Re: Sistemi bankar ne Shqiperi
Sistemi bankar
Cani: Reduktimi i cash-it në ekonomi, të gjithë do të përfitojnë
Të gjithë, përjashtuar shmangësit dhe shkelësit e ligjit, do të jenë përfitues nëse u drejtohen sporteleve të bankave për veprime të ndryshme tregtare apo dhe individuale
Aida Korkuti / Data (11-11-2003)
Niveli i lartë i qarkullimit të parave në duart e individëve (cash) në ekonominë shqiptare ka qenë qëllimi i seminarit që ka mbledhur dje insitucionet më të rëndësishme financiare dhe qeveritare në ambientet e hotel “Tirana Internacional”. Në këtë seminar ishin mbledhur të gjithë "regjisorët": autoritetet - Banka e Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, dhe "aktorët": bankat e nivelit të dytë, biznesi dhe organet fiskale, për kristalizimin e një plani të përbashkët masash të bashkërenduara për të reduktuar "cash"-in në ekonomi. Në fjalën e hapjes së këtij seminari, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani theksoi faktin se të gjithë, përjashtuar shmangësit dhe shkelësit e ligjit, do të jenë përfitues nëse u drejtohen sporteleve të bankave. Sipas tij, “Banka e Shqipërisë është e interesuar që paraja të kalojë në kanalet bankare në mënyrë që politikat e saj, e veçanërisht ajo monetare, të jenë më efikase; bankat e nivelit të dytë do të përfitojnë më shumë klientë dhe transaksione, pra më shumë të ardhura dhe fitime të realizuara; biznesi privat do të përfitonte mbështetjen financiare me kredi dhe këshillimin e bankave, të cilat pritet të ulin kostot dhe të rrisin sigurinë e transaksioneve të ndryshme financiare; organet fiskale do të rrisnin performancën e të ardhurave të siguruara dhe shërbimeve ndaj biznesit nëse tatimpaguesit do t'u drejtoheshin bankave, duke ulur mundësinë e korrupsionit; publiku do të përfitonte shërbime më cilësore të pagesave tek entet publike (Albtelekom, KESH, ujësjellës) dhe pagesa pagash e pensionesh, në mënyrë më të qytetëruar e bashkëkohore, pa pritur radhë të gjata e pa humbur kohë në sportele”. Në fjalën e përshëndetjes, ministri i Financave Kastriot Islami u shpreh se "Ministria e Financave, në mënyrë të veçantë administrata tatimore e doganore, janë të interesuara dhe kanë angazhimin maksimal për të qenë ndër aktorët kryesorë në këtë fushatë".
Ky seminar u cilësua nga ministri i Ekonomisë Arben Malaj si fillimi i një procesi apo programi ku mund dhe duhet të përfshihen një numër i madh aktorësh, duke filluar nga qeveria, bankat, organizatat e biznesit, media, institucionet e edukimit etj. Sipas Malajt, "moskanalizimi i parave në sistemin bankar ka një ndikim negativ në rritjen ekonomike, në veçanti në nxitjen e investimeve në sektorin e prodhimit. Cash ndikon gjithashtu në frenimin e zhvillimit të sektorit privat duke u reflektuar në mosfunksionimin efikas të sistemit të kreditimit, që përbën bërthamën e rritjes së mbledhjes së kapitalit dhe zgjerimit të biznesit", u shpreh ai.
Tatimet
Për përfaqësuesen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kryerja e shumë transaksioneve jashtë sistemit bankar, pra nëpërmjet kalimeve të arkëtimeve dhe pagesave nëpërmjet arkës, nga shitësi tek blerësi është shteg për abuzim tek disa tatimpagues, si për fshehjen e shitjeve, deri në bashkëpunim me blerësin për anulim të dokumentacionit të arkëtimeve dhe pagesave të kryera realisht. “Në qoftë se do të arrihej një ulje e konsiderueshme e qarkullimit të cash-it jashtë sistemit bankar, kjo do të kishte një efekt të ndjeshëm në rritjen e të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit”, u shpreh ajo. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke vlerësuar problemin e cash-it në ekonomi, në përputhje dhe me propozimet e bëra nga organizmat ndërkombëtare, në paketën fiskale të vitit 2004 ka paraqitur projektin për ndryshimin e kufirit të lejueshëm të transaksioneve në cash të tatimpaguesve nga deri në 1 milion lekë në shumën 300 mijë lekë duke përjashtuar nga ky kufi transaksionet e individëve.
Doganat
Gjatë zhvillimit të seminarit, përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u shpreh se gjatë dy viteve të fundit janë rritur transaksionet nëpërmjet sistemit bankar. Kështu, nëse para dy vjetësh pagesat e detyrimeve doganore në cash zinin mbi 90 për qind të rasteve, sot arkëtimet në cash kanë zbritur në 75 për qind të totalit të arkëtimeve. “Duhen gjetur rrugë e metoda të mbështetura ligjërisht, domosdoshmërisht duke u mbështetur në një bashkëbisedim objektiv e korrekt edhe me përfaqësues të biznesit, për të mundësuar e deri duke detyruar ligjërisht shlyerjen e detyrimeve të importit nëpërmjet transaksioneve bankare”, u shpreh ai.
Shqipëria, vendi me nivelin më të lartë të përdorimit të cash-it në rajon
Sipas anketave të zhvilluara nga Drejtoria e Kërkimeve e BSH-së, ka rezultuar se ky nivel ka bërë që Shqipëria të krahasohet me disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik, që kanë trashëguar probleme shumë më serioze në sistemet e tyre financiare që nga koha e ndarjes
Shqipëria karakterizohet nga një nivel i lartë i transaksioneve në cash në krahasim me transaksionet nëpërmjet sistemit bankar. Kjo vërejtje është bërë nga drejtori i Drejtorisë së Kërkimeve pranë Bankës së Shqipërisë, Erion Luçi, ku, sipas tij, një gjë e tillë mbështetet në nivelin e lartë të raportit të parasë jashtë bankave me ato në banka, gjë që karakterizon vendin tonë në krahasim me vendet e tjera si të zhvilluara, ashtu edhe në tranzicion. Kështu, sipas Luçit, në Shqipëri ky raport lëviz rreth nivelit 30 për qind, ndërkohë që në vendet në tranzicion të Europës Qendrore është rreth 10 për qind, ndërsa në ato të zhvilluara rreth 7 për qind, duke bërë që Shqipëria të krahasohet me disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik, që gjithsesi kanë trashëguar probleme shumë më serioze në sistemet e tyre financiare që nga koha e ndarjes. Një tregues tjetër i vëllimit të madh të cash-it në ekonomi është dhe pesha e madhe e pagesave që kryhen në cash nëpër dogana dhe e dërgesave të emigrantëve.
Anketa
Në një prej anketave të saj, Banka e Shqipërisë ka synuar të mbledhë informacion mbi mënyrën se si bëhet pagesa e transaksionit, duke ofruar alternativat përmes bankës: cash, kredi tregtare dhe të tjera. Të pyetur mbi mënyrën e pagesës në importe, nga 302 pyetësorë të vlefshëm, rezulton se pagesa e transaksionit në cash është më e shpeshtë, në 59 për qind të rasteve. Vetëm 39.4 për qind e të intervistuarve kanë kryer transaksion përmes bankës. Sikurse edhe në importe, me cash është operuar në më të shumtën e rasteve, në rreth 56.6 për qind. Sipas kësaj ankete, si konkluzion bizneset shqiptare akoma nuk janë të familjarizuara me bankat. Në rastet më të shpeshta në importe tregtia kryhet në cash. Sipas Luçit, edhe pse pretendohet që transaksionet në eksporte kryhen nëpërmjet bankave, nga vrojtimet e kryera vihet re se në një masë të konsiderueshme ato janë kryer në cash.
Propozimet për ndryshimet në aktet ligjore:
- Detyrimi i të gjitha bizneseve për të paguar detyrimet ndaj shtetit (taksa, tatime, tarifa doganore) nëpërmjet instrumenteve jo-cash të pagesës
- Dhënia e pagave punonjësve shtetërore në një llogari bankare
- Detyrimi i nje kategorie të caktuar biznesesh, siç mund të jetë “biznesi i madh” ose “biznesi i tregtisë me shumicë”, që të kryejnë çdo lloj transaksioni pagese nëpërmjet sistemit bankar.
- Vendosja e bashkëpunimit me kompanitë utilitare dhe biznesin e madh për të kryer shërbime, si pagesa e faturave me anën e debitimit direkt dhe pagesës periodike.
- Marrëveshje ndërbankare për të mos aplikuar kosto për pagesat e brendshme.
- Marrëveshje ndërbankare për të mos aplikuar kosto dyfishe për një pagesë - të hiqen kostot "incoming"
- Shtrirja kohore e orareve të shërbimeve në sportel dhe vendosja e sporteleve të pagesave elektronike (ATM).
- Studimi i mundësisë së aplikimit të skontove në kostot e pagesave me llogari kundrejt atyre me mjete cash.
Për të lehtësuar pagesat ndërbankare, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë rolin e liderit në reformën e sistemit të pagesave nëpërmejt zbatimit të dy sistemeve moderne:
- Sistemi i pagesave me vlerë të madhe, i quajtur AIPS (Albanin Interbank Payment System), i cili është një sistem me bazë shlyerje bruto në kohë reale, i tipit RTGS, dhe që është në fazën përfundimtare të zbatimit të tij.
- Sistemi i pagesave në vlerë të vogël (ACH – Automatic Clearing House), që është në fazën e përcaktimit të termave të referencës, si dhe të specifikimeve funksionale, duke konsideruar jo vetëm nevojat aktuale të sistemit financiar në Shqipëri, mbështetjen e shërbimeve të reja dhe të përmirësuara, por edhe kërkesat për integrimin e ardhshëm europian.