Hamdi Salihi , Sulmuesi Shkodran
Sulmuesi shkodran e sheh kampion ekipin e tij, çka mendon se do të ndikojë te numri i golave të tij 29-12-2005
Salihi: 40 gola për një Tiranë kampione
Aranit MURAÇI
Pasaporta e Hamdi Salihit
Emri: Hamdi
Mbimeri: Salihi
Vendlindja: Shkodër
Ditëlindja: 19.1.1984
Roli: Sulmues
Numri i fanellës: 21
Karriera: Vllaznia '03-'04 (14 gola), Vllaznia '04-'05
(16 gola), Panionis (asnjë gol), Tirana '05-'06 (14 gola)
Hamdi Salihi ka lindur dhe është rritur në Shkodër, në atë qytet që cilësohet nga të gjithë dhe me të drejtë djepi i futbollit shqiptar. Sulmuesi pati fatin të konfirmohej shpejt në arenën kombëtare për golat e shumtë që shënoi me fanellën e Vllaznisë në sezonin e tij të parë. Atëherë Vllaznia po kalonte një ndër momentet më të vështira në historinë e saj. Pas vrasjes së ish-presidentit Myftar Çela, ekipi seleksionoi shumë të rinj dhe një ndër ta ishte ai që do të bënte jo pak jehonë me golat që shënonte çdo javë. Hamdi Salihi rrëfen ngritjen e tij të shpejtë në karrierë. 3 vite më parë një lojtar i të rinjve të Vllaznisë, kurse sot sulmuesi numër një i kampionatit tonë, me 14 gola në 17 ndeshje. Që prej fillimit të këtij edicioni luan në radhët e kampionëve të vendit. Aktualisht, sulmuesi kryesor i Tiranës, Hamdi Salihi, gjithashtu pjesë përbërëse e ekipit Shpresa, thotë se e ka për detyrë të shënojë edhe më shumë se kaq. Karriera e tij sapo ka filluar dhe e di se ka shumë për të bërë në vazhdim. Sulmuesi muajin tjetër mbush 22 vjeç. Si njeri, karakteristikë kryesore ka qetësinë, dallohet për urtësinë, një futbollist fjalëpak, mjaft punëtor, është shembull dhe jo më kot admirohet te Tirana. Talenti është vetëm një anë e "medaljes" së tij:
"Këpuca e artë" për dy fazat e para
Hamdi Salihi ka shënuar në total gjatë dy fazave të para plot 14 gola, duke kryesuar me diferencë të madhe listën e golashënuesve të kampionatit tonë. Kampionatit deri në fund i kanë mbetur edhe dy faza. Sulmuesi shkodran shënon vazhdimisht dhe duket se nuk ka të ngopur me gola. Thotë se deri në fund nuk e ka menduar numrin e golave, por është optimist se do të shënojë më shumë se numri në dy fazat e para, ashtu sikurse tregon optimizëm kur thotë se Tirana do të shpallet kampione e Shqipërisë. Dhe sikur Tirana të ketë po këtë ecuri që pati në dy fazat e shkuara, Salihi, sipas logjikës, duhet të shënojë në total afro 30 gola. "Mendoj se do të shënoj më shumë," - dhe miraton numrin 40, një shifër vërtet marramendëse për çdo sulmues. Ecuria e Salihit të bind se mund t'ia arrijë vërtet qëllimit. Por a do t'ia arrijë? "Ju po më pyesni a do të shpallet Tirana kampione?" - kundërpërgjigjet futbollisti. "Sigurisht, - vazhdon ai më tej, - dhe kjo do të thotë se ne do të luajmë shumë më mirë në 18 ndeshjet e mbetura të kampionatit. Edhe pse jemi në këtë pozicion krejt të pafavorshëm, kemi marrë një mbështetje nga klubi dhe mendoj se duhet të reagojmë sa më shpejt. Do ta kthejmë Tiranën në krye të klasifikimit. Të gjithë jemi optimistë se këta luajnë lojtarë shumë të mirë, kanë eksperiencë dhe ego që të arrijnë suksesin." Por cili është goli më i veçantë për Salihin nga të gjithë që ka shënuar deri tani. "Çdo gol që i shërben ekipit kur fiton ndeshjen," - thotë ai. "Numri i golave që kam dëshirë të shënoj duhet të përputhet me suksesin e skuadrës. Unë kam shënuar 14 gola në dy fazat e para dhe nuk ndihem aspak mirë. E them këtë sepse Tirana është në vendin e 4-t në klasifikim dhe ky pozicion nuk më kënaq as mua, askënd këtu. Prandaj them se duhet të bëjmë më shumë për pjesën e mbetur të kampionatit."
Më tej, lufta do të jetë më e ashpër. Megjithatë, lojtari, sikurse edhe protagonistët e tjerë, mendon se do të arrihet suksesi. "Ka përfunduar faza e parë dhe e dytë. Tirana gjithmonë reagon kur ka ulje-ngritje. Jemi në një pozicion që na bën të presim me padurim ndeshjet e tjera, për të shkëmbyer vendet me skuadrat që janë para nesh në klasifikim," - thotë shkodrani.
Për sa i përket ekipit kombëtar, autori i 14 golave me Tiranën thotë: "Të gjithë ëndërrojnë të jenë me ekipin përfaqësues. Të jesh te Tirana e të shënosh shumë gola është më e lehtë, prandaj jam optimist se do të arrij të jem pjesë e përfaqësueses në të ardhmen," - përfundon Hamdi Salihi.
Goli i parë, "peshqesh" për Nallbanin
Salihi, ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Vllaznisë e ka zhvilluar në qershor të vitit 2003. Interesant është fakti se ky futbollist, atëherë vetëm 19 vjeç, e nisi karrierën duke luajtur një ndeshje ndërkombëtare. Shkodranët fituan të drejtën të përballeshin me skecezët e Dandit në turin e parë, i vlefshëm për Kupën UEFA. Vllaznia u shpërbë gati, megjithatë nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm Medin Zhega, vetëm sa u përfaqësua në UEFA. Ajo u eliminua nga kjo veprimtari që në turin e parë, pasi gjendja nuk premtonte asgjë më shumë. "Thjesht u përfaqësuam, pasi trajneri Zhega na grumbulloi në një kohë që s'kishim përgatitjet fare." Më tej, Salihi u rreshtua përkrah skuadrës në ndeshjet zyrtare të kampionatit. Vllaznia e nisi si mos më keq, kurse Salihi shkëlqyeshëm. "Ndeshjen e parë e luajta kundër Partizanit në "Qemal Stafa". Humbëm me rezultatin 4-1. Unë shënova golin e vetëm të Vllaznisë dhe të parin në karrierë. Kam shënuar ndaj Nallbanit, me të cilën luaj aktualisht te Tirana. Që të jem i sinqertë, më ka ecur disi këto vite dhe mendoj se kam qenë me fat." Vllaznia po zbriste poshtë e më poshtë, ndërsa Salihi "fluturonte" në krye të klasifikimit të golashënuesve. Gjatë këtij kampionati ai shënoi 14 gola.
Sezoni i dytë, mes Shqipërisë dhe Greqisë
Gjatë kampionatit të vitit të kaluar ai luajti vetëm dy fazat e para në Shkodër. Dhe u bë sërish protagonisti kryesor i kampionatit. Salihi shënon plot 16 gola. Largohet në përfundim të fazës së dytë drejt Greqisë. "Foto Strakosha më mori në telefon dhe më ftoi tek ekipi i tij, Panionios. Isha në Greqi. U futa në bisedime me drejtuesit e Panioniosit, të cilët më dhanë një kontratë që ta firmosja. E pashë, më pëlqyen kushtet financiare dhe pranova. Me grekët nuk më eci shumë. Luajta 5 ndeshje si titullar dhe nuk shënova asnjëherë. Por ama shtyllën e godita afro 5 herë, pa përmendur rastet e shumta që i humbëm gjatë ndeshjeve." Më tej, Salihi tregon se nuk po aktivizohej rregullisht, çka ndikoi që të largohej para kohe. "Te skuadra pati probleme financiare dhe lojtarët e huaj nisën të largoheshin. Edhe unë ika para kohe."
Rikthehet në Shqipëri, aktualisht me Tiranën
Kur po përfundonte sezoni, Hamdi Salihi u rreshtua përkrah kampionëve, që prisnin të kurorëzoheshin për të tretin vit radhazi. Sapo përfundoi kampionati i shkuar, ai pranoi ofertën bardheblu, duke u bërë zyrtarisht lojtar i Tiranës. "E pranova interesimin e Tiranës, pasi kjo ishte skuadra që afronte kushtet më të mira në Shqipëri. Por Tirana më kishte kërkuar edhe kur luaja me Vllazninë. Një nga investuesit e Tiranës, Lutfi Nuri, më kishte bërë ofertën e parë që kur isha te Vllaznia. Kisha një kontratë 3-vjeçare me Vllazninë dhe nuk më lejuan të lëvizja në atë kohë. Megjithatë, ika në mes të kampionatit prej Vllaznisë. Kur lashë Greqinë e gjeta derën të hapur te Tirana, që më ftoi, më priti ngrohtë dhe më afroi një kontratë të kënaqshme. Që nga fundi i kampionatit të shkuar jam pjesë e Tiranës dhe jam i kënaqur që jam këtu." Salihi rikthehet te goli. Me Tiranën bën një përfaqësim të shkëlqyer në "Champions". Tirana kalon turin e parë dhe eliminohet në të dytin. Megjithatë, sulmuesi shkodran pati peshën kryesore të sulmit dhe e nis kampionatin me oreks të madh.
Student dhe nostalgji për Shkodrën
Hamdi Salihi ka lidhje të ngushta me qytetin e tij të lindjes, Shkodrën. "Kam nostalgji për Vllazninë që më rriti, klubin që më dha mbështetje, tifozët e për gjithçka tjetër në Shkodër. Thjesht ruaj nostalgji andej." Miqtë e tij janë futbollistë, shumica lojtarë të dy skuadrave që ai luan, Vllaznisë e Tiranës. "Te Vllaznia kam shokët më të mirë, si Telin, Belishën e ma radhë. Edhe te Tirana pothuajse të gjithë lojtarët i kam shokë." Ndërkohë, përveç futbollit, lojtari shkon shpesh në Shkodër, sepse është student "part-time" në Universitetin "Luigj Gurakuqi", në degën histori-gjeografi. "Kam familjen, por jam edhe student, prandaj shkoj shpesh në Shkodër."