Re: Sistemi bankar ne Shqiperi
Sistemi bankar
Komisionet e larta bankare, shkak për qarkullimin e parave jashtë bankave
Intrevado: “Bankat kanë komisione të larta dhe prandaj bizneset nuk i kryejnë transaksionet e tyre nëpërmjet bankave
Orieta Zhupa / Data (11-11-2003)
Arsyet e nivelit të lartë të përdorimit të cash-it janë të ndryshme. Ato kanë të bëjnë me stadin aktual të infrastrukturës financiare dhe numrin ende të kufizuar të llojshmerisë së instrumenteve të pagesave, koston dhe riskun relativisht të lartë të tyre, traditën dhe edukimin e publikut me këto instrumente etj.
Komisionet e larta bankare
Komisionet e larta bankare bëjnë që shumë biznese të mos i kryejnë pagesat e tyre nëpërmjet bankave, por me para në dorë. “Ky është faktori kryesor i qarkullimit të lartë të parave jashtë sistemit bankar”,-tha Giovanni Intrevado, anëtar i Shoqatës së Investitorëve Italianë, gjatë seminarit të djeshëm të mbajtur në ambientet e Hotel “Tiranës”. Sipas tij, propozimi i qeverisë që faturat tatimore me vlerë mbi 300 mijë lekë të paguhen në bankë nuk është i drejtë, pasi komisionet bankare janë shumë të larta. “Por banka është biznes dhe si e tillë duhet të mbulojë koston dhe të marrë përqindjen e fitimit për çdo shërbim që kryhet”,-thotë Orfea Dhuci, drejtor i përgjithshëm i Bankës Alpha. Megjithatë, sigurisht që ka vend për rishikime të komisioneve bankare, vazhdon ai. Sipas tij, një alternativë për lehtësimin e pagesave nëpërmjet bankave do të ishte “loja e datë valutave”. Kjo nënkupton zëvendësimin e të ardhurave nga komisionet bankare me interesat e qëndrimit disaditor të vlerave monetare në bankë. Bankat e nivelit të dytë morën angazhimin për reduktimin deri në eliminim të kostove për pagesat e brendshme. Gjithashtu, bankat do të bëjnë përpjekje dhe në drejtim të uljes së kostove që kanë lidhje me veprimet ndërbankare duke rritur bashkëpunimin ndërmjet tyre. Organet fiskale, biznesi dhe bankat e nivelit të dytë ranë parimisht dakord për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për pagesat e detyrimeve fiskale nëpërmjet sistemit bankar me mjete pagese jocash (si çeqe, karta krediti etj). Duke filluar qe nga viti 2004, për pajisjen me certifikatë tatimore do të jetë kusht që tatimpaguesi duhet të paraqesë adresën e bankës dhe numrin e llogarive bankare me të cilat do të operojë. Legjislacioni aktual përcakton si detyrues pagesat në bankë për shuma mbi 1 milion lekë dhe Ministria e Financave do të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore që ky limit të ulet në 300 mijë lekë.
Qarkullimi i parave jashtë bankave, institucionet të paafta për të komanduar
Ylli: paaftësia e institucioneve shtetërore bën që shkalla e informalitetit në Shqipëri të jetë shumë e lartë dhe si rrjedhim edhe qarkullimi i parave jashtë bankave
Qarkullimi i parave jashtë sistemit bankar është pjesë e një ekonomie informale që realisht ekziston në Shqipëri. Tregu informal zë një peshë të konsiderueshme në ekonominë tonë duke krijuar vështirësi në konsolidimin fiskal të vendit, si dhe duke lehtësuar qarkullimin e parave me origjinë trafikun e paligjshëm, drogën etj. Bazuar në studimet dhe vlerësimet e bëra për Shqipërinë, madhësia e ekonomisë informale arrin në 33 për qind të produktit të brendshëm bruto. “Kjo ekonomi informale është shkaku kryesor i qarkullimit të parave jashtë bankave”,- tha Altin Ylli, kryetar i Shoqatës së Industrialistëve dhe Investitorëve të Shqipërisë, gjatë seminarit të mbajtur dje në “Tirana International Hotel”. Dhe është pikërisht dobësia e institucioneve shtetërore ajo që krijon në një masë të madhe tregun informal në Shqipëri, vazhdoi Ylli. Sipas tij, moszgjidhja e problemit të informalitetit është pengesa më e madhe për biznesin dhe për marrëdhëniet biznes –banka. Me këtë fakt bashkohet edhe ministri i Ekonomisë Arben Malaj. Sipas tij, përmirësimi i zbatimit të ligjit dhe të sigurisë, që kanë ndikim si në anën e biznesit, ashtu edhe në atë të bankave është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e autoriteteve drejtuese. “Përmirësimi i kuadrit ligjor ul ndjeshëm madhësinë e bizneseve “të pandershme”, duke rritur konkurrencën e ndershme dhe duke zbutur nxitjet për evazionin fiskal”, - tha Malaj.
Bizneset nuk kryejnë pagesat nëpërmjet bankave
Një pjesë e konsiderueshme e biznesit nuk parapëlqen të realizojë transaksionet nëpërmjet bankave. Kjo ndodh, së pari, sepse këto biznese nëpërmjet pagesave në cash (dorazi) kanë mundësi të fshehin xhiron faktike të vlerave monetare që ato realizojnë me qëllim të shlyejnë më pak detyrime ndaj organeve tatimore. “Nje pagesë në kesh (cash) nuk lë “gjurmë” kontrolli dhe verifikimi si në rastin e një pagese nëpërmjet llogarive bankare”. Së dyti, numri më i madh i bizneseve kosiderohet si biznes i vogël, gjë që e bën praktikisht të vështirë mbikëqyrjen e transaksioneve që ato kryejnë.
“Kjo ndodh nga që jo të gjitha bizineset i paguajnë detyrimet tatimore dhe mekanizmi kryesor është që t’i bëjmë të gjithë të paguajnë, në mënyrë që ato të jenë në konkurrencë të barabartë me njëri-tjetrin, pasi nuk mund të ecet që njëri të paguajë dhe tjetri jo pasi i bie të falimentosh më në fund”,-ka thënë Luan Bregasi, kryetar i Dhomës së Tregtisë në një intervistë të dhënë për “Biznesin”. Është pikërisht ky diferencim ai që e bën biznesin të mos paguajë nëpërmjet bankave, vazhdon Bregasi. Bizneset duhet të paguajnë edhe për shkak të civilizimit, por edhe për shkak të frikës, thotë ai. “Çështja e qarkullimit të parave jashtë bankave është e lidhur me biznesin, por në qoftë se administrata shtetërore do të krijojë më shumë transparencë dhe më shumë siguri për bizneset private, unë jam i sigurt se dhe paratë nuk do të flenë sundukëve, por do të hyjnë nëpërmjet bankave, dhe këto janë një ndihmë shumë e madhe për ekonominë dhe biznesin shqiptar”, – shton Bregasi.
“Është absurde të mendosh se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon të zgjidhë problemin e informalitetit me një spot publicitar që thotë: “Klientë, ju lutem merrni skontrinën (faturën)”,- vazhdon Altin Ylli. Sipa tij, ndryshe është të bësh sensibilizim dhe ndryshe është të kalosh në ligje integrale të cilat lejojnë kontrollin e tregut. “Fatkeqësisht sistemi ynë fiskal nuk e bën këtë punë dhe në qoftë se nuk do ta bëjë këtë punë tregu informal në Shqipëri do të jetë pengesa më e madhe për biznesin dhe për marrëdhëniet biznes-banka”, - përfundon Ylli.
Reduktimi i cash-it, problem i publikut, biznesit, bankave apo i autoriteteve?
Flet Erjon Luçi, drejtor i Drejtorisë së Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë
Bizneset shqiptare akoma nuk janë të familjarizuara me bankat. Kështu, megjithëse edukimi i publikut në pamje të parë mund të duket një nga objektivat kryesorë që duhet të adresojë kjo fushatë, për arsye të ndryshme ai nuk përbën për momentin burimin kryesor të ekonomisë së cash-it, dhe rezultatet e fushatës ndaj publikut duhet të shihen si afatgjata. Për më tepër edhe kontributi i agjentëve të tjerë, si bankat apo biznesi, në madhësinë e ekonomisë së cash-it mund të ekzagjerohet në qoftë se nuk merren parasysh faktorët që i detyrojnë ata të përdorin cash-in.
Bankat
Përgjegjësia e sistemit bankar në madhësinë aktuale të ekonomisë së cash-it mund të gjendet në shumëllojshmërinë e ulët të produkteve zëvendësuese të cash-it që ato ofrojnë. Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se cilësia e produkteve financiare (ndër të tjera zëvendësuesit e cash-it) vjen duke u përmirësuar me hyrjen e bankave të huaja në tregun bankar.
Biznesi
Bankat shpesh ankohen se bizneseve shqiptare u mungon kultura e nevojshme për të operuar me bankat. Bizneset përgjithësisht i shikojnë bankat vetëm si institucione krediti dhe jo në kompleksitetin e produkteve dhe të shëbimeve të tjera që ato ofrojnë. Shumica e firmave mundohet të shmangë bankat duke gjetur burime alternative financimi, si tregun informal dhe mjete pagese, kryesisht cash, që nuk e ekspozojnë aktivitetin e tyre ndaj të tretëve.
Administrata
Drejtimet në të cilat kërkohet ndërhyrja e autoriteteve janë sigurimi i një situate të qëndrueshme makroekonomike, konsolidimi i ambientit ligjor dhe institucional, përmirësimi i infrastrukturës (fizike dhe elektronike).
Publiku
Përgjithësisht, fushata të ndryshme që ndërmerren për një qëllim të caktuar bazohen në sensibilizimin e publikut ndaj problemeve të ndryshme të vërejtura si për shembull rasti i fushatës së ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për zbutjen e efektit të spekulimit të çmimeve të fundvitit.