamje të parë duken si kontribues fizikë e monetarë për një investim të tillë, janë faktikisht përfituesit e vërtetë të këtij investimi, i pari nëpërmjet përqindjes së fitimit për punën e kryer në ndërtimin e objektit dhe i dyti nëpërmjet përqindjes së interesit për huadhënien 95 milionë dollarë. Nga ana tjetër, ekspertë të ndryshëm e konsiderojnë shumë të madh fondin prej 95 milionë dollarësh për rikonstruksionin dhe modernizimin e hekurudhës ekzistuese Tiranë-Durrës dhe ndërtimin 6 km hekurudhë të re për në aeroportin e Rinasit me 8 stacionet përkatëse të udhëtarëve.
Normalisht rruga e zgjedhur për të financuar një projekt të tillë supermodern për kushtet e Shqipërisë, nëpërmjet kredidhënies bankare, tregon për pazare të ulëta të qeverisë shqiptare për të shpërdoruar paratë e pakta të buxhetit. Gjysma e së keqes në këtë rast do të ishte emetimi i bonove të thesarit për të shmangur të paktën pagimin e interesave të kredisë komerciale, e cila deri në kthimin e qindarkës së fundit së saj bankës arrin në mbi 45 milionë dollarë. Dikush mund të thotë se, edhe bonot kanë interesin e vet, por në rastin e marrjes së kredisë për kthimin e kësteve vjetore të saj, buxheti i varfër i shtetit nuk ka rrugë tjetër për të gjetur financime, përveçse nëpërmjet bonove të thesarit, gjë e cila tregon për dublim interesash. Por pazari “tresh” është bërë me kohë, ndaj marrëveshjet e nënshkruar me këtë rast çojnë ujë vetëm në “mullin” e “GE”-së dhe “ABN AMRO”-së. Kjo është arsyeja, jo vetëm e kryerjes së studimit të fizibilitetit nga po e njëjta firmë që do të zbatojë projektin, por edhe e shmangies së tenderit për prokurimin e fondit përkatës. Në botë ka mjaft firma të tjera më të specializura dhe më të fuqishme se “General Electric”, që kryejen sipërmarrje të tilla në infrastrukturën hekurudhore. Të gjitha këto fakte tregojnë se, para së gjithash një investim i tillë ndërmerret për të plotësuar interesa individësh fizikë dhe juridikë, vendës dhe të huaj e jo për intersat e qytetarëve shqiptarë, të cilët nga Tirana në Durrës mund të udhëtojnë shumë mirë dhe besojë edhe shumë herë më lirë, madje edhe për shumë kohë më pas nëpërmjet autostradës dhe rrugës tjetër automobilistike që lidh këto dy qytete. Aktualisht buxheti i shtetit shqiptar nuk është në gjendje të financojë një riparim të vogël të hekurudhës ekzistuese Tiranë-Durrës, ku si rezultat i rrëshqitjes së dherave tek ura e Limuthit kjo hekurudhë ka mbi 5-6 muaj që s’funksionon, ndërsa befas na del në skenë një iniciativë për rikonstruksionin modern të saj. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë, kredimarrja bankare për modernizimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, do t’i kushtojë çdo vit buxhetit të shtetit gati 1% të të ardhurave të përgjithshme dhe më shumë se një të dhjetën e fondit të investimeve të përgjithshme publike. Por kostoja më e madhe është ajo e nxjerrjes jashtë liste të shumë investimeve të tjera buxhetore për infrastrukturën rrugore, mjaft të domosdoshme për interesat e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe kërkesat e integrimit ekonomik të vendit. Mjafton të përmedim këtu vetëm apelin e ministrit Sapartak Poçi, i cili jo shumë kohë më parë ka deklaruar në një konferencë shtypi se mbi 90% e rrugëve dhe urave në Shqipëri janë të amortizuara, pa përmendur këtu investimet që kërkohen për rrugë të reja.
Sidoqoftë, projekti për “trenin elektrik” Tiranë-Durrës i plotëson përmasat e një skandali financiar në trajtë absolute, pa marrë në konsideratë krahasueshmërie hartën e mungesës dhe prioritetit të investimeve në infastrukturën rrugore. Pabesueshmëria në efektivitetin e investimit, panevojshmëria e kredimarrjes komerciale, dorëzënia e qeverisë shqiptare, konflikti i hapur i interesave, moszbatimi i procedurave të prokurimit, mungesa e transparencës për qytetarët, kundërshtimi i institucioneve financiare ndërkombëtare etj., fakte të kësaj natyre tregojnë se “treni elektrik” Tiranë-Durrës s’është gjë tjetër veçse një skandal i ri financiar në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Në këto kushte, drejt një inicative të tillë investuese mund të të shtyjë vetëm ndjenja e korrupsionit, pazarllëqeve politike dhe steriliteti i moralit qeverisës, vese këto që i ka me shumicë kryeministri ynë dhe që i ka manifestuar rregullisht në mjaft kontrata investimesh koncesionare të nënshkruara gjatë këtyre dy viteve të fundit. Sillni ndërmend marëveshjen koncesionare me Petroliferën për vendosjen e depozitëve të karburantit në bregdetin e Vlorës, koncesionin e Rinasit, projektmarrëveshjen me Albaniabeg-un për importin dhe përpunimin e plehrave në territorin shqiptar, privatizimin e Albtelekomit, tash së fundi etj. Në të gjithë këto raste, asnjëherë nuk është vendosur në interes të qytetarëve shqiptarë, ekonomisë vendëse dhe shëndoshjes së buxhetit të shtetit, por në interes të monopoleve dhe klaneve të ndryshme qeveritare apo ndërkombëtare që mbështesin padrejtësisht pushtetin nanoist në Shqipëri. Por efektin e këtyre investimeve për bujë kemi për të ndjerë gjatë si një kamzhik në shpinë edhe kur Nano, që është strumbullari i të gjithë këtyre perversiteteve në përdorimin e fondeve publike të buxhetit të shtetit, të mos jetë më kryeministër i këtij vendi, të cilin e deshi vetëm për interesat e veta personale dhe të miqve të tij të huaj që investojnë në mënyrë abuzive dhe korruptive në Shqipëri.
03/06/2005
KATEGORIA: Analiza