Re: Si vishen shqiptaret?
Jam i mendimit se shqiptarët janë popull me shije dhe gusto në të veshur. E ndoshta, përkohësisht, vetëm belgët mund të qëndrojnë para tyre, i njohur si një popull që vishet bukur. Meqënëse, vetëm diçka e ndryshueshme mund të ndryshojë dhe veshja bën pjesë në këtë “diçka”, mund të shpresojmë përmirësim në një të ardhme. Të veshurit, përjashton vetiu çdo tharm idelogjik që synon ta ngurtësojë. Cow – boy, psh pantallonat e kësaj mode, janë mbajtur edhe në Shqipëri në kohën e diktaturës, ose para tyre ka qënë moda Swing, që ishin pantallona të ngushta, tub, pas këmbës. Femrat, veçanërisht vajzat e reja, në fund të viteve gjashtëdhjetë e fillim të viteve shtatëdhjetë, visheshin edhe me minifund. Flokët janë mbajtur beatles, ose kanë ndjekur pak a shumë modën, madje në harkun kohor të përmendur më sipër, flokët janë mbajtur edhe të gjata. Natyrisht jo si në botën përtej detit.
Moda është ripërsëritje ciklike e një lloj veshjeje(me që po flasim për veshjen). Rishfaqja tregon se është shndruar në zakon, pra vlerë. Në rast se nuk ripërsëritet, kemi të bëjmë me një stil mbizotërues, (psh të lënët e kërthizës jashtë, nuk është diçka e përsëritur dhe nuk dimë nëse do të përsëritet, kjo do të thotë se mund ta hamendësojmë si një vlerë, jo ta përcaktojmë, gjë që duhet të na “qetësojë” emocionalisht). Në këtë përherëshmëri që lëkundet, zbulohet edhe natyra mashtruese e modës. Si një hapësirë ku krijohen edhe konceptet individualiste të të veshurit. Është mjaft e rëndësishme të kuptojmë se lavjerrësia, pahon ndryshimin midis të veshurit dhe të mbuluarit. Psh, femrat në Lindjen e afërme, nuk vishen, mbulohen. Kam parasysh copën që hedhin nga koka në këmbë.
Nuk ka rregulla diktues në të veshur, e si pasojë rregulli nuk është normalitet, meqënëse rregulli në vetvete është tentativë për ngurtësim. Rregulli diktohet nga morali, por ky i fundit s’mund të diktojë modën, vetëm mund ta ndikojë. Psh, moralisht, trupi duhet mbuluar, që do të thotë se rrugës s’mund të dalësh lakuriq. (Kujtojmë Evën e cila mbuloi organet e saj të riprodhimit me një gjethe fiku sepse provoi turp...?ose ndoshta edhe i erdhi inat pse Adami nuk e kishte vënë re më parë, por u bë kurioz dhe e dëshiroi, vetëm pasi u mbulua) Moda dikton të veshurit. Pastaj, se unë vishem me tirqe në 40 gradë është problemi im, jo i përrethisë, nuk thyej asnjë rregull të moralit. Besoj se shqiptarët nuk kanë mbrritur deri në këtë pikë dhe ironia e përdorur në raste kur flasim për temperaturën gjetiu dhe si vishen shqiptarët, është pa vend, ose një meskinitet në fuqi. Pra, të quajturit e rregullit normalitet dëmton sepse synon të ngrijë natyrën plastike të modës.
Pyetja që bëhet është: Si mund të kompletohet një individ, nëse privohet nga përvoja? Dua të them, se brenda një mënyre të veshuri, një adoleshent zbulon edhe vetveten. Ka femra që u shkon të veshurit e minifundit, sikurse të tjerave jo. Njëra duket seksi me tanga, një tjetër duhet të veshë mbathje të një madhësie e modeli tjetër, të dyja janë normale. Por, nëse nuk vishet me minifund, si mund të zbulojë që nuk i shkon? Ka femra që ndoshta s’kanë nevojë për taka të larta, por ka të tjera që takat i përdorin edhe për të rritur lartësinë trupore. Ky është mashtrimi që ia lejojmë modës, sepse është i nevojshëm për personin vetë, por edhe për të tjerët. Vajza kur nxit dëshirën e një mashkulli, nga ana tjetër e bën edhe mashkullin të dëshirueshëm. Sepse kjo vajzë pëlqen dikë të cilit duhet t’i tërheqë vëmendjen. Pra ai mashkull është i dëshirueshëm për të dhe femra bëhet pre me dëshirë. Në të kundërt s’do të kishte asnjë shans për ndjenjën. “Femra ka fuqinë ta pranojë dëshirën e meshkujve” thotë Bataille(a).
Lloji i veshjes që shikojmë sot në rrugët e qyteteve tona, madje edhe ato të vogla, pse jo edhe në fshatrat buzë rrugës, të cilat janë më të ndikuar, (në kohën e monizmit raporti popullsi fshatare me qytetare, ishte 68 – 32, në favor të së parës, ndërsa sot, them se është përmbysur. Është e vërtetë që fshatari sjell me vete edhe mentalitetin, por është po aq e vërtetë se, askush nuk do të duket fshatar dhe bën çmos të ndryshojë. Natyrisht kërkon kohën e vet, por, ka më shumë ditë se kuleçë i thonë një fjale. Madje shpesh kjo ecuri shndrimi mbart edhe situata komike, si puna e asaj barcoletës së fshatarit që mbushi xhepat me euro, u vesh me rroba “firmato” dhe përfundoi tek lokali më luksoz i Tiranës. U ul në kolltuk, përdori mirë thikë e pirua, pagoi, la edhe një bakshish prej pesëdhjetë eurosh dhe u ngrit të shkojë. Kur Kamarieri i habitur e thërret:
- (katu)Nari!...
- Dreq, po nga e more vesh që jam fshatar? - pyet Nari.
- Po ja, - përgjigjet kamarieri, - kur u ngrite shkunde me pëllëmbë pantallonat mbrapa...) pra, mënyra e të veshurit që vërejmë sot, nuk duhet gjykuar me keqdashje, as edhe intepretuar si një faktor negativ. Të ruash traditën nuk do të thotë të shkojmë në dasëm me kostume popullore, do të thotë të zhvillosh një dasëm me ritet shqiptare. Rreth dhjetë ditë më parë kam ndjekur një emision televizim ku tregohej një dasëm e bërë në Theth. Ishte mjaft e bukur si e tillë. Kishte larmi veshjesh, që nga ato të sjella nga amerika, e deri tek kostumet popullore të zonës. Kërcenin valle njësoj të gjithë, këndonin këngët e dasmës njësoj të gjithë. Kjo është ruajtje e traditës.
A – Georges Bataille, shkrimtar dhe filozof francez – 1897 – 1962. “Erotizmi” kapit. “Femrat, objekte të privilegjuara të dëshirës”.